Kryetari i Bashkisë së Tiranës e Kryetari i Asamblesë qendrojnë përballë e, me fesa të thijtë në krye, kanë xanë kryet e vendit. Mandej, Ministra e Deputetën e tjerë të grishun, ndër të cilët edhe BABATASI, janë ulë kush ndër vende t’caktueme, kush aty ku mbas gjaset i duket se asht té vendi. Disa shikjojnë jo vendin që mund t’u takonte, por nierin ngjat të cillit dishrojnë me ndêjë. Kshtu:
KRYEKUNGULLI me TERRTABUCLECIN; VESHLLAPOTA me KRYEMATAREN, SURRATQEREPI me FTYRFUDULLIN, KRYETULI me GOJOPANGEN, HUNDSPECI me HUNDKASTRAVECIN e tjerë, sidomos dallkaukë aty-ktu, rreth e rrotull. Diku atje poshtë ka xanë vend edhe MIHAJL GRAMENO. Në fund të salonit nji INSPEKTOR ARSIMI, që s’din shqip, pshty prej Turkijet në Shqipni. Në fillim mbi tryezë nuk ka pije, por Deputetënt lypin shumica birrë, ndokush edhe “mastikë”, edhe menjiherë u mblodhën tryezat me shishe birre, si lâmi i grunit me korba. Kush s’pijte, filloi me hangër minestrën që me kohë ka pasë kenë dikue(qitë) ndër çinija. Tue u çilë shishët e birrës, xen me u çilë edhe llapa e zotnive të grishun e nisin me bisedue, kush vesh m’vesh e kush t’madhe me shoqi-shojnë, tue thanë fjalë që me u ndie edhe skaj më skaj të salonit. Kah herë VESHLLAPOTA po flet dishka nën zâ me KRYEMATAREN.
DIALOGU I
Veshllapota e Kryematarja
VESHLLAPOTA
Si vjen devri edhe zamâni,
Me u seritë mbi vedi insâni!
Me u seritë me bâ çudi
Kè do punë mund t’bâjnë vaki,
Për të cilat kujton nieri
Se s’mund t’mbijnë hiri as pa hiri,
Por që rrotull tuj ardhë jeta,
Tue u endë moti ndër stinë t’veta,
Ato dalin fjesht t’vërteta,
Edhe bindet nieri i shkretë
Për shka mund të mbîj n’ketë jetë.
Qé, po zamë, sot njizet vjet
Me pasë kapë kush muhabet
E me t’thanë se i’ditë m’mbretni
Do t’na mbahej kjo Shqipni,
Shqipni e keqe – e krejt teneqe –
Un, për vedi, do t’kish thânë
Se até mêndt krejt e kânë lânë,
Se trûtë m’qafë atij i kan rá
E asht krejt potkojsh ai lá,
Me u ruejt n’timarhane t’ndryeme.
Mirë, po, sod kjo â punë e kryeme,
E un, zavalli, me 'i kalë thîja,
Do t’vikas rrugve si fmîja:
Rrnoftë Flamuri e rrnoftë Shqipnija!
KRYEMATARJA
Meazallah! Se ç’kemi pritë,
Ç’kemi pritë – ma pá n’ketë ditë:
Me ia njitë vedit “Shqiptar”,
Arnaut – e npër pazár
Endu e shendu vi e vi
Përmbas Flamurit kuq e zi,
Tue britë t’madhe: Rrnoftë Shqipnija!
VESHLLAPOTA
E prá, e di, ti lum zotnija,
Se si vetë, po tash do mot,
– Kur ktu urdhnote tjetër zot –
E ná ‘i m n’ “fès” e n’ “redingot” –
Kam lá lesh pa kqyrë shka â mshira,
Me t’gjith njata shqiptarë qafira
Që i kam gjetë se për Shqipni
Kan punue, e për liri
E për Flamur kuq e zi
I kam rrahë, i kam mundue,
Tokë e shpi u kam pushtue
Shnjerzue u kam un vajzë e grue,
E i kam kalbë, besà, n’hapsane,
E i kam tretë syrgjyn n’Adane,
U kam dhanun mal e shkrep,
I kam marrun për gazep,
Un, po, vetë, po, bendenyzi;
Pse mehmurët që çonte Yldyzi
Ishin t’butë e s’ki’n kyvet
Për me e bâ Shqipninë terbjet…
Si kjé puna, tash, s’po di,
Qi ná u bâ né kjo Shqipni,
Kshtu, pa pritë e pa kujtue:
Punë që kurr s’e kish mendue!
