Shqipëtar!

Shqipërin’e mori Turku
i-vu zjarr!
Shqipëtar mos rri po duku
Shqipëtar!

Mjaft punove për të tjerë
o fat-keq!
Kujto vende tek ke lerë
dhe tek heq.

Të ka bërë Perëndia
luftëtar,
Si s’të lodhi Robëria
Shqipëtar!

Erdhi dita të ngresh kokë,
të kërkosh
Lirinë; bashkë me shokë
të lëftosh!

Mos bëni si kini bërë
gjer më dje.
Po të lëftoni të tërë
për Atdhe:

Pesë qint vjet kemi rruar
me pahir
Lidhurë nga këmb’e duar
me zinxhir!..

Musylman’e të Krishterë
jemi keq!
Të ngriemi që të tërë,
djem e pleq!

Të ngriemi të dëftojmë
trimëri,
Ja të vdesim ja të rrojmë
për liri!

O moj Shqipëriz’e-dashur
mëmëdhe,
Të sho me buzë të plasur…
si më she.

U-shkretove anë mb’anë
Shqipëri,
Se Shqipëtarëtë s’kanë
dashuri.

Gjithë djemtë që ke qarë
dhe mban zi,
Për Morenë janë vrarë,
për Turqi!

Ç’vish robat’e Robërisë
mëmëdhe.
Vish armët’e Trimërisë
se ke ne!.

Pjesa e radhës
Ku kemi lerë?

Lexoje gjithë librin offline: Shkarko e-book · EPUB