Akt' i dytë — Neoshqiptarët

Hoteli “Internacional”

Të gjith mbasditën vlon puna në “Restaurant” të “Internacjonalit”, për të bamë gati “sofrën” për ministra e deputetën. Ndihet krisma e tryezavet kah përbaren prej njanës anë m’tjetrën të “Restaurantit”. Vetë Ismet Efendija drejton punën, tue i dhanë urdhna herë njanit herë tjetrit ndër sherbtorë. Edhe tryezat vehen ndër vende e mblohen me sofrabeza, aviten karrigat, bárën gotat, shishet, boskat, çinijat e gjithshka lypet për me shtrue nji sofër për zotni. Ismet Efendija, tue pa se Koço, i pari i shërbëtorve, po shtronte mbi nji tryezë nji sofrabez që nuk ishte krejt i pastër, i thotë:

ISMETI
Ç’bën, or’ Koço?.. Tyke parë
Se tavolja është e pa larë,
Pse t’a shtrosh m’trapez s’e dij?
Shtro një tjatër. Pastërti
Lypset për n’hotel!

KOÇO
S’ka gajle,
Zoti Ismet. Pse gjith kjo lajle
Për ca dylme delenxhi,
Që gjer ndër paçaxhi
Kanë fâ barkun me mëlçi
E me speca – e kastraveca,
Pështetë për dy copa dërrasa
Të tërë neje e të tërë plasa,
Keq mbërthyer n’dy këmbaleca,
Që londiten porsi shtrrjegullë,
Njërën këmbë zerë me një tjegullë,
Sofrabeza është mjaft e dlirë,
Rrahë n’ujti e… s’ka m’e mirë:
Pse ta ndërroj, tash, kèsh t’a dija?
Për ata myshterit’e tija
Haxhi Filja mbi trapeza
S’e ka adet t’shtrojë sofrabeza
As të lara – as të palara.

ISMET EFENDIJA
Ç’janë, or’ Koço, kto dumbara…
Se ata neve i kem’Ministra,
Direktora e Deputetën…

KOÇUA
(nën za)
Mirë do t’bëjnë të blenë kapistra,
Për t’a varur në to vehten.

ISMETI
Janë ogiçat me kumbonë,
Të cillt kombi i zgjodh tash vonë:
Përandaj detyra t’onë
Është që neve t’i nderojmë,
– T’jenë si t’jenë, po – dhe t’i çmojmë
Gjer sa t’gjinden n’at detyrë.
(Ganiut, drejtorit të gjelltores së Hotelit)
Tani ti, Gani, a ké kqyrë
P’r ato pula e gjela deti
Në janë pjekë a jo. Pëveti
Shërbëtorët për “majonezën”
A ësht gati; përse trapezën
Un do t’shtroj. E, kqyr, Gani,
N’gjithshka t’ketë pastërti:
S’ka p’r 'i “rostarant” reklam
Më të mirë se gjellët pa vjam,
Vera – verë, raki – rakija,
Birra e ftohtë, hesapi i dlirët,
E mbi t’gjitha pastërtija,
Me fjalë t’ëmbla, erz e shpirt.

Prendon dielli. Tiranasit endën e shendën rrugave të qytetit, si të burgosunit n’oborr të burgut; merzitshëm. Nisë ndriçimi i qytetit. Aty – ktu nëpër dritare të do shpijave shifen kè xhixhillojnë do “stearinë”. M’minare të xhamisë kundruell “Internacjonalit” në njan’anë hidhet nji zhel kuq e zi, i dalun bojet: Flamuri kombtar; në tjetrën varet nji fener, me nji qiri vjami ndezun mbrendë. Nji fmij, me nji vandak gazeta nën stjetull, gërthet: “Ora e Malevet”; nji tjetër: “Republika”; ma përtej: “Dajti”, “Opinga”, “Kombi” etj.

