Pamje e-tretë

Urime

(Ndë një odë për të fletur, zonja Briri gatuan gjell për të ngrënë, kur ryn zonja Tana për të uruar. Kur e she, zonja Briri që është lehonë dhe ka frikë se mos marrë sysh, shtriet në stromë pranë foshnjës që ka pjellë e q’e-ka vënë në djep.)

Tana. Mirë që shëpëtove!
Po ç’dit’u-lërove?

Zonja Briri. Duk’e gdhir e Marrë.

Tana. Qoftë këmbë mbarë…
Dy dit që ke pjellë
Dhe ngriej bën gjellë!
Kshtu jeshë dhe unë:
Polla të Shëtunë,
Të Diel u-ngrita
Dolla e vadita;
Dhe djalën e-parë
E-kam bërë nd’arë!
Në piqi e-vura,
Në shtëpi e-shpura,
Dhe në sis’e-kisha,
Kur erdhë nga kisha,
Burri u manit
Vjerra u çudit.
U-ngreç u-ndërrova,
Zura e gatova,
Drek’e darkë shtrova.
Sot të tjera thonë:
Kush është lehonë
Jashtë të mos dalë;
Këto janë fjalë!..
Hëngre nonjë çikë?
Pive nonjë pikë?
U-mundove shumë?
Pse s’flet, mos ke gjumë?
Dotë rri dhe pakë
Se s’kam bërë darkë:
S’iki pa shukuar
Foshnjën’e bekuar…
Gtu, ftu, ftu! të rroftë,
Zoti t’a dhuroftë
Këmbë mbarë qoftë!
Po si lul’e Mait!..
Nuk’i-gjan babait:
Gjyshit i-ka gjarë;
Ti s’e-keshe parë:
Qe një burr’i-bukur,
Nga shokët m’i-dukur…
Ndjesë pastë! Mua
Doj të më mir grua;
Mëma me babanë
Një tjetër i-dhanë.

(te foshnja) Ftu, ftu, ftu! mos qa.

(te mëma) Pa shi vallë ç’ka?
Pa nxire nga djepi,
Në do sisë jepi.

(te foshnja) Ç’ke që qa moj zëmër?

(te mëma) Mashkull ësht’a fëmër?

Zonja Briri. Vajzë.

Tana. Të të rrojë,
Zoti t’a madhojë.
Ndaj të sho mentuar
Dhe të hidhëruar!

Zonja Briri. Doje të qe djalë.

Tana. Ç’janë këto fjalë?
Ç’e keqe të zuri?
Të të rrojë burri:—
Me shëndet të vijë,
Ju ini fëmijë…
Pse qesh? tek të them:
Dotë bësh dhe djem.

(pshtyn foshnjën) Ftu, ftu! Kush t’a shojë
T’a mpshyjë në gojë
Është lodërtare,
Si motëmoçare!
Shumë njers moj bijë
Kanë për fëmijë
Sy të lik, mos qoftë!
Zoti e-verboftë!
Unë, pasha zonë,
Mos ndëgjo se ç’thonë,
Se kam sy të mbarë:
Një ditë të marë
Poqa Sanën nd’arë;
Punonte sa katrë!
Si thashë gjë tjatër.
Puna mbar’i-thashë
Dhe ika e-lashë;
Sana qe me barë
Po s’e-keshë parë!
Tër’ditën punoi,
Natënë dështoi!
Mua m’a ngarkoi!
Dil e thosh, murtaja,
Të shoqet e-saja
Dhe në gjithë botë
Duk’e fshirë lotë:
Tana, zëmër-liga.
Më vu synë, shtriga,
Pandaja dështova!
Po pas ca dit msova,
O moj zonja Brirë,
Që Sana kish shtirë
Se burri qe pirë…
Dhe e-rrau mirë!
Mbrëmane, ndaj nate,
Me një bisht lopate,
Se s’kish bërë gjellë!
Po shi ç’ka jot pjellë!

te foshnja. Ç’ke moj vogëlanë?
Ç’do moj bukurinë?
Ç’më kërkon, ç’më thua?
S’më di, s’më nje mua?
Unë jam hall Tana.
Korba! ra kambana!

Zonja Briri. Mori „sperinoi“!

Tana. Moj motra, s’më thoi?

Briri. Shkoi dit’e-shkretë!

Tana. S’bëj dot as dy petë.
Kush ndëgjon Vangjellë
Kur nukë ka gjellë?
Sot dotë durojmë,
Shkojmë si të shkojmë,
Me buk’e me gjizë.
Tani nëmni ízë;
Më mbajtit me fjalë!
Mos u-ndodhet dhallë?

Zonja Briri. Sot tunda.

Tana. Më rrofsh!
Të mos kthenem bosh.
Pa bakëti jemi,
Dhe dy dhi që kemi,
Sivjet mbenë shterpa,
Si Syska dhe bejka:

(ngriet) Nat’e-mirë! ika.

(kthenet prapë) Vaj! më rëntë pika…
Moj korba s’më thoi
Kush e-pagëzoi?

Zonja Briri. Zoti Koto, vetë.

Tana. T’i roj’e t’a ketë!
I-lumt’ajo dorë.
Vëntë dhe kurorë…
Ç’emër i-ka vënë?

Zonja Briri. E-quajti, Hënë.

Tana. Moj sterra! moj nata!
U arthtë mandata!..
Zëmërn m’a-lënduat
Nuk u-turpëruat!

Zonja Briri. Ç’patë?

zonja Tanë. Ç’faj më kini?
Bëni sikur s’dini?
Vajza q’më ka lënë
Nukë quej Hënë?

(duk’e qarë) Një zet vjet mbuluar!
Më ka përvëluar…
Kur gjegj këtë emër
Zhuritem në zëmër!
E-zeza ç’ndëgjova!
Dhe arç’e urova!
Mos e-trashëgofshi
Si un’e pësofshi!..

Zonja Briri. Me t’u-thaftë gjua!

Tana. Qënkej palo grua!
Qënki njers të ndytë! (dhe del)

Zonja Briri. Mos të pafsha sytë!..

Pjesa e radhës
Pamje e-katërtë

Lexoje gjithë librin offline: Shkarko e-book · EPUB