KRYEMATARJA
Eh Shqipnija – lum zotnija,
Ajo u bâ, pse kshtu desht fati:
Diku fati – diku Frati,
Diku miku – diku anmiku,
Ku letrari – ku atdhetari,
– Që pshtue patën nga litari –
Elè Austrija – me singija,
Dér që s’mbrami u bâ Shqipnija.
(Dikush gugson të madhe në salon.)
Mkamsit bijnë “pilafin” m’tryezë. Nji palë Deputetën nisin me u xanë për punë të “pilafit”: kinse “pilafi” ka kenë tash 500 vjet e tektej – ideali i shqiptarvet, për mbas të cillit motit nji palë shqiptarë s’kishin marré e turp me pshty më Fé e Atdhé, më sa do tjerë s’kan turp sod me shkelë n’erz e besë e burrni.
DIALOGU II
Kalangêrrçi e Kryekortolla
KALANGÊRRÇI
Jo, po, vetë – e kam pa rrênë –
Kurr shqiptar – tobè! – s’kam kênë,
As s’kam dijt se shka â Shqipnija,
Shka Gegnija – e shka Tosknija,
Shka kombsija – e shka lirija,
As shka t’zijt asht Qeverija;
E as kam pasë un dijeni
Për at Flamur kuq e zi,
Që tue hjedhë rri për terthuer
Atje nalt mbi Prefekturë,
Ku pat kenë “hâna” dikur.
Se un tash vonë jam bâ Shqiptar,
Kur jam shkrue s’pari zyrtar
E mu lidh rroga n’frang ar.
KRYEKORTOLLA
Po a 'imênd lypet që 'i zyrtar
Domosdo të jetë Shqiptar
Për me marrun rrogat n’ar?
Se, as un kurr Shqiptar s’kam kênë:
“Shqiptar” do me thanë i kshtênë!
KALANGERRÇI
“Shqiptar” s’do me thanë asgjâ…
KRYEKORTOLLA
E po atëherë? Si me ia bâ?
KALANGERRÇI
Kollaj fort. Njiherë vên n’krye
Nji ksulë t’thijtë, disi m’njân’ sye,
Për me dajtë dishka rrebèl,
Edhe ngrihu kacagjèl
Mbi shokë t’ue: P’r’i burrë Shqiptar
Asht si “shan”, me kenë krenar,
Çehre-suz, brutal. Atbotë
Zén n’gojë Lékë e Kastriotë…
KRYEKORTOLLA
Allahile! – Se t’rashë n’fjalë –
Disa herë kam dashtë me t’ndalë
E me t’pvetë, shka asht ky Kastrjota,
N’gojë që e zânka ktu mbarë bota?
Turk a i kshtênë – a shka ká kênë?
KALANGERRÇI
Ky ká kênun nji krutânë:
Elez emnit i kan thânë
– Shqip, demêk, Gjergj kisht’ me ‘i ardhë –
Edhe ky, moj faqja e bardhë,
Paska kênë, po thonë, nji zdap,
Hukubet i madh, sa ‘i trap,
Me nji mjekërr për gazep,
Edhe kênë paska kasap,
Që nuk pritte veçse skjèp
Për “babajn” e teqes s’Krues,
(Kushrî i parë nga ana e grues…).
Qatje vonë – për ç’punë s’e di –
Paska rá Mbretit hasí
Edhe hikë e dalë kah Zhuba,
Ku na u bâkà me do cuba,
-Brac i keq – tue vjedhë ndo’i shtrrí,
Der’ që e kapin dy zaptí,
Dy djelmoça – si kaprroça,
Me mustaqe vesh e m’vesh,
Të cillt lidhë t’a çuen në Lesh
E, ta rrasën mbrendë n’hapsane.
Aty, atëherë, ky kopilane,
Tue ngranë kastraveca e fiq
Mori ethet edhe diq.
Diq e shkoi, si mos t’kisht’ kênë
As turk dinit, as i kshtênë.
