Pamje e parë

Burr'e grua

(Është natë. Mbrenda ndë një odë për të fletur zoti Vangjel e zonja Tanë bëhen azër për të rënur poshtë. Në funt të odës ndrit një llampë afër shtratit).

Tana. Ndëgjo, burrë…

Vangjeli. Ç’ke moj grua?

Tana (rënkon). Jam sëmurë.

Vangjeli. Që kur! ç’thua

Tana. Ç’them? ja them që jam sëmurë:
Koka më digjet si furrë;
S’e-keshë pësuar kurrë…

Vangjeli. Po tani vallë ç’pësove?
Më duketë se u-ftove:
Gjithë natën u-zbulove;
S’di se sa herë më zgjove;
Dhe s’më le fare të flërë!..

Tana. Gjithë ditën ç’keshe bërë?
Ti për bar e për dru s’vete,
Dhe qaej se nukë flete?
Tërë ditënë ngas qetë,
Dhe drek’e darkë bëj vetë!
Gjithë puna përmi mua!

Vangjeli. Përse të kam marrë grua?
Gratë për punë po janë.

Tana, qesëndis. Edhe burratë të hanë,
Dhe të rrinë nat’e dit!..

Vangjeli, me inat. Mos më bën të të godit;
Se zakonë s’e-harrova…
Sonte shumë të durrova…
Nga hunda s’më heq dot kurrë…
Se nukë jam si ç’do burrë!
Jam Shqipëtar i-vërtetë,
Dotë bëj si dua vetë!
Ç’ke që s’pushon duk’qarë?
Nga u ç’të ligë ke parë?
S’të kam lënë, si të tjerë,
Vetëm, të shkret’e të mjerë…
Nuk’ika kurrë nga fshati.
Ea, s’të shkoi inati?
Ngreu të biem të flëmë,
Dhe këto fjalë t’i-lëmë.

Tana. Bjer’e fli, mua s’më fliet.

Vangjeli. Nesër, porsa që të gdhiet
Dot’dërgoj djalën me vrapë
Të bjerë jatronë prapë

Tana. Cinë jatro?

Vangjeli. Adhamutnë.

Tana. S’e sho dot me sy Çifutnë,
As për mace s’i-vë besë…

Vangjeli. Le moj grua t’a thërresë.
Kokën munt të t’a shërojë.

Tana. Nuk’e-dua të më shojë!
Të bukhr jatro që gjete…
Me prahir të ruaj qetë.

Vangjeli. Mos kuvëndo kshtu moj grua.

Tana me inat. Nuk’e-dua, nuk’e-dua!
Pse s’shëron gruan e-ti?
Se nga ajo ha e pi…
Ndaj e-mori me një sy
I-dalçinë që të dy.

Vangjeli. Ç’jatro ti të bie unë?
Mitrua s’është këtunë;
Dhe Naum kokë shiniku
Këtejë natënë iku…
Në vënde të tjerë vanë,
Këtu vetëmë na lanë!
Ikn’e muarrë Misirë,
U hante koka për brirë!..

Tana. Prapa diellit të venë
Se ç’nderuan mëmëdhenë.
S’jam sëmurë për jatrua
Se s’më ka gjë koka mua;
Po të më ndëgjosh një fjalë…

Vangjeli. Folë, ç’dotë thuash vallë!
Dot’më lesh dhe sot pa gjumë?

Tana. Kemi ara, vreshta shumë…

Vangjeli. Të gjitha ç’duen i kemi,
Si do vetë Zoti jemi;
Si ne s’ka shumë të tjerë…

Tana. Sa qe e-ndyera vjerrë,
Pas takatit pleqërisë,
Bëntej punët e shtëpisë,
Dhe kur kthenesh nga ara
Gjëjë darkënë përpara;
Po tani ç’të bëj më parë,
Në vështë të jem a nd’arë?
Të të bëj dhe drek’e darkë,
Tani s’munt se jam më plakë.

Vangjeli. Plakë? s’je plakë moj grua,
Po je ashtu si të dua…

Tana, me të lutur. Të të vijë keq për mua:
Punëtë janë të rënda;
S’punoj dot jashtë dhe brënda…

Vangjeli. Puno sa të duash vetë;
Arat, epi me të tretë.

