Proverba - Vëllimi 4

  1. Shumë mbrapështi që shihen te njerëzit, u janë futur me përdhunë nga prindërit dhe edukuesit e tyre, duke menduar se po i edukojnë.
  2. Edukimi nuk është për ta zhveshur njeriun nga natyra, por për të ushqyer moralin e tij brenda natyrës së tij.
  3. Edukimi nuk humb te njeriu me mandje dhe zgjuarësi të kufizuar, por mendja dhe zgjuarësia humbin te njeriu i paedukuar.
  4. S’ka ndryshim në mes të atij që nuk di çka do të bëjë, nga ai që di dhe nuk bën.
  5. Të bëjsh pa folur është më mirë se të flasish e të mos bësh.
  6. Mos iu afro atij që nuk të pret mirë, ruaju të mos e mërzitësh atë që të nderon.
  7. Kënaqësia me pak dhe dëshira për pozitë nuk gjenden bashkë.
  8. Sikundër që nuk i domë njerëzit që nuk u shohim asnjë meritë, nuk mund t’i domë as ata që dimë se janë me më shumë merita se ne.
  9. Rinia është një dehje e përhershme.
  10. Dëshirojmë të nxjerrim në shesh të fshehtat e të tjerëve, por përpiqemi me sa është e mundshme, t’i ruajmë të fshehtat tona.
  11. Të gjithë të porositin për moral të mirë, por — mjerisht, — për të jetuar njeriu ka nevojë edhe për disa vese të liga.
  12. Elokuenca dhe retorika nuk është vetëm në fjalë dhe në shprehje, por kryesisht në zërin, syrin dhe në qëndrimin e folësit.
  13. Elokuencë e vërtetë është të thuash plotësisht atë çka është për t’u thënë dhe të mos thuash gjë tepër saj.
  14. Shumë persona janë të dashur edhe pse kanë të meta, e shumë janë të mërishëm edhe pse kanë merita.
  15. Ai që çdo ditë ka një dëshirë tjetër, asnjëherë nuk arrin të plotësojë dëshirën e tij.
  16. Të kesh frikë nga forca e armikut e dredhia e mikut.
  17. Çdo ndjenjë e njeriut krijon një paraqitje dhe sjellje të sajën; s’mund të jetë e keqe paraqitja e sjellja e njeriut me ndjenja të mira.
  18. Njeriu i varfër është në errësirë, as gruaja e tij nuk di se ç’njeri është.
  19. I famshmi Cioeron thotë: “S’ka marri që të mos e ketë mbështetur ndonjë filozof”.
  20. Shumëherë njerëzit e bëjnë mik atë që u bën keq, e armik atë që u bën mirë.
  21. Kur të shohësh shokët e tu të bashkuar në një mendim, ose edhe ti bashkohu me ta, ose largohu; nuk mund të jetosh me ta duke qenë me mendim të kundërt.
  22. Mund ta gënjesh njeriun që ka arritur një lumturi, mund të të besojë çdo gjë që i thua; por atë që ka pësuar fatkeqësi, nuk mund ta gënjesh, nuk beson as në ato që janë për t’u besuar.
  23. Fatkeqi e do fatkeqin; i lumturi nuk e do të lumturin.
  24. Heronjtë që mundin vështirësitë më të mëdha, shumëherë janë të pazotët të përballojnë një brengë të vogël.
  25. Zemra e ndrydhur është një zjarr që mund të shuhet vetëm me butësi dhe mirësi; ta ndrydhish edhe më shumë, do të thotë t’i hedhësh vaj e t’i japësh flakë.
  26. Njeri i përsosur është ai i cili çka bën në sy të botës mund të bëjë në vetmi dhe çka taën në vetmi mund të bëjë në sy të botës.
  27. Po deshe ;të bësh mirë, prit rastin; është poshtërsi të presësh rastin për të bërë keq dhe të zgjedhësh kohën kur armiku yt është dobësuar ose të ketë pësuar ndonjë fatkeqësi.
  28. Nuk është trimëri të veprosh i mëllefosur dhe duke mos ditur ç’ka bën, por të pranosh të sakrifikohesh për një nevoje të vërtetë, duke përbuzur jetën.
  29. Nuk i thuhet frikacak çdo njeriu që nuk është trim; ka shumë shkallë në mes trimërisë e frikës.
  30. Njeriu që është trim, është i durueshëm; por ka një pikë që po t’i preket, i zhduket durimi dhe i del trimëria në shesh. E ajo pikë është nderi kombëtar dhe nderi personal.
  31. Po të ishte e pëlqyer në çdo rast përbuzja e jetës, duhej të ishte e pëlqyer edhe grabitja e kusaria.
  32. Në është se njeriu ka një veti, e cila s’kuptohet nga fytyra, qëndrimi dhe sjellja e tij, ajo është trimëria; njerëzit që kanë fjalë dhe sjellje trimërore, kërkojnë vend për të ikur në luftë e sipër; njerëzit që duken modestë, të urtë dhe të ngathët, gjatë luftës bëhen luanë.
  33. Në cilën anë të luftës sheh se gratë kanë rrokur armët, mos dysho në të drejtën që ka ajo anë, sepse gruaja nuk i kap armët pa qenë gjendja e padurueshme.
  34. Disa njerëz u pëmgjajnë këngëve — një kohë u shetit emri gojë më gojë e pasi u kalon koha, nuk përmenden më.
  35. Të bëjsh kryeplak të fshatit atë që nuk është i zoti të qeverisë shtëpinë e tij, bën ta kthesh atë fshat në gjendjen e shtëpisë së tij.
  36. Duke e bërë kapidan të një anijeje të madhe një njeri që nuk është në gjendje të drejtojë një barkë, a rritet aftësia dhe zotësia e tij?
  37. Njeriu, që vlerën e tij e ka mbështetur në pozitën dhe pasurinë e tij i përngjan kartëmonedhës që një ditë e bjerr vlerën e saj nominale dhe hidhet në rrugë; ai që e ka mbështetur vlerën në zotësinë e tij personale u ngjan të hollave të arta që vlerësohen në çdo vend dhe në çdo kohë.
  38. Njeriu harron shpejt vetëm fajin që di për veten e tij.
  39. Njeriu më shumë është i prirë të shajë se për të lavdëruar; shumëherë për të sharë një njeri shtrëngohemi të lavdojmë një tjetër.
  40. Pazotësia e shumë njerëzve rrjedh nga se duan të tregohen jashtëzakonisht të zotët.
  41. Njeri i zoti nuk është ai që s’ka të meta, por ai që pranon të metat e tij.
  42. Nuk është budalla ai që di se është i metë nga mendja dhe sillet sipas asaj gjendjeje; është i marrë ai që e kujton veten të urtë e nxjerr në shesh marrinë e tij.
