Naim-be Frashëri

Vdiq Naimi! Vdiq Naimi!
Moj e-mjera Shqipëri!
Mëndje-larti, zëmër-trimi,
Vjershëtori si ai!..

Vdiq Naimi po vajtoni
Shqipëtarka, Shqipëtarë!
Naimnë kur t’a kujtoni
Mos pushoni duk’e qarë!

Vdiq Naimi, Naim-beu!
Vate te Zoti-vërtetë:
Qysh u-nda nga Mëmëdheu
Dhe iku e-la për jetë?

Vdiq Naimi! Gjithë thonë!
Qajni Turq, qajni Kaurë!
Bilbil’i gjuhesë tonë
S’dotë ndëgjonet më kurrë!

Vdiq Naimi që këndoi
Trimërinë, Skender-benë;
Vdiq Naimi që lëvdoi
Dhe nderoi Mëmëdhenë!

Vdiq Naimi! po ç’të gjeti
O moj Shqipëri e-mjerë
Vdiq Naimi! po kush mbeti?
Si Naimi s’ka të tjerë.

Vdiq Naimi! Vdekj’e-shkretë
Pse more të-tillë burrë?
I-ndritë shpyrti për jetë,
Mos i-vdektë nami kurrë!

Pjesa e radhës
Atdheu dhe Dashuria

Lexoje gjithë librin offline: Shkarko e-book · EPUB