KRYEKORTOLLA
E, m’atëherë pse m’e përmêndë
A ndopak, thâm, ketë belá?
KALANGERRÇI
Po, por t’kshtênët e mbajnë “iljá”.
Prandej ti, tue kênë zyrtar,
Për me u dukë se jé Shqiptar,
Njifarë vllaut me të krishtênë…
KRYEKORTOLLA
Meazallah!
KALANGERRÇI
Po ndonji herë
Ké nevojë – t’a zâshë me gojë
– Merret vesht: Kodër mbas bregut –
Emnin e Gjergj Skander-begut
– Sozyn ia bâmá! – Pse kshtu
E lypë puna sot ktu.
(Prap ndihet nji goksim i fortë në salon.)
MONOLOG
DAUD EFENDÎJA
Ish-mehmur i Turkisë, mbushë dy fulqitë, tue u përçápë e me nji koshë bibe në dorë, vedi me vedi.
Po, po; sod Shqiptar un jam,
E Shqiptar për t’mbetun kam:
Fjesht Shqiptar e zog Shqiptarit,
Mjaft qi t’m’hecë mue rroga arit.
– Jo mâ, thonë nji palë, nuk bân
Nji turk dini, ‘i mysliman,
Kênë dikur tebaja i Mbretit,
Sod, “Shqiptar” m’ia njitë aj vedit,
Me britë rrugave si fmija:
Rrnoftë Flamuri! E, rrnoftë Shqipnija!
E mehmuri i nji Turkisë
Me marrë rrogat e Shqipnisë! –
Xhanëm, po, s’po them se jo:
Se mâ ná t’Dauletit jina,
As t’gjallë pa Daulet nuk kina,
Veç, p’r’i herë, Daulet s’po ká,
Mandej vetë, manà, n’belá
Kish’ me rá, pa ‘i mehmurjét,
Sado t’vogël, n’hyqymét
Të Shqipnisë, që, sado shkrét
T’mujë disi me gjeçenisë,
Mirë a keq, me u beshletisë.
Se manà, kaq qesatllêk
Ka kapë vendin sa, demêk,
S’ké pse del n’pazar aspàk:
Veç me u êndë, po, npër sokàk,
Me pi kafe – me çá llafe;
Se, për punë me bismiláhi,
S’ké shka bán n’pazar, valláhi! –
Veç se as kjo Shqipnija e jonë
S’po ishte, besà, ashtu si thonë,
Krejt e keqe – edhe teneqe.
Qé njiherë e pikë ma e pára,
Për me folë si e lypë e mâra –
Nji kjo e bardha Shqipni e jona,
Qi lánë rrogat n’napoljona –
S’po m’â vên mue gjunin n’bark
Që m’i a njitë un vedit “Mark”:
Me prishë ditt e ramazânit
E me dalë dinit e imânit.
Bilè… nejse. Mbasandej
E dijnë t’vogjël edhe t’mdhej
Se un për dije jam krejt bèrr,
Lé e rritë, si thonë, në térr,
E se asgjâ, harâm, nuk dij.
Jo, për dije, dij pak fort,
Pse, kur un kam pàs kênë fmij,
Në mejtèp m’çojshin me zòrt:
Kshtuqi sod un, për kah dija,
Jam – si me thânë – mjaft bagti,
Nji sênd që, po, vetë Turkija
Si këlbazë m’pshtyni n’Shqipni:
M’qiti jashtë, shkurt llakërdija,
Kè asaj gjâ s’isht tue iu dashtë
Pa gjâ n’xhep e me byk n’rrashtë.
Por, po e zâmë se un dishka dij,
– Se prap Turku ktu n’Shqipni
Po sundon, si pat sundûe
N’ato kohë qi kan kalue, -
Sa meash, thue, do t’m’kisht’ dhânë?
Pesqind grosh n’muej, shum me thânë!
Po, por kjo Shqipni e jona
Rràsh njizet m’ep napoljona
Rrogë në muej, pósë se aq e mâ
Marr nën dorë. Eh!.. shka me bâ…
Kshtu po e kishte kjo dynjâ:
Dy nën dorë e tri nën thue,
Un për vedi e ti për mue - …
E pra vetë mezì me kndue
Që dij shqip: Se mâ me shkrue,
Pak e aspak. Do t’kuqem n’ftyrë
Me pasë kush me ndejë tue m’kqyrë
Kur vé imzan. Prandej me mhyr
Un nënshkruej akte zyrtare,
Kah për shkrim dora s’m’bân pare.
