Dy gjërëra duhenë në këtë jetë: e drejta edhe fuqija. E drejta pa fuqi, si edhe fuqija pa të drejtë është si një krah i vetëm; nonjë zok s’fluturon dot me një krah. Më të rallë bën punë fuqija pa të drejtë; edhe e drejta pa fuqi fort rallë dëgjohetë. Peshku i math e ha gjithënjë të vogëlinë.
Tani Shqipëtarëtë q’e kanë të drejtëne me vetëhe, aty s’ka dyshim. Qysh të mos ketë Shqipëtari të drejtë të shkruanj’ e të këndonjë gjuhën’ e ti, kur gjithë kombetë’, edhe më të liqt’ e më të dobëtitë, e kanë këtë të drejtë edhe njeri s’i ndalon? Përse Shqipëtarëtë të jenë të mërguarë nga një e drejtë, q’e kanë gjithë kombet’ e dheut? Të mos mundinë të shkruajn’ e të mësojnë gjuhën, e tyre po të tjerë kombe të huaj të vin’ e t’u hapinë shkolla në gjuhërat të tyre e t’u kthejnë kombërin’ e gjuhën tyre? Janë kaqë të dobëte Shqipëtarëtë? - Jo! Njëmijë herë jo.
Shqipëtarëtë janë më të fort se gjithë kombet’ e sinisisë së Ballkanit. Pas shumicës së tyre mbase janë më të fortë e më të shëndoshë se gjithë kombet’ e dheut. Sot në këtë ditë e kështu si është Shqipëria munt të nxjerë një ushtëri prej 500.000 njerssh! Pa 200,000 e 300.000 dalinë me një herë. Ata q’e njohinë Shqipërinë, s’çuditenë me këto nëmura, se kaq’ ushtëri Shqipëria ka nxjerr’ edhe nxjer për herë. Edhe kjo është pun’ e diturë që një ushtëri prej 200,000 Shqipëtarësh është mbaras me një ushtëri të 500,000 ushtarësh të huaj. Trimërin’ e Shqipëtarëvet edhe armikët’ e tyre s’e ndryshojnë dot.
Pamë më siprë se sa trimërira kanë bërë Shqipëtarëtë edhe qysh u kanë xbardhurë faqenë të huajt, q’i kanë pasurë zotërinj a shokë. Këta që kanë treguarë kaqë trimëri për të huajt, të cilëtë edhe s’para ua kanë diturë, s’qënkanë të zottë sot të mbajn’ e të ruajnë vëndinë, gjuhënë e kombërin’ e tyre? Qysh te mos jenë të zottë për këtë të drejtë, kur kanë edhe vendinë të fortë, q’u ndih? Gjer më sot kanë lëftuarë gjithënjë vetëm me fuqi, po jo kurrë me të drejtë; sot është dita të lëftojnë me të drejtë e për të drejtë. Nukë ka më të shënjtëruarë të drejtë se kombërija, gjuha e mëmëdheu për një komp. Një trim, që lëfton për plaçk’ e për rrëmbim, është kurdoher’ i turpëruarë; ay që lëfton për një të drejtë të këtillë, është dy herë trim; e drejta i ep një forcë e një fuqi, që s’e lë kurrë të mundetë, po e bën njërënë të muntnjë dhetë!
E po kur janë Shqipëtarëtë kaqë të fort’ e trima, pse rrinë me duar lidhurë, e të huajtë të dobët’ e pa nonjë fuqi si edhe pa nonjë të drejtë po i copëtojnë e po i humbasinë për jetë? Rrinë me duar lidhurë, se duart ua ka lidhurë e ua mban Tyrku, edhe të huajtë po i copëtojnë me fuqit e me ndihmët të këti! E po Tyrku ay vetë është kaq’ i fortë, sa me një dorë t’u mbanjë duartë Shqipëtarëvet e me tjatrënë t’u ndihnjë armikëvet të këtyre? Jo, këtë e dimë që s’ësht’ i fortë, po është dhelpërë: Shqipëtarëtë i mban me dhelpëri e me tradhëri. Ta themi edhe kështu: Shqipëtarëtë i lidhinë vetë duart’ e tyre, se janë të paditur’ e të verbërë!
Shqipëria sot është si një dragua i fortë, i rrethuarë prej ca çakajsh e dhelpërash, të cilëtë i kanë lidhurë këmbëtë e bëhenë gati ta çajn’ e ta përlajnë. S’ka përveç se të tundet’ e të lëkundetë pakë të luanjë një herë dorën’ e këmbënë edhe gjithë ata çakaj e ato dhelpëra do të përhapenë e do të mos kuxojnë as të kthejnë syt’ e ta vështojnë një herë. Më parë Tyrqisë t’i tregonjë një herë dhembëtë e t’a thotë: hiqu ti e mos u përzje’ se po të shoh bukurë se qysh po m’i çpërblen të miratë, që të kam bërë; unë kam pesëqint vjet që po të ruanj e ti po më mban duartë lidhurë që të më çanjë të tjerë; e do të më heqç edhe mua në funt të trapit, tek ke dëshirë të biesh vetë. Ç’janë Tyrqitë? — Një komp i egërë t’ardhurë nga shkretëtarat’ e Asisë së Veriut me nga një hosten në dorë. Këta me egërsi të tyre zunë më të bukurit’ e vëndevet të botësë e më të qytetuarëtë; edhe si i ropnë, i gremizë e doqnë, po i mbajnë edhe gjer më sot nënë një egërsi, nënë një varfëri, nënë një tirani, që tëmeron gjithë botënë. Nga gjithë këta vënde, që po rënkojnë që nga kaqë qint vjet e tëhu, edhe njëri është Shqipëri’ e gjorë, që heq këtë tirani, a heq më shumë se gjithë vëndet’ e tjerë nga pakujdesj’ e Shqipëtarëvet. Tyrqitë janë nga ata kombe, që kanë shkuarë mi dhet si një breshërimë e si një borë. Ku janë Hynëritë, Vandalëtë, Mongolëtë, Avarëtë, Gotëritë e kaqë kombe t’egërë, që zunë gjymësën’ e faqes së dheut duke djegurë, duke gremizurë e duke derdhurë gjak? Tyrqitë s’kishinë të drejtë të rojnë më teprë se ata shokët’ e tyre; rojtjen’ e qëndrimin gjer më tani e patnë qelepir, tani s’kanë nonjë të drejtë të rojn’ e të qëndrojnë më edhe as din’ e as duanë të rojnë më, se gjer më sot s’kanë bërë një kombëri e një qeveri si gjithë bota, po duanë të rojnë për jetë me egërsi. Këta do të humbasinë edhe duhetë të humbasinë që të shpëtonjë njerëzia syresh; po ç’kanë me na që, duke rënë, duanë të na marrinë edhe na me vetëhe? Na ç’kemi me ta? A mos erthmë me ta? Jo, kurrë! Na s’jemi as Tyrqas të ardhurë nga shkretëtirat e Asisë. Na jemi m’i vjetri komp i Evropësë; kemi të drejtë në dhet’ t’Evropësë më teprë se çdo komp.
Këtë të drejtë të shënjtuarë Shqipëtarëtë janë të zottë ta ruajnë e ta kërkojnë edhe me armë në dorë. Kur përzjehetë e drejta me fuqit, merr një forcë, të cilësë gjë s’i rri dot kuntreq. Shqipëtarëtë janë pra të zottë itë mbajn’ e të ruajnë të drejtën’ e tyre, domethënë kombërinë, gjuhënë e mëmëdhen’ e tyre kuntrë çdo armiku; arrin vetëm të duanë.