Në kafehane t’ “Internacionalit” do deputetën kan xanë vend ké 'i tryezë e veçueme në nji skutë të salonit. Tash e ma vonë ndihet shegerti tue bërtitë: Një kafé! Tri “mastika” me meze! Një çaj! Dy deputetën – njani “popullor” tjetri “opozitar” – kaherë ia kan nisë me luejt tavëll, e ndihen kè, herë njani herë tjetri, tue njeh “zaret”, thonë: shesh-besh, besh-dort, gjihar i se, se-jek, iqi-bir, hep-jek, dy-shesh etj. Nji deputet, që me dy a tre vetë tjerë rrité tue i shikjue, thotë si nëpër dhamë:

“Popullorja” brigje-brigje:
Digje, Bedri Peja, digje!
(Gaz në salon)



Rruga e Dibrës

Djelmnija e zyrevet të Tiranës, për rasë të hapunit t’Asamblesë, ka organizue nji “fjakolata”. Do ksi djelmsh, janë para me flakadane në dorë, e shumë nxanëse e nxanësa shkollash, përcjellë prej mësuesvet, bijnë rrugave të qytetit tue këndue kangë kombtare. Kur mbrrijnë para “Internacjonalit”, gadi të gjith deputetët, ministrat e të tjerë të grishun, gjindenin kush në “kafe”, kush më “trotoire”, kush edhe në “restaurant” të hotelit. Ndijnë kangën e poterën edhe të gjith derdhën në rrugë të Dibrës, ku ndodhen disa të tjerë të pa punë e apatikë. Aty ndalet “fjakolata”. Atëherë nji dallkauk hyp m’nji karrigë – samârë e ia nisë me folë me të madhe e me nji zâ ushtori:

O ju hallk! O kallabllek!
Efendëm… n’kté ditë… demêk…
Asambleja e çel më së pari:
Dovlet m’vehte u bë Shqiptari…

NJI TJETËR DALLKAUK PREJ POPULLIT
Sorrën m’ballë e kryqën m’krah…

DALLKAUKU
(me vedi)

Tobe estagi furullah!
(me të madhe)
Çynçi neve jém’ Shqiptarë,
E, jo grekë ose bullgarë,
S’jem’ kristjanë as muhamedanë
Se né “Ingjill” edhe “Kuranë”
Hjedhë i kemi mbi tavanë.
Besà t’ënë ësht Shqipërija
(me vedi)
Meazallah!
(me të madhe)
Se né kisha edhe xhamija
Na kanë darë – na kanë përçarë
Si mos t 'i’m trima Shqiptarë:
Gegë me opinga… e Toskë me çizma.
Poshtë dasija e fanatizma!

DO KASAPË
(gabimisht)
Poshtë Shqipnija!

DO MUHAXHIRË
(tèk s’kuptojnë fjalët e oratorit bërtasin)
“Rroftë” Turkija!

DALLKAUKU
Shqipërin’ né e kemi bërë,
Me gjak larë e kemi të tërë.
Smajl Qemajli, një dëshmor
Me 'i guzim fare madhshtor
Erdh nga Beça me pampor
Ngriti flamurin në Vlorë,
Dhe muer qeverinë në dorë;
E, për Shqipërinë e gjorë
Bëri luftë me tradhëtorë:
Me Izet Pashajn…

DIKUSH PREJ POPULLIT
Me Esat Pashajn…

DALLKAUKU
Po, me Esadin – pastë rahmet
Atdheun nxori n’selamet…
Rroftë Flamuri kombëtar!

NXANSAT E SHKOLLAVE
Rroftë Flamuri kombëtar!

DALLKAUKU
Se né jemi “oksidental”,
Kém’ namuz e kém’ moral.
Dhe jém njerz me karaktérë
Fjalën fjalë punën me ndérë…

BABATASI
(nën zâ)
Elè mâ, po ndër teftérë.