Pse, prá, tash, përse un dikur
Pata kênë tebaja i Mbretit
Edhe kênë pata mehmur
Nën Turki, Shqiptar sod vedit
Mos t’ia njés: Edhe, demek,
Prej Shqipnisë mos t’marr ajllék,
Mbasi sod un në Shqipni
Po i kam punët mjaft n’terezi?
Përposë ksaj – kam shum uzdajë,
Uzdajë t’ngulët e jo hava,
Mbasi kam un nji akraba
N’Ministri – ngjati, Zo’jetën! –
E kam miq do Deputetën,
Se do t’zgidhem veteran:
Kin’, demek, se un nji zaman
Qindrue paskam për vatan,
A, si thonë sod, për Atdhé,
Tue bâ nâmin n’turq e m’shkjé:
Turqt tue i vrá e shkjét tue i pré!
Ani turqit!.. Sa për shkjé,
Lè se vrá nuk kam kurrkênd,
Por, mos tjetër, nëpër mênd
Sa kjé Turku në ketë vênd,
Do t’m’ket shkue kjo punë, thâm, shpesh:
Si me i bâ, demek, t’gjith pshésh.
Por për turq… a bân vâki?!..
Si m’kan shpifë ketë punë, s’e di!
Un kam plasë me i ndálë n’Shqipni,
Jo mâ, tash, shì vetë m’ia hí
E, kshtu m’turq me bâ kërdí!..
Ah pà! Pà! Pà! Rrêna! Rrêna!,
Xhânëm! Rrêna e kaçarrêna!
Un vetë turk, paskam pàs vrá Turqit?
Meazallah! Hatá!..
Diku veç ndoj Deputat
E ka hjedhë ketë fjalë për shpat,
Sa me e qitë punën në kllef,
Se, manà, mue gjithkush m’njef
Edhe e din se për Shqipni
S’kam bâ tjetër – kè un e di –
Der më sod, veç se ndo’i fmij.
Prandej fjala veteran,
Që kjo po ishte 'i fjalë taljan,
Shqip mund t’thohet për taman:
Kastraveca për bastan…
Sido kjoftë, si veteran
Kam me pasë nji rrogë mujore
Prej Financavet shtetnore.
Prap Shqipnija – berqavers! –
Dy djelm t’mi, me t’cillt mjaft ters
Kam pasë punën, pse harâma,
Faqezez e dy kryeshtâma,
Zhytë ndër vese e ndër flligshti,
Sa as s’kam mujtë me i pá mâ n’shpi
E i kam pasë primênd havale,
M’i ka marrë e çue n’Itale,
Tue m’u dhânë bursa shkollore
Prej Financave shtetnore.
Edhe kshtu, n’saje t’Shqipnisë,
Ata tallen e gërvallen
Npër sokaqe t’Italisë,
Kin’, demek, po xamë terbjet,
Po xamë dije e marifet:
Endu e shendu poshtë-përpjetë,
Si ata mázat nëpër knetë!
(Ktu gukson njiherë të madhe)
Por kam pasë edhe nji cucë,
Nji gojëshkarpë, nji sybirucë:
Sa kam drashtë se ká me u plakë
Mbrendë në shpi, pa gjetë nafakë,
Pa gjetë kênd që m’ia ngâtrrue,
Tue ia dhânë, belanë, për grue:
Vajza rritë e bâ hargele.
