Qysh janë sot Shqipëtarëtë?

Thamë më siprë që Shqipëtarëtë, duke rënë në duart të Tyrqet, nukë hynë në kurt, si e pandehninë, e nuk’ u bënë ropt’ e Tyrqet, po shokët’ e tyre, me të cilët bashkë hidheshinë mi kombet’ e tjerë, rripnin’ e rrëmbeninë edhe ktheheshinë në vënt të tyre ngarkuarë me gjë. Edhe Shqipëria ish e dlirë e pothua më vetëhe.

Kaqë qint vjet Shqipëtarëtë rojtnë kështu. Po kështu rojn’ edhe sot? Jo, kurrë! Sot Shqipëtarëtë janë robër, të poshtuar’ e t’unjurë, të shkelur’ e të çpërnderë shumë më tepër se të tjerëtë kombe të Tyrqisë! janë më të poshtërë nga Greqtë, nga Shqehtë, nga Armenëtë edhe nga Judhenjtë!

Tyrqia e ka ngriturë besënë nga Shqipëtarëtë, nuk’ i beson e i vështon si anëmikë e si trathtorë, jo si shokë e si vëllezrë, si i vështonte qëmoti. Sot Shqipëtarë e mer ushtar, e mundon, e e reh që të mësonjë gjuhën e ti, kërkon, t’i mësonjë diturin’ e luftës, të cilënë ay vetë s’e di e të cilënë Shqipëtari e ka mësuarë duke thëthiturë qumështit’ e s’ëmësë. Nuk’ e mëson të gjorinë, po e mahit e e çpërmënt; e mer për tre vjet, e mban dhetë vjet nën’ armë lark shtëpis’ e lark mëmëdheut të ti, edhe qysh? lakuriq, t’urëtë, të sëmurë, të varfërë! Në luftë e vë të vritetë kot; urdhëronjës’ i ti, q’është Tyrk, i paditur’ e i frikçimë, e fut në një trap nga s’deletë. I gjori Shqipëtar, me gjithë këto, lëfton lakuriq e i urtë e me armë të meta, lëfton si dragua, e tregon trimërin’ e ti e nderon Tyrqit’ e Tyrqinë! Po a i dihetë, a çpërblehetë për gjakt, që derth? Jo, kurrë! Ushtari shqipëtar, në mos vdektë në luftë, vdes nga sëmundjeja, nga të pangrënët e nga të pamveshurit. Nga ata që vënë n’ushtëri, fort të pakë kthehenë në shtëpit të tyre. E urdhëronjes kush bëhetë? gjithënjë Tyrqitë; gjymës’ e ushtëris së Tyrqisë janë Shqipëtarë, po as një i njëqinttë i urdhëronjëset në Tyrqi s’është Shqipëtar.

Shqipëtarëtë, q’ishinë mësuarë të mos paguajnë gjë, tani janë futurë nën’ aqë të rënda pagesa, sa s’mundinë të ngrenë krye. Tyrqitë, që janë zotërinjt’ e tyre që pesëqint vjet e tëhu, s’u kanë mësuarë Shqipëtarëvet as punë, as mjeshtëri as dituri, po i banë mësuarë të lëftojn’ e të rrëmbejnë; tani për-një-herë duanë t’u marrënë armëtë e u thonë: paguani! E ku të gjejnë të gjorëtë që të paguajnë? s’kanë të hanë vetë. Ata Shqipëtarë, që pakë kohë më parë ishin të mveshurë me rroba t’arta e të farkuarë me armë t’ergjënta e të lara, ata a të bijt’ e tyre janë sot lakuriq me një këmishë, që s’ka ku ta zërë qeni! Vete edhe zaptijeja a tahsildari, e ngre shkopn’ e i rreh duke thirurë: pagoni! E ku të gjenj’ i ziu që të paguanjë? Atëherë i shesinë kanë, dhinë, ç’të ketë edhe gjer më qiramidhet të shtëpisë! Shqipëtari të hajë dru për ta paguarë!! o ç’turp i math! o ç’e madhe e keqe! mos e durofsh, o Perëndi!

Kështu është sot gjithë Toskëria edhe shumë vënde të Gegërisë. Ca vende të Gegërisë, që kanë mbajturë armëtë e kanë qëndruarë në malet të tyre të rreptë, nukë janë shkelurë kaqë; nuk’ apënë ushtarë e s’paguajnë pagesa; po edhe këta rojnë si t’egërë pa nonjë qeveri, duke vrarë për ditë në mest të tyre. Edhe këta po i ha varfërija, se s’kanë nonjë fitim edhe vëndet’ e tyre janë të rjepur’ e të varfërë. Me gjithë këto, edhe qeveri’ e Tyrkut ditë me ditë po i rrethon më s’afëri; rahënë t’u marrinë armëtë, që t’i bëjnë edhe ata robër të poshtërë e të dobëtë e t’u nxjerrënë edhe lëkurënë!

Shqipëria sot urdhërohet’ e qeverisetë prej Tyrqish të huaj e prej njerës të poshtër’ e të panderçim, të cilëtë i blenë vëndetë në Konstantdnopojë me të holla e vinë të rjepinë Shqipërin’ e Shqipëtarëtë, për të nxjerë ato të holla, që kanë dhënë edhe aqë të tjera që do të vjedhinë për vetëhe të tyre!

Shqipëria, sado q’ësht’ e varfër’ e e paditurë, ka njerës të zottë për të qeverisurë vëndin’ e tyre, si e kanë qeverisurë kaqë kohë me nder e me të drejtë. Po këtyre Shqipëtarëve le që s’u epetë punë në Shqipëri, po as i lenë të shkelinë në mëmëdhet të tyre të dashurë! U apënë nga një copë bukë të zënë gojënë e i mbajnë si skllef nëpër më të largët çipa t’Anadollit e t’Arabistanit! Veç nonjë trathëtor ku të gjëndetë, ay është për nder!

Pjesa e radhës
Kombëri' e Shqipëtarëvet.