  43. Punët bëhen të liga pse u shërbejnë interesave; por nuk mendon njeriu se punët e mira më shumë u ndihmojnë interesave.
  44. Dacka më e hidhur është ajo që të jep rrahësi me të qeshur ose duke u zbavitur.
  45. Puna e mirë nuk del përherë nga qellimi i mirë, e puna e ligë nuk del përherë nga qëllimi i keq; ka raste kur qëllimi i mirë jep rezultat të keq, e qëllimi i keq jep një rezultat të mirë.
  46. S’ka dhuratë më të madhe se kur i japim ujë një njeriu të etur.
  47. Kush kërkon punë, e gjen rehatinë në botë, kush kërkon rehatinë, duhet të ikë në një botë tjetër.
  48. Njeriu me vlerë i mbetur keq dhe në harresë është një diamant që ka rënë në të fshira; një ditë sigurisht do të dalë një dorë që do ta ngrejë; po nuk e shpëtuan nga ajo gjendje bashkëkohësit e tij, ia shpëtojnë emrin pasardhësit.
  49. Pema më e ëmbël është ajo që vjelim me dorën tonë.
  50. Çdo fjalë dhe sjellje e njeriut ka dy anë — si guri i dominos, — miqtë shikojnë gjithmonë anën e bardhë e armiqtë anën e zezë.
  51. Edhe sikur të mblidhet bota nuk mund të na bëjë të heqim dorë nga dashuria për njeriun që e domë; por njeriu që domë po të flasë një fjalë të keqe kundër nesh, mund të na bëjë të heqim dorë menjëherë nga dashuria.
  52. Lavdimi dhe qortimi është pema e dashurisë ose e armiqësisë që kemi në zemër; me kthimin e dashurisë në armiqësi, edhe lavdimi kthehet në qortim.
  53. Një çështje e padrejtë, që mbrohet me mjeshtëri, fitohet më lehtë se një çështje e drejtë e pambrojtur.
  54. E drejta mund të fitojë vetëm kur është nën mbrojtjen e forcës, e forca s’ka nevojë për të drejtën.
  55. Mos prit dobi nga njeriu që i është mërzitur jeta.
  56. Ata që heqin dorë nga kjo botë, duhet të shkojnë në botën tjetër; sepse s’ka vend tjetër për të banuar pos këtyre dy shtëpive.
  57. Ata që thonë se kanë hequr dorë nga kjo botë (klerikët), kanë hequr dorë nga puna e përpjekja dhe jetojnë në kurriz të të tjerëve.
  58. Nuk duhet të mbash mburojën sipër plagës që ke marrë, por kundrejt shigjetës që do të të vijë.
  59. Mos iu gabo një të mire të atij që të ka bërë njëqind të këqia, mos iu hidhëro një të keqeje të atij që të ka bërë njëqind të mira.
  60. Pama e gënjeshtëxt përhapet më shpejt se fama e vërtetë.
  61. Po të thotë ndokush një gënjeshtër, menjëherë gjënden njëqind vetë që betohen se ajo gënjeshtër është e vërtetë.
  62. Ka shumë asi që nuk i vejnë vesh pëllitjes së gomarit, por që i besojnë fjalës së Nastradinit. (Nastradini kishte një gomar. Një i njohur i trokiti në derë dhe i kërkoi gomarin për të shkuar në mulli që të bluajë. Nastradini, që nuk donte t’ia jepte, i tha se nuk e kishte në shtëpi. Por, gomari pëlliti mu atëherë! I njohuri i tha: “Pse gënjen, ja ku pëllet?” Nastradini, pa u trazuar fare nga kjo e papritur i tha: “S’ke turp, i beson gomarit e jo mua, me goxha mjekër!”).
  63. Po të mos kishte gënjeshtra shumë kredi dhe shumë myshterinj, askush s’do të gënjente.
  64. Pak gjë do t’i ngelte botës po të zhdukeshin gënjeshtrat dhe gabimet.
  65. Shpresa është një lajkatare që nuk i plotëson premtimet; megjithëkëtë kjo shoqe po të mos na ngushëllonte dhe të mos na zbaviste në rrugën e jetës, kjo rrugë do të dukej shumë e vështirë.
  66. Gjërat që masa e marrë i lë në mes të rrugës, rasti shumëherë i çon në pikën e dëshiruar.
  67. Rasti, pa masën e marrë, është një at pa dyzgjin; rasti kryen shumë punë, por duhet pasur në dorë dyzgjinin e masës.
  68. Kush i hy një pune pa ia menduar fundin, është si t’i ketë hipur një anijeje pa timon.
  69. Turma është armike e arsyes dhe e së drejtës. Po t’i përshtatet një gjë arsyes dhe së vërtetës, tërheq përbuzjen e turmës; gjërat që nuk i mbështeten asnjë arsyeje dhe që janë në kundërshtim me të vërtetën, janë gjithmonë të pëlqyera nga turma.
  70. Duaje njeriun që dëshiron të të dojë.
  71. Mos kij besim në njeriun që s’ka besim në ty.
  72. Po e pate frikë një njeri, mos e tremb atë; duke e trembur atë, të shtohet frika ty.
  73. Po dëshirove ta duash një njeri, ose të të dojë ai ty, shihu shpesh me atë.
  74. Duke mos e parë për shumë kohë atë që e do, njeriu fillon të mos e dojë, e duke e parë shpesh njeriun që nuk e do, fillon ta dojë.
  75. Madhësia e një pune nuk krahasohet me madhësinë e frytit të saj, por kryesishit me masat dhe mjetet e të venit të saj në jetë.
  76. Shumëherë një përpjekje e madhe jep një fryt të vogël e një nisiativë e vogël, e marrë rastësisht, jep një rezultat të madh.
  77. Punët që s’mund të bëhen me përpjekje të mëdha, koha e rasti i kryen pa u ndjerë.
  78. Një gjë që nuk mund të gjejë më i madhi dijetar, rasti ia zbulon një bujku, një punëtori, një njeriu të pamësuar.
  79. Për sa përpjekje e zotësi kanë nevojë punët e mëdha për të mirë, edhe ato që bëhen për keq kanë po aq, ose edhe më shumë, nevojë për zotësi. Megjithkëtë, punët që bëhen për keq s’numërohen për punë të mëdha.
  80. Qëllimi i përpjekjes është për të realizuar një gjë të mirë, kush përpiqet për keqbërje — s’ka punuar për veten e tij; edhe punën e të tjerëve e ka zhdukur.
  81. Mjetet që do të përdorësh për arritjen e një qëllimi, është kusht të jenë të përshtatshme për atë qëllim; nuk arrihet puna e mirë nëpërmjet të rrugës së keqbërjes.