DALLKAUKU
Për Shqipëri vdesim të tërë,
Se ktu s’ka, jo, më begllerë:
Neve jemi demokratë
Me “kapello”, me “kravatë”,
Edhe jémi liberala…

BABATASI
(me vedi)
Me “tanuz”…

DALLKAUKU
…e intelektuala.
Duhen mbyllë shkollat private,
S’ka kush tager edukate
Përposë shtetit. Se edhe kleri
Dasinë n’popull don ta shtjeri
Me theorira dogmatike
Për qellime politike,
E, kè s’don që muhamedajtë
Të martohnën me t’krishtera,
E, as don që kalamajtë
T’zënë në shkolla të përzjera
Çupa e çuna, pa kqyrë fera
Të zënë dije e marifet
Për t’qitë kombin n’selamet:
Për t’i sjellur lumtërinë
Se kristjan – e muhamedan
Sot, shyqyr, jem’bark e shpinë…

BABATASI
(me vedi)
Njani sjellë e tjetri mbarë…

DALLKAUKU
Por kem’ vllezërt kosovarë,
Kosovarë, po, edhe çamërjotë:
Shqipëtarë shumë patriotë:
Që po vuajnë nën zgjedhë të barbarit,
Sepse janë gjak Shqipëtarit.
Ësht detyra t’ënë prandaj,
Burrë e grua e kalamaj
Që t’i fusim n’Shqipëri:
Të mos i lëmë të heqin zi.
Për nën Sllav’ e nën Greqi.
Rroftë Kosova me Çamri!
Rroftë Flamuri kuq e zi!
Rroftë sa malet Qeverija!

ZYRTARËT
(tue rrahë shuplakë e tue britë)
Rroftë sa malet Qeverija!

NXANËSAT E SHKOLLAVE
(tue britë të madhe)
Rroftë Flamuri! Rroftë Shqipnija!

DALLKAUKU
(tue vazhdue turbull)
Muhamedanët, pa këqyrë fera,
Edhe s’don që në skoli
Çupa e çuna bashkë përziera
Të na rriten n’dituri
Si ato lulet n’një saksi.
Konferâsi i Lundrës bëri
Shumë një gaffe kur prej një zëri,
Po thua tërë Dipllomacija
Avropiane, Franca e Anglija
Dhe Rusija vún dorë
Që nga Shqiptarija e gjorë
Mbarë Kosova të shkëputesh
Dhe, n’Çamri Greku të futesh.
Rroftë Kosova me Çamri!
Rroftë Flamuri kuq e zi!

Deputeti dallkauk ulet prej karriget. Hyp Mati Logoreci

NJI NACJONALIST
(bërtet sa kurr ka në krye)
Rrnoftë! Rrnoftë veterani i Arsimit!

NXANËSAT E SHKOLLAVE
(në brohori)
Rrnoftë! Rrnoftë veterani i Arsimit!

Luigj Shala ul sytë, Ndue Paluca vrâhet, Aleksandër Xhuvani kthen në shpi, Hilë Mosi hin në kafe e lyp nji “uzo”, Gaspër Beltoja thotë “Oll rajt”!, Gaspër Mikeli ved me vedi thotë: do qitë edhe nji mësues muhamedan me folë.

MATI LOGORECI
(tue u falë nderës t’ulun të kresë)
Zotëni! – Pa histori,
S’ka jetë kombi, as s’ka gjallni.
Historija né ma s’miri
Na difton se n’shekull niri
Nuk do të shkojë hiri e pa hiri:
– Kudo rasha – mos u vrasha
E si thonë: hallakatrum;
Por me mûnd e me mênd shum,
Si n’qytet ashtu n’katund,
Për n’mos dashtë që kulihum
T’bjerë e t’mbytet n’ujë t’pafund.
Edhe na, pra, sado vonë,
Do t’a kem’historin t’onë,
Pse ndryshe Shqipnija e shkretë
S’ka gjallni as nuk ka jetë.
Veç se shka? Se me reklame
E me rrêna e me korrnâme
Nuk po shkruhej Historija.
Qé, po zamë nji ky zotnija,
Që ktu foli para méje
Shum do sênde fill prej kréje
Trillue i ka e qi n’Shqipni
Nuk kan ndollë – kè un mûnd t’a dij.
A se, ndoshta edhe kam ndollë,
Por jo kshtu si e túer ky hollë.
Thá, bjè fjala, ç’m’herë të parë:
“Çynçi neve jem’ Shqiptarë
E, jo, grekë a se bullgarë”.
Bullgarë jo – por grekë tham po.
Grekë e turq e serb der m’sod,
Që n’Financë s’u bâmë na zot,
Ka pasë vendi, besà, plot:
Gadi t’gjith Shqiptarët e sotit
Serb a grek a turq kjenë motit;
Se Shqyptarë, fis i Kastriotit,
Kè e dij un, kurrkush s’ka kênë,
Për posë se nji grusht të kshtênë,
Do malcorë e katundârë
Që n’Financë s’kân pasë kurr zár,
Shì për kta qi ishin Shqyptarë.
Prandej s’dij përse a ndopak
Me i zânë n’gojë kto fjalë n’sokàk:
Djé turq, serb e grekës ç’i bani
Sot Shqiptarë s’e dij…