Tana. Kjo punë s’bënetë kurrë,
Po djali na u-bë burrë…
Ndaj të lutem t’a martojmë,
Erdhi dita të gëzojmë;
Ne, pa nuse pse të rrimë?
Kur të kem nusenë ndimë
Punëtë bënenë vetë.
Nukë rojëmë më jetë!..
Pse s’më flet?

Vangjeli. Ç’të them moj grua?
Çuditem me ç’fjalë thua!
Katrë mbëdhjetë vjeç djalë
Do t’a martosh?

Tana. Sa jam gjallë
Dua të gëzoj si mëmë!..

Vangjeli. Ea të biem të flemë…

Tana. Ti ç’më thua, u ç’të them!
Sikur kemi shumë djem!
Me Gjinë mbeti kjo derë.

Vangjeli. Qasu të të bej të tjerë,
Të pjellç pa mbushurë moti…

Tana, duke qarë Me fjalë je shum’i-zoti!

Vangjeli. Ç’ke që qa prapë taninë?

Tana, me lot. Ku të mos qaj un’e-mjera?
U të flas me Perëndinë,
Ti më flet fjalë të tjera!

Vangjeli. Ea moj grua nër mënde.

Tana. Çuditem me kokë tënde.

Vangjeli. Sado qave, ngreu bjerë…

Tana. S’je baba si dhe të tjerë!..
Thuajmë, për Perëndinë,
Pse s’do t’a martojmë Gjinë?

Vangjeli. Ësht’i-vogëlë moj Tanë!

Tana. Ç’thua? pa shukoi shtanë:
Bota nukë shonë vjetë;
Shie sa mori përpjetë:
Duketë një zet vjeç djalë
Kur hipën e breth me kalë.
Me mua kur u-martove,
Sa vjeç jeshe, mos harrove?
Tani, për djalënë tonë,
Do të ndërrojmë zakonë?

Vangjeli. Mos kërko ç’bënim një herë,
Po shuko ç’bëjnë të tjerë:
Shuko bejnë, rrenjë dalë,
Nuk ka dhe ai djalë?
Kur i-thashë t’a martojë,
„Le të bëjë si të dojë,
„S’më ha malli për t’im birë,
„U për vete të rroj mirë“,
Më tha dhe më ktheu kratë.

Tana. I-muarrë mëntë gratë!..
Të bukur njeri që gjete!
Ai të kish mënt për vete!
Nukë shkretonte shtëpinë,
S’kish marrë porropotinë!
Mëndje prishur, zëmër-ligu,
La të shoqenë dhe iku!..
E-zeza grua se ç’hoqi,
Një zet vjet e-la i-shoqi!
Dhe në pleqëri q’e-poqi,
(Të mos arrij të kish ardhë)
Nukë pa ditë të bardhë;
Nat’e ditë duk’e qarë
Nga turpetë që kish parë…
E-mba mënt ç’grua ka qënë?
S’kishte shoqe në vënt tënë:
E-ndershme, zëmër-mirë,
Punoj’e rriti të birrë;
Ka qënë grua për mbrenë;
Burri s’ja diti qimenë…
Dhe tani në pleqëri
Dashuri më dashuri!
E gjetë nga Perëndia
Se prishi shtëpinë e-tia.
Gruaja vdiq nga qederi!
Këtë kërkonte dhe derri;
Tani mban disa të tjera,
I-vaftë shpyrti në ferra!..

Vangjeli. Pse kuvendon kshtu moj Tanë?
Njerst’e-mëdhej kshtu e-kanë:
Njerst’e-tyre i-mundojnë,
Duan’ata q’i-lëvdojnë…

Tana. Në bëjnë kshtu të mëdhejtë
Djalli t’i-marrë për jetë!..
Beu djalën t’a martojë!
Me sy nukë do t’a shojë!
Se në turpe do të rrojë
Si ka rrojturë nga herë!..
Dhe guxon e mson të tjerë!
Ka lojturë nga fiqiri
Një ditë më thosh i-biri:
„Baban e mirë nderoe,
„Dhe baban’e-lik duroe“.
Dotë bënet djal’i-mbarë
Se më mëmën ka gjarë;
Pa në gjaftë me babanë…

Vangjeli. Minji gdhietë moj Tanë!
Tani le bejnë më njanë
Dhe hajde të flemë pranë,
Ea se më mori gjumi. (shtriet).

