Vaje

I

Që ditën që vdiqe, që kur s’të kam parë,
Lotë që kam derdhur s’më janë dhe tharë!..
Shumë vjet u bënë, sot u mbushnë dhjetë
Që kur më ke lënë dhe s’të sho ndë jetë!
Në ç’kopshë me lule ke qëndruar vallë?
S’të vjen keq për mua? s’të vjen mall për djalë?
O Engjëll i-bukur mos mëno në botë,
Ktheu të të shomë të na mbeten lotë.
S’rrojmë dot pa tynë, ti si rron pa neve?
Motëmot që rrojtim bashkë s’më-hurreve.
Atje tek rri janë qipariz’e varre…
Ktheu të të shomë, mos na le për fare!
Mos na le të gjorë, me zëmër të ngrirë;
Ktheu të gëzonesh kur të shoç të-birë:
E-ke lënë foshnjë, tani u-bë burrë;
S’harrite t’a rritje, s’të ka parë kurrë!
Për ty, shumë herë, çoç do të më thotë,
Po s’munt t’i-përgjigjem se më mbytin lotë!
Kthej kokën më nj’anë dhe vështroj përpjetë…
Duke psherëtitur, te Zot’i-vërtetë.
O Zot i-vërtetë, s’t’erdhi keq për djalë
Kur i-more mëmën dhe më le të gjallë?
Të më keshë marrë dotë qe më mirë,
Dhe të rronte mëma të rritej të birë.
Me se rrojnë foshnjat? ç’i-rrit çilimitë?
Dashuri e mëmës dhe përkëdhelitë.
O Zot, të jam falë, mos më le të-mjerë:
Dërgom’Efgjeninë t’a sho dhe një herë.
— „Pse s’kuvendon mirë, more punë-bardhë?
„Cili vdiq një herë dhe prapë ka ardhë?
„Gjith’humbasën gruan, mëmën a babanë,
„Po ata që mbeten, si ti nukë qanë:
„Të vdekurin lotë s’e-bien në jetë,
„Po lutu dhe falu të rriç djalën vetë“ —

Doje drit’o Qiell, more dritën time,
Dhe më mbushe jetën plot me hidhërime!..
Tani rroj pa shpresë, ndaj s’dua të rroj,
Se dhe Perëndinë tani s’e-besoj!..

II

Ditën e vititë parë
U bë qiamet-i math,
Nga tëbora që ka rarë
Faqez e-dheut u-sbarth.
Cingerrim’e errëcirë,
Jashtë veriu pëllet!
Bie bor’e breshërirë,
Dheu duketë si det!
Është natë, nat’e zisë…
Vetëtit edhe gjëmon!
Një Engjëll i-Perëndisë
Dergjet sëmur’e rënkon!
Ka tri dit që po mundonet
Dhe me vdekijnë qërton,
Po vdekja s’do të mërgonet
Se shpyrtin’e-saj kërkon!
„Perëndi, lemë të-gjallë
— Po lutetë mëm’e-mjerë —
„Të munt të rrit këtë djalë,
„S’ka një javë që ka lerë.
„Kush dot’a marrë ta rrijë?
„Jetimi qysh dotë rrojë?
„Kush doti apë të pijë?
„Si unë kush dota dojë?
„Kush dota dojë Stefanë!
„Më ndje o Zot i-vërtetë!
„Se Stefani ka babanë
„Dhe dota rritijë vetë“.
Engjëll me këto fjalë.
Nga jet’e-rreme shpëtoi,
La baban’e-zi me djalë!
Dhe ndë Qiell fluturoi!

III

Botë, moj Bot’e-pa-besë
Nuk ke gjë të vërtetë:
Njeriu po dotë vdesë
Dhe nukë vjen më në jetë.

Dotë gdhietë një ditë,
Dotë vijë një mëngjes
Nukë dotë sho të-mitë:
Dotë mbyll sytë të vdes!

Dotë qajn’e të-vajtojnë,
Dot’më mbulojnë me gurë,
Pastaj dotë më harrojnë
Dhe si-kur s’kam qenë kurrë!

IV

Kur shkoj në për varre ku ka mbirë bari
Që rritet’e maet me trupinë tënë,
Kujtoj kush ka vdekur, mentoj ç’kanë qenë,
Zëmra më lëndonet dhe s’pushon së qari.

Gjithë kanë qenë të-gjallë si unë,
Të-varfër, të-pasur, të urt’a të-marrë,
Mbase kanë dashur, qeshur’apo qarë,
Po të tërë vdiqnë dhe në varr i-vunë!

U lutem moj eshtra të kujt ini vallë?
Edhe kurm’i-bukur ç’u-bë, ku e-latë?
—Kujto djalërinë… një Engjëll, një natë
T’iku nëpër duar dhe të-la me djalë. —

Pjesa e radhës
Zolejka

Lexoje gjithë librin offline: Shkarko e-book · EPUB