Kurbeti

Mitrua, kur u martua
Ndënji një muaj me grua!
Erdhi dita për të ndarë
Dhe u ndanë duk’e qarë!
Gruaja qënkej me barrë
Dhe kur polli, bëri djalë.
Po Mitrua ku ish vallë?
Motë-mot që qe larguar
Një kartë s’i kish dërguar!
Ku t’i-shkruaj mëm’e-mjerë
Për djalënë që kish lerë?
Tri vjet, katrë, dhjetë shku-an!
Mitrua harroi gruan!
E-varfëra se ç’pësoi,
Të ritë vetëm e-shkoi!
Ç’e-deshi të tillë burrë
Që s’e pati pranë kurrë!
Gjithë bota ven’e vinë;
Mitrua harroj shtëpinë!
Nuk’e di që ka dhe djalë!
Rron a kâ vdekurë vallë?
Këto thosh grua e-mjerë,
Po burrit i-mbajti nderë.
E-zeza grua se ç’hoqi!
Humbi shpresën tek i-shoqi;
Kur pa ngrën’e kur pa pirë,
Punoj’e rriti të birë.

Kurbeti, shokë, kurbeti!
Kush vate e nukë mbeti?
Mitrua zuri Misirë.
Po puna s’-vinte mirë.
Qysh të vejë puna mbarë
Për të zestë Shqipëtarë?
Shkretojënë Mëmëdhenë,
Tek perndon dielli venë!
Ku vini more të mjerë?
Se sot s’është si një herë:
Qysh vini në vënt të huaj
Kur s’dini as gjunë tuaj?
Lum kush rron në vënd të ti,
Me qe, me dhën e me dhi…
Mos u-ndani nga shtëpia
Të mos mpshojë Perëndia,
Se Perëndia kur mpshon
Gjynaqarët i-mundon.
Puna nukë ka të sharë
Po punoni vetë nd’arë,
Zini çapën e hostenë
Dhe parmendën që çan dhenë.
Nga fëmia mos u-ndani
Po punoni që të hani;
Grurët që bëni vetë,
U harrin për këtë jetë.
Me zakonetë që kini
Kurbenë duet t’a lini.
Të nderçim ini të zotë,
Po nderi sot s’ka të shkuar,
E-ndreqta, në këtë botë,
Është fare shtrëmbëruar…
Në kurbet venë të tjerë;
Ata që s’duanë nderë.
Sot zakonet u-ndërruan:
Burri që fiton shet gruan.
Burratë rrojnë nga gra!..
Po për Mitro Shqipëtarë
Këto zakone, të ra
Nuk’i-dukeshinë mbarë.
Ndaj hoqi e voi shumë
Kur pa buk’e kur pa gjumë.
Rrau Misirë të tërë,
Nukë la punë pa bërë,
Gjithë jetën nënë urdhër,
Qesea si kokë udhër!
E-shoqia e kish qarë;
Një zet vjet që s’e-kish parë!
Dhe në mos e-paftë kurrë,
Djali ju rrit, u-bë burrë:
Mëmën dot’a mbajë mirë
Me të ngrën’e me të pirë.
Pas një zet vjet, nga kursimi
Mitros ju çtua fitimi;
Solli nër mënt Shqipërinë,
Gruan’e-ti dhe shtëpinë;
Psherëtiti zëmër’e-ti
Dhe qau si çilimi;
Dhe nesërmet, ndaj të gdhirë
Mitrua e-la Misirë.
Ta kish ditur, kur ish ndarë
Që la gruanë me barë,
Mbase kish ikur më parë.
Shtatë dit e shtatë net
Bëri Mitrua në det;
Mbaroi udhën’e-gjatë
Dhe vate në fshat me natë.
Në shtëpi u-afërua,
Ndënji pak e u mentua
Dhe me vete të tij thosh:
Në gjeça shtëpinë bosh?
Në mos e-gjeça të gjallë
Gruanë! — Me këto fjalë,
Shikon shtëpinë me dritë
Edhe vate në fengjitë
Të shojë kush është brënda,
T’i përgjojë ja ka ënda.
Djali kuvëndon me mëmë:
— Pse qan i-thosh kur ke mua?
Ç’kanë shkuarë t’i-lemë,
Dhe duajmë si të dua. —
— Të dua, thosh mëm’e-mjerë,
Me shpresë tënde kam rruar,
Nga ti harrova qederë
Dhe gjith’ato që kam vuar,
Dhe sot rroj me shpresë tënde. —
Kur gjegji këto kuvënde
Mitrua ngriu në fengjitë;
Fat-ziu, ç’vuri nër mëndê!
Vuri syn’e pa në dritë,
Pa një trim të ri me grua!
Mëndia ju trumbullua!
Mitrua kujton Misirë,
Sheh vetëhenë me brirë!..
O Mitro mentoju mirë,
Mëma përkëdhel të birë;
Nukë të ka turpëruar
Se me nder të math ka rruar!
Ç’mentonej more fat-zi!
Ryrë mbrënda në shtëpi
Dhe merr djalënë në gji.

O bobo! sytë ç’më panë!
Tha Mitrua si i-marrë,
Pashë gruan me jaranë!
Po tani dot’u bëj varrë!
Dot’u-bie me kobure
T’i lëshoj në shesh shondure
Mua të më vënë brirë!..
Tha, dhe goditi të birrë!
Mem’e-zezë ulëriti,
Pushtoi djalën dhe briti!
Po Mitrua nukë priti:
Puçka krisi dhe një herë,
Ra përmbys dhe mëm’e-mjerë!

Pjesa e radhës
Gomari jatro

Lexoje gjithë librin offline: Shkarko e-book · EPUB