Sulltani

Jam Sulltan, mbret i-vërtetë,
Shoq të tjerë s’kam në jetë;
Gjakëtor e zemër-derr,
Nga frika më bëjnë nder!..
Dolla nga fund’i Asisë
Si rrebesh’i Perëndisë:
Vrava, preva e shkretova!
Botën me gjak e-mbulova!
Kur zotova Anadollë
Erdha mora dhe Stambollë,
Njerzit i shkova në thikë!
Dhe kush mbeti rron me frikë!..
Jam i-keq si egërsirë!
Të urtët janë të mirë,
Dua të quem i-marrë,
Po puna të vejë mbarë.
Thera Grekër e Bullgarë,
Thera Ermenët e-mjerë.
Thera sa munda të tjerë!
Egërsirë si ariu,
Me fytyrë si njeriu
Më dërgoi Perëndia
Që të vuaj njerëzia!
Evropa që më shukon,
Të më bëjë gjë s’guxon
Se ka mejtime të tjera…
Prisha, vrava, preva, thera!
Bëra… po ç’nukë kam bërë?
Prisha botënë të tërë!
Mysliman e të krishterë
Kam dërguar n’atë jetë
Më tepër se ç’vdiqnë vetë!
Jam i-zoti, rroj me pallë,
S’dua të sho njers të gjallë!
Nat e ditë gjak kërkoj,
Pa pirë gjak s’munt të rroj!
Dhe tani q’u bëshë plak
Nukë munt të fryem gjak!
Ata që kam nënë zgjedhë
Të mundijë tok t’-imbledhë,
Me dorë time t’i-vrasë,
Të pijë gjakn’e rajasë!
Pse s’u-bë, nga Perëndia,
Me një kokë njerëzia,
Që ta presë me një herë!
Të mos mbeteshin të tjerë!
Të mbetej dheu i-shkretë,
Se dojë të rrojë vetë;
Me egërsira të rrojë,
Pa frikë të mbretërojë,
Se më duan e i-dua,
Jemi një gjak e një sua!
S’lashë njeri pa të keq!
Gra e burra, djem e pleq
Dridhenë kur më kujtojnë,
Mëmatë më mallkojnë,
Më mallkojnë të vatë
Edhe qajnë dit e natë!
Qajnë! po kush nukë qa?
Qajnë burra, qajnë gra,
Qajnë maletë për pylle,
Qajnë fushatë për lule!..
Kudo shkela u-tha bari!
Ç’la puçka e dogji zjarri!..
Egërsirë si ariu
Hëngra dhe u mish njeriu!
Si kam dashur kam punuar,
Pse nukë jam i-gëzuar?
I-lik jam, të liga dua,
Nga kush më vjen frikë mua?
Nukë di se ç’kam i-ziu,
Nga frika gjaku me ngriu…
Me punëra që kam bërë,
Më duken armiq të tërë,
Mysliman e të Krishterë;
Sa dhe trimat Shqipëtarë
Zun’e më punojnë varrë!
Humba Moren’e Vlahinë,
Bullgarinë me Sërbinë,
Bosnjënë me Mal-e-zi,
Gjiritnë me Thesali;
Keshë kompn’e Shqipërisë
Direk i-gjithë Turqisë;
Pse s’më priti sa të vdesë
Pa të më dil i-pa-besë
Me Shqipëri të lëftonem
Kam frikë mos turpëronem,
Kam frikë nga Skenderbeu
Mos dalë prapë nga dheu!..
Se ç’mentoj a ç’jam i-marri
S’më bën dot gjë Shqipëtari,
Dhe sa të jem vet i-gjallë
Nga zgjedha s’ka për të dalë.
Pas meje, në këtë jetë
Guri mi gurë mos mbetë!..

Pjesa e radhës
Prishj'e Lëkursit nga Greku

Lexoje gjithë librin offline: Shkarko e-book · EPUB