Ana e Asamblésë
Kaherë kafazi i Parlamentit, veshë me còhë të kuqe, ka dalë në Parlament e asht ndêjë qiri n’kambë ndërmjet ziles e anës s’Asamblesë. Shërbtorët e Parlamentit mbushin katrovat me ujë për Deputetët, ndërsa “tellalli” njëherë, e mbasandej xhendarët, me bajoneta ngrefë, urdhnojnë qi të mbyllet pazari. Tiranasit kush shkon në shtëpi, kush rri mbas “tarabave” të dugajës, tue u xé në zjarm e tue pritë qi duhija e së kremtes kombtare të kalojë. Rrugat e banimet janë stolisun me flamurë kombtar. Mbi portare t’oborrit të Parlamentit mvaret nji zhel i kuq, me ketë nënshkrim: “Rroftë Parlamentua”. Ana e Asamblesë vjen e mbushet pilë e përmaje me zyrtarë, do terzi e “marangona” shkodranë, do tregtarë kontrabandaxhi korçarë, miq Deputetësh. Mbrendë shifën nja tri a katër zoja e zojusha, e disa oficera veshë civil. Dy tribunat, ato edhe janë mbushë, si dy kutija sardelesh. Në njanën anë ka xanë vend Këshilli i Naltë, bashkë me do zotni të tjerë të zgjedhun e me nja dy skrrâje cucash të motnueme të “Kryqit Kuq Amerikan” — të gjata e të thata si dy parë krezhme ortodoksësh. Në tjetrën asht Trupi Diplomatik’ Ministri i Anglisë, nji levantin “dora vetë”, çubardh e balosh në ftyrë; Ministri i Italisë, burrë i njeshun, çufrrok, por jo krejt antipatik e i pakrypë, si shumica e Diplomatëve të tjerë, ngulë sytë m’anë prej Pekingut; Ministri i Jugosllavisë, nji tesh me t’ngja dishka me me nji hû dullije, por synin kokërr. Në nji skaj t’anës e kermez në ftyrë, asht ndejë Mihajl Grameno, i cili, tash e ma vonë, ndihet kè thotë, si nëpër dhambë: rezilat, surrat-qerepat, maskarenjt. Ka hi edhe Vinjau qi s’duel i zgjedhun për Deputet në prefekturën e Gjirokastrës.
Hin nji çetë Deputetësh. Ma vonë hinë edhe disa të tjerë. Ia mbrrin Kryetari i Parlamentit në “redingot”, tanë hundë, tanë veshë e tanë gojë. Ia behin Deputetët e Shkodrës. Nji Deputet i Korçës, Tosku, xen vend në kolltuk të vet e hin me folë me nji Deputet të Tiranës, të cillit tue i mbarue fjalën, ndihet se i thotë për gaz: “Eh!..Baba!..” Kafazi i bjen ziles. Hinë prap do Deputetë të tjerë. Së mbrami ia bèhë Qeverija. Mbas Qeverijet hin edhe Babatasi, da mjekrren dysh si dy lvore pjepni dhe xèn vend diku atje ndër zyrtarë, krej hupë ndër mendime. Atëherë, mbas urdhnit të Kryetarit, shërbëtori mbyll derën e sekretari kndon emnat rresht e rresht mbas rendit alfabetik der në ma të mbramin: Z. Zija Toptanin.
KRYETARI
(Më kambë tue u mbajtë për tryezë, purë shtatin prej Deputetësh, si samâr pështetë për mur.)
Shumica asht; mbledhja hapet
Zotni, n’ketë anë llapet,
Jem’ pështjellë e grumbullue
Ktu, pse kombi na ka çue…
BABATASI
(me vedi)
Besà, pra, me ç’ m’ duket mue,
Ktu kurrkush ju s’ju ka çue,
Veçse vetë, po, keni rrâ
Zhaben t’uej mirë për me fâ.
Kombi i ngratë aj nuk din gjâ
Se shka keni n’mend me bâ.
Ah! Po, mirë ju njoh un ju.
KRYETARI
Shtetit t’onë themel me i vue,
Nji Statut na tue i ndërtue:
Nji Statut “oksidental”
Si për fushë ashtu për mal.
TERRTABUCLECI
Nji burrë dishka si jevg: Me nji ftyrë të rreshktë e të zymtë, si nji mushkni kali, e me do mustakë njeshë faqeve, a thue se ngjitë me tutkall. Çohet e flet, pa lypë fjalën:
E pra vetë kishe me thanë,
Se për tash do lanë m’njàn’anë
Puna e ktij Statuti. Shteti
— Si n’Shqipni ashtu edhe njeti —
Ka lazëm për Qeveri,
Qi me mbajtë kombin n’hullí;
Pse, sa për Statut, s’e di
Ç’na duhet Statuti né?
Qeverija për ketë dhé,
Tham, asht mjaft.
Statuti asht kot.