NJI GJIMNAZIST
Sahâni!
(gaz ndër nxansa)

MATI LOGORECI
Mandej prap, zotni, oratori
Po na thotë me zâ ushtóri,
Due me thânë me zâ të naltë,
Rrumbullak tue theksue fjalët
Porsi t’ishin të vërteta
E, jo dokrra e fjalë të shkreta:
“Shqipërin’ né e kemi bërë
Me gjak larë e kem’ të tërë”.
E din vetë, kujtoj, zotnija
Se janë rrêna kto fjalë të tija,
Se ai Shqipninë nuk e ka bâ.
Ai ka ndêj n’borë e n’murrâ,
N’Tarabosh e kah Tetova,
Zi tue hjekun si sarova,
Edhe asht thá e bâ tërfurk
Veç për t’lânë Shqipninë nën Turk,
Për nën thundër të Sulltanit,
Ndërsa tjerë shqiptarë “sahânit” –
– Leprin n’bark e dreqin n’kokë –
Kjen kapë fyt-a për tokë
Kush Shqipninë Grekut m’ia shitë,
Kush n’Shqipni Serbin me qitë,
Por jo kurr Shqipni me mkâmë,
S’kjem prá nà Shqipninë q’e bâmë.
Tjetër kush Shqipninë ka bâ,
Se na vetë, haram!: Kurrgjâ!
Záti gjâ kurr s’kem ndërtue
Veç shka prish e shka rrënue;
Na veç, po, kur kemi pá
Se kund shpnesë mâ nuk po ká
Për me e bâmë Shqipninë me kjá
Për nën Turk a Grek a Shkjá,
Atëherë ngrefë kem’Qeverinë
Sa për t’marrun n’dorë fuqínë,
Për me repë mandej Shqipnínë.
Po, por tjetër âsht Shqipnija
E, prap tjetër Qeverija:
Për liri të Shqiptarisë,
Përposë burrave t’Malcisë,
Kurrkush nesh s’ka luejtë nji gur,
Megjithëse kryq e tërthuer
Po derdhë pare sod Tirana
Për “patriot” e “veterana”,
Për “dëshmorë” edhe “therorë”,
Ktij mbaj çunin, atij çupën,
Asajë me pare mbushja kupën,
Kin’ demek për grue “deshmori”.

ÇAKO
(Babatasit)
Besà, pra, s’thotë keq Matija:
Sado qi kto fjalë të tija
Shum ndokujë, q’i kem’ për ngjat,
S’do t’u bijnë tham për shtat;
Pse e vërteta asht kjo, zotni,
Që për komb e për liri
E, për t’mjerën moj Shqipni
Kanë luftue malcorët e shkretë,
Ç’merr prej Krujet e përpjetë.
Se ortodoks, muhamedan
– Qi rrim sod me lugë n’sahan
Kush dëshmorë, kush veteran –
Për Shqipni kurrgja s’kem bâ
Mè sa plàk e kalamá.
Çka â ortodoks, ka dashtë Grekinë,
Karadakun e Serbinë;
E shka â turk, ka dashtë Turkinë.
E vërtetë, se mâ se 'i herë
Na ortodokst kem bâ poterë
Me turki, po ti e din vetë,
Jo për ketë Shqipninë e shkretë.
A po turqt? A për Shqipni
Sa herë grî janë me Turkí?
Po, tamam, pra! Për bidate,
Për ndo’i Pashë, ndo’i kallavrade,
A për t’rrasun ma mirë zhabën,
Por gjithmonë, po, për t’mbajtë “babën”
Në Shqipni…

