Shqipëria gjer pak kohë më parë ka qën’ e rrethuarë me vënde të Tyrqisë edhe kufit’ e kësaj mbretërije ishinë fortë lark Shqipërisë. Shqipëtarëtë vininë bashkë me Tyrqitë për të ruajturë kufit’ e larga të mbretërisë; po mëmëdhen’ e tyre e shihninë jashtë çdo reziku e e dininë që nonjë anëmik s’muntte t’i qasësh Shqipërisë. Por sot nuk’ ësht’ ashtu; sot Shqipëria ka mbeturë në një çip të largë e të veçantë të Tyrqisë e është e rrethuar me kufij armiqsh. Mal i Zi, Sërbia, Greqia e Bulgaria e kanë pshjell’ e përqarkuarë Shqipërinë edhe Austria i ka ardhurë mi krye. Me Tyrqinë e lith një rrip dheu i hollë në mest të Bulgaris’ e të detit Egje, që këtë rrip Bulgarëtë mundinë me të parët ta marrin’ e t’unjenë mb’anë detit, edhe ta presin’ e ta çkëpujnë Shqipërinë nga Turqia, e cila s’ka as nonjë fuqi në dett, që t’i ndihnj’ andej Shqipërisë. Prandaj në një luftë, në të cilët të marrin’ anë edhe Bullgarëtë, Shqipëtarëtë duhetë të jenë të zottë të ruajnë vetë më vetëhe vëndin’ e tyre e të mos varenë më Tyrqinë, e cila s’ësht’ e zonja për vetëhe të saj.
Po veç këtyre rezikeve, që do të dukenë në kohët të luftësë, Shqipëria ka rezike më të mbëdhenj e më të thellë, të cilëtë po i nxjerrinë rënjëtë në kohët të paqit, pa gjak e pa armë. Kjo është luft’ e pëndës’ e e shkollësë, luft’ e kombërisë. Kombetë’ q’e kanë rrethuarë Shqipërinë duanë ta copëtojn’ e ta ndajnë në mest të tyre. Greqtë, Shqehtë e të tjerë kombe fqinjë s’duanë të njohinë qënien’ e kombërisë shqipëtare. Sicilido përdor besën’ e ti e do të heqë m’anët të ti ata Shqipëtarë, që kanë një besë me të. M’i pari Tyrku do të heqë Shqipëtarëtë myslimanë e t’i ndanjë nga vëllezërit’ e tyre, Shqipëtarët’ e krishtenë, duke futurë në mest të tyre fanastismën’ e grindenë. Për të ndarë të krishtenëtë për jetë nga myslimanëtë e për të hapurë në mest të tyre një trap të thellë, qeveri’ e Tyrkut Shqipëtarët’ e krishtenë s’i njeh për Shqipëtarë, po i quan Rum domethënë Greq, Bulgarë, Sërbët, Llatinë etj. edhe myslimanëtë i quan islam; edhe emëninë Shqipëtar s’e njeh e s’do ta dëgjonjë. Të verbëritë Tyrq! Nuk’ e kuptojnë dot, e s’iau pret mëndja që me këtë udhë shërbejnë qëllimet’ e armikëvet të tyre e nxierinë themelet’ e rënjët’ e tyre!
Greqtë, të cilëtë dlirin’ e tyre edhe mbretërinë, që kanë sot, e kanë fituarë me gjakt të Shqipëtarëvet, të Boçarit, të Xhavellësë, të Mjaulit e të tjerëve trimave Shqipëtarë, ata Grekër që edhe sot ruajnë rrobatë, fustanetë, kallcetë, opingatë, valletë e këngët’ e Shqipëtarëvet, ata janë më të keqt’ e armikëvet të Shqipërisë. Gjithë bota e dinë idhen’ e madhe të Greqet. Duke me qënë që në kohët të Perikliut, ahere q’ishinë më të mbëdhenj e më të ndrituarë se kurdo, kishinë më pak vënt se ç’kanë sot, edhe që s’kanë nonjë të drejtë të duanë më teprë, këta kërkojnë t’u epenë sa vënde kish marrë Aleksandr’ i Math, a të ngjallinë mbretërin’ e Byzantinjet, pa menduarë q’Aleksandri ish Maqedonas edhe Byzantinjtë romanas, kombe që të dy armiq të Grekëvet e të cilëtë e kanë humburë Greqinë. Pas kësaj idhes’ së madhe Grekëritë kanë dashurë të pushtojnë e të futinë nënë Greqit gjithë sinisin’ e Balkanit, edhe Rumaninë edhe Bulgarinë. Po si i humpnë për jetë këta vënde me gjithë të thirrurat’ e të çjerat e tyre, tani e kanë ngushtuarë shpresën’ e tyre në Shqipëri e në Maqedhoni. Pas zakonit të përgjithëshmë, duke psheturë në besët, duanë të heqinë m’anë të tyre Shqipëtarëtë orthodhoksë e t’i ndajnë nga vëllezrit e tyre mysliman’ e katolikë; përpiqenë t’i bëjnë këta të harojnë gjuhën’ e tyre të bukurënë e të mësohenë të flasin’ e të shkruajn’ e të ligjërojnë greqisht e me këtë udhë të bëhen Grekër. Mendohenë se, po të bëhenë të krishterëtë Grekër, myslimanëtë Evropa s’i ka për të vënë në vatrë, edhe po të vinjë koha, ay vënit, do-me-thënë gjithë Shqipëri e jugësë e gjithë Toskëria, do t’i epetë Greqisë.
