Fushë dhe fushë, dhe fushë prapë
Fush’e pa sosur dhe shumë vapë,
Mal s’të she syri, as brek, as gurë,
Po gjithë monë tym’e pëlhurë;
Miza dhe pleshta dhe morra shumë,
Kunup’i-shkretë të lë pa gjumë.
Era e ngrotë, ujëtë trumbull;
Fiku me gjëmba, pjepri si kungull.
Përrënj s’ka fare, vetëm një lumë,
I-math si deti, mbulon me shkumë
Fushën të tërë, gjithë Misirë.
Çupë pa prishur, burrë pa brirë…
Nuk’i-ngrë vëndi!.. O vënd i-mbarë,
Vënd për hajdutë dhe për beqarë!
Të ka bekuar vet’Perëndia:
Në mot dy herë pjell bakëtia;
Dhe grat’e-mjera s’humbasën konë:
Pjellën e mbarsen pa-zënë monë!
Aratë s’reshten, i-vadit Nili;
Tek korret gruri, mbillet trifili,
Elbi dhe misri, thekra, pambuku,
Dhe dëm e kotë s’mundonet bujku.
Qetë si buaj, qeni si ujku.
Pyll s’she dot kurrë, as re në Qiell;
Fshatratë xhveshur digjen në diell.
Udhët plot çuna, Koshet plot mjaltë,
Shtëpit, kasolle bërë me baltë,
Lyer me bajga brënda dhe jashtë,
Janë mbuluar me dru dhe kashtë.
Kuaj të mirë dhe të lëvduar,
Gomarë shumë dhe të ndëgjuar.
Njerstë të verbër nga të dy sytë,
Burrat pa larë, shumë të ndytë;
Gratë të zeshka, bienë erë,
Si buk e djathë e hanë nderë…
Si kundrë thonë ata q’i-dinë,
Shumë të shpejta për dashurinë;
Din’e kënaqin, po të pa besa…
Këtu s’ka borë, shiu si vesa;
Behari furrë, dimri si vera;
Bashkë kullosin dhëntë me derra.
Shumë të pasur e të pa punë
Në dimër vinë rrinë këtunë.
Në për qytete, nga Minaretë
Hoxhët pëllasën me zë si qetë.
Njerstë betonen për Muhamenë
Dhe kur i falen puthinë dhenë!
Udhëtë shtruar me gur si shtufë;
Njerzitë venë, vinë si tufë,
Z’bathur e z’veshur dhe të ngarkuar
Po parësia m’umbrell në duar,
Dhe grat’e-tyre dalën mbuluar.
Vdes njeri? Gratë zen’e vajtojnë,
Qajn’ulërijnë sikur këndojnë.
Këtu ka prince dhe pashallarë,
Bejler më tepër se nga gomarë,
Të pasur shumë sa s’dinë ç’kanë
Po më të shumët s’kanë të hanë.
Përmi të gjithë nje Efendinë
Qeveris vëndë nënë Anglinë.
Misiri
Pjesa e radhës
I Krishteri dhe Çifuti
Lexoje gjithë librin offline: Shkarko e-book · EPUB
Andon Zako Çajupi