Prolog

Pra, nji herë e pikë ma s’parit
Po i diftoj rodit t’Shqiptarit
Se un ktu s’kndoj burrnin’e t’Parit,
As trimnit e ndo’i luftarit,
Veç nji gaç, nji zog gomarit,
Qi, qyqari, për send tjetër
— N’dashtë i ri t’jet, n’dashtë i vjetër —
S’duhet gja, veç se me bártë
E me ngrânë, t’thuesh, si Shqiptarët…

M’thotë, por, mêndja se ndokujë
Ka m’iu dukë se un mifi nd’ujë
Me ketë kangë, e se mâ gjásë
Sod për mue do t’kishte pásë
Ndo’i send tjetër po t’kish’ zgjedhë
Tortë me vjerrsha ktu me drêdhë.
Po, por shka, se ata e dijnë vetë
Qi ka cofë mikrobi i shkretë
I burrnis’ e i trimnis,
E qi sod në Shqiptarí
Besa ka nji t’madhe zí
Jo aq për bukë e miredi
Sa për burra — burra t’dheut,
Qi për komb e nderë t’Atdheut
Me jetue t’dijnë e me dekë.
Jo, por asht kot, besa, me u rrékë
Se po gjen fatos ndër né,
Se po gjen burra n’ketë dhé —
Burra fjalet e atdhetarë:
Kta veç, Zot! Kjoshin për farë;
Se, per tjetër, mbyti n’ujë:
Gja-ha’ i keq — s’i duhen kujë.

E vërtetë qi njadisa
Ndër né flasin fjalë të mdha,
E na mbahen se ata kjenë
Qi shpëtue na kânë Atdhenë:
Sado qi, kur ishte puna
Me u shpëtue Shqipni kërcûna
E, për té n’luftë me qindrue,
Ata rrijshin tue guksue
N’për Stambollë e np’r Anadoll,
A se villshin kund n’ndo’i stjoll
T’ndo’i hoteli npër Evropë
Alkool’n, me t’cillin ngopë
E ki’n barkun si bagtija,
Der sa n’gjak lahej Shqipnija…
Por, kujtoj, s’ka kund nevojë
Qi un t’i zâ kta ndopak n’gojë;
Pse për ta “Dielli” i Bostonit
Nji epopé ka shkrue tash s’vonit,
Nji epopé me kaq do krypë,
Qi mâ mirë s’ké aspak pse e lypë.
Prandej mue nuk m’jitte tjetër,
Veç me kndue ndo’i fatos t’vjetër:
Ndo’i Berdyl a ndo’i Kastrjot.
Po, por shka, se sot me sot
Edhe ktyne u ka dalë fryma,
E si t’ishin do gjygyma
Të pa fund, janë lanë m’njan’ ânë
E askush n’gojë ma s’don me i xânë,
Kújë për tá ndër mênd s’i bjen.
Der tash vonë, qi, fjala vjen,
Posta e jonë pat përdorue
Nji lloj pullash, m’t’cillat shkrue
Ishte ftyra e Skanderbeut,
Námi e ndera e parë e Atdheut.
Tash, kto pulla mbi sergji
Na i kanë hjedhë nji palë zotni,
Qi ktu marrë kanë Postën n’dorë,
Kin’ për organizatorë,
E t’kanë qitë do tjera pulla,
Me kambë urash e me kulla,
E me plepa e rrêma shkjope,
T’gjana e t’gjata si gjuhë lope.
Anì pra Shqiptarët e sotit
S’çajnë fort kryet për punë t’Kastriotit,
As për njat trimnin’e t’Parit,
Ké janë dhanë mbas rrogash arit.
Prandej thashë un se për s’mârit
Do t’tingllojë për veshë t’Shqiptarit
Nji poem mbi’i zog gomarit.
Edhe kshtu, si fola s’parit,
Vetë me vedi kam mendue,
Mbasi ngaeshëm paçë qillúe-
Mbi 'i gomar nji kangë me shkrue,
Herë tue qeshë, herë tue vajtue,
“Simbas” rregllave t’Poezisë,
E nevojve t’Shqiptarisë.

Eja, Zanë, pra, prej Parnasit [1],
E kaluer ti m’shpinë t’Pegasit,
Mêndes s’eme shkundja blozën,
E m’difto metamorfozën
E njatij gomarit t’ri,
Qi njâ’i vlershmi zotëni
Babatasi bleu sivjet
Në Tiranë, n’atë kryeqytet,
Ku Ministra e Deputetën

— Ktyne Zoti jau rritët jetën!-
— Qesin xhixha atdhédashtnije
Për lulzim të ksaj Shqipnije
E për …kambë t’ndo’i sandalije,
Sado qi, mâ e shumta sish,
— Si thanë m’ka mue nji dervish-
Der dje kjenë… nuk dij se shka…
Kush n’ “kapicë” kush në “qylah”,
Por qi sod, npër rroga arit,
Na janë bâ t’gjith frotë Shqiptarit,
Edhe pshtetun mbi kolltukë,
Kalamuq e si terrçukë,
Fâ mirë barkun me “mastikë”,
Pa logjikë — pa gramatikë,
Na pshtyjnë dije e politikë,
E, me “gisht” ngordhun përpjetë
I pijnë gjakun Kombit t’shkretë
Jo me hingzë, por me sahâna.
Veç se shka, mori lum Zâna,
Kah të dirgjesh m’shpinë t’Pegasit,
Xiere ‘i vishkull n’pyllë t’Parnasit —
Vishkull t’hollë e t’gjatë zarânet,
Pse ksaj herë, besa, po m’kândet
Me ja hjekun qafës dikuj,
Për m’e bâ qi zâ’n t’a shuej,
Se t’jet’ gjallë. Due t’a marrë vesht,
Se me buej s’kapet nji plesht.



  1. Parnas - mitologji: Mal që ngrihej mbi Delf, ku ndodhej vendi i shenjtë kushtue Apolit; për ketë arsye mendohej edhe si seli e Muzave (Zanave). ↩︎

Pjesa e radhës
Akt' i dytë — Gomari