  82. Një gjë ordinere e rregulluar mirë, duket më e mirë se një gjë me vleftë të madhe e lënë në gjendje të çrregullt.
  83. Një njeri me urtësi mesatare, që kujdeset për rregull dhe renditje të mirë, kryen më shumë punë se ata me urtësi dhe mendje të lartë, që s’kujdesen për rregull dhe renditje të mirë.
  84. Për të kryer punë nuk duhet vetëm të dish, por kryesisht të duash.
  85. Dëshira lind zotësinë.
  86. Njeriu që ka mundësi të bëjë mirë, por i mungon dëshira, i ngjan atij që e ka kalin pranë dhe ecën këmbë.
  87. Mund ta quajmë përtac nje njeri që sheh një gur para portës së tij dhe nuk e largon; por si mund ta quajmë atë njeri që ai gur i ngatërrohet nëpër këmbë e rrëzon një a dy herë dhe prapë nuk e heq së andejmi?
  88. A mund të quhet vëllazëri ajo kur punët e dy vëllezërve rregullohen duke ndërmjetësuar të tjerët?
  89. Mos i beso dashurisë së atij që të do ty më shumë se vëllain e tij, sepse po të ishte i qëndrueshëm në të dashur, nuk do të të afrohej ty kundrejtë të vëllait.
  90. Çdo njeri dëgjon fjalën e mirë dhe e lavdon, por kur vjen puna për t’u kryer, gjithësecili bën si di vetë.
  91. Kur njerëzia besonte në alkiminë, një dijetar ka thënë: “Pillimi i kësaj diturie është për të mësuar, mesi i saj për të gënjyer dhe fundi për të hyrë në çmendinë.”
  92. Njeriu nuk do njeriun që e do, do njeriun që e çmon dhe e lavdon.
  93. Ajo që i lidh njerëzit me njëri-tjebrin është shpresa për të pasur përfitim dhe frika e dëmtimit; po të mos ishin këto dy gjëra, secili do të jetonte i veçuar, pa miq e pa shokë.
  94. Nuk i dëshirojmë miqtë tanë për t’i pyetur për gjendjen e tyre, por për t’u folur për gjendjen tonë.
  95. Lumturia dhe mjerimi ndikojnë shumë në moralin e njeriut; shumë njerëz të mirë kur arrijnë lumturinë bjerrin disa nga vetitë e tyre të mira, e shumë vetë heqin dorë nga veset e liga (kur bien në mjerim).
  96. Ai që ndryshon qëndrimin dhe sjelljen e tij me të fituar një gradë ose një pozitë, provon se vlera e tij personale është shumë më e ulët se ajo gradë ose pozitë.
  97. Njeriu me vlerë personale shikon pozitën si një cilësi që rrit nderin e tij.
  98. Po të kërkojmë nga muratori punën e inxhinierit, muratori sigurisht do të lavdohet duke thënë: “Edhe unë qënkam i zoti të bëj punën e inxhinierit”; por, po ta kërkojmë nga inxhinieri atë punë të zakonshme ai nuk do të gjejë shkas për t’u lavduar.
  99. Njeriu që trazohet nga një punë që nuk është i zoti ta bëjë, s’mund të kryejë asnjë punë në botë; ai që don të punojë, merr përsipër atë punë që mund ta bëjë.
  100. Njeriu që s’ka mundur të edukojë fëmijët e tij, dëshiron të bëhet edukator i fëmijëve të mbretit.
  101. Ata që dëshirojnë të lavdohen, po t’i donin gjërat që janë për lavd, do të arrinin qëllimin.
  102. Njeriut që dëshiron t’ia largosh injorancën — qoftë edhe fare pak — lavdoja atë çka di ai; njeriut që don t’ia qortosh koprraeinë, lavdoja bujarinë.
  103. Më vështirë është të qeverisë njeriu veten e tij se të qeverisë të tjerët.
  104. Lajkatari kryesor i njeriut është veta e tij; lajka që na bëhet nga jashtë, na pëlqen vetëm pse na vërteton mendimin që kemi për veten tonë.
  105. Kush e çmon me të vërtetë veten e tij, as nuk kënaqet me lajka, as nuk trembet nga qortimi. Por a ka njeri që e çmon me të vërtetë veten e tij?
  106. Gjithsecili pëlqen veten e tij, por fama gënjeshtare e disa njerëzve arrin në atë shkallë sa turma i kujton për të lartë — më shumë se sa mendojnë ata vetë për veten e tyre.
  107. Natyra njeriut i jep talent dhe aftësi, fati dhe rasti nxjerr në shesh atë talent dhe aftësi. Sa njerëz të mëdhenj vijnë në botë dhe, pasi nuk gjejnë rast të shfaqin aftësinë e tyre, shuhen si fitili pa vaj dhe ikin pa u dëgjuar emri i tyre.
  108. Prirja që ka njeriu për të lavdëruar njerëzit e lartë vjen nga dëshira që të tregohet se është i zoti t’i çmojë ata.
  109. Në është se ka tregti që lë të kënaqur edhe atë që shesin edhe atë që blejnë, ajo është lajka.
  110. Në batë mund të gjëndet ndonjë njeri që nuk do një gjë, por s’ka njeri që të mos e dojë lajkën dhe lavdin.
  111. Njeriu në vend që të tregojë veten të varfër, pranon të mbetet i uritur, por ta tregojë veten të pasur.
  112. Gjysma e atyre që mësojnë dituri, mësojnë për të jetuar, gjysma tjetër për t’i treguar botës se janë të ditur, dhe një për qind mëson për të ditur çka s’di.
  113. Është garaz (fjalë arabe që do të thotë: mendim, qëllim i keq dhe i fshehur, prapamendim, mëri, inat, dashakeqësi) të jesh kundër një njeriu, po garaz është edhe kur je në favor të tij, — njeriu pa garaz është i paanshëm.
  114. Po të lavdosh një gjë që nuk është për t’u lavduar, e ke sharë, po ta qortosh një gjë që nuk është për t’u qortuar, e ke qortuar veten tënde.
  115. Janë shumë të pakët ata që preferojnë kritikën e dobishme kundër lajkës së dëmshme.
  116. Nga shumë lavdime del qortimi dhe nga shumë qortime del lavdimi.
  117. Sa padrejtësi e madhe është detyrimi i një të urti t’i bindet urdhërit të një injoranti dhe të punojë sipas mendimit të tij.
  118. Dijetari turpërohet kur hy në mbledhjen e injorantëve; ndërsa injoranti hy në mbledhjen e dijetarëve pa u trembur fare.
