Nyja tri...

Tri kanë qënë Bukuritë:
Frosina, Talia, Aglai,
Tri janë dhe sot Perënditë:
Fruma, i-Biri dhe babai.

Tri gjëra bukuri e thjeshtë
Të zeza duetë ti ketë:
Vetullatë, Sytë dhe Leshtë,
Që të na pëlqejë për jetë.

Tri gjëra të kuqa të jenë:
Faqetë, Buzëtë dhe gjua;
Këto rëfejënë shëndenë
Dhe bukurinë tek një grua.

Tri të-tjera të bardha shumë:
Cipa, Thojtë, Dhëmb’e dhëmballë,
Që-lënë trimatë pa gjumë
Edhe mëndjen e-bëjnë dhallë.

Tri gjëra të trasha, të plota:
Llëra, Çapoku edhe Gjiri,
Bëjnë që manitenë bota
Edhe lozinë nga fiqiri.

Tri gjëra të-gjata i-dua:
Këto janë Qafa dhe Shtati
Dhe Pleksidhatë ngjer më thua,
Mjer’ajo grua që s’i-pati.

Tri gjëra të vogla kur janë:
Vërsa dhe këmbëtë me duar,
Fat-miroshe gratë q’i-kanë,
Bukuria s’u-ka të ç-muar.

Tri Gjëra mbetenë të tjera;
Gjosku, Turiri dhe Balli
Duetë të jenë të gjera
Se për tô më ka marrë malli.

Tri të ngushta të ketë femra;
Goja, Mesi dhe… ç’o të jetë
E-treta gjë që m’a-do zemra?
S’e-them dot po gjejeni vetë.

Pjesa e radhës
Kasapi

Lexoje gjithë librin offline: Shkarko e-book · EPUB