Shqipëtarëtë gjithënjë për botën e kurr për vetëhe.

Sikundër thamë më siprë, Shqipëtarëtë gjithmonë janë vrar’ e përpjekurë e kanë cpërkaturë të tërë faqen’ e dheut me gjak të tyre; po nga gjaku i Shqipëtarëvet të tjerë kanë fituarë, Shqipëria s’ka parë nonjë të mirë. Shumë Shqipëtarë janë çquarë e kanë treguarë vetëhenë në dituri e në të tjera gjërëra: po me këta të tjerë mburenë e jo Shqipëtarët’ e Shqipëria.

Me Pyrron’ e me Aleksandrdnë mburenë Grekëritë e i quajnë Grekër. Maqedonasitë, që me trimërit të tyre muarrë gjithë botënë në pakë kohë, nuk’ i suallë nonjë të mirë Shqipënisë, po Grekëritë, q’ishinë armikët’ e tyre, u ranë pas e i rrethuanë, edhe këta fituanë nga gjaku, që derdhë ata. Se Maqedonasitë përndanë nëpër gjithë vëndet, që muarrë, gjuhën’ e qytetërin’ e Greket e jo të tyrenë, q’ish shqipja. E shum’ e botësë edhe sot Maqedonasitë i zënë për Grekër. Vërtet, të mos ishinë Maqedonasitë gjuha e Greqet e qytetëri’ e tyre do të mos kish marrë dot kurrë këtë bujë, që ka sot, edhe mbase do të kish humbur’ e t’ish haruar fare; se shkoll’ e Aleksandrisë edhe të dituritë, q’arrinë n’ Egjyptë në kohët të Ptolemenjet, e bënë gjuhën’ e qytetërin’ e Greqet të përndahetë e të dëgjohetë më gjitha’ anët të dheut. Ptolomenjitë, q’ishin fjeshtë Shqipëtarë nga Çamëria, e gjithë Maqedonasitë lanë gjuhën’ e tyre, shqipenë, më nj’anë të haruarë e të paditurë e vunë përpara greqishtenë, gjuhën’ e Dhimosthenit, që ka folurë aqë kuntrë Maqedonaset.

Pas Grekëvet erdhë Romanëtë; edhe këta fituanë shumë nga Shqipëtarëtë: trimëri’ e Shqipëtarëvet e mendj’ e tyre shërbente mburjen’ e Romanëvet e jo të tyrenë. Shumë njerës trima e të ditur kan’ arriturë edhe në kohët të këtyre në meset të Shqipëtarëvet, po bota i ka njohurë si Romanë e jo si Shqipëtarë.

Pas Romanëvet u erth radha Tyrqet. Shqipëtarëtë, duke përzjerë me Tyrqitë, kanë marrë anë në gjithë luftërat, që bëninë e që fitoninë këta kuntrë gjithë botësë; edhe më të madhe në trimëri e më të miratë punëra i bëmimë Shqiptarëtë, po emënimë e kishinë Tyrqitë, edhe gjithë bota i dinte Tyrq e njeri s’i njihte si Shqipëtarë. Më të mbëdhemjt’ e më të mirët’ e Vezirëvet të Tyrqisë ishin Shqipëtarë, si Sinan-Pasha që ka marrë Jemenë e ka shpënë fjamurin’ e Tyrqisë gjer në detet t’Indisë, si Qyprilinjtë q’e kanë shpëtuarë mbretërin’ e Tyrqisë nga një rrezik të math e e forcuanë aqë këtë mbretëri, sa van’ e rrethuanë Vjenënë. Edhe shumë të tjerë njerës të mbëdhenj e burra trima kan’ ardhurë, prej të cilëve Tyrqia ka fituarë shumë, po Shqipëria aspakë.