  119. I mençuri tregon shumë gjëra me pak fjalë; i marri flet tërë ditën dhe nuk tregon asgjë.
  120. Njeriu flet për t’i treguar tjetrit një gjë që nuk di ai; të bësh fjalë për një gjë që të gjithë dinë se është e qartë, bën të lodhësh kot edhe gojën tënde edhe veshët e dëgjuesit dhe shkakton dhimbje koke.
  121. Njeriu do më shumë të thotë çka ka në mendjen e në zemrën e tij se t’i përgjegjet pyetjes që i bën ai që ka përkundrejt.
  122. Dëshira e grave nuk është për të biseduar, por për të folur; prandaj kur bashkohen disa gra ne një vend, fillon pothuaj një përpjekje për t’ia kaluar njëra-tjetrës në të folur.
  123. Po deshe të bësh çka nuk ke bërë gjatë jetës sate, s’ke tjetër rrugë veçse të imitosh ata që e kanë bërë më parë.
  124. Kur thotë një njeri që sot do të bëj këtë punë dhe nesër e përsërit po këtë f jalë, preje shpresën se do ta kryejë.
  125. Të presësh të kryejë punë njeriut që nuk i vjen doresh, është si të presësh nga guri të lëvizë.
  126. Kush është i dhënë pas pastërtisë, edhe gjësë më të pastër i gjen një diçka për t’u pastruar.
  127. Është më mirë të vendosësh për të mos e bërë një punë, se të vendosësh për ta bërë e të mos e bësh.
  128. Mos e ruaj rastin për t’i rënë në shpinë një njeriu kur do të bjerë në ngushticë, vjen një kohë që edhe ti do të jesh në ngushticë.
  129. Çdo punë ka kohën e vet, thonë; por koha e çdo gjëje është ajo kur njeriu fillon ta kryejë atë punë.
  130. Njeriu i urtë mund ta kryejë punën e tij pa pasur nevojë për dredhi dhe gënjeshtër; përdorimi i dinakërisë dhe i gënjeshtrës vjen nga pazotësia.
  131. Kush e kujton veten më të zotin se të tjerët, gabon gjithmonë.
  132. Eleganca e tepruar është një lloj trashine.
  133. S’ka gjë më të vështirë për njeriun se të ecë vetë në rrugën që u tregori të tjerëve për të drejtë.
  134. Kur i përballojmë epshet tona, nuk tregojmë se jemi të fortë (pse kemi vullnet), por se ato nuk janë të forta.
  135. Njeriu i urtë e quan të drejtë lavdimin që meriton dhe nuk ndikohet fare nga ai lavdim; lavdimin që nuk e meriton, nuk e merr përsipër, por e refuzon.
  136. I marri kënaqet më shumë nga lavdirni që i bëhet pa e merituar dhe përpiqet të gënjejë vetveten se e meriton atë lavdim.
  137. S’mund të jetë punëtor i zellshëm shërbyesi i zotërisë përtac.
  138. Të mbahesh se s’je krenar, është krenaria më e madhe.
  139. Të riun mund ta çosh në çdo rrugë, por plakun është vështirë ta kthesh nga rruga e tij.
  140. Mos kërko këngë të re nga këngëtari plak.
  141. Ka shumë asi që janë kënaqur pse janë martuar, por ka fare pak asi që janë bërë të lumtur.
  142. Gjërat më të vështira në botë janë të gabohesh nga armiku dhe të mashtrohesh nga miku.
  143. Jeta në botë është një shesh dredhie e mashtrimi; njeriu duhet të jetë gjithmonë në gatishmëri për t’u mbrojtur.
  144. Disa, qoftë nga njerëzit, qoftë nga punët, nuk mund të gjykohen po nuk u shikuan për së afërmi, e disa mund të gjykohen vetëm për së largu.
  145. Nuk mund t’i thuhet i urtë atij njeriu që rastssisht e thotë një f jalë me vend, çdo f jalë e të urtit është me vend dhe e afërt me të vërtetën.
  146. Për ta ditur mirë një gjë, duhet t’i dish hollësirat e saj; pasi të fshehtat e natyrës për ne janë të panjohura, gjërat që dimë janë shumë të sipërfaqshme.
  147. Fytyrat e shumë njerëzve, që i kanë të cenuara të shumtat e gjymtyrëve të tyre, janë më të bukura se të atyre që i kanë të gjitha gjymtyrët në rregull.
  148. Për çdo sy ka bukuri.
  149. Çdo gjë në botë ka kërkuesin e saj.
  150. Mos i fol vreshtarit për dhen e bariut për rrush.
  151. Njëra nga gjërat më të vështira për njeriun është të kuptojë nga çka përbëhen dëshirat e tij.
  152. Ajo që i thonë shpirtmadhësi, të shumtën e herës është të hiqet dorë nga interesat e vogla për të marrë në dorë të mëdhatë.
  153. Besnikëria dhe përpikëria në përmbushjen e një premtimi shumëherë janë një lak për të fituar besimin e të tjerëve.
  154. Njeriu i mirë asnjëherë nuk arrin të ahmerret; derisa armiku i tij të jetë i fortë, nuk është në gjendje t’i bëjë gjë, kur do ta gjejë armikun të dobët, e mund mëshira dhe i ikën dëshira për t’u ahmarrë.
  155. Turma përbuz atë që nuk e kupton dhe e quan erezi.
  156. Njerëzit shumëherë shohin se është e drejtë rruga që u tregohet; por, pse nuk e kanë gjetur vetë, nuk e pohojnë drejtësinë e saj.
  157. Gjithmonë gabohet ai që blen një gjë pa e shikuar.
  158. Ka shpresë për të ardhmen, vetëm ai që mund ta vërë në njëfarë vije të mirë të tanishmen.
  159. Mbyll një sy kundrejt fajeve të atij që i ke parë të mirën.
  160. Çdo gjë mund të shoqërohet me çdo gjë, vetëm sinqeriteti s’mund të shoqërohet me lajkën.
  161. Të lavdosh një njeri për veti që nuk i ka, do të thotë ta qortosh tërthorazi atë.
  162. Një veti, që është shkak lavdimi për një person, mund të jetë shkak qortimi për një tjetër.
  163. Ne domë më shumë ata që nuk na donë se ata që na donë.
  164. Rrallë bër punën që ke dëshirë të të vlerësohet.
  165. Njeriu mund të lavdojë me gjithë zemër vetëm atë që e çmon vetë.
  166. Njerëzit me pak mend ndikohen nga gjërat e vogla, e njerëzit me shumë mend mund të ndikohen vetëm nga gjërat e mëdha.