Kur, qé, ‘i ditë Ministri i Arsimit
Çon e m’thrret me shum exhéle
– Porsi t’ishte shtet rrethimit –
E me mue, ashtu krye për krye,
M’ban rixhá qi t’éme-bij
Ta dërgojshe der n’Austri
Për me xánë vajza me kcye,
Me m’xánë dájre edhe çapáre,
Që kur t’kthete n’tokë shqiptare,
Pipin n’gojë, synin kakruk,
Për mbas vedi ndoj qén-uk,
Zhaburetën ulë m’njanë sye:
Buzët në t’kuq, marshalla, zhye,
Si t’kisht’ ngrânë fiq kakaréça,
Vetllash repë si peshqt lakéça,
Dy kapakësh setrën shpërthye:
Përmbi gjû kotllën shkurtue,
Krahët der m’stjetlla picakue,
Vesh e m’vesh flokët rrumullue,
Dishka djalë e dishka grue,
T’dijte ajo rrugës me u përkûndë,
Kodër vithet me i lëkûndë,
Me hjedhë kamën, me dredhë belin,
Me këcye “kamsharavelin”,
Kamë për kamë e duer për duer
Me oficera e me mehmurë
Me Njizetetetë Nanduer;
Pse po thonë, ka thanë Luigj Shala,
Gjergj Kokoshi e Qamil Bala, -
Zgjedhun teste mbas besimit –
Se t’gjith vrapi i qytetnisë
E i lulzimit të Shqipnisë,
– Posë se nëpër brýna t’skjapit –
Aj po matej për mbas hapit
Që po bajshin varzat t’ona
Tue kcye ballo npër salona:
Edhe grat – veç jo fort t’vjetra.
Kshtu që sa mâ haptë t’jetë “sétra”,
Edhe kamët e ndoj marroqes
Sa mâ larg t’rrijn prej shoshoqes,
Kur t’kcejë ballo e t’hidhet lepër,
Duen me thanë se njáq mâ tepër
Hapet dija – e qytetnija,
E, aq mâ fort lulzon Shqipnija.
Edhe rrashtat arsimore
I caktuen nji “bursë” shkollore
Prej Financave shtetnore,
“Si mbas ligjit në fuqi”.
Napoljona ar flori,
Për njiherë, mâ mirë nuk ká!
Mue Shqipnija m’doli vllá,
Mâ dahà se vetë Turkija:
Bân fmij grueja e mbâjë Qevrija.
Ku kjo punë mund t’bâjë vakí?
Kurrkund n’jeti veç n’Shqipni!
Jo, p’r’i herë jam n’terezí;
Kurr mâ mirë vedin s’e di!
– Dersa t’m’hecë, prá, puna mârë,
E t’m’hecë rroga në frank ar,
Kam për t’kënë gjithmonë Shqiptar.
Veç jam n’hall me t’ême-bij,
Që sa kthej, belaja, n’shpi,
Ia ka nisë kjo me u zgërdhî
Me harâma djelm të ri,
– Do kodosha batakçi, –
Hà-hà-hà! E hì-hì-hì!
Hì-hì-hì! E hà-hà-hà!
Tobe stagi furullah!
Por pse vetë, ashtu tue e pá,
Shpërvjelë shtatit për hatá,
– Me t’u xânë, vallâhi, syet! –
E, se askund s’po çáte kryet
As për t’âmën as për mue,
As me mshie as me gatue,
As pse digjej tava n’furrë,
Thashë me vedi: Diku burrë
Veç lypë kjo, po, edhe ia fola
Njaj zotnije, djalë esnâfë,
Mjaft i zoti edhe kah shkolla:
Muej për muej ky shtèk tue rráfë
N’at Avropë për reshperí;
Serè s’mirë, taman zotní.
S’dij kù t’zijt paska pasë ndie,
Edhe ‘i ditë vjen tue turfllue,
E po m’thotë me sherbesllek:
A imênd, babë, don me m’martue?
– Hik, mò, i thashë! Maskarallek!
Nuk t’vjen marre, vajzë tue kênë,
Punë martese me përmêndë?!
Un nuk dij se ku e ké kryet
E, sa mirë të bâjnë ty syet,
Babë e nanë tue i pasë sod gjallë,
Me m’xânë mue n’gojë ketë fjalë?! –
Mirë, po kuçka ç’merr e ç’m’thotë:
Ti, mor’babë, jé njeri idjotë,
Injorant e fanatik,
Me tesbih e me jibrik:
Gukson t’madhe mbi sahán,
Rri tue u falë sabàh e akshám,
Lut bajram, mbân ramazán,
Edhe bân natën harám,
Se nanës sorra mêndt m’ia pivi
E, mâ s’din shk’â imperativi
Që po i thonë kamlikaçik…
Jo me gjásë, kategorik
Se un, po, burrin e gjêjë vetë,
“Si mbas ligjit në fuqi”,
Se un kam zanë, manà, nji ashik,
Djalë të bukur-karajfil:
Se as lazëm nuk kam pvetë
Nanë, a babë, Hysejn, Tafil,
As me pritë m’bajram m’bajram,
Se un pa e marrë çajre nuk kam,
“Si mbas ligjit në fuqi”:
Se s’ka Allah as Perëndi:
Nuk ka Krisht as Muhamet,
Se gjithshkafja asht nji shauret
Që përfton nieri n’rrashtë t’vet;
Se jashtë nesh nuk ka kurrgjâ:
Na jém “Zot”, na jém “dynjâ”!
