Vënd' i Shqipërisë

Ky vënt, q’ësht’ i rrethuarë me këto kufi, që treguamë, është Shqipëria, mëmëdheu yn’ i dashurë. Është një nga më të bukurat’ e vëndevet t’Evropësë. Mbase s’ësht’ aq’ i pasurë e aqë pëllor, po është shum’ i bukurë. Është malësi, ka male të lartë me shkëmbënj të rreptë e të çkrepëtuarë, po edhe me pllaja të mveshura, me pylle të dëndurë, me ujëra të ftohëtë, me trape që mbajnë dëborënë në verë, me lule të bukura, me barëra q’ushqejnë bagëtinë e shrojnë njerëzinë, me metale që flenë nënë dhet, që kur është kryerë bota e tëhu. Ka fusha të gjera, nëpër të cilat rjedhinë lumënj, që mundinë t’i ujitinë e t’i bëjnë kopshta, po sot, nga të qënëtë pa zot, i mbytinë e i bëjnë moçale. Vetëm fush’ e Myzeqesë ësht mjaft t’ushqenjë gjithë Shqipërinë, po të hapenë lumenjtë. Fush’ e Kosovës, fush’ e Manastirit, vendet e Tetovës e t’Ysqypit janë nga më të bukurat vende të dheut. Bregoret’ e Çamërisë të mveshura me ullinj e kopshtat’ e portokallevet e të limonjet janë pa shok. Gjith’ an’ e detit ësht’ e mbuluarë me ullinj e me pyje të bukurë, edhe portokalletë bëhenë gjer në mest të Shqipërisë, n’Elbasan.

Lumënjt’ e përenjt’ i ka të shumë. Këta më pakë të ndërtuarë munt t’ujitinë shumë dherëra edhe shumë syresh munt të hapenë e të punojnë ania nëpër ta që nga gryk’ e tyre gjer shumë siprë. Shqipëria ka më të mbëdhat’ e më ‘të bukuratë këneta të sinisisë së Balkanit, si kënet’ e Shkodrës, e Ohrisë, e Prespësë, e Kosturit, e Janinësë etj. Të gjitha këto këneta janë plot peshq e munt të lëvrijnë nëpër to disa vapore.

Shqipëria ushqen edhe sot shumë bagëti e gjërëra të gjalla të vjejtura: dhën, dhi, lopë kuaj, etj. Dhëntë këvërxhike e ruda të Shqipërisë mbushinë Stambollë e gjithë vëndet’ e Tyrqisë me mish të mirë edhe Shqipërinë me lesh. Myzeqeja munt të nxjerrë shumë kuaj, të cilëtë, sado që janë pakë të vegjëlë, janë të fortë e ecinë shumë mirë. Shqipëtarëtë kanë shumë dëshirë e dinë të mbajnë bagëti e çdo farë gjë të gjallë. Sikur të ishte një qeveri, që t’u tregonte lehtësi e t’u hapte udhënë e të dinin’ edhe mësimin’ e bagëtivet qysh shtohenë, qysh ngjallenë qysh rritet’ xbukurohetë far’ e tyre, do të muntninë të roninë edhe vetëm me bagëti.

Me një fjalë, Shqipëria, sado q’ësht’ e vogëlë, ka çdo farë klime e çdo farë dheu edhe shumë begati e shumë të mira. Të vështohetë mirë, munt të vejë shumë mbarë e t’ushqenjë katrë herë më teprë njerës se sa ushqen sot.

Pjesa e radhës
Njerëzit' e Shqipërisë, Shqipëtarëtë