  167. Nuk i thuhet njeri njeriut të panjerëzishëm.
  168. Po të mos kishte frikë humbjen e interesit të vet, asnjeri nnk do të përfillte interesin e tjetrit.
  169. Çdo gjë e mirë ka një anë të dobishme dhe një anë të bukur; ana e bukur e mendimit është të flasësh në mënyrë që të kënaqësh atë me të cilin je duke biseduar dhe mos të mërzitësh e të hidhërosh të tjerët.
  170. A mund të dyshohet se ka një dërrasë mangut njeriu që mendon vetëm për veten e tij e jo për një miliard njerëz?
  171. A ka të drejtë të quhet njeri ai, që nuk mendon për njerëzimin?
  172. Zemra e gabon mendjen gjithmonë.
  173. Mendja është lajkatare e zemrës; për çdo gjë që pëlqen zemra jonë, mendja shtrëngohet të mendojë.
  174. Mendja është skllave e zemrës; çka mund të bëjë një mendje e mirë që ka rënë skllave në dorën e një zemre të ligë?
  175. Mendja është vegël e zemrës.
  176. Kush mendon se njeh mendjen e tij, nuk njeh hollësisht zemrën e tij.
  177. S’ka krim më të madh se të përdorësh për keqbërje një gjë që është çpikur për të bërë mirë.
  178. Çdo lloj vjedhje është punë e poshtër, por është më e poshtër vjedhja që bëhet duke bërë vegël ligjin dhe sheriatin.
  179. Çdo lloj gënjeshtre është e neveritshme, por është më e neveritshme kur i vishet një njeriu të lartë me qëllim që të shkatërrohet.
  180. Është e keqe çdo lloj dredhie, por është më e keqe se të gjitha të tjerat ajo që bëhet duke bërë vegël ligjin dhe sheriatin.
  181. S’ka poshtërsi më të madhe se të përpiqesh t’i bësh keq një njeriu, duke përfituar nga thjeshtësia e zemrës dhe qëllimi i tij i mirë.
  182. Njeriut nuk i dhimbset pasuria e shkelja e të drejtës së tij që i grabitet me anë të forcës aq sa i dhimbsen këto kur i grabiten me dinakëri.
  183. Fama është një mikroskop që nxjerr në shesh merita e defekte që s’mund të shihen veçse nëpërmjet të tij.
  184. Fama e gënjeshtërt s’mund të zgjasë shumë kohë, sepse ai që përpiqet ta përgënjeshtrojë është vetë personi që e ka fituar atë famë.
  185. Fama e gënjeshtërt fitohet me sharlatanizëm, fama e vërtetë me modesti dhe me përvujtëri.
  186. Më vështirë është të ruhet fama e fituar se të fitohet.
  187. Kur një kardinal francez po kalonte me karrocë, i doli përpara një qerre me qe dhe i zuri rrugën. Sa do që karrocieri i kardinalit i thotë disaherë të zotit të qerres t’ia lëshojë rrugën, fshatari nuk i vë vesh dhe vijon rrugën e tij. Për këtë zemërohet kardinaii, nxjerr kokën nga karroca dhe duke parë se fshatari ishte i trashë e i shëndoshë, i tha: “Biri im, ti e ke ushqyer shumë veten tënde, por pak e ke edukuar.” Pshatari, me të dëgjuar këto fjalë, u përgjegj: “Pasi veten tonë e ushqejmë vetë, në këtë pikë s’kemi ndonjë gabim. Sa për edukatën, po qe mangut, faji nuk është yni, sepse edukimi ynë është në duart tuaja”.
  188. Sa e dëmshme është t’i besosh gjithkujt, aq pa vend është të mos i besosh askujt.
  189. Sa i sjell njeriut gjëra të mira lakmia për famë dhe sedër, aq vepra të këqia e shtrëngon të bëjë.
  190. Mendja e njeriut kuptohet me të folur dy tri fjalë, por zemra e tij s’mund të kuptohet as për disa vjet.
  191. Ata që vajtojnë pse kemi marrë një plagë, shumëherë i kënaq vdekja jonë.
  192. Për t’u bërë dy vetë miq të vërtetë, duhet t’i kenë të përbashkëta hidhërimet, gëzimet, frikën dhe shpresat e tyre.
  193. Ushqimi i dashurisë është frika e shpresa; posa të ikë frlka e shpresa, zhduket dashuria.
  194. Dashurla që kanë njerëzit për drejtësinë lind prej frikës nga tirania.
  195. Njeriu dëshiron të shohë në vetvete çdo gjë të mirë; vetëm drejtësinë dhe të vërtetën te të tjerët.
  196. Çdo lloj gënjeshtre është e përbuzur, por gënjeshtra e veshur me petk shenjtëror ose zyrtar dhe që detyron t’i bindet çdo njeri, është shumë e llahtarshme.
  197. Vetëm drejtësia ndihmon të vërtetën, ndërsa gënjeshtrën e gjithë bota.
  198. Vetëm forcat nuk i bëjnë njerëzit heronj, rasti është ai kryesori që i heroizon.
  199. Një punë, e cila ka bërë të shpërblehet x-i, po të kryhet nga y-i shkakton ndëshkimin e tij.
  200. Po ia nguli syrin fati një njeriu, rrotullohet gjithmonë rreth tij.
  201. Nuk është pasuria ajo që sjell lumturi dhe fatkeqësi, kryesisht është morali.
  202. Lumturia nuk gjëndet në gjë e pasje, gjëndet në zemër; njeriu nuk bëhet i lumtur duke arritur gjënë që e di të vlefshme, por duke arritur çka i do zemra.
  203. Në botë s’ka njeri as fare të lumtur as fare fatkeq; njeriu që merret më i lumturi, e ka një brengë, ai që duket më fatkeq, e ka një shpresë, një ngushëllim.
  204. Ngushëllimi më i madh i atij që kujdeset dhe planifikon punët, është pretendimi i tij për urti dhe zotësi.
  205. Njeriu çka ka çmuar sot, nesër mund të qortojë, e çka ka qortuar sot, mund të çmojë nesër.
  206. Ashtu sikundër mund të ndryshojë fytyra e njeriut, mund të ndryshojë edhe mendimi i tij, por zemra s’mund të ndryshojë.
  207. Ai që nuk është vetë krenar, nuk çmon as krenarinë e të tjerëve.
  208. Xhelozia ushqehet me anë të dyshimit dhe të mendimit të keq që ka njeriu kurudrejt një tjetri; kur s’mbeten më këto të dyja, zhduket xhelozia.
  209. Çdo njeri ka vese të krenarisë dhe të mendjemadhësisë, ka ndryshim në mes të njerëzve vetëm sipas llojit të krenarisë dhe mendjemadhësisë së tyre.