BABATASI
(Çakos)
Jo, mirë po thue,
Kshtu m’dan puna edhe mue.
Megjithse ndoj Belkameno
Ase ndo’i Mihajl Grameno
Aty-ktu asht gjetë n’Toskni
Për me rrokë armët për Shqipni;
Si edhe ka zotni korçarë
T’cillt kanë kênë e mbetë Shqiptarë
Tue vue gjânë n’rrezik e jetën,
Edhe n’kohë n’t’cillën të shkretën
Mori Korçë Greku e pat shtrue,
Prap se prap, drejt me kallxue
Malësori ka luftue
Kurdoherë për Shqiptari,
Për liri e për kombsi,
E, për Flamur kuq e zi.
Záti s’ka Shqiptar t’vërtetë
Veç prej Krujet e përpjetë.

MATI LOGORECI
Për mâ tepër oratori
Kshtu bisedën gjatë e tori:
“S’jém kristjan as muhamedan;
Se né “Ingjill” edhe “Kuran”
Hjedhë i kemi mbi tavan;
Besà t’ënë ësht Shqipërija,
Se né kisha edhe xhamija
Na ká darë, na ká përçarë”.
Kinse kshtu se sod ndër né
S’kqyr mâ kush besim, as fé,
Veç kombsi, liri e Atdhé.
Edhe kjo, zotni, asht rrênë;
Pse si motit qi ka kênë
Kshtu edhe sod shka asht Shqiptar
Asht dintar a se fétar
E â der n’thundër fanatik,
Njeni tjetrit fjesht anmik;
E për kryq a për “jebrik”
Veç pse s’ka, ndoshta, kërçik,
Se për ndryshe “adalet”
Kisht’ me bâm mbi shokë të vet.
Jo, po, t’tana kto janë rrêna,
T’tana rrêna e kaçarrêna,
Edhe petlla qitun n’ujë,
Pluhën sysh për gjinde t’huejë:
Thue se t’huejtë janë teveqela,
E, jo mâ do biramela
Me t’dhânë voen, besà, pa t’kuq,
Me t’shitë gogla për kakruq.
Janë pallavra, zotëni,
Fjalët që t’madhe ktu n’çarshi,
Porsi t’ishte n’nji ùk shpati,
Petulloj tash deputati:
“Se kristjan e muhamedan
Janë, shyqyr, sod bark e shpínë”.
Ah, jo, n’thes minarja s’hínë!
Se kto fjalë stereotipike
Janë këlbaza e njaj “klike”,
Që, strukë mbrapa Qeverisë,
Do me sjellë punët e Shqipnisë
Mbas hesapit të Turkisë.
Ktu, po, asht “soni”. Nuk janë gjâ
Këto fjalë, jo. Për me bâ
Që Shqipnisë t’i epet e mâra,
Ktu njiherë e pikë ma e para
Doemos lypet, që n’mjet t’vetit
Të gjith qytetsat e ktij shtetit
Shoqi-shojnë t’a mbajnë për vlla;
Se për ndryshej Shqipni s’ka.
Mbasandej lypet drejtsija,
N’mos daçim që t’hupë Shqipnija;
Por drejtsi, jo hipokrizi
Për t’mos tjerrë punët tortë
E ujë për t’mos t’bartë me shportë,
Lypet, po, nji dorë e fortë,
Që, me t’butë ase me dhûnë,
Drejtësinë me qitë në punë.
Sa për fjalë qi ktu oratori
Varg për muhaxhirë na i tori
E vërtetë se na detyrë
Kém’ me pritë edhe me i kqyrë,
E për bukë mos me i lanë keq:
Por për bukë, jo për përpeq.
Pse edhe askund s’asht punë urtije
Me vú shteti zota shpije
Muhaxhirët ndër né. Nji nieri,
Që s’ma ká plâng as shpi, bâ zhiri,
Që prandej shka me djêrrë s’ka,
Veç çka me fitue, bèlà
Manà, mund t’i gjindet shtetit
N’politikë a n’punë të budgetit;
Sidomos, po, n’punë t’budgetit;
Pse kollaj mund t’i hánë shpina