KRYETARI
E vertetë, por, sot për sot,
Pa Statut nuk bahet dot:
Pa ‘i Statut, sado edhe çal,
Por qi t’dajë si “oksidental”;
Pse, po s’pat Statut Shqipnija,
Atë e Kombevet Shoqnija
Kisht’ m’e dbue, besà, prej vetit
Si nji rriqën. Prandej Shtetit
I do dhanë Statuti.
PALOK CUCA
(pa lyp fjalën)
E pra,
Un thom jo. Asht kot me thá
Dokrra ktu për punë t’Statutit,
Mbasi endè ligjët e “harbutit”
Janë n’fuqi ndër né. Nuk bân.
“Redingoti” me fistan…
Deputetët e partisë qeveritare përplasin kambët; ata t’opozitë nji palë qeshin nën mustak, nji palë ulin sytë.
KRYETARI
(tue i rá ziles)
Lyp fjalën nji herë, zot’rote,
Mandej fol. Kjo asht krejt fjalë kotè
E, n’ “rend t’ditës” nuk hin aspak —
Por ksaj fjalë po i vemë kapak;
Pse, tash, ktu, ju zotëni,
Kèm’ nji fjalë me shumë randsi.
Për me mbajtë Financat n’rregull…
BABATASI
(me vedi)
Qi me luejtë mandej ju shtregull…
KRYETARI
Do t’isht’ mirë qi Asamblistat
T’merrshin rrogat edhe kistat
Për tre muej, si “paradhane”…
BABATASI
(me vedi)
Për me luejtë bixhoz n’mejhane…
KRYETARI
Pra, kush asht i ktij mendimi,
Që t’na epet sod shpërblimi
I tre muejvet, t’çohet në kamë.
Të gjith Asamblistat, pa ndërlikim partish e intrigash, çohen m’kambë, posë P. Ambroz Marlaskàjt O.F.M. Kryetari vetë ngrihet si hû telegrafe para tryezës së kryesisë. Edhe Ministrat çohen, posë Kryeministrit, i cilli ban se asht tue këndue deklaratën që do t’ia bajë Asamblesë. Zyrtarët zanë e çyçyrisin njani me tjetrin.
Mihajl Grameno nunuron me dikë që ka përbri, e tue folë me té për kushedi për çka, ndihet kè i thotë: Pizavengat! Halldupat! Surrat-qerepat!..Ministri i luftës, me kamë edhe ai, mban sytë n’ajri: Ndoshta aty për aty i bjen m’mend puna e xhendarëvet, të cilët me gjith se prej sish mvaret qetësia e vendit e përparimi i kombit prandej, kanë nandë muej rrogë pa marrë. Ministri i Financavet grisë buzën me dhamë, kah mendon se kashën e ka thatë e si padashtë i shkojnë sytë më Vinjaun, i cilli, përzie me popull, e shikjon si ai nën elter… Sherbtori i Parlamentit, qi edhe ai ka tri rroga pa nxjerrë, rrumbullon thonjt e gishtavet me dhambë. Kryetari, tue mos pasë nevojë me njehë votuesit, thotë:
Punët do t’shkojn, shpresoj, me namë:
Kem’ votue të gjith nji zani.
DIKUSH PREJ DEPUTETËSH
Për posë Kryeministrit…
KRYETARI
Njani
Çon e s’çon kandar. (Me vedi) Ç’nevojë
Kryeministri ka t’votojë,
Kur Ministrin e Financës,
Si njat zogun e fëllanxës,
E mban n’grusht. (Në za) Tash ktu ma para
Se t’fillojmë na tara-tara,
Do këndue nji telegrafë
Që ktij Kshilli ia ka rrafë
Prej tèj detit, nga Bostoni,
Nji zotni koleg i joni.
SEKRETARI I PARLAMENTIT
(këndon telegrafën)
Duke venë ré ilegalitetin e zgjedhjeve (nervozizëm i madh n’Asamble), duke patur parasysh inkompetencën e shumicës së madhe të misave të zgjedhur (përplasje kamësh prej anës së Deputetvet qeveritarë) e, se prandaj “Asamble” e “Parlament” në Shqipëri nuk janë tjatër veçse një komedi e turpëshme, që lozin avantyrjerët e palaçuat analfabetë, sharlatana slavo-turko-greko-shqipëtarë mbi kurrizin e kombit të gjorë e kafshë, e dyke qënë i sigurtë se këta zotërinj kurrin e kurrit s’i dëlirin dot veshët nga “hallva”, jam i shtrënguar të jap dorëheqjen nga mandati që më qé ngarkuar nga popullsia e Prefekturës sime. Sygjeraqina.
DEPUTETËT QEVERITARË
Po, pranohet.
DEPUTETËT OPOZITARË
Jo, s’pranohet.
KRYETARI
U pranue. Ka fjalën “zoti” Kryeministër.
Me njiherë zhduket zani e potera n’Asamblé. Kryeministri me nji hije të randë e njiheri edhe buzqeshun, ngjitet m’pult të kryesisë, tue rrotullue sytë mbi Asamblé. Disa ndër Deputetn hapin gojën e préfin veshët. Nji ndër ta — s’dihet se kush — gukson të madhe.
