Ndë odë te krushqet sufra shtruar plot me mish të pjekur në hell. Burra, gra, çupa, djem, këndojnë a hidhenë vallë. Çoku kërcet no-një pushkë. Burrat e-shtrojënë me dolli, dhëndërri rri më këmbë, dhe dy a tre trima qirasin krushqit pas urdhërit „dolli-bashit“. Këto të gjitha bënenë më darkë.
I.
Gratë vetëm
A të pëlqen nusia,
More djal’o Julia?
Ësht’e-mir’e shoqe s’ka,
M’e-mirë nga gjithë na.
Nusja si zogë deti,
Si kur është bijë mbreti.
Gra e burra bashkë:
Ç’mirë ja bëm krushkësë
Qi muarm të bijënë,
A të më të mirënë:
Maro ngjeraqinënë.
(Burrat vetëm, në valle)
Moj unaza rreth me ar,
Për grua dotë të mar;
Gjithë të kanë nakar.
— Nakar le të kishninë
Sa të mos pëlcisninë
Moj unaza rreth flori,
Gjithë të kanë zili
Se dotë të marr ndë gji.
— Zili le të kishninë
Sa të mos pëlcisninë.
II.
(Burrat rrinë përdhe të pinë me dolli)
Nuni. Djalë, bjerë
Shtjerë verë,
Shtjerë, shtjerë
Në të tjerë…
Pini verë
Mor të mjerë,
Se qederë
Dot’ua nxjerë.
Gjithë burrat. Kush e-pi këtë dolli?
Zoti nun me trimëri,
I-gëzofshim më shtëpi.
Nuni, te prifti. O Prift, të kam gjetur,
Të gjëj me kupë me verë
Të ëmbëlë si shilqerë.
Prifti. Tek’unë mir’se të vish.
Nuni. Këtë t’a dish e t’a pish
Për shëndet të dhëndërrit
Që rri më këmb’e dremit.
Gjithë tok. Shëndet të mirë të ketë,
Të trashëgonet për jetë!
(Kërcet një pushkë)
Prifti, te nuni. Zoti, nun, mir’se më erdhe
Po verën pse na i-derdhe?
Nuni, te Prifti. Mir’se të gjeta, uratë,
Të kesh jetënë të gjatë.
Kupën e-piva me funt…
Dhe me tutje mo e-tunt,
Prifti. S’e-pi dot, jam prift njeri
Nuni. Të di, uratë, të di…
Prifti. Kur e-bën emërë vetë,
Pikë në kupë mos mbetë!
Ti që vure sot kurorë,
Pagëzofsh edhe me dorë.
Gjithë tok. Nuni që vuri kurorë
Pagëzoftë dhe me dorë.
Prifti. Urdhër, o nun, se jam plak,
Të lutem, bëme konak
Nuni. Konak? gjëj Vangjel’e-shkretë.
Prifti. Këtë kërkoje dhe vetë!
Vangjel e-mira të gjetë.
Vangjeli. Me një kupë ço të jetë?
Prifti. E di mirë kush martonet?
Djali të të trashëgonet:
Dot’a pi pas urdhërit
Për shëndet të dhëndërrit!
Gjithë tok. Dhëndërri të trashëgonet,
Të gëzonet’e të shtonet!
Vangjeli. S’e-pive të tër’uratë!
Prifti. Për mbys e-ktheva, s’e-patë?
Vangjeli. O prift mirë se urdhrove,
Rrofsh e qofsh që më nderove:
Dhe dolli-bashi na rroftë,
Dhëndërri ju trashëgoftë.
Gëzofsh dhe më derë tënde.
Nuni. Dhe zoti të dhëntë mënde…
Vangjeli. Unë verën s’e-kam pirë
Që të mos kuvëndoj mirë…
Po dilmi paskam mënt pak,
Të lutem bëmë konak.
Nuni. Ç’konak kërkon të më thuash?
Vangjeli. Dërgomë ku do të duash.
Nuni. Zotnë Brodanë të gjesh
Dhe si të duash të bësh.
Vangjeli. O zoti Brodan të gjeta.
Brodani. Mir’s’erdhe, t’u ngjatë jeta.
Vangjeli. Këtë kupëzë, t’a dish,
Për dhëndërrin, plot t’a pish
Gjithë tok. Dhëndërri shumë të rrojë,
Jetë të mirë të shkojë.
