Gjithë vëndetë gëzojnë
Ti Shqipëri pse pushon!
Gjithë njerzitë këndojnë
Ti Shqipëtar pse rënkon?
Gjithë duanë lirinë
Dhe pa të njeriu s’rron,
Ti Shqipëtar, Shqipërinë
Në zgjedhë si e-duron?
Zgjojuni o Shqipëtarë,
Erdhi dita për Liri:
Zini luftë me Barbarë,
Përpiqi për Shqipëri.
Të Krishter’e Myslimanë,
Të tërë një sua kemi:
Gegë, Toskë, Dibrianë,
Gjithë Shqipëtarë jemi.
Mblidhuni të bëjmë benë
Të gjithë dorë për dorë:
Të duamë Mëmëdhenë
Edhe malet me tëborë.
O malet e Shqipërisë
Që në Prevez e në Kroje,
Egërsira e Asisë
Ngjerë-kur dot’u-zotojë?
Që ditënë që u-shkeli
Robëria, dhe ngjer sot
Nukë bën me bar Dhembeli
Dhe Tomorri qan me lot!..
Male, me krye në Qiell,
Si duroni Robërinë?
Ju që shini drit’e diell
Pse s’ndrini dhe Shqipërinë?
Ku janë vaftet e-parë
Që kini dhënë yrnek!
Ku ini o Shqipëtarë,
Pse s’ndëgjonet një dyfek?
Apo humbi trimëria!
Apo s’doni Mëmëdhenë!
A u-shua Shqipëria
Që ka pjellë Skender-benë?
Pse rrini lidhur me lak?
Pse s’shpëtoni vëndë tuaj?
Apo s’u-mbeti më gjak
Se e-derthtë për të-huaj!
Mirri pushkatë në duar
Edhe bëni besa-besë:
Shqipëria do shpëtuar,
Kokë Turku të mos mbesë!..
Andon Zako Çajupi