Vashë hirplote, ku je, ku rri, ku bredh?
Ç’ëndëron e ç’mendon, vallë ç’kërkon?
Zëmrën ti nga e shpie, nga e bredh?
Dhe bukuria jote ku gëzon?
Ja puhia po fryn nga deti i gjerë
Dhe nuk më sjell përgjegje ndonjëherë.
Te lulet u çfaq dielli e perëndoi
Dhe hënëza u duk si e helmuar,
Siç erdhi gazi i njerëzve ashtu shkoi,
Tërë kujtimet vanë e qenë harruar,
Un’ rroj edhe, po s’ndiej në të vërtetë
Si vjen e na gëzon malli në jetë.
Po n’ardhtë dashuria? Oh, sa mjerime
Ma therën zëmrën dhe jetën ma nxinë.
Larg më qofshin gjithnjë ato pasqyrime
Të helmit tim, se udhën mirë e dinë!
Ky kopsht i bukur te shkreti rrah
Për mua lot e shërtime gjithnjë ka.
Të madhe qetësi kam te shtëpia
Kur mblidhem i mërzitur nga kjo jetë,
Pra, rreth e rrotull më pushton vetmia,
Dhe them: “Çdo gjë hi bëhet me vërtetë!”
E kot te qielli e deti i menduar
Vashën e mjerë shkoj duke kërkuar.
Zbres në kopsht dhe unë i shkreti, në pushoj,
I shtritur n’ato lule e n’atë bar,
Shpejt ata vjet si në vegim kujtoj
Kur e kalova jetën plot llahtar,
E hollë e hollë, e lehtë, e dalngadalë
Ngrihet vasha e me gaz me këthen fjalë.
Edhe tek fliste syri i shkrepëtin,
E i shkreti gaz nga buza që rrëmben,
I fekste vija e flokut, balli i ndrin
E duket sikur qiellin ti vren!
E shkoi koha që më harroi e rri,
Kjo zëmra ime e mbytur në dashni.
Frushullon ajri atje në pyll e lumë,
E qeshin trëndafilëzat te gjëmbi,
Dielli, që ngrihet lart, të vë në gjumë,
Dhe gratë bëjnë finjëzën te shkëmbi:
Bilbilit i ka hipur dhe këndon.
Dhe vasha e lulja rreth qark gëzon.
Me sytë mbyllur dhe me krah mbështetur,
Ahere unë flas me vashën time:
I them helmet që pata, sa jam tretur.
I them sa herë e mbajta në kujtime,
Edhe pastaj i them vjershat e mia
Që i bëra sa më nisi djalëria.
Dhe ja nga buza vasha ime nxjerr
Fjalë e të puthura që vijnë sërë,
Zëmra më brof edhe këngës ja merr,
Me bukuri stoliset jeta e tërë;
Tringëllin jeta e mbushet me hare
Se vasha m’u këthye nga tjetri dhe,
Ja dielli perëndon: dhe po më vjen
Terri që depërton tok me puhinë,
Vij në vete tani edhe më len
Ëndrra që më jetoi në fantazinë
Dhe shoh që jam siç isha e kurrë më
S’ngrihet Bardhusha që te varri flë.
Dhe un’ po rri si kitara që u ça,
Se nuk i ranë dot me mjeshtëri,
Si gorrica që fushës hije i dha,
Po bujku ja preu degët nëpër shi.
Si trumcak vetmitar i mjeri un rroj
I qetë jam ditën, po natën vajtoj.
E vanë gjer më sot nja nëndë vjet,
Nëndë herë paravera lulëzoi.
E nëndë plagë kam te zëmra e shkret’
Dhe një helm i madh mua jetën ma shkurtoi,
I lodhur jam si ajo thëllëzë mali
Që, tue kënduar, detin e përfali.
Dhe pak nga pak po shuhet ky fanar.
Merr fund edhe për mua ky fat i zi,
Shpresa m’humbet e fati më heq zvar.
Atje ku bje gjithçka në qetësi,
Era ngrihet e fryn nga deti i gjerë
E malli as më përgjigjet ndonjëherë.
E ti, vashë, a mban mënd tani ku rri?
Mban mënd natën e bukur që t’këndova?
Fjalën të dhashë e lypa dashuri
Edhe fqinjëzën tënde ta gëzova,
Ti ishte gocë, un’ djalë; i gjallë ish ati
E shumë i bukur na tregohej fati.
Portokalle në kopsht unë të thashë,
Yll i mëngjezit unë të thërrita,
O lule, atje në kopshtin kur të pashë
Me lotn’ e vesës un’ të barabita
E të këndova: “O lule plot puhi,
Një kundërmim të ëmbël lëshon ti.”
O kohë e mirë! O nat’ që na gëzoje!
Ti, hënë, n’ato kodra kishe dalë,
Dhe drita që së larti ti vërshoje
Nëpër katund përhapej valë-valë
Më qeshi zëmra e mëndjen lart e çova
Dhe në qjellin e thellë nj’yll kërkova.
Çdo gjë mbaroi! E ti, moj vashë, sot
Më ndërro e të kthjellët bëm ti vetë,
Largom’ baltën ku hyra për ca mot
Dhe për mua ky diell prind të jetë.
Helmi e vreri për gjak të mos më nxitë,
Besë unë e bujari paça përditë.
Kështu për hirin tënd mirë udhën shkoj
E gjithashtu trishtimet prapë i lë,
Ti urimin nëm, o shpirt; un’ të bekoj,
Mbi varrin lule e lule unë të vë;
Ngryset pra jeta e flë; dhe unë aher
Ngjallem në jetën tjetër e s’të bjer.
Zef Serembe