Edhe del, si cùb haram,
Derën tue përplasun brrâm:
Kaq, naleti, isht’ çue at ditë peshë!
(Ndër kaq i kcen mica n’tryezë.)
– Pis! Pis! Pis!..Pis! Hè kaurreshë! –
Taksirat, por shka me bâ!
Kush laneti pat dijtë gjâ,
Kur e nisa për Avropë,
Se mêndt do t’i darte n’shkjopë
E, se mue do t’m’kthete n’shpi
Me 'i qèrr huj e ‘i kal hakrri
Tue m’a qitë gjithë ketë travajë!
Se, t’mos isht’ po, shêrri i sajë,
Un,vallahi, npër Shqipni
Kjeshë tue e vue krejt n’terezi,
Pse po m’thonë qi atje ma vonë
Nji pension Shqipnija e jonë
Edhe grues ka për t’m’ia dhanë:
Si shum kujë atje në Vlonë,
Durrës, Berat, Korçë e Tiranë.
E ma tepër kam uzdajë
Se kjo e bukra moj Shqipni
Edhe ajlleqet do t’m’i lajë,
Që m’kan mbetë pa nxjerrë n’Turki.
Un, qi motit nën Turki
Kam kenë rréshkë e bâ sylash,
Edhe mrudhë si spec turshi,
E, me të thanë shum, nji zollotë
S’kam pasë n’qese, npër Shqipni
Po i kam prap sod m’katër rrotë:
Rrî e bâj pállë me grue e fmij,
Diku rroga, diku “thoni”,
Kodër qesja m’rri në gji,
Këndej thûmi, andej patkoni,
Nëpër t’bukrën ketë Shqipni,
Kaq t’jam vû sod n’terezi,
Me m’a pasë nji Páshë lakmi.
Veçse prap mue, si Shqiptar
Që jam sod, edhe zyrtar,
Kollaj fort mund t’m’qesë ndêshtrâsha,
Prap do drêdha – pak si t’trâsha –
Me ia hjekë Shqipnisë n’lëkurë:
Sa t’ketë gjâsë për nji mehmur,
Merret vesht. Po zâmë: Nji vilë,
Edhe t’vogël, ndoj qifllek;
Nja pesë mij sterlina pilë
Kûnd n’ndo’i Bankë; ndo’i ortakllek
Me shoqnin “Ragazzi” n’ura,
N’rruga, n’vija e ndër fatura
Ministrinash, nuk jan shum.
S’shkoj un, jo, hallakatrum,
Se as me fikë nuk due un shtetin.
Meazallah! Un due veç vedin,
Pak a shum, me ndreqë. Sa páre
Bâjnë për shtet, disa cingâre
Sa t’marr n’ “Stamles”? Në Financë
Prap ndoj púllë? Nji udhtim der n’Francë?
N’Semmering, mbasi pak n’zgrip
Jam me shndet? Prap pse n “Agip”
Mangut t’dalë ndoj but benzinë?
N’petka ushtarësh pse ndoj sterlinë,
Si pa dashtë, t’m’rrshasë në xhep,
S’asht, kujtoj, gjith aj gazep,
Si po e zâmë – e ktu po e lâmë,
Do kallâmkusure tjera
Që mehmurit hera-hera,
Si pa 'hiri, i jesin n’thue,
Jo harám, harám nuk due
Nji dy paresh… Ah pà! Pà! Pà!
Tobé stagi furullàh!
Se harami asht nji gjynah!
Jo qi as hajrin s’ia shef shpija.
