Varfëri' e Shqipëtarëvet e pakryesi' e Shqipërisë

Shqipëria gjer ca kohë më parë ka qënë mjaft e pasur’ e e begatë. Shqipëtarëtë roninë me rogat’ e ushtërisë e me rrëmbimët të luftësë, si edhe me disa mjeshtëri, që kishinë. Mvishnin’ e mbathninë robën’ e plaçkën e tyre, që bëhesh në vënt. Pagesat’ e qeverisë ishinë fort të paka e të lehta. Nga të hollatë, që sillninë së jashtësmi në Shqipëri, fort të paka delninë jashtë, të shumatë mbeteshinë ne vëndit. Kjo sillte një begati të përgjithçme.

Sot s’është puna kështu; Shqipëtarëtë më nukë venë ushtarë me rogë po futenë nënë një xgjedhë ushtërije; nukë kthehenë nga lufta të mveshurë n’ar e të farkuarë me armë të lara, po lakuriq, të smurë e të këputurë. Nonjë gjë s’bëhetë dot në vëndit, se punëtorëtë vëndës s’ia dalinë dot kuntrë fabrikavet t’Evropësë. Edhe ato dy pare, q’u bjenë në dorë Shqipëtarëvet, rjedhinë nga duart’ e tyre e rungullisenë n’Evropë. Pagesat’ e qeverisë janë të shumta e të rënda, sa me-zi i paguajnë. Fitimet’ e vjetërë u ngrinë, të tjerë të rinj s’erdhë në vëndit t’atyre. Për udhëra paguajnë veçan, udhë s’ka; lumënjtë mbytinë fushatë; ethetë, që çpikenë nga këto baltëra, bëjnë boitënë të jenë gjithënjë të sëmur’ e të dobëtë, të mos punojnë dot e të vdesinë nga sëmundja e nga urija. Kështu një varfëri e madhe e e keqe e ka mbuluarë gjithë Shqipërinë.

Qeveri’ e Tyrqet në Shqipëri është vetëm për të mbledhurë pagesat’ e ushtarëtë: eja ti, djalë shqipëtar, që shkele më të njëzettënë vit, të veç n’anët të dheut, të mbyllesh në një këshlla lakuriq e urëtë! eja ti, Shqipëtar i varfërë, të paguanç pesë grosh për një dhi, nga e cila s’nxjer dot as gjymësën’ e këtyre pareve në mot! Kjo është pun’ e qeverindarit tyrk; po qeveri s’ka; pa dalë mirë zaptijeja nga kolumb’ e pshatarit, të cilit i mori djalin’ a gjënë, i hyn kusari ta vjedhë a armiku ta vrasë, edhe ay qeverindar, që qe i zoti te rjepë, s’ësht’ i zoti ta ruanjë nga kusari a ta mburonjë nga armiku! I gjori Shqipëtar ësht’ i shtranguarë të rrijë dit’ e natë me armë në dorë që të munjë të ruanjë gjën’ e shpirtin’ e ti; po në i lënçin’ edhe armë, se shumë herë armëtë ia mer, e le duarlidhurë përpara hajdutëvet e armikëvet, nga të cilëtë nuk ësht’ i zoti ta ruanjë. Pa le që shumë herë qeverindari bashkohetë me hajdutnë për të rjepurë Shqipëtar’ e nderçure.

A munt të quhetë qeveri një qeveri e këtillë? Nukë, kurrë. Shqipëria gjendetë nënë një paqeveri të keqe. S’ka nonjë qeveri. Shqipëtarëtë hajen’ e vritenë në mest të tyre për ditë; gjaku i Shqipëtarit derdhetë kot e pa punë, ay gjak i vjejturë që do të mos derdhesh as një pikë përveç për ruajtjet e për shpëtimt të Shqipërisë!

Varfërija, paqeverija, paditurija sjellinë grindenë, ndarjenë, mosdashurinë. Shqipëtarëtë, të varfërë, të paditurë, të ndarë, armikë njeri me jatrinë, po vritenë në mest të tyre, po derdhinë gjakn’ e tyre kot e, sa venë, po humbasinë! Kanë rënë më një gjumë të thellë e të rëndë. Fqinjët’ e tyre ditë me ditë po xgjuhenë, po ndritohenë, po shtohenë e po hedhinë gjurma të mbëdha brënda në Shqipëri, të cilënë janë gati ta copëtojnë fare!

Kështu është sot Shqipëria!