Fytyra ime

I

I gjatë, e, më se i hollë, unë jam i trashë
E jam i shkathët porsi i lashti Akil.
Nëpër flokët gështenjë një vijë ndrit.
Sytë si luledielli kthehen nga një vashë.

Vetullat kam si brushë fashë-fashë
E të mbuluara tunden si me re.
Hunda me majë ngjan sikur vë re
Buzën kur e hijeshon mustaku i trashë.

Vezake mjekrën kam; me krenari
Dhëmbët rrinë në nullë e veshët e mi
Edhe duart të holla janë pra.

Zverku më ngrihet i fortë e i drejtë
Sepse Shëndeti shtat burrëror m’dha
Tani mund të më shihni si jam krejt.

II

Në zemrën time gaze e helme rrinë.
Inati m’zë, po shpejt e kapërcej,
Pak rri me shokë, dua qetësinë
Dhe me shumë ëndrra kohën e gënjej.

Mllefi më ndez e dua në vend të vë
Të vërtetën që e flakën mu në baltë
Do t’ndreqnja botën… Po s’kam shpresë për këtë
Dhe lotët lumë më rrjedhin nëpër faqe.

Gjuhën me miqtë e kam si një kumborë
Rrallë jam idhnak, më shumë kam butësi
Megjithëse deshëroj beteja shumë.

Të gjithë i fal. Të lëshuar kam dorë
Sidoqë s’kam e s’jam në varfëri.
Më njomet thellë zemra porsi brumë.

Pjesa e radhës
Kënga e mallit të parë