Ndiç, po thâm prá, se Shqipnija
S’po ishte, besà, jo, aq e keqe,
As nuk po ishte krejt teneqe,
Si nji palë shkojnë tue trillue.
Veç me ‘i punë thâm, kán gabue:
Që ia kân njitë emnin “Shqipni”.
Do t’kisht ardhë mâ n’terezi
M’ia pasë njitun “Hajmalí”.
Se kjo kênka ‘i bukuri:
Mue m’ka dalë, manà, Misir!
Do t’m’kisht’ dalë, por, tham, mâ e mirë,
Po t’kish’ ndollë un muhaxhir,
Me do krye tanë kodra-kodra:
Nji krye-grreç a krye-matáre,
Lkurën trâshë taman për lodra:
Si kál shtrigash npër xhaváre,
Ftyrfudull e terbjetsuz,
A për dylme – tobe stàg! –
Alà franka me tanuz,
Mjekrrën ndûkë, çallmën n’sokak,
Prift, as hoxhë, as pop për sy:
Zyft në shpirt, flori ndër dhamë;
Në kalem, në dije n’krye
Taman shtâsë me katër kamë,
Edhe vetë garuzhdë e djallit,
Çilipir tue i rá kavallit,
Pse ká gjásë, që do t’kish’ hí
Edh’ un, po, dikur në vistër
T’njerzve t’mdhej të ksaj Shqipni,
E me u bâ, ndoshta, Minister:
Edhe m’shpinë t’automobilit
Me ‘i rá surles e bylbylit
Npër Tiranë, Korçë, Durrës e Shkodër;
Barkun fâ – marshalla! – kodër
Në “sutljásh” e “kabuni”,
Gjela deti pjekë n’tepsi
N’shpinë të t’bukrës moj Shqipni.
M’pasët m’qafë baba – kjoftë i zi! –
Që gaboj e léu n’Shqipni
E, jo kund n’Greqi, n’Turki,
N’ Rumani, n’ Jugosllavi!
Mjaft me lshue nji sy n’Arsim
Për me pá, po, se ç’gëzim
Asht me kênë muhaxherim
Jugosllav sod në Shqipni!
Po, pra, dèh! Ktu në Shqipni,
Hè ksa’i raftë… nuk dij se shka!
Se kjo kenka – marshallà! –
Përnjimênd nji bukuri,
Me t’vojtë mêndja, për Allah!
Se po asht harrna 'i gurabi:
Gurabi e vogël-gogël;
Prap, gjenè, ketë gurabi:
Kaq t’a vukân n’terezi
Muhaxhirët saloniklí,
Gogë, rumun, serb, stambollí,
Kush barí, kush djathaxhí,
Kush bakall, kush bozaxhí,
Paçaxhí – mejhanexhí:
Njani piq kshtêja n’çarshí,
Tjetri n’krye vú kamilaf,
Dikush hoxhë, dikush myftí:
Kush n’jorgan e kush n’plaf
Kush zhelan – kush sallahan,
Por yrýsh lshue t’gjith m’pilaf,
Ta kanë qitë, po, Shqipnin’ n’grusht,
E tóçë brryl n’mastikë e n’musht,
T’kanë bâ zyret monopol
Ç’prej Koplikut m’Konispol,
Franka ar tue grrye me spòl,
Do Ministra – e Kryeministra,
Tjerët prefekta – e nënprefekta,
Ktá n’Botore ata n’Foshnjore,
Disa antárë – disa gjyqtárë:
Kush me dá tokët e Shqipnisë
Ndër t’Dobruxhas t’Rumelisë,
Megjithse aj vetë ktu ndën né
Mos t’i ketë kûnd shtatë pllâmë dhé
T’vetat, me hí n’vorr për s’dekuni –
E shko e eja npër Avropë,
– N’ “wagon-lit” pështetë si lopë –
Ktu Bajloza, atje Sefira:
Krushq ndër Krajla e mysafira,
Me ja u pasë, manà, lakmi
Deri lordat n’at Angli!
Megjithkta, prap’mirë se mirë,
Jam sod Páshë, në mòs Vezír.
Nuk asht keq, jo, për Allah!
Prandej, prá, edhe un si fmija
Do t’vrras t’madhe: Rroftë Shqipnija!
(Tue pshtye dy a tri herë m’anësh)
Tobe stagi furullah!