Brodani. Zotrote që gjete mua,
Më shtëpi t’a paça hua;
Dhe dolli-bashi me nder
U bëftë dhe vetë vjer,
Dhe rroftë sa shkëmb’i malit
Nuni. Gëzofsh më darsmë të djalit
Brodani. Ku dot’më dërgosh të pshetem.
Se dotë pi e mos dejtem.
Nuni. Ecë pshetu te Abazi,
S’ka pir’e ju tha gurmazi,
Brodani. Të gjeta, Abaz i-mjerë.
Abazi. Kshtu të më gjësh kurdoherë.
Brodani. Këtë kupë do t’a kthej
Për shëndet të këtij bej!
(rrëfen dhëndërrin).
Gjithë tok. Me nuse të trashëgohet
Nga e liga të mërgohet!
Abazi te nuni. Dollibash, të qofsha falë
Zoti të faltë një djalë!
Nuni. Rrofsh e qofsh.
Abazi. Kush më ka gjetur?
Nuni. S’e ndëgjove? Keshe fletur?
Të ka gjetur Brodan Durri.
Abazi. Më ke gjetur, thotë nuni
Të gjett’e mira për jetë
Të rrosh sa të duash vetë.
Gjithë. S’mba mënd? U-deje pa pirë!
Abazi. Dhe në mos kuvëndoj mirë
Un’i mjeri jam çoban;
Sos jam fatziu në stan
Dhe sos jini dhen’e dhi
Të di për cinë të pi.
Nuni. Ky ësht shëndet i parë
Për dhëndërrin mor’i marrë!
Abazi. Sa malet, o nun, të rrosh!
Tani ku do të më dërgosh?
Se dua të pi një verë
Nuni, numuron. Një, dy, tri, s’ka më të tjerë.
Abazi. Numuroi dhentë mirë.
Nuni. Le të kollet kush s’ka pirë…
Me mua, zoti Abas.
Abazi. Të gjeça kurdo me gas,
Këtë kupë do t’a pi
Për shëndet të dhëndrit ri.
Gjithë tok. Shëndet të mirë të ketë
Dhe të gëzojë për jetë
I zot’i shtëpisë rroftë
Dhe djali ju-trashëgoftë.
III
(Soset dollia, dhe prifti ngrihet e zë vallen me burra, duke kënduar).
Do të them një këngë vetë
Këngë prifti të vërtetë:
Rroftë veshti dhe dheria
Rroftë vera dhe rakia
Q’i ka bërë Perëndia;
Se dhe Zoti Krisht një herë
Mori uj’e bëri verë.
Moj verë burrim i gjakut
Gaz’i djalit e i plakut!
O raki, moj bukuroshe
Që na hedh qoshe më qoshe?..
Se ç’bën vera dhe rakia!
Pin’e dejen trimëria
Sa vjen rrotull shtëpia…
Det’i madh e det i gjerë,
Pse s’të bëri Zoti verë
Se do t’a pinim pa blerë.
IV
(Ësht natë; krushqit zën’e ikin duk’e uruar mëmën e dhëndërrit, zonjën Tanë, q’ësht shum’e gëzuarë).
Nuni. Të të trashëgohen
Brodani. Si bletë të shtohen
Abazi. Me jetë t’u rrojnë;
Prifti. Dhe t’u pleqërojnë.
Zonja Tanë. U paça; të rroni
gjithë të gëzoni.
(Një nga një ikin të tërë, dhe mbeten vetëm n’odë Tana me djalë e me nuse).
(Tana tek i biri).
— Rri me nusen djalë
Dhe foli dy fjalë
Të mos ketë frikë.
(Dhëndërri i thotë s’ëmës)
— Ngreu, mëm’e ikë. (Tana ikën).
V
(Dhëndërri me nuse mbeten vetëm).
Dhëndërri
Lozëm ndonjë lodër?
Të dua si motër…
Nuseja
Ç’motër më ke mua
O lum’e përrua!..
Ti më more grua.
Dhëndërri
Pse u-zëmërove
Dhe u-idhërove?
Kur s’lot ndonjë lodër
S’të dua si motër,
Të dua si mëmë!
Po hajde të flëmë…
Se më mori gjumi.
Nuseja
Fli, të marrtë lumi!
FUND.
Andon Zako Çajupi