O Shqipëtarë të mjerë!
Ç’u ka marrë koka erë
Derdhni gjaknë për të tjerë!
Gjithë Trimat e Turqisë
Ishin djemt e Shqipërisë.
Ata që bënë Morenë
Gjithë Shqipëtarë qenë.
Luftonte Turku me Junanë,
Po Shqipëtarëtë ç’panë
Q’u-ngrenë të gjith’e vanë
Ca më nj’an’e ca më nj’anë?
Musilman’e të Krishterë
Në luftë vanë të tërë;
Lanë Memëdhenë shkretë,
Vanë të vritenë vetë!
Sos vriten për Shqipërin…
Po për Moren’e Turqinë!
Në bërrul të penxheresë
Qan Shqipëtarka pa shpresë…
Qan e të këput kaurka!
Për karshi qan edhe Turka!
Që të dya Shqipëtare
Qajn’e s’pushojënë fare;
Se djemtë në luft’u vanë;
Muslimani për Sulltanë
I krishteri për Junanë;
Me njëri-jetrin u vranë!..
Mëm’e zezë del në shkallë,
Qan e ulërin për djalë…
Si burim i venë lottë;
Djalit të vetëm i thotë:
„Bir’o bir, në luftë ç’deshe?
Pse nukë rrije tek jeshe?
Turkun e Grekun ç’i keshe?
Sos lëftonte Shqipëria
Që nxive ditët e mia?..
Vajte në luft’e mê s’erdhe!..
S’t’erdhi keq për gjak që derdhe?..
Sos e derdhe për Atdhenë?
Po për Turq e për Morenë!
(Si të t’a fal marrëzinë?
Sos vdiqe për Shqipërinë?
Për një derr e për një dhelpër,
Për Sulltan’edhe për Grekër
Vajt’e humbe këtë jetë!..
Ike e më le të shkretë!..
Bir o bir!.. u-mbyll shtëpia!..
U-shoft’e tërë Turqia
U-shoftë dhe Grekuria)
Mos u-gjente fis e farë!..
Gënjejnë me Shqipëtarë!..
Sa mëma që kanë qarë
Për djemtë q’u janë vrarë!..
(E zeza!.. që më lâ djali!..
Bir o bir… ç’më mori malli!..)
Bir o bir!.. Ç’punë punove!..
Pleqërinë m’a shkretove!..
Djalërin’e trimërinë
S’i humbe për Shqipërinë!..
Vajt’e lëftove për botë,
U-mundove dëm e kotë!..
Bir o djal’i vetëmë
Se ç’më nxive jetënë!..“
Andon Zako Çajupi