KRYEMINISTRI
Deshti Zoti
Dhe ia mrrimë kësaj ditë,
Aq me d’shir qi e kemi pritë,
Përse sod, po, me Asamblé
Nisë për komb nji kohë e ré.
Kohë lulzimi e përparimi…
TOSKU
(tue i rá ndër fjalë)
Eh po, inshalla! Lulzim specash,
Kungujsh, laknash, kastravecash;
Përparim misrash të lashta
N’kopshtë t’Ministrit t’Punvet t’Jashta…
Se për tjetër përparim,
Përparim — a lulëzim,
Besà, asht kot me u folë ndër né
N’daç n’kohë t’lashta n’daç n’kohë t’ré.
KRYETARI
(tue i rá zilës)
Lutem, fjalën mos m’ia pré.
TOSKU
Pàj, nji herë e pìkë ma parë,
Për shumë kênd, po, ndër Shqiptarë
Përparimi asht vetë nji armik,
(Kryetari i bjé zilës ma fort.)
Msimi e dija nji rrezik.
KRYEMINISTRI
Jo, kjo fjalë s’asht e vërtetë.
Shqiptarija vjetë për vjetë
Asht tue shkue gjithnji përpara
Ditë për ditë t’iu dhanë e mbara.
Sod me sod gjithkund qetsija
Ktu mbretnon, ç’se Qeverija
Çarmatisë popllin e ká
E, as me vjedhë s’lèn, as me vrá.
HUNDLESHI
(Sjellë prej Kryetarit e tue trakllue me gisht m’tryezë)
Lypi fjalën.
KRYEMINISTRI
Masandej Shteti bâ ká hapa t’mdhej
Edhe n’lâmë t’kulturës e t’msimit:
Si difton budgeti i Arsimit,
Që ka çilë — në krye t’pesë vjet’e —
Pesqind shkolla…
BOSKU
Mehmurjete, Thuej ma mirë — n’daç me ia gjá —
Sa për t’majtë miq e akraba:
Apo vegla politike,
Vegla fejé n’dorë t’njâjë “klike”,
Që me mndyra masonike
E pa turp tue shkelë ndërgjegjet
E njatyne qi bajnë zhegjet
E acarimin e stinës e t’motit,
T’mund nipnija e Gjergj Kastriotit
T’përforcohet n’dije e n’msim,
Duen t’pengojnë çdo përparim,
Çdo kulturë oksidentale…
KRYEMINISTRI
Nuk asht gjâ, zotni, aso fjale
Përse vetë, po, Qeverija
Deklarue ka npër fjalë t’mija,
Se ajo don që Shqiptarija
T’jetë nji Shtet oksidental…
BOSKU
Me tanuz.
KRYEMINISTRI
Jo, zotni, m’fal.
Por si t’gjitha shtetet tjera.
T’Evropës.
BOSKU
Mos e thuej dy hera
Zotni, at fjalë, pse t’qeshë Tirana —
Po, a për njata tre aeroplana
Të shkatrruem e nji “Markoni”,
Ndêjë batall n’Durrës, Ju thoni,
Se jem’ shtet oksidental?
(tue kqyrë kahë “klikarët”)
Me mehmurë endè orjental,
Që zbutue nuk i ka shkolla
E qi sytë mbajnë kah Stambolla;
(Kryetari shkundë ma fort zilën)
Që nuk dijnë se shka asht Atdheu
E, për t’cillt vetë Skanderbeu
Asht hajdut, mor lum zotnija,
S’qytetnohet, jo, Shqipnija.
(Zhurmë n’Asamblé).
TERTABUCLECI
Protestoj “rrebtsisht”, zotni Kryetar…
Ktu s’po ka qetsi.
Duket, po, se jem’ n’Shqipni.
(Kryetari shkund “rrebtësisht” zilen)
BABATASI
(me vedi)
Pse nuk kthen n’Jugosllavi?
TERRTABUCLECI
Kto janë fjalë, për me përçá Turq e t’kshtênë.
BOSKU
Ktu turq nuk ká…
BABATASI
(me vedi e tue kqyrë kahë “klikarët”)
Var, efendêm, var! [1]
KRYETARI
(tue i ra ziles e tue luejt kryet Terrtabuclecit, thotë në zâ)
Belá!..
(Boskut) Zotni, jeni jashta rendit
T’ditës.
BOSKU
Làk s’do bâ kuvendit,
Por do folë e drejta rrumbull.
A din ku na bahna grumbull
-Na qi quh’mi “intelektual”,
Edhe mah’mi “okcidentalë”? —
Në shfrytzim t’Financës s’Shtetit.
Ktu, po, t’damë na s’jém n’mjet t’vetit,
Edhe gjindmi gjithmonë bashkë:
Nuk na ndajnë Bajram as Pashkë;
Se për ndryshe — posë gjithkuj —
Për sho-shojn na jemi t’huej,
Sa që sod fjala “bashkim”
Ndër shqiptarë s’ka ndo’i kuptim.
Pse jo veç që t’dám na jina,
Por as n’mênd kurrkund s’e kîna
Me u bâ bashkë. M’besoni mue.
