Pyeta një ditë
Kasap gjakëtorë
Që ther bagëtitë,
Me thikë më dorë…
O kasap o djalë
Ther qenqnë në ballë
Dhe delen e-mjerë
Le për tjetër herë.
„Jam kasap, më thotë
Duke fshirë lotë,
Po jam zëmër-mirë
Se s’jam egërsirë;
Qengjitë, në ballë,
Thikënë s’ja heq
Se delja e-ka djalë
Dot’i-vijë keq.
S’është pun’e-drejtë
Dhe për bagëtitë
Të rrojnë pleqtë
Të vdesën të ritë.“
Dhe kasap’i-zi
Ka zëmër të bardhë,
Po ti Perendi
Pse s’punon me radhë?
O Zot, të jam falë,
Po nukë bën mirë:
Lë mëmëm të-gjallë
Dhe i-mer të birë!
Andon Zako Çajupi