  210. Ajo që na detyron të numërojmë gabimet e të tjerëve, nuk është për t’i korrigjuar, ato, por për të treguar se ne nuk i kemi ato gabime.
  211. Njeriu mund të premtojë çka shpreson të bëjë, por s’mund të bëjë gjë jashtë forcës së tij; prandaj duhet të premtojë më pak se çka shpreson të bëjë.
  212. Ata që merren me gjëra të vogla, bjerrin zotësinë për t’u marrë me gjëra të mëdha.
  213. Njeriu më i urtë është ai që mund të kuptojë veten e tij, e njeriu më i fortë është ai që mund të zotërojë veten e tij.
  214. Disa njerëz të mëdhenj bëhen modestë për të mos tërhequr zilinë e të tjerëve.
  215. Në botë ka fare pak raste që kënaqin njeriun; vetëm njeriu që gabohet me gjëra të vogla, bëhet i lumtur dhe jeton qetësisht.
  216. Njeriu që nuk është në gjendje të mbarojë punën e vet, nuk mund të mbarojë punën e kurrkujt.
  217. Veç dëshpërimit, s’ka asnjë gjë që thyen rrotën e njerëzimit.
  218. Për të provuar mendjen, zotësinë dhe cilësinë e njeriut, duhet ta veçosh atë nga ofiqet që ka, nga pasuria dhe grada e tij.
  219. Duket i gjatë shtati i njeriut që qëndron në majë të malit, duhet të zbresë në rrëzë të malit që të kuptohet sa është i gjatë me të vërtetë.
  220. Njeriu shumëherë sheh aq të ndryshuar mendimin dhe natyrën e miqve të tij, që nuk i ka parë shumë kohë, sa që nuk dëshiron më të miqësohet përsëri me ta.
  221. Çdo gjë në botë shkon sipas vendit dhe kohës; një gjë që në çdo kohë dhe në çdo vend i është dukur e mirë, në një kohë tjetër dhe në një vend tjetër nuk i duket e mirë.
  222. Lakmia del nga trupi i njeriut pasi të dalë shpirti.
  223. Njeriu dëshiron që edhe varrin ta ketë më të mirë se varret e të tjerëve.
  224. Mirësia duhet të bëhet vetëm pse është mirësi.
  225. Zjarri kur s’mund të djegë një gjë, e nxin.
  226. Ashtu sikundër që shuhet zjarri po mbeti pa dru edhe intriga zhduket po të mos ketë gojëkëqinj.
  227. Punët e mira duhen kryer një orë e më parë që të mos vijë vdekja për të penguar.
  228. Moskthimi i librave që merren hua (për t’u lexuar) vjen nga se zotërimi i vëllimeve është më i lehtë se zotërimi i lëndës së tyre.
  229. Zarathustra thotë: "Jeta në botë përbëhet nga mendimi, fjala dhe puna; shpëtimi i botës varet nga tri gjëra: “Të mendosh mirë, të flasësh mirë, të bësh mirë.”
  230. Një ilaç i përbashkët për çdo sëmundje: “Të kujdesesh për ruajtjen e shëndetit para se të sëmuresh.”
  231. Ka shumë pak pasuri të fituara me të drejtë.
  232. S’kërkohet ndihmë nga tigri për të shpëtuar nga qentë.
  233. Të gjithë njerëzit, duke filluar që nga më i madhi deri te më i vogli, kanë një detyrë: “Të përmirësojnë veten e tyre”. Mirëqënia e botës varet në këtë fjalë.
  234. Detet më të mëdha kanë fundin e tyre; mendimi i njeriut është aq i thellë, sa është e pamundshme t’ia gjesh fundin.
  235. Njëri nga filozofët kinezë thotë: “Kush formulon një ligj jo të drejtë, bëhet vrasës i miliona njerëzve.”
  236. Një farë e vocër bëhet dru i madh.
  237. Të mos ishte atdhedashuria, të gjitha tokat joprodhuese do të zbrazeshin, do të mbeteshin të shkreta.
  238. Këmbëngulja e qëndrimi bën të mundshme të pamundshmen.
  239. Mani, një nga filozofët e lashtë të Indisë, thotë: “Të thuash shtëpi, është të thuash grua.”
  240. Lumturia e njerëzve është në duart e grave.
  241. Fshehtësia e mësimit të madh është të mendosh shumë e të flasish pak.
  242. Kush bën dëshmi të gënjeshtërt për interesin tënd, mund të bëjë edhe kundër teje.
  243. Solomoni thotë: “Është mizor kush i thotë të drejtit mizor dhe mizorit i drejtë”.
  244. Binia është një marrëzi, pleqëria është ilaçi i saj.
  245. Dinaku nganjëherë ia arrin qëllimit, por asnjëherë nuk i shpëton rrezikut; njeriut të drejtë shumë rrallë i plotësohen dëshirat, por gjithmonë është i sigurt dhe i qetë.
  246. Shumica e grindjeve që ngjajnë në jetë lindin nga miqësia e tepruar.
  247. Kush don t’i bëjë keq një njeriu të mirë i përngjan atij që don të pështyjë Diellin; pësbtyma, duke mos arritur Diellin, kthehet dhe bie në fytyrën e tij.
  248. Kur një njeri zemërohet kundër një mali të lartë dhe përpiqet ta shkulë nga vendi, kush dëmtohet: mali apo ai vetë?
  249. Ka mundësi të hedhësh poshtë fjalët e liga, të padrejta, që thuhen kundër teje; por a nuk është më lehtë t’i durosh dhe të mos u japësh rëndësi? Ka mundësi të nxjerrësh në shesh dredhinë e dinakut, por a nuk është më lehtë t’ia fitosh zemrën dhe të bësh të heqë dorë nga dredhia?
  250. Kush është njeri nuk e vë në zbatim një urdhër që është në dëm të njerëzimit.
  251. Jeta është një udhëtim në errësirë.
  252. Vlera e njeriut kuptohet nga natyra e gjërave që vlerëson ai.
  253. Fjala e ëmbël është një melhem në zemrën e njeriut; fjala e hidhur, porsa hy në vesh e ndez mendjen, së andejmi zbret si rrufe dhe e bën zemrën copë-copë.
  254. Nuk do t’i dihej vlera shëndetit, mirëqenies dhe jetës po të mos ishte sëmundja, vështirësia dhe vdekja.
  255. Fjalët janë përshkrimi i kuptimit; t’u japësh rëndësi fjalëve më shumë se kuptimit është sikur të lesh një të dashur dhe të dashurosh hijen e saj.