Prandaj kot rrin tue turfllue
Zotëni Terrtabucleci,
Mbasi n’thes nuk hin koteci,
Edhe bota nuk há bar;
Por há bukë.
TERRTABUCLECI
Zotni Kryetar…
BOSKU
E, prandej janë t’gjitha rrêna,
T’gjitha rrêna — e kaçarrêna
Fjalët e mdha qi na trillojmë
E pa turp qi ktu llapzojmë
Për bashkim. Por megjith kta,
Kombi i ngratë, t’mos ishim na
Qi me dokrra politike
E me fjalë kabalistike
Me e marrë mêndç, der m’sod aj vetë
Mnyrën, thom, do t’a kish gjetë,
Si, tue ndêjë secili m’veti.
— Kshtu si ndá na ká kysmeti —
Do t’ki’n mujtë bashkë me gjallnue,
Shoqishojnë për pa trazue.
Pse e vërteta asht kjo, zotni,
Qi ndër né sod ktu n’Shqipni
Si kristjan — si muhamedan,
T’cillt sado qi bashkë s’jetojnë,
Me gjith kta me shoqi-shojnë
Nuk kan t’keqe ndër punë feje
— Për posë shka â i ksajë Asambleje —
Ata s’kan ndo’i kundërshtim
Edhe kan, po, shum nderim Ndërmjet vedit.
Qé, po e xâmë,
— Ktu po e flasim, ktu po e lâmë,
Pse s’po flas, jo, për me shá,
Por ma fort un hàll me kjá —
Na shqiptarët jem’ mjaft belá,
Mjaft barbarë e… me shát n’ujë,
Me gjith kta, ndër mênd kurrkujë
Sod me sod s’i vè’ me prishë
As xhami, as teqè, as kishë,
As kujë trûtë m’ia nxjerrun kréje
Për punë dini a për punë féje.
Prandej, tham, ndër kta gjashtë vjet
Qi Shqipnija mkambë asht shtet.
Ata rá do t’ki’n’ujdi,
Do t’ki’n rá n’udhë e m’hulli
Ç’ligjë e ç’trájtë me i dhanun shtetit,
Si me marrë e dhânë n’mjet vedit.
KRYETARI
Un nuk dij ku don me dalë
Zotni Bosku me kto fjalë.
KRYEKORTOLLA
N’ “kantoniz’m”, zotni Kryetar…
TERRTABUCLECI
Në parim antikombtar.
Poshtë! Poshtë “kantonizma”!
DISA DEPUTETËN
Rrnoftë Bashkimi kombtar!
KRYEMINISTRI
Shka qoftë Kantonizmi në Shqipni…
A drò jemi n’Helveti,
Ku tri kombe shteti ka,
Ndër kantone na me u nda?
Na, shyqyr! Jem t’gjith nji vlla;
Jem’ Shqiptarë me gjuhë e gjak,
S’duem kanton as s’duem bajrak:
Duem Shqipni t’pamvarshme e t’lirë!
(Duertrokitje…)
DEPUTETET QEVERITARË
Kryeministri rroftë!
BOSKU
Fort mirë.
Rrnoftë e kjoftë. Veç shka, zotni,
E vërtetë që na n’Shqipni
Vllazën jem’ nga gjuha e gjaku,
Por hallbu — si turkoshaku
Thotë — si vllazën s’po jetojmë,
As vllaznisht Shqipnin s’po gzojmë;
Kush me túl kush me koc n’gojë.
Qé, për shembull t’na tregojë
Kryeministri ktu njiherë,
Sa zyrtarë ka “kardashllerë”
Të krishtênë n’Kryeministri?
Nji, me thânë, jo, kè un e di.
E po mbrendë në Ministri
T’Punvet t’Mbrendshme sa, thue ká
Ksì zyrtarësh, me t’cillt aj vlla
Po e mban vedin?
TARAVOLI
Asnji besà.
BOSKU
Na, mandej, kèm’ pesë Shkëlqesa —
Pesë Sefira, a shkaf u thonë,
Mirë a keq t’cillt vendin t’onë
— Ku s’po e njef mâ qéni t’zo’n
Në dhé t’huej sod përfaqsojnë
Qeverinë, edhe lajmojnë
Për shka bluen bota për né:
Mirë, po, ‘i t’ kshtênë ndër tá s’e ké.
Ktu Terrtabucleci lypë ujë. Vjen shërbtori me gotë e me kungull ujit në dorë e i jep me pi. Pìn edhe Kryekortolla me atë gotë, mandej Veshllapota, mbas tij Kryetuli, Kalangêrrçi e nja dhetë Deputetën të tjerë.
Prap n’tri mi, a mâ pak, ushtarë
Kèm’, po, ràsh tetë komandarë
Kolonela, e pak me thanë
Nja tridhjetë Majora, t’tanë
Veshë e mbâthë porsi Alemanë:
Por ndër tá, s’di, a e ké 'i kristjan.
