Gjaksorvet

(1899)

Ndalnju! Kû veni burra ?..
Pash Zotin; lshoni hutat!
Pse teper gjak â derdhun,
Pse teper bajtë kem’futat:
Prej vaj’t na â marrun zâni
Medet, o qiellë, medet!

A thue nuk jemi vllazen
T’njâj atmes t’tânë rritë n’prêhen,
T’tânë t’quejtun me nji êmen?
A thue, kështû do t’zêhen
Ata, qi 'i gjûhë e 'i doke
E 'i gjak kan bashkë e 'i Mbret?

Ah váj! rrjedhë vala e Drinit
T’tânë gjak - ah! gjak Shqyptarit…
Kush kje, kush kje aj mizori,
Qi pushken rroku s’parit
E duert tash don me i zhye
Në gjak t’vllazenvet kot?

Ah! kjoftë mallkue prej Zotit!
E vejë atij mbetët grueja
Djali i njatij t’perbuznit
Veshun me zhele t’hueja,
Kerkoftë nper dyerë të shekllit
Pá u gjetë kush me i dalë zot.

Jo, jo; se mâ prej sodit
Thêmra e gjaksorve e mnershme
Token nuk do t’a shklase,
T’cillen, n’at kohë të ndershme,
T’Parët t’onë, rrebtë tue luftue,
E shuguruen me gjak.

Atjè nen vapë t’Sahares,
Nder luâj e pardha jeten
Mizuer, kush don me shkimun
Në gjak t’vllazenve eten,
Atjè, pá kênë vajtue,
Mbaroftë i nâmët per lak …

Djelmt t’onë, — ah kob i zí!
Djelmt t’onë e Arbnís uzdaja,
Të cillt dergue i pat qiella
Per me mbarue pûnë t’mdhaja,
E vllazenve i muer pushka
E kalben sod në vorr …

E kânga nder né shuejti,
Porsi n’nji shpí dalë fare:
Me thirr nder hatlla mblue
Lahuta eshtë shqyptare
E por shêjzeza qyqe
Shqyptarve u kndon n’oborr …

Dridhu, gjaksuer i mnershem,
Se t’erdh i zí rreziku!
Se neper terr, Njaj, t’cillit
Kúr i veton qerpiku,
Dridhet n’themel t’tânë sheklli,
Kundra teje po vjen.

I zí e i perfrigueshem
I prin Atij thellimi;
Ftyren i a zblon vetima,
T’cillen i a ndezi idhnimi;
Tue bumbullue rrufeja
Raven Atij i a then.

Me zhgjeta të frigueshme
Doren Aj e armatisi;
Qe, se edhe e rrebtë duhija
Idhun mbi tý tash krisi,
E 'i dét të zí ankimesh
Permbi krye t’and dikon.

Qe, se edhe vala e mnershme
Perpin me gjire t’veta
Shpin t’ande prej themelit;
E grueja e jote shkreta,
Fmîn t’ue tue mbajtë nen sjetull,
Nper valë kot pshtim kerkon.

U dha mbi tý tash gjygji,
E zhgjeta e frigshme e Zotit
Mbi tý vjen tue fishkllue …
Rrzou, o i pashpirt! pse q’motit
Pat thânë nji Zot: do t’bjeje
Kshtû, nierin m’tokë kush vrau.

O Zot, pse kaq vonove
Gjaksorin pá ndeshkue?
E, dér sá ky mizori
Gjak vllazensh pat dikue,
Kot landë rrufeja e jote
Pse bjeshkavet por çau?

Pjesa e radhës
Burrnija