Shën Mërisë virgjër

I grisa gjunjët edhe gjuhën thajta,
Sytë nga lotët që derdha m’u thanë,
Ma therën shpirtin, zëmërën ma vranë
E sa keq e më keq përditë vajta.

Dhe as më ndihu besa që të mbajta,
Gjithnjë ditë të zeza mua më ranë;
Ëndrrat dhe shpresat posi lulet vanë
Gjindja më turpëron sepse t’u qajta.

Tani ç’të bënj, o Mëmë, te kjo jetë?
Dita më helmon, kurse nata më vret.
Më ngrys e sotmja., e nesërmja më zhyt.

Tek ti vjen zëmra me mall të vërtetë;
Po ti rri larg dhe brenga mua më pret
Dhe në një det plot helme, ja, më mbyt.