MINISTRI I LUFTËS
Zotëni s’kanë mbarue shkollën…
BABATASI
(si npër dhamë)
E as m’e pá s’kan pá Stambollën…
BOSKU
Janë pallavra, t’u ngjatët jeta!
T’gjitha dokrra e fjalë të shkreta,
Shka me thânë po don për shkolla:
Se mâ e dijmë se ç’msime t’holla
Po mund merren ndër do shkolla…
Por asht tjetra, besà, n’thes,
Që un për fushë ktu s’mund e qes.
Kryeministrit veç po i thâm
Se Shqipnija do t’shkoj dám,
Q’se dikush — se kush s’e di:
Nieri, a “klikë”, a se “Parti” —
Po don zot me u bâ n’Shqipni,
Për me lânë Shqipninë Turki.
Ktu, Terrabucleci çohet e del prej anës s’Asamblesë
Kjo asht arsyeja, zotëni,
Per të cillen shka asht kristjan
Lêhêt ujë me rrah n’havan
Ndër Financa e Punë Botore
Edhe lêhên krejt mbas dore
Ku t’jetë çashtje administrate,
Punë komande a punë legate
Jashtë Shqipnisë ndër tjera shtate.
KRYEMINISTRI
Ky â 'i mendim i zotnis s’ate.
BOSKU
E nji punë e zotnis s’uej,
Që n’ketë çashtje, posë gjithkujë,
Tue e mbajtë jeni shatin’ ujë.
Zhurmë e madhe n’Asamblé — Kryetari shkundë pa prâ zilen.
KRYEMATARJA
Po a për t’bâmë na çashtje féje
Jèm’ ktu mbrendë ksajë Asambléje,
A për çashtje “kombëtare”?..
BOSKU
Për asnjanën, Kryematare.
Jém’ për rroga e kurrgja tjetër;
Rroga n’ar, por jo në letër.
T’kallxoj vetë qi jam i vjetër
E, jam regjë me ksò kopallash
Por asht mirë që t’shporrmi prrallash
E, ta thomë nji herë t’vërtetën:
T’mos ta rrêjmë kombin e veten
Tuj u shitë për “liberala”,
Për “modern” e “oksidentala”,
E se mbrendë ksaj Asambléje
S’duem me u marrë na me punë féje.
Se na fénë e kem’ krye-kreje,
Qeverija, edhe, zotni,
Besà, mirë po e bân dishmi
Se ç’frotë liberalash jemi
E ç’liberalizm na kemi…
Jo, po, kot na çajmë kopalla
Për bashkim e tjera prralla;
Se na t’dám jemi n’mjet veti,
Si mos t’ishim njerz t’nji shteti,
Fisit t’ndryshëm si t’kî’m lé.
Pàj na bashkë s’kém’ besë as fé,
As moral — as ideal,
As kulturë e as histori:
Né kem’ bashkë gjak e gjini,
Né krushqí — né kumarí,
Né miqsí — né ortakí,
Lagjet m’vedi — e fshatet m’vedi,
T’ dám me oxhaqé — e me sokaqé,
E me petk — e me djalekt,
Me gojdhana — edhe me tbâna,
Thue se 'imênd s’jém t’gjith shqiptarë.
Prandej, tham, se asht punë e mbarë,
Masi t’dám de facto jena
E, as kurrkund ndër mênd s’e kena,
Me u bâ bashkë, që ndër kantona
T’a ndajmë shtetin sado vona,
Por tue ruejt njisinë shtetnore
Edhe t’drejtat qytetnore
Për secill’n minoritet
Që kantoni t’ndryjë n’çark t’vet:
Ma mirë dá zotni, se çá.
A se, ndryshe, t’zgjedhim Mbretin
Edhe n’dorë t’ia lshojmë na shtetin.
N’dorë t’ia lshojm na fatin t’onë,
Që ky t’jetë, dér vonë e vonë,
Autokrat përmbi Shqipni:
Vetë me zí — vetë me përzí,
Pa çá kryet për Qeverí
E ma pak për Parlament,
Që për né asht nji element
Krejt damtues — edhe shkatrrues.
Me tetdhetë përqind “klikarë”
N’Parlament s’hecë puna mârë.
Fort ma mirë, t’kém nji tiràn,
Se 'iqind vetë me dorë n’sahàn.
Zhurmë e poterë e përplasje kambësh prej anës së Deputetënve “klikarë”.
BABATASI
(me vedi)
Ky po folka pravo, zdravo… [2]
Kryeministri i ban me sy Kryetarit, që t’a kpusë bisedën.
KRYETARI
Pesë minuta pushim…
(çohet e del)
NJI DEPUTET
Bravo!
Se kjéçë thá krejt për duhan.
