Greku dhe Bulgari,
Dhe Turku Barbari
Nukë dinë ç’janë…
Dhe turp nukë kanë!
Neve, Shqipëtarë,
Jemi komb’i-parë,
Po për turp e-kemi
Të themi se ç’jemi
Njeri, do Greqinë,
Tjetri, do Turqinë,
Edhe Shqipërinë
S’duanë t’a-dinë!
Ç’jemi? o të mjerë
Jemi Shqipëtarë,
Si ne s’ka të tjerë,
Po punoni mbarë…
Në kini, o shokë,
Mëndjenë në kokë,
Harroni Morenë,
Dojni Mëmëdhenë.
Nga Turqit largoni,
Dhe më mos i-doni,
Se armiq na kanë
Duan të na-hanë!
Lini djallëzitë,
Lini prapësitë…
Po si Perëndinë
Dojni Shqipërinë.
Vënd’i Skender-beut,
M’i-bukur i dheut,
Kur dotë gëzojë
Dhe të lulëzojë?
Balt’e Shqipërisë,
Djep’i Trimërisë,
E-ëmbël si mjaltë…
Zoti na e faltë!
Andon Zako Çajupi