P’andaj Grekëritë, më nj’anë nga Athina me shkolla, me mësonjës, me livra, me shëronjës e me shumë gjërëra të tjera edhe me të holla të tepra, ifcë paguara prapë prej Shqipëtarësh të çmëndurë e trathtorë grekomanë, edhe më nj’anë tjatërë nga Konstantinopoja me anët të patrikërisë, të dhespotëvet, të priftëret e të kishësë, duke përdorurë aforismonë e të dëbuarët nga kisha, sikur t’ish edhe Krishti Grek edhe sikur, për të qënë i krishten’ e orthodhoks, duhet pa ndryshim të jetë gjithëikush Grek a grekoman; nga të dy këto anë, themi, Grekëritë po përpiqenë që të kthejnë ditë me ditë Shqipëtarëtë orthodhoksë e t’i bëjnë Grekër.
E Shqipëtarëtë orthodhoksë, nga padija e nga erësira në të cilët gjendënë, gënjehenë çpejt, u duketë sikur vërtet s’munt të jenë të krishtenë pa qënë Grekër, pandehinë se vetëm greqishtja është gjuh’ e orthodhoksisë edhe që, me të lënë këtë gjuhë, të cilënë e dinë fort pakë edhe s’e mësojnë dot, me gjithë që çajnë kokënë, me qënë q’është aq’ e rëndë e aq’ e humbur’ e e haruarë, sa edhe nga ata Grekëret vetë fort të pakë njerës mundinë ta mësojnë. Këta Shqipëtarë trathëtorë pa diturë quhenë grekomanë.
Lëvdatë i qoftë Perëndisë! që kur ka zënë të shkruhetë shqipja, grekomanëtë kanë zënë të pakësohenë ditë me ditë, të marrënë vesh dhelpërit’ e Grekërvet e të hiqenë nga ata duke zënë me të dy duart kombërin’ e gjuhën’ e tyre. Këta s’kanë frikë as nga mësonjës i Grekut, as nga dhespot’ i Fanarit; po Grekëritë kanë një shok të fortë, me të cilënë janë zënë shëndoshë dorë-për-dorë për të humburë kombërin’ e gjuhën’ e Shqipëtarëvet; ay shok është Tyrku, i cili i ndih Greqisë e patrikërisë së Fenerit në këtë punë, me sa i vjen nga dora. Për të bërë punën e Grekut qeveri’ e Tyrqisë nukë le të hapetë nonjë shkollë, të shkeletë nonjë livrë a të bëhetë nonjë mësim e nonjë mbrodhëri në gjuhët shqip, duke ndihurë shkollavet greqisht me çdo farë mëndyre e duke mbajturë Shqipëtarët’ e krishtenë nënë xgjedhë të priftërisë së Fenerit.
Pas Tyrqet e Grekërvet Shqipëria ka armikër Bulgarët’ e Sërbëtë, të cilëtë duanë të bëjnë nëpër anët të lindjes’ e të veriut itë Shqipërisë ato që bëjnë Grekëritë n’anët të jugësë. Edhe nëpër ato anë shumë Shqipëtarë orthodhoksë, aqë të paditur’ e të pakupëtuarë sa të tjerëtë, tregojnë një dëshirë për gjuhën’ e Shqehet e duanë të harojnë gjuhën’ e bukurë që kanë folurë prindërit’ e tyre që kaqë mijë vjet e tëhu. Ç’i math turp e ç’e madhe poshtëri e unjtëri e fëlliqurë! Po edhe këtyre Shqehe u ndihinë Tyrqitë, (të cilët atyre u lenë duartë çpenguarë të hëjnë ç’të duanë e neve na i lidhinë skrupullë; atyre u apënë fermanë të hapinë shkolla e mitropolitirëra ndër vëndet tanë e neve s’na lenë të kemi as një shkollë të vogëlë! Pa menduarë një herë se Grekëretë e Shqehtë janë miqt’ e Tyrqisë apo Shqipëtarëtë, edhe cilëtë kanë derdhurë edhe derdhinë edhe sot gjak për të?
Kështu Tyrqitë edhe me ndihmën e këtyre, grekërit e shqehtë janë armikët’ e Shqipërisë’ e të Shqipëtarëvet; edhe përpiqenë, me sa u vjen nga dora, ta humbasinë kombërin’ e gjuhën’ e këti kombi, të cilit edhe emëninë duan t’ia ngrenë fare. Greqia, Bulgaria e Serbia përpiqenë ta humbasin’ e ta ngrenë kombërinë shqipëtare e gjuhënë shqip cilado nga ajo cop’ e Shqipërisë, q’i ka rënë më pjesët të saj edhe q’e vështon që tani të sajnë, dyke kthyerë të krishtenëtë në kombërit të tyre; edhe Tyrqia më nj’anë u ndih këtyre në këtë punë e më nj’anë tjatrë kërkon të heqë Shqipëtarëtë myslimanë e t’i ndanjë nga vëllezërit’ e tyre, jo për të mirët të saj, po për të hequr’ edhe ata e për të vithisurë bashkë në trap të thellë të humbjesë tek po bjenë, për të mos dalë kurrë.
Këta janë reziket’ e Shqipëris’ e të Shqipëtarëvet. Shqiptarët duhet të ruhen shumë nga djallëzitë e turqve, të grekërve e të shqehve e t’u rrinë kundrejt këtyre me të drejtën e tyre.