MIHAJL GRAMENO
(tue qeshë)
“Redingoti” me fistan…
Deputetënt dalin prej anës s’Asamblesë, shumica e madhe e tyne tue u zgërdhi njani me tjetrin. Kush ndezë cingarën: Kush shkon me pi ujë n’odë të katrovavet; kush rrethon aty njanin a tjetrin Ministër, për me i porositë për ndo’i zyre vllanë, akrabanë, mikun, bashkbesimtarin e vet, analfabeta, semi-analfabeta, delinkventa atëherë dalë prej burgut — sido kjoshin. — Nji palë flasin vesh m’vesh me kondrabandaxhi, ortakë të vet; tjerët futen në zyre të Kryetarit, ku, bashkë me té intrigojnë për punë të moratoriumit të Korçës, për punë të “misrit” të beglervet të Tosknisë, për konop e jullarë beglerësh, për portogala nipash e stërnipash, për hekura e materjal tjetër lufte t’ushtrivet të hueja, për plane qytetesh e kryeqytetesh, për nandëmijë napoljona t’udhës së Durrësit etj. etj. etj. Ka asish, mandej, që, hû m’kamë para njanës a tjetrës tribunë, xânë kuvend me njanin a tjetrin Ministrash dragomanash të huej. Mbrenda odës së katrovavet e m’prak të dritarës së saj, thye xhamash, që ep m’odë të shkallës, nji sheqerxhi Tirane, ortak me nji deputet shkodran, ka qitë me shitë hallvë, sheqera të kuq me “gjela” m’krânde, limontoz, xhixhi-birrë, mastikë, voe të zijme etj., si me thanë se ka çilë nji “bufet” për parlamentarë. Nji malsuer i Mbishkodrës i kshtênë, qi, tue u ndodhë në Tiranë, kishte pasë shkue me ndie bisedimet e Asamblesë, pvetë nji muhamedan malok prej Skraparit: A turqe kanë folë apo arumçe? — Jo, kanë folë rumunçe, ia kthen 'iskraparasi. Odat e komisjonevet vlojnë me deputetën, si verës kjori me miza. Dikush, vesh m’vesh me ndo’i mik të vetin, flet turçe, kush grekisht, e të gjith nji shqipe mushke, të bastardhueme, me terme e trajta djalektale të ndryshme. Tash a ma vonë, aty — ktu ndër ta ndihen fjalët “demokrat”, “aristokrat”, “diktator”, “feudal”, “vagabond”, “vagabondazh”, “analfabet”, “pasha Shqipninë”, “për flamur”, “i poshtërm”, “të poshtërm”, e këso fjalësh të tjera bihude. Dikur del Kryetari prej zyrës së vet. Kafazi i bjé ziles e Deputetënt, kokrra — kokrra e pritueshëm — si me kenë tue shkue me ruejtë ndonji të dekun — hinë n’anë t’Asamblesë. Si bahet numri legal, mbyllet dera e kuvendi zen fill.
KRYETARI
Kryeministri fjalën ká.
Veç, zotni, u baj rixhá
Fjalës sho-shojt ndêsh mos me i rá.
KRYEMINISTRI
Ndiç, zotni, si kjeshë tuj thanë,
— Se për gjysë fjalën paçë lanë, -
Qeverija ka ndër mênd,
Me punue shumë për ketë vênd —
Për ketë shtet…
NJI DEPUTET OPOZITAR
Oksidental…
(si me gaz) Uh! Po, “zoti” Kryetar; m’fal.
KRYEMINISTRI
Kjo njiherë, si thashë ma parë,
Çarmatisë ka popllin mârë;
E prandej, pa mûnd aspak,
Sod mund t’çohet ligja m’cak,
E, “xhelèp”, “pagë” e “vergî”
Mund do t’mirren edhe n’malci.
DISA DEPUTETËN QEVERITARË
Mirë, mirë fort.
KRYEMINISTRI
Mandej, zotni,
Tham asht mirë që edhe ndër né
— Si kudo njeti mbi dhé —
Veç nji ligjë t’hijë n’punë gjithkund:
Në qytet, n’malci e n’katund,
E, kanúja t’zhduket fare,
Që asht nji ligjë kryekput barbare.
TARAVOLI
Mirë, po thue do t’kesh mendue,
Cillat ligjë mandej me u vue
Në zbatim ndër male t’ona,
— Ç’mer prej Matit té Valbona —
T’cillave vetë Turku i Azisë,
Që aq t’madh dàm na i suell lirisë
Për pesë shekuj rresht e rresht,
Kurr kanún me u prekë nuk desht.
KRYEMINISTRI
Ligja e shtetit, merret vesht.
TARAVOLI
Por kjo ligjë â 'i ligjë e hueja —
E Turkisë; ndërsa kanúja
Asht nji ligjë, po, fjesht shqiptare
E, prandej nji ligjë kombtare,
Pse ngjallitë prej shpirtit t’kombit.
Pra nuk bân që prej avromit
T’Asamblesë të shuhet fare.
KRYEMINISTRI
Po, por ligjë asht kjo barbare.
TARAVOLI
Si e Turkisë.
KRYEMINISTRI
S’asht njâ për njâ,
Kujtoj un. Por, me gjith kta,
Për n’pastë t’meta mexheleja,
Sod, qi mbledhë asht Asambleja,
Ajo mundet me u qortue,
Shka ka t’tepërm tue e krekcue,
E shka t’mangtë tuj e plotsue.