Me pasë vila e automobila,
Me mblue n’Bankë “Rushpa” e “Sterlina”;
E, aj që kjé der djé “teneqe”,
Me blé mylk edhe qiflleqe,
Edhe kshtu lânë me u rritë thojt,
Shqipnis s’mjerë edhe patkojt
Me ia hjekë, se mâ likurën
Po se po: Herë shto “faturën”,
Herë ngatrro ndër “konçesione”,
Tash ndër “djeta” e ndër “pensione”
Tash… eh ku t’a di un i mjéri!
Veç se e di, që larg tefteri
Mund ta qesë popllin e ngratë,
Qi s’po i del as buka thatë,
Për me mâjë do zogj shqiptarit
Prej Sanxhak – Novi – Pazarit.
Prej Dobrugjet, prej Kosovet,
Prej Prishtinet e Tetovet
T’cillt po thonë janë Shqiptarë,
Brez mbas brezit m’gjèt të parë:
Fjesht Shqiptarë, po të gjith kotrum,
“Të lumt na, se shum, se shum”!
– Për zogj t’rikës, të cillt ndoj kllukë
Me zogj t’vet nën fletë i strukë,
Klluka thotë se pula janë.
Por i zoti qi ka dhânë
Voet e rikës me çilun pula,
Aj e di – ia di edhe ksula –
Se s’janë pula. Veç, kè atij
Mishi i rikës i shtjé lakmi
E pse drò se rika vetë
Zogj nuk çilë, aj kllukës nën fletë
Voet e rikës n’furrik ia qet,
Që t’i çil e zogj’t’i rrisë,
Tue kujtue se janë të vett.
Edhe kshtu, po, i zoti i shpisë
Nëpër kllukë, qi zogjt s’dallitë
Po ka rika edhe me shitë
Sa me ngrânë edhe pa bukë.
Ndiç po thâm, për popllin kllukë
Muhaxhirët janë fjesht Shqiptarë
Brez mbas brezit n’gjèt të parë:
Fjesht Shqiptarë, po, të gjith kotrum:
“Të lumt ná, se shum se shum”!
Por shka janë tamand, me thanë
Nuk po e dijte as birameli
Zotëni Pandel Vangjeli:
Veç se i njef zoti Salí
Vuçiterni: Biringjí
Ardhetar, besà, edhe kyt:
– N’dashtë se rima t’bâjë tehyt
Atdhetar, po, e fjesht Shqiptar.
Jo, Shqiptarë me nandë likura,
Të trasha fort, edhe mendiz,
– Elè mâ mendiz për ura –
E mbi t’gjitha hoxhë telbiz:
Veç se hoxhë mjaft tekahyt,
Der sa kjé pa u bâ Shqipnija,
-Dikur Shqype, sod kjé qyqe –
E, endè bâ s’isht hoxhë modern,
Pa “çallmë” m’krye e mjekrrën shyt;
Pse aso kohe zotënija,
– “Çallmë” kur barte n’Vuçitern –
Po e kisht’ pasë punën n’telhyqe. –
– Asht uzdajë se Asambleja,
Me statute e ligjé të réja,
Ka me dijtë me i dalun zot
Kësaj Shqipnije për shum do mot,
E, me pritë që ndo’i “patriot”,
Ndo’i “dëshmor” a “veteran”
Mos t’a lshojë t’mjerën n’zalldan,
Veç për t’mbajtë lugën n’sahan.
Prandaj, t’thrrasim t’gjith nji zâni:

Rrnoftë Shqipnija!

NJI GJIMNAZIST
Edhe sahani…

Nxanësat e shkollave nisin me kndue Hymnin e Flamurit “Porsi fleta e Engjllit t’Zotit”. Kur fillojnë përkthesën “Bini Toskë, e bini, Gegë”, Babatasi, tue përcjellë kangën,
këndon nën zâ:

Bini, Toskë, e bini, Gegë!
Shoqi-shojnë shkoni tue djegë!
Bini n’pshesh! Bini n’laknorë!
Trima, mbrendë! Me dorë! Me dorë!

Pjesa e radhës
Akt' i tretë — Në Restaurant