Në kohërat të pastajme Shqipëtarëtë myslimanë kanë punuarë e janë vrarë për Tyrqitë e Shqipëtarëtë e krishtenë për Grektë, për këta dy kombe, të cilëtë, as njëri as tjatri s’ua dinë të mirënë e ja u çpërblejnë me të keqe duke përpjekurë për humbjen’ e kombit shqipëtar. Boçari, Xhjavella, Miauli e të tjerë, më të shumët’ e trimavet, që janë përpjekur për ngjalljen’ e për dlirin’ e Greqisë, kanë qënë fjeshtë Shqipëtarë e jo fare Grek; po nga trimëri’ e tyre ka fituarë shumë Greqia e jo fare Shqipëria. Në syt të botësë lëftoninë Greqtë me Tyrqitë, po në të vërtetë lëftoninë Shqipëtarët’ e krishtenë me Shqipëtarëtë myslimanë. Kur muntnin’ ata, fitonte Greqia; kur muntninë këta, fitonte Tyrqia; po gjaku, që derdhesh nga të dy anëtë, ish gjak Shqipëtari. Shqipëtarëtë vritenë vëlla me vëlla, të tjerë fitojnë. Shqipëtari e ka derdhurë gjithnjë gjaknë pa kurcim, po e ka derdhurë kot; kurrë Shqipëria s’ka fituarë nga gjaku i Shqipëtarëvet: gjithënjë të huaj edhe armikë të Shqipërisë kanë fituarë nga ay gjak i vjejturë e i derdhurë pa mendim!

Jo vetëm me kordhë e me gjak, po edhe me pëndë e me mënt Shqipëtarëtë kanë shërbëtuarë gjithënjë të huajtë. Me të mos shkruarë gjuhën’ e tyre, janë shtrënguarë të shkruajnë greqisht, llatinisht, shqahisht, tyrqisht a arabisht; edhe me emënit të tyre mburenë të zott e këtyre gjuhëve e Shqipëtarëtë pandehenë t’egër’ e të paditurë, gjith’ i qeshinë duke thënë se ja u ka ngrënë buallica livrën’ e tyre. Po Aristoteli, m’i madh’ i filosofëve të Greqisë së vjetërë, ishte maqedonas, do-me-thënë Shqipëtar e jo grek. Vërtet në Stagjyrë, tek ka lindurë, ishinë edhe ca Greq t’ardhurë, po fytyr’ e Aristotelit, që shohimë n’agalmët të ti edhe gjuha greqisht, q’e ka shkruarë të përtuarë e jo aqë të drejtë si edhe miqësia, që kish me Filipinë, anëmikn’ e Greqet, e të tjera shënja tregojnë se ky filosof i math nukë ish lindurë prej nonjëj nga Greqtë, që kishin’ ardhurë në Stagjyrë, po prej një stagjyraku vëndës e ish maqedonas, do-me-thënë Shqipëtar i fjeshtë.

Në kohët të Tyrqet kan’ ardhurë shumë Shqipëtarë të diturë, që kanë shkruarë livra e vjersha tyrqisht a arabisht. Vetëm vjershëtarëtë shqipëtarë, që kanë shkruarë vjersha tyrqisht janë aqë të shumtë, sa emënat’ e tyre munt të mbushinë një livrë të tërë. Jahja-Beu, q’është një nga më të mbëdhenjt’ e nga më të dëgjuarëtë e vjershëtarëvet tyrq, është shqipëtar.

Shqipëtarët’ e kanë treguarë gjithë jetënë që janë të zottë edhe me kordhë edhe me pëndë, edhe me trimëri edhe me mënt e me dituri, e Shqipëria ka nxjerrë shumë njerës të çquar’ e me nam të math, po nonjë nga ta s’ka punuarë për Shqipërit, e cila ka mbeturë gjithënjë e varfërë e e padëgjuarë, e me djerrit’ e saj mburenë të tjerë vënde e të tjerë kombe.

Është ndodhurë një shqipëtar i zoti të ngjallnjë Egjyptënë e të bënjë prej këti vëndi të humbur’ e të prishurë, si ish atëhere, një vënt të pasur’ e të ndrituarë, si është sot. Një Mehmet-Ali, shqipëtar i pamësuarë, u ndoth i zoti të shpëtonjë kështu një vënt të huaj e të largë, po kurrë një shqipëtar s’është ndodhurë t’i bënjë Shqipërisë një të mirë të këtillë.

P’andaj duke mbaruarë këtë fjalë, themi prapë me hidhërim zëmre që: Shqipëtarëtë kanë punuarë gjithëmonë për botënë e jo kurrë për vetëhe. Vetëm një Skënderbe ka punuarë, në kohërat të shkuara, për Shqipërinë e vetëm ay është me të vërtetë mburje për Shqipërinë.