TARAVOLI
Mirë, po pse, thue, t’mifim n’ujë
Tue qortue na i’ligjë të huej
As ma mirë t’qortojmë ligjët t’ona?
Të qortojmë, po, sado vona,
Kanún t’onë? Pse edhe, zotni,
Mexheleja s’hin n’hullí.
KRYEMINISTRI
Jo po; hinë. Pse s’hinë?
TARAVOLI
S’hinë, prá.
KRYEMINISTRI
Hinë.
TARAVOLI
S’hinë, laholevela!
Veç për n’daçim që Shqipnija
T’turqizohet.
KRYETARI
Lum zotnija,
Jeni jashta rendit t’ditës.
TARAVOLI
Si urdhnon.
KRYETARI
Mbi kanún t’Mirditës
S’mund t’ia vêmë na bazën shtetit…
TARAVOLI
Por as m’Mexhele t’Dauletit jo.
KRYETARI
Néjse.
KRYEMINISTRI
Mandej, zotni,
Tash qi n’vend po ka qetsi,
Na e kem’ bâ me mênd pleqni
Me çilë rruga sa mâ shum…
BABATASI
(me vedi)
Shkulmit t’Drinit kulihum.
Mbani ato, që janë, njihera,
Mandej çilni rruga tjera.
KRYEMINISTRI
Kshtu ndër mênd, edhe, na e kém’,
Nji urë m’Mat me lshue, e nji m’Cém,
Dy m’Shkumbin e tri m’Devóllë.
BABATASI
(me vedi)
Edhe nji Tiranë — Stambóllë…
KRYEMINISTRI
Atëherë na kemi bâ
N’skelé t’Durrsit nji limâ…
NJI DEPUTET OPOZITAR
(me ironi)
Mos harroni me vû fnerin.
KRYEMINISTRI
Kem’me nisë edhe inzhenjerin
Për me mâtë Drinin e Bunën,
E mandej me xanë fill punën
Sa mâ parë. Por prap pleqni
Na e kem’ bâ, me nji shoqni
Me u marrë vesht — me 'i shoqni t’huej —
Për me thá…
BABATASI
(me vedi)
Me mifun n’ujë…
KRYEMINISTRI
T’tana knetat e bregut t’detit;
Edhe mbrenda këtij vjetit
Nji udhë hekrit fill me zanë
Ç’ merr prej Durrsit der n’Tiranë.
Prap ndër mênd ka Qeverija
Me pré pare…
NJI DEPUTET QEVERITAR
Lum zotnija, Sa për pare kish me t’lutë,
Tash për tash fort mos me u ngutë.
NJI DEPUTET TJETËR QEVERITAR
(nën zâ)
Pse thue jo? Asht mirë qi shteti
Pare t’presë, si gjithkund n’jéti.
DEPUTETI I PARË QEVERITAR
(nën zâ)
Mirë, mor’burrë, por un po drue,
Se mandej kèm’ me u pendue,
Pse ka gjásë qi me ato pare
Kjo Financa e jonë shqiptare
Ka me lá rrogat për né
E aq mênd n’krye, kujtoj, ti i ké,
Sa me dijt se 'i “Lekë” i joni
S’kapet kurr té “Napoljoni”:
A t’hinë n’krye kjo punë ndopàk?
DEPUTETI I DYTË QEVERITAR
(nën zâ)
Jo, po, ktu jé tue folë hàk.
KRYEMINISTRI
Tashti pra, zotni, po shihni
Punën vetë edhe po e njihni,
Se — me dashtë me folë me arsye —
Qeverija mirë ka krye
Njat detyrë që vû i ka kombi.
Prandej tjetër s’kém’ shka thomi,
Veç se presim “vot-besimin”
Pre’Asamblesë, edhe pelqimin
Për ketë vepër t’Qeverisë;
Pse edhe sod shteti i Shqipnisë,
Npër veprim t’ksaj Qeverije,
Ka shtërngûe néje miqsije
Me të tana shtetet tjera.
Prap shpresojmë se, tue dalë vera,
Kém’ me marrë do pare uhá.
Deputetënt qeveritarë rrahin shplakët si të tërbuem, ndërsa t’opozitës
përplasin kambët. Terrtabucleci, Kryekortolla, Kalangerrçi përgzohen me Kryeministrin, i cilli — mbasi vetë as i marrë as bihude s’asht — ua ep dorën disi përdhûni.
KRYETARI
Ka fjalën Hundëleshi.
HUNDËLESHI
Ngjá Kryeministri askund s’ia ká
Me njato makllada t’mdhá,
Që ktu mbrendë tash na i ka thá
Mbi veprim të Qeverisë
Për t’ia sjellë t’marën Shqipnisë,
Tue na thanë jo ç’ka punue,
Por shka n’mënd ká me veprue
Për Shqipni, kushdi se kurë,
Herë me 'i rrugë e herë me 'i urë,
Tash me lumèj 'e tash me kneta,
Tash me sa tjera fjalë t’shkreta,
Me t’u bâ se asht fàll tue qitun,
E jo mâ se do me shndritun
Asamblenë mbi gjendje t’Shtetit
E, mbi përdorim t’pushtetit,
Që atij n’dorë kombi i ka lânë.