  256. Miku është pasqyra e përsosmërisë, armiku e të metave.
  257. Më mirë të vdesësh në mes të shumë shokëve besnikë se të jetosh pa shokë.
  258. Të jetosh pa shokë, do të thotë të humbasësh pjesën më kënaqësidhënëse të tjetës.
  259. Mosbjerrja e miqve është më e vështirë se fitimi i tyre.
  260. Kush dëshiron të duhet, lë të dojë.
  261. Në qoftë se është lumturi të duhesh, është lumturi më e madhe të duash.
  262. Po nuk e zuri dashuria njeriun, nuk di ç’është ajo, prandaj nuk u jep të drejtë sjelljeve të marra të dashnorëve.
  263. Syri është një dritare e shpirtit.
  264. Mos shiko çka ke fituar, shiko çka ke bërë, sepse pasurinë që ke fituar do ta humbasësh kur do të vdesësh; por mirësitë që ke bërë do të qëndrojnë në botë edhe shumë kohë dhe do të bëjnë të përmendesh për të mirë.
  265. Po të kërkosh në botë pasuri të vërtetë, e tillë është mendja dhe nderi.
  266. Nuk është i urtë ai që është i zoti për dinakëri dhe djallëzi, nuk është trim ai që s’mund ta permbajë zemërimin.
  267. Në është se ka njeri të madh në botë, i madh është ai që lumturia nuk e bën të qeshë dhe mjerimi të qajë.
  268. Krejt çka quajmë: e vërtetë, e drejtë, e mirë, e bukur, e dobishme janë një gjë; vetëm pse na mungon pamja e vërtetë i shohim të veçuara njerën nga tjetra.
  269. Kush mëson të tjerët, mëson më shumë se ata që mësohen; kush shkruan, përfiton më shumë se ata që lexojnë.
  270. Për të kuvenduar me një mik, duhet të presësh kohën e lirë të tij; mikun që është i zënë me punë ose ndihmoje, ose mos i rri pranë.
  271. Të mjaftuarit me çka ke është një kala kundër robërisë.
  272. Jeta e pasanikut është një vaudeville, ajo e të vobegëtit — një tragjedl dhe ajo e filozofit — një komedi.
  273. Gjithësecili përpiqet për të arritur një lumturi të plotë dhe të qëndrueshine, por një lumturi e tille nuk është parë fare në botë.
  274. Po deshe të kuptosh fare mirë një punë, drejtoju opinionit publik, sepse më i dituri mund të gabojë, opinioni s’gabon.
  275. Njerëzit aq lehtë kalojnë nga e mira në të iigën dhe nga e liga në të mirën sa po të ngrihet një mur në mes të ligës dhe të mirës, nuk do të qëndronte asnjë ditë, do të shembej pra.
  276. Djali i urtë — lumturia e të jatit; djali i prapë — belaja e nënës.
  277. Lulja rritet me diell, por thahet nga vapa e madhe; njeriu edukohet me arsim, por rëndimi me mësime në fëmijëri jashtë forcës së tij e dërmon. Ashtu sikundër bima që ka nevojë për nxehtësi, ujë e freski, edhe njeriu bashkë me arsim dhe edukim ka nevojë edhe për zbavitje e shëtitje.
  278. Malin që e sheh në horizont, mos kujto se është këndi i botës, sepse pas tij ka male të tjera.
  279. Kush zotëron veten e tij, nuk zotërohet nga asnjeri; nuk e mund dot asnjeri atë që mund epshet e tij.
  280. Arsimi dhe qytetërimi i ngjajnë diellit që kur lind ndriçon vetëm majat e maleve të larta me një dritë të zbetë por pa shkuar gjatë i forcohet drita dhe nga shkëlqimi i tij përfitojnë përrenjtë më të thellë dhe fushat e luginat.
  281. Modestia është një ibërshim, në të cilin radhiten të gjithë margaritarët e moralit.
  282. Dashuria për atdheun lind nga dashuria për familjen.
  283. Njeriu kur është i ngopur çuditet me ata që rrinë në tryezë duke ngrënë, e kur është i uritur, çuditet me ata që çohen nga tryeza.
  284. Secili njeri kalon një lloj jete më vete, por lindja dhe vdekja e tyre është e njëllojtë.
  285. Kur druri jep pemë ose bën hije, gjithësecili shkon e rri nën të; po u thye e ra në tokë, menjëherë e bëjnë copë-copë.
  286. Mik kam atë që më shpëton nga një gjendje e vështirë.
  287. Një gjë fare pa rëndësi mund t’i ndajë miqtë më të ngushtë.
  288. Njeriu duhet të sakrifikojë gjithçka për mikun, përveç nderit dhe sedrës së tij.
  289. Gjithësecili ankohet nga bota, nga fati, nga koha, asnjëri nuk është i kënaqur me jetën; megjithëkëtë nnk donë të vdesin as ata që çojnë një jetë shumë të vështirë, e as ata që janë në vuajtje e mundim të madh.
  290. Koha më e mirë e jetës është fëmijëria e më e hidhura pleqëria. Me kalimin e muajve dhe të viteve njeriu largohet nga lumturia, megjithëkëtë çdo njeri dëshiron kalimin e kohës.
  291. Ari do të ishte i pavlefshëm po të ishte ar çdo gjë e ndritshme.
  292. Në qoftë se ka ndogjë të fortë sa të shembë malet, të thajë lumenjtë, të bashkojë detet, të ndajë tokat — ajo gjë është ari.
  293. S’ka rrugë që s’mund të kalojë dhe s’ka portë ku s’mund të hyjë gomari i ngarkuar me ar.
  294. Një diell është, por zhduk me miliona hije.
  295. Ç’ka do të japësh për njerëzimin, mos e numëro darovitje, e as lëmoshë, sepse paguan një borxh tëndin.
  296. Jeta përbëhet nga puna dhe fjala. Kush i ka në rregull këto dy anë të jetës, mund të thotë se jeton.
  297. Njerëzit me mendime jo të shëndosha, duket se dinë dobësinë e mendimeve të tyre; prandaj posa shohin një njeri me mendime të larta, bashkohen të gjithë kundër tij.
  298. Çortimi është ndihma që njerëzit e mëdhenj i japin shoqërisë njerëzore.
  299. Një fjalë e parëndësishme e thënë me vend është më e mirë se një ligjëratë elokuente e thënë jo me vend.
  300. Mos kij frikë nga ujku me taark të ngopur, por nga macja e uritur.
  301. Pasuria dhe të mjaftuarit me pak janë armiq të njëri-tjetrit, ku është njëri nuk është tjetri.
  302. Jeta është një lumë që rrjedhë pa pushim; për të soditur si rrjedhë dhe ikën jeta, njeriu duhet t’i kalojë në vetmi dy orë në ditë — mundësisht në një fushë ku s’ka njeri, në një livadh, në një shkëmb, në një buzë deti.
