Zolejka

Nga gjith vëndet, Misiri,
Ka qën’e është m’i-miri:
Gjithë monë jeshil bari;
S’ka të sosurë behari…
Pem’e lule gjithë moti!
E-ka bekuarë Zoti.
Piramidhetë me diell,
Kanë kokenë në Qiell.
Buxhit Nili nat’e ditë,
Bie ujë të floritë…
Vadit fushënë të tërë
Nukë ka vënt të mos zërë.
Ujiten dhe hurmadhjetë
Dhe venë, venë përpjetë.
Veriu s’reshtetë kurrë
Kur zë e lot me pëlhurë,
Mbanë Nilit punë-mbarë
Ka qenë Tani, më parë,
Ka qenë krye-qyteti
Se këtu kish fronë mbreti,
Tani, ka qenë një herë
Qytet i-math e i-gjerë;
Në mes të këti Qytetit
Ka qenë Palas’i-Mbretit
Se në këtë qytet rroi
Apofi, kur mbretëroi.
Pranë mbretit, nga veriu,
Rrinte Zoti Petefriu,
I-nderuar ndë Misir
Se mbreti e-kish vezir.
Mëndje-math e zëmër-mirë
Kishte në dorë Misirë:
Petefriu mbretëronte
Se Apofi shum’e donte;
Apofi me Petefrinë
Bashkë rrinë, han’e pinë…

Petefriu u martua
Mori Zolejkënë grua.
Moj Zolejkë, nga ke dalë
Që ke diellin në ballë?
Zolejkë kush të ka bërë
Që manitenë të tërë?
Të ka bërë Zoti vetë,
Nukë ke shoqe në jetë!
Kush pa bukurinë tënde
Dhe nukë lojti nga mënde?
Kur do Zolejka të dalë
Me karocë ja me kalë,
Vetëm a me Petefrinë,
Ysmeqarkat pas i-vinë;
Kur del Zolejka merr erë
Dalën dhe shumë të tjerë,
Nukë rri njeri pa dalë;
Kush ta shojë më në ballë!

Zolejka rri e mentuar
Dhe vë kokënë në duar…
Ysmeqarkatë s’guxojnë
Të lozën e të këndojnë.
Ç’ka Zolejka që s’gëzon?
Zonjë si ajo kush rron?
Kush ka të tilla të mira?
Kush ka gjëra të pa vdira?
Kush ka burrë më të mirë?
Burr’i-saj urdhron Misirë!..
Dashuri moj dashuri!
S’peshon ergjent e flori!..
Sa para bën madhëria?
Nukë blihet dashuria.
Duro Petefri, duro!
Zolejka nukë të do!..

Apofi, mbret’i Misirit
I-tha një ditë vezirit:
Për nga sivjet s’kemi vatë.
Po të vemi këtë natë.
Se ditën bën shumë vapë;
Në mëngjes kthenemi prapë.
Mbreti këto fjalë foli:
Petefriu jashtë dolli,
Ysmeçin’e-ti kërkoi
Te Zolejka e-dërgoi
T’i-thotë të mos a presë.
Në pezul të penxheresë
Rrij Zolejka, si nga herë,
Kur pa Josifnë më derë.
Nukë qe njëzet vjeç djalë.
Mustaqja s’i-kishte dalë;
Ish i-bukurë si çupë
Dhe për të pirë në kupë.
Arapinkatë këndonin.
Zolejkënë përgëzonin.
— Zonjë, më dërgoi Zoti
Petefriu fuqi-ploti
Këtë natë mos e-prini
Vetëm të hani të pini:
Për gja sonte dotë venë
Që të dy bashkë me mbrenë. —
Këto tha djali dhe priti,
Po Zolejka psherëtiti:
— Pse mban kokënë më nj’anë?
Qasu të rrish këtu pranë,
Dhe Petefriu me mbrenë
Ku të duan le të venë.
Ti të rrish sonte me mua,
Josif die që të dua!
Të dua, të dua shumë!
Dhe gdhij natënë pa gjumë…
Që ditënë që të pashë
Zëmërnë time t’a-dhashë.
Dale të të puth një herë!
Këtë natë mos më lerë
Vetëmë me ysmeqare,
Josif bënu djal’i-mbarë!..
Eja të rrish këtu pranë,
Kuvëndomë për babanë
Për mëmën që të ka bërë
Dhe për njerzt’e-tu të tërë.
Pse ke lënë Mëmëdhenë?
Kush të shiti, ku të gjenë?
Pse erdhe zure Misirë? —
— Jeshë foshnjë, s’mbaj mënt mirë…
Po vëllezret që kam pasur
Si vëlla s’më kanë dashur,
Dhe më shitnë për të holla!..
— Faqja jote posi molla,
Goja jote si qershia,
S’të çmonetë bukuria!..
Të due, Josif, të dua!
Sonte dotë rrish me mua;
Dotë ham’e dotë pimë,
Të dy vetëm dotë rrimë!..
Se është jona kjo natë,
Zoti e bëftë të gjatë!
Zoq e bilbilë, këndoni,
Kur të gdhihet të na zgjoni…
Mos ki turp, mos u bën djalë.—
— Zonjë, zonjë, të jam falë!
Jam rob’i-Zotrisë suaj;
Këto fjalë mos m’i-thuaj!..
Jetim i-shkretë, fat-ziu,
Më ka blerë Petefriu,
Si baba më është sjellë,
Më ka rriturë si pjellë,
Më ka mbajturë me shpresë:
S’guxoj t’i-dal i-pa-besë!..
— Nga burri im mos ki frikë:
Mbaj me vete këtë thikë,
Prapa derësë të fshihesh
Dhe kur të vijë t’i-biesh!..
Vraje Petefrinë vetë!
Pastaj të më kesh për jetë…
O Josif, mos u-largo!
Josif, Zolejka të do!
Rri me mua këtë natë…
Nukë jam si gjithë gratë:
Gjithë trimatë më duan,
Mbreti për mua le gruan;
Po si ty s’dua të tjerë.
Lemë të të puth një herë!—
Edhe e-puthi sa deshi.
Josifi u-ngre nga sheshi,
I-mjeri kërkon të dalë…
Zolejka ju ngjit si ngjalë,
Uzëmërua sa qau!
Dhe zu Josifnë nga krau!
Ky e-shtyti me të fortë
Dhe dolli jashtë më portë.
Zolejka mbet turpëruar
Me sakon e-ti në duar:
(Josifi, që ta lëshojë,
Qiti sakon të shpëtojë).
Dita s’qe dhe gdhirë mirë,
Zolejka si egërsirë
Nga inati që kish marrë
Priti burrën duke qarë!
Ç’ke që qan o shpirt, i-thotë
Dhe vate t’i-fshijë lotë
Po Zolejka qan më shumë.
— Ku më le vetëm o lumë?
Ike më le me të tjerë…
Josifi më prishi nderë?
Erdhi natën të më zërë
Dhe ra me mua të flërë!
Dotë më kish turpëruar
Si kur të mos jeshë zgjuar!
Të mos keshë këtë thikë…
Kur e-pa i-erdhi frikë
Dhe hapi derën e shkoi
Po sakon këtu harroi!—
Kur ndëgjoi Petefriu
Gjithë këto fjalë, ngriu;
Kur pa dhe sakon e-tia
I erdhi rrotull shtëpia:
Zolejkën të turpërojë
Josifi?.. tani të shojë…
Dhe urdhëroi t’a-zënë,
Brënda në budrum t’a-vënë!

Pjesa e radhës
Kopshti i dashurisë

Lexoje gjithë librin offline: Shkarko e-book · EPUB