Pse s’na thotë, se ç’i ka ngrânë
Njatà 'izet miljon frank ar,
Që për vjetë Kombi shqiptar
Qeverisë dorzue ia ká?..
Ndo’i detyrë me tó a thue, u lá?
A u çil shtek, a u thye kund vá?
Punë a u kap, a u nis kund rângë?
A por t’gjith ndër shqekë janë shmângë —
Shmângë ndër shqekë té dó zyrtarve —
T’dó zyrtarve — e kumarve
Të Partisë — e t’Qeverisë,
Që kanë hypë m’kurriz t’Shqipnisë?..
KRYEMINISTRI
Protestoj rrebtë për kto fjalë.
HUNDËLESHI
Lutem fjalën mos me m’ndalë.
Se na bár nuk hamë kurrnjani,
Edhe dijmë sa ban bostani
E sa kastraveci. Kombi
Ka dhanë pare ktu: Lè t’thomi
Ku kan shkue kto pare t’shkreta.
KRYEMINISTRI
Kqyr budgetin, t’u ngjatët jeta,
E, atëherë fol.
HUNDËLESHI
Dokrra! Pallavra!
Se un e dij ç’janë kto paçavra,
Kto shtupa letrash kote
Që na i qet zotnija jote
Ktu përpara. Në budget
— Për budget mbasi po flet —
Lum zotnija asht dhanë “kredija”
Rrumbull për pesë mij ushtarë,
Ndërsa sod nuk ké, gjithmarë,
As dymij ushtarë nën armë.
Si po shef, budgeti â i larmë.
KRYEMINISTRI
Nuk asht e vërtetë.
HUNDËLESHI
Zotni, Asht e vërtetë. E, un e di,
Se me paré e gjak shqiptarit
Janë tue u mbajtë do qéj pazarit —
Do bihúde e derbedérë.
Të pa ród e nierz t’pa ndér,
Si edhe ndodhë ka tash n’e vona,
Me dhanë shteti napoljona
Për t’lá borxhe kumarxhish,
Borxhe t’turpshme batakçish.
BABATASI
(me vedi)
Kshtu i dó mushka drutë…
HUNDËLESHI
Mandej, Jem’ tue pá si andej e ktej
Jem’ rrethue na me “afije”
Njerz të zot të çdo tradhtije.
E po: a Abdul Hamid ktu ká
Që m’iu dashtë shtetit me lá
Paré “afijesh”…
Ktu Kryeministri vrânë vetllat; Terrtabucleci përhapët; Veshllapota kotet. Kryekortolla flenë.
Ç’taksirat
Ka — pves un — Shqipnija e ngrâtë,
Ku s’ka populli bukë me ngrânë,
Qeverisë n’ budget me i dhânë
“Fonde t’mshefta” për “afije”
E për “qejf” t’ndonjaj Partije?..
Se budgeti, or zotëni,
Në nji shtet, ku, si n’Turki
E si ktu, po, në Shqipni,
Parlamenti as Qeverija
S’duen me dijt se shka asht “Vllaznija”,
Shka “Lirija” — e “Barazija” ,
Tjetër s’asht veç nji pelhurë
Marimanget endë tërthuer
Për me xânë me té ndo’i mizë…
KRYETARI
(tue u çue me dalë)
Ktu bisedës po i hjekim vizë.
Beledija e Kryeqyteti
Na grishë n’darkë n’hotel t’Ismetit.
Prandej, lutem, n’orën tetë
Sonde t’gjith aty me u gjetë.
(Dalin).
Rruga e Dibrës — Tiranë
BABATASI
(me vedi)
Besà-bésë, si m’duket mue,
N’shkojshin punët si kanë fillue,
“Popullore” as “Opozitë”
S’kan me qitë kurrgja në dritë;
Mú po drue fort se njiditë
N’bèlá shtetin kanë m’é qitë
Shoq me shoq tue u kacafitë.
Dishka m’vjen se jam tue ndi
Erë baroti npër ajrí…
NJI POLIC
T’u ngjatët jeta! Zotëni,
Komisari n’Polici
Nesër t’pret, “ora më tetë”.
BABATASI
Po, për ç’punë? — A ban me t’pvetë?
POLICI
Sod kanë ardhë e bâ davá,
Kin’ demek se ti i ké rá
Kamxhik qafës nuk dij se kúj.
BABATASI
Kâm me ardhë, jo, po mos drúej
(Polici shkon)
A shef ti! Paska paditë
Kambë - kujrrili i faqes ngritë…
Gjâ njimênd për t’u çuditë
Puna e atij zogut gomarit
Që páçë blé prej katundarit
N’rrugë t’Kavajës. Asht nieri s’parí
Mandej bahet zog gomarí;
Atëherë nieri prap se prap,
Edhe lshohet, madje vrap,
Me paditë té komiseri.
Si asht kjo punë: Gomar’ e nieri!