  303. Puna e bën jetën e njeriut të vlejë edhe pas vdekjes së tij; çthurja, vagabondazhi dhe përtimi e kalbin dhe e zhdukin jetën; të soditet natyra bën që jeta të shijohet ashtu siç është. Prandaj bariu është ai që bën jetë të vëntetë.
  304. Një njeri ashtu sikundër mund të ngjallë një komb, edhe mund ta zhdukë.
  305. S’mund të kryejë punë të mëdha ai që nuk u jep rëndësi punëve të vogla.
  306. Për kirurgun është më lehtë t’i presë këmbën një trimi se t’i heqë dhëmbin një frikacaku.
  307. Brisku i mprehtë nuk ta pret faqenë, ta pret brisku që nuk pret qimen e mjekrrës.
  308. Qymyri që blehet me borgje, nëse të ngroh në dimër, të mërdhinë në verë.
  309. Më e urta ndër gra është ajo që fletë më pak.
  310. Lotët që derdhë një grua, gruas i kushtojnë fare pak, por janë shumë të vlefshëm për ata që i shikojnë.
  311. I Urti shkon deri në fund të rrugës që ka zënë, sepse të shkosh deri në gjysmën e rrugës e të kthehesh mbrapa duhet po aq kohë dhe mundim e nga kjo nuk ke asnjë dobi.
  312. Konfucio thotë: “Rruga e drejtë është rrugë e madhe që mund ta kalojë çdo njeri. Rrugët që i tregohen njeriut jashtë forcës së tij, janë rrugë malore të rrezikshme.”
  313. Shumica e njerëzve, sidomos gratë, nuk i donë ata që i donë por donë ata që nuk i donë; përbuzinë ata që i nderojnë e e nderojnë ata që i përbuzin.
  314. Kohën që e hargjojnë gratë me fjalë të kota po ta përdornin për të qepur, nuk do të mbetej njeri i zhveshur në botë.
  315. Gruan s’duhet ta stolisë qyrku.
  316. Një anglezë thotë: “Burri më i lumtur ka qenë Adami; pse s’kishte vjehër.”
  317. S’ka të mirë shtëpia e asaj gruaje që një pjesë të madhe të kohës e kalon para pasqyrës.
  318. Fatkeqësia ia shtyp zemrën burrit, ia ndrydh shpirtin, ia kalit trupin; gruas ia derdhë vetëm lotët dhe e bënë të thërrasë e të bërtasë.
  319. Bilblli lodhet së kënduari, gruaja s’lodhet së foluri.
  320. Gruaja kur dëshiron — është e kënaqur, kur dëshiron — është e pezmatuar, kur dëshiron — është mirë me shëndet dhe kur dëshiron — bëhet e sëmurë.
  321. Nuk është i fortë ai që e thyen një dru me grusM; i fortë është ai që e drejton një dru të thyer ose që e mban për të mos u thyer.
  322. Kirurgu më i mirë është ai që ka marrë vetë shumë plagë.
  323. Mos prit të dalë flaka aty ku sheh tym për të kuptuar se ka zjarr.
  324. Brathoca këndon tërë ditën, prandaj jeton në ndytësi. Edhe gruaja që fletë shumë, i shëmbëllen kësaj.
  325. Gjëja e fituar me pak mundim duket e ëmbël, vlefta e gjësë së fituar me shumë mundim është e madhe.
  326. Dalin shumë blerës pasi të jetë shitur malli.
  327. Nuk është miqësi ajo e bazuar në interes; por po të përjashtohet kjo lloj miqësie, kam frikë që nuk mbetet mik në botë.
  328. Jungu thotë: “Fija më e hollë që end një insekt është më e fortë se lidhja që lidh njëriun me lumturinë.”
  329. Një familje e përbërë nga burri e gruaja që e donë njëri tjetrin dhe me fëmijë të bindur e të edukuar, është një pikturë e gjallë e lumturisë.
  330. Fytyra e qeshur është kripa e bukurisë.
  331. Krijuesi shikon qëllimin, njerëzit punën.
  332. Gjëja më e ëmbël është e hidhur për stomakun e prishur.
  333. Njeriun e madh e njeh çdo njeri, por është zor të bëhesh njeri i madh dhe të njohësh vetëvetën.
  334. Me vdekjen e një njeriu të madh nuk shuhen të mirat që ia ka lënë njerëzisë. Njerëzit e mëdhenj si Sokrati, Platoni, Avicena, Franklini e Rusoi edhe sot, e ndoshta për gjithmonë, janë pishtarë të ndezur në rrugën e përparimit të njerëzisë.
  335. Nuk është faj i madh të mos e dish të vërtetën, por është faj i madh ta përbuzësh pasi ta kesh mësuar.
  336. Kur bie në mjerim njeriu që ka bërë mirësi, sa do që nuk sheh ndonjë ndihmë nga ata që u ka bërë mirë, ia ngushëllon zemrën kujtimi i të mirave që ka bërë.
  337. Egoistit, edhe sikur të vdesë nga uria, nuk i dhimbset njeriu.
  338. Sado gjatë të jetojë njeriu, njëzet vjetët e parë janë pjesa më e gjatë e jetës së tij.
  339. Kush arrin te këmba e shkallës, shpeshherë kryen më shumë punë se ai që ngjitet lart.
  340. Një gjë e pakët, po u përsërit shumë herë, bëhet shumë.
  341. Kanë pyetur Volterin: “Ç’ndryshim ka midis të mirës dhe të bukurës?” — “Është e mirë, apo s’është e mirë një gjë, ka nevojë të provohet, e s’ka nevojë të provohet a është apo s’është e bukur.” — ka thënë ai.
  342. Guximi që nuk ka dalë nga mendja, forcon marrëzinë.
  343. Djalin martoje kur të duash, vajzën kur të mundesh.
  344. Nëse janë të shumtë ata që martohen, nuk janë të paktë ata që janë penduar.
  345. Lumturia e një kombi varet nga edukimi i femrës së tij.
  346. Natyra ndikon dhe sundon në zemrën e njerëzve me anën e grave.
  347. Gruaja duhet të ketë në dorën e djathtë gjilperën e në të majtën librin.
  348. Njeriu duron çdo padrejtësi, çdo përbuzje, çdo hidhërim që i bëhet nga miku dhe mund ta falë; por s’mund të durojë që ndonjeri nga miqtë e tij të arrijë një lumturi, e këtë faj nuk ia fal atij asnjëherë.
  349. Brengat e smirëziut janë më të mëdha se të çdo njeriu, ai vuan edhe nga fatkeqësitë e veta, edhe nga lumturia e të tjerëve.
  350. Të metat e njerëzve i shkruajmë në bakër, meritat e