Tana. Dhe mua më mart lumi!

Vangjeli. Pa dhe nesër kuvëndojmë.

Tana. Djalënë dot’a martojmë?

Vangjeli. Pa të shomë…

Tana. Ç’do të shoç?
Nuk do të më ndëgjoç!
Ndëgjo dhe mua një herë.

Vangjeli. Të ndëgjoj po hajde bjerë.

Tana. Të vi po të më apsh fjalën
Që dot’a martojmë djalën.

Vangjeli. Puna s’bënet me një natë,
Do mentuar gjer e gjatë.

Tana. Ç’do mëntuar, pa më thua?

Vangjeli. Ç’vajzë dot’i-apëm grua?

Tana Mos e-ki këtë qeder:
Djalën tënë kush s’e-merr?
Kush nuk’e-do Gjinon tim
Q’është nga trimat më trim?

Vangjeli. Trimërinë s’ja nxë dheu!

Tana. Nuk’është si djalë beu…
Po ësht’i-mir’e i-mbarë,
Kush t’a-rëmbejë më parë;
S’është no një djal’i-mbetur;
Unë nusen ja kam gjetur.

Vangjeli. Ja ke gjetur! Po ç’e-thonë?

Tana. Çupën’e gjitonit tonë.

Vangjeli. Cinë çupë, Marigonë?
Çupën e zotitë Kore?

Tana. E-bukur’e punëtore.
Mos pyet se ç’grua është…
Si për ara dhe për vështë,
Pun’e saj s’gjëndet në jetë,
Punon vetëmë sa dhjetë!
Nukë them mirë? ti ç’thua?

Vangjeli. Në do të më ndëgjosh mua
Gjini, Katonë të marë
Të bënem krushk me Korçarë
Ara, vreshta, shumë kanë.

Tana. Po kanë veqil xhaxhanë
Nuk’u-ep bukë të hanë!
Janë për të qarë hallë
Se të tjer u-hanë mallë:
Tek ata që s’kanë mënt
Ergjendi nukë zë vënt.
Xhaxhai pse s’i-marton?
Se vetë, thon’i-punon!..

Vangjeli. Ç’thonë bota për xhaxhanë?
Kjo punë s’bënet, moj Tanë,
As në Turq as në Kaurë.

Tana. Tym pa zjarr nuk ka kurrë.
Ndaj s’i-do njeri në fshat,
I-shukojnë si lugat…
Kanë dhe Jorgjin kunat
I-nzjer vetë në „mëzat“,
I-taks andej’e këtejë,
Cinë munt që të gënjejë:
Gënjeu nja gjasht’a shtatë!
Të mjerët! humpnë paratë
Se harruanë xhaxhanë
Q’e-kish vluar me çobanë.

Vangjeli. Mos ndëgjo bota se ç’thonë.

Tana. Ti pse s’e-do Marigonë?
Ajo nuse bën për mua.

Vangjeli. Po ësht’e-madhe, moj grua.
Një zet vjeçe!..

Tana. Kaq’e-dua:
Nukë marr nuse për sisë,
Po për punët’e shtëpisë,
Të dijë të ngasë qetë
Se nukë munt t’i ngas vetë,
Të na bjerë dru nga mali…

Vangjeli. Mirë ti, po ç’thotë djali,
Gjini me tê do të rrojë?

Tana. Do-e-mos që dotë dojë!
Pse kuvëndon kshtu mor burrë?
Pyeten fëmia kurrë?
T’a martojm’ashtu me rruash.

Vangjeli. Moj grua, bën si të duash,
Dhe më qafë t’i-kesh vetë…

Tana. Em këtu em n’atë jetë.
Nesër dot’vete të bluaj,
Të shëtunë të gatuaj,
Të Diel të bëjmë darsmë,
Gjithë miqtë t’i-gërshasmë. (qa)

Vangjeli. Tani pse qa?

Tana. Qa nga gazi:
Më shpëtove nga marazi.
Tani dotë bënem vjerrë!

Vangjeli. Shuaj dritën, dhe shko bjerë.

(Të dy bien të flenë në shtrat. Perdea mbyllet)

Pjesa e radhës
Pamje e-dytë

Lexoje gjithë librin offline: Shkarko e-book · EPUB