Dashuria

A!

Dotë lëvdoj Dashurinë
Mbarambar me Perëndinë
Se Dashuri’e-vërtetë
Na mban të-gjallë në jetë

S’e kam parë Perëndinë,
Sho nga herë Dashurinë;
Dashuria mbretëron
Se njeriu pa të s’rron.

Cinë të besoj taninë
Perëndin’a Dashurinë?
Perëndi në këtë jetë
Eshtë Dashuria vetë.

B!

Si për burra dhe për gra
Dashuria, Djalëria,
Janë si motr’e vëlla:
S’i ndan dot as Perëndia.

I-riu me dashuri
Rron e gëzon këtë jetë,
Dhe pastaj në pleqëri
I-rëndonet jet’e-shkretë.

Djalëria qëndron pak;
Kshtu ka thënë Perëndia,
Kur bënet njëriu plak
S’i ka hie dashuria.

O ju të-ra e të-ri
Dot’u shkojë djalëria
Dhe bashkë me djalëri
Fluturon dhe dashuria.

C!

Kur jeshmë të-vegjil, si moll’e pa bërë
Putheshim nga herë ditënë të tërë;
Vij’e të kërkojë, vij’e të thërresë,
Losnim të dy bashkë, rronim me një shpresë.
Mba mënt sa të desha, mba ment sa më deshe?
Mba mënt si më thoshe e vogël kur jeshe?
Tani që jam burrë, tani q’u-madhove,
Dashurin’e parë pse vall’e harrove?
Tani q’u-poq molla e-hanë të tjerë,
Mikn’e-djalërisë s’e-qas as më derë!
Po, si dallëndyshja vete në vënt tjetër
Dhe kthenetë prapë në fole të vjetër,
Ashtu zemra jote mundet të kujtojë
Mikn’e-djalërisë dhe prapë ta dojë.

D!

Digjem, përvëlonem
Se të dua shumë.
Ditënë mentonem,
Natën rri pa gjumë.

Luletë të dinin
Mike, sa të dua,
Këtu dotë vinin
Të qajnë me mua.

Zoqtë të ndëgjonin
Dot’më rrinin pranë
Dhe dotë këndonin
Të harroj sevdanë.

As njeri në jetë
Plagën s’ma shëron
Përveç mikja vetë
Që vjen e-lëndon!

E!

Bukuria jote, leshërat e-tua
Po si pendë korbi, të gjata mi thua,
Ballëtë si diell, faqet si mollë,
Qafa jot’e gjatë, mesi yt i-hollë,
Sisetë si shegë, dhëmbët si thëlpënjë,
Buzët si burbuqe sytë si gështenjë,
Dora si dëborë, fjala jote mjaltë,
Kurmi yt i-derdhur, shtati yt i-naltë;
Gjithë më kënaqin, të tëra t’i dua,
Po zëmëra jote u bë gur për mua!..

F!

E mba mënt moj Marë
Dashurin’e-parë?
Njeri nuk’e-gjegji
Se jeshmë të vegjil.

Unë pa ty s’rrojë,
Vij’e të kërkojë,
Ti pa mua s’rroje
Vij’e më kërkoje.

Në lule me erë
Putheshim nga herë.
Dhe si burr’e grua
Losnim nënë ftua.

Një ditë, të-dyza
Losnim Mbyla-syza:
U fshyem pa dukur
Në ferra, në gurë,
U fshem kaqë bukur
Sa s’u gjëntm’dot kurrë…

G!

O moj lulja manushaqe
Ndëgjo dashurinë ç’thotë:
Të lozëm faqe për faqe
Të na përzienë lotë

Ma do zëmra, ma ka ënda
Të lozëm ballë për ballë,
Se zjarri që kemi brenda
Na djek sikur të mos dalë.

Të lozëm gush për gushë
Bashkë të vemi, të vimë,
Po si shtjerratë në fushë…
Se të-ri gjithë-një s’rrimë.

H!

Kam dashurë lulet, konxhen, trandafilë,
Zoqtë që këndojnë, thellëzat, bilbilë;
Tani s’më pëlqejnë, më lenë të ftotë,
Se dua një çupë si hënëz e plotë,
S’ka shoqe në botë.

Kjo është për mua lule trëndafili,
Konxhe, manushaqe, thëllëza,
Kur më shkon në rrugë, me lule më dorë,
Leshrat prapa krave hedhur si kurorë,
E-bardhë si borë.

Më mirrenë mëntë, nga sytë verbonem
Dhe nga dashuria digjem, përvëlonem,
Si digjen në zëmër gjithë sa e-njonë,
Maniten të tërrë trimat kur e-shonë,
Mashala! i-thonë.

I!

Pika, pika bie shiu
Dhe dëbora flokë flokë,
Vetëtit e fryn veriu,
Breshëri kërcet mi tokë!

Le të fryjë er’e-ftotë,
S’ka ç’më bën dimëri mua:
Dashuria më mban ngrotë
Se pushtoj atë që dua.

Kur fryn era me talas,
Kur bie tëbor’e shi,
Sa fle njeriu me gas
Kur ka mikenë në gji!

Pjesa e radhës
Vaje

Lexoje gjithë librin offline: Shkarko e-book · EPUB