Oj Zânë t’këndojm… t’vajtojm, deshta me thânun;
Pse sod ditë kânget s’âsht per mue e tye.
Ç’gëzim kjo ditë né mundet me na dhânun,
Kúr, qe, mbas nji motmoti q’i u pelqye
Europes Shqyptarin zot n’shpí t’vet me e lânun
E kuej, posë Hyut, m’ket jetë mos me i sherbye,
Shqyptari i dam prap me vedvedi gjindet
E shka â mâ zí, prej vedit edhè s’bindet ?..
E ku kjo punë kisht’ ndollë, posë se n’Shqypní,
Qi 'i popull, s’parit dalun prej robnimit,
Per nji motmot të rrijë aj n’anarkí
E t’bâhet pralla e gazi i rruzullimit,
Ke i zoti s’âsht aj sod mu vũ m’hullí,
Edhè me u thâne anmiqve e t’tânë njerzimit:
«Un ktû sundoj! M’ket shkam mue m’vûni Zoti,
E kndej nuk luej, pá u shuemun stina e moti!»
Ah! t’mjerët na, t’mjerët! E sod, me’i pecë të kuqe
E me 'i orrl, duem qi Shqyptarija e mjera
T’dalë vedit n’dritë, si vedit çilë n’bubuqe
Nji drandofillë e njomë, kúr kthen prendvera…
Jo, jo, Shqyptarë! por bânje flamrin duqe
E zhytnje n’Dri, t’mos t’a zhvillojë kurr era.
Flamrin kombtár nuk ká shka bân nder né,
Po kje se dashtuni nuk kem’p’r Atdhé!
E, drue, dashtni p’r Atdhé nuk ká Shqyptari;
Me gjasë, s’çán kryet Shqyptari per kómb t’vet,
As per njat gjûhë të âmël qi i la i Pari,
As pse Shqypnija n’vedi u bâ sod shtet;
Pse e shof se ves atje, kû xhixhllon ari
Pá frŷmë e tue dihatun vrap aj nget:
Si Krishtin shiti Juda Iskarjotë,
Drue, Atdheu nder né po shitet p’r’i zallote…
A thue mos fola keq?.. Po lypi t’falun;
Perse ktû vetë me fye nuk due kurrkendin,
E pse âsht mire fjalën n’zêmer t’frût m’e ndalun.
Por njaj, qi të liruem me e pasë s’do vendin,
A prej se s’mudet vetë m’shkam t’naltë me dalun,
A prej se tjervet s’don m’u a lshuemun rendin,
A thue ai s’âsht Judë? Po, kâmbë e krye Iskarjota!
E prá, ksi nipash ká 'dhè shum Kastrjota…
E po p’r ata, qi, zyre e nderë harrue,
Qi, marre e turp kaherë flakrue mbas shpinet,
M’visár t’Atdheut me t’huejë shkojn tue tregue
(Kush ndŷt mbas Frankut rrêjtë, kush mbas Sterlinet,
Kush pse Dinari teper i âsht lakmue),
E Athén prej s’huejësh me e qitun duen bashtinet,
Thue edhè per ta ndokuej do t’i hije çuda,
Kúr thâm, se nuk janë tjeter, veç se Juda?..
Po, Juda janë, e gjinde janë trathtare,
Porsi njatà, qi n’mend prej s’huejësh mahitun,
Varzat e djelmt, — e para uzdajë Shqyptare --,
Me ndiesí t’hueja n’shkollë i çoin me i rritun,
Tue lânë mbas doret t’âmlën gjûhë amtare,
Pá t’cillen kombi s’mundet n’dritë me u qitun;
E me çakrrija, t’mbetna shkret mbas tregut,
E lânë me u rrêjtë nipnín e Skanderbegut.
O Skanderbeg Kastrjota! O rrfé mizore!
Serbjani i mnishem, po, ke votra pshtetun,
Nipavet t’vet u flet m’lahute zâtore,
Sa force e anmikut pit nen shpatë t’ká mbetun:
Por nipat t’ue n’Shqypni sod nder msojtore,
(Kû gjûha shqype hin si fmij i gjetën…)
As êmni nooshta, nuk e dijn si t’quhet;
Pse tjere fatosa atŷ me zânë u duhet.
Veç po; njat êmën t’and t’bekuem, t’mahnueshem,
Si t’huejë, si nipa t’ue, dijm me t’a quejtun,
Kúr ndonji lâsh dobijet fort t’ngatrrueshem
Me tê duem me zhgatrrue, e kúr me vuejtun
Duem ndonji kundershtim, qi n’vend t’naltueshem
S’na lên m’u kapë mbas dshirit t’onë të pruejtun:
Nen êmen t’and, po, t’gjith at herë na strukna,
Kúr athetarë n’sŷ t’kombit duem qi t’dukna.
Ah! jo; kângë gzimit sod, moj Zânë, nuk due!
Sod un due qi kahë fjalët e mija t’dalin,
Si rrkajë Vulkanit, t’shkojn tue gurgullue:
T’shkojn tue therun, si thika, qi thér djalin
E vetun âmel m’prêhen t’nânës pushue:
T’bumbullojn, po, si rrfeja, qi trandë malin;
Pse teper keq Shqypnija e ngratë ká ngelun,
Tepër pá nderë pse nâmi i saj âsht shkelun.
Oh váj! Oh kob! Oh marre e turp per nè!
Sod sheklli mbarë prír synin prej Shqyptarvet,
Me pá si perkujdesna per Atdhé,
E si u dishmojm me pûnë na kundershtarvet
Se jemi t’zott me u lidhë me besë e fé
Edhè vetë me sundue vendin e t’Parvet:
E na, harû e si polipa deti,
Veç hapim sýt me shkye ndo 'i send per veti!..
Shqyptarë! Shqyptarë! Ndigjoni, pashi Zotin!
Pá jú kurr s’mundet n’dritë me dalë Shqypnija:
A thue, prá, n’terr po e lini m’e shkue motin,
Tash qi u dergoi t’bardhë fatin Perendija
Flamur me ngrefun n’vedi? e Gjergj Kastrjotin
E t’Parët, a thue, kshtû do t’korisë nipnija,
Ke shoq me shoq enè s’kem’rá na n’fije?
Ke vêmë dobín perpara çdo Shqypnije?
Ah! jo, Shqyptarë, jo; mos e lshoni doret
Shqypnín e mjerë, — ket Atme t’uej t’bekueme!
E cilla sod, pervûjtë si vashë kunoret,
S’parit po hin nder fise t’gjytetnueme.
A thue pse teper t’ngushta i ká terthoret
M’e lânë me dnesë prap nen kâmbë t’huej t’poshtnueme?
Mã e vogel se Rusija pat kênë Sparta,
Por nâmi i saj a shkrue me shkrola t’arta.
Ah! ktû, Shqyptarë, po, ktû; e m’vorr t’Kastrjotit
Per rreth Flamurit t’onë t’gjith t’bâhna 'i vllá,
Edhè t’apim shoshojt besën e Zotit
Se per Atdhé na kem’m’u orvatë pá dá,
Tue shkri per tê të gjitha ditt e motit:
Se para t’gjith në vorr na kem’me u kjá,
Se e lâme Shqypnín me e shkelë prap thêmra e huej.
Posë Zotit n’qiellë, s’do t’i sherbejm mâ kuej.