E-dashura Mëmëdhe
Të dua dhe kshtu si je!
Po kur të të sho të-lirë
Do të të dua më mirë.
Qajni pyje, fusha, gurë,
Qajni male me tëborë!
Shqipëria mbet e-gjorë
Dhe nukë she dritë kurrë:
Një mjergul e keq’e shkretë
E-ka mbuluar për jetë!
Një gazep, një errësirë!
Vetëtit edhe gjëmon!
Rojmë me zëmër të ngrirë,
Nga frika kurkush s’gëzon!
Njerzitë kurrë s’këndojnë,
Dhe bilbilëtë vajtojnë!
Qiameti shkretëtira!..
Zogu vete zë folenë,
Njeriu le Mëmëdhenë
Se mbretëron egërsira!
Për Shqipëri dëshërojmë
Se në vënt të-huaj rojmë.
Robërinë si duron
O moj Shqipëri e-mjerë?
Shpëtove vënde të tjerë,
Vetë nënë zgjedhë rron!
Shqipëtarë bëni benë
Të lëftoni për Atdhenë.
E-dashura Mëmëdhe
Të dua dhe kshtu si je!
Po kur të të sho të-lirë
Dotë të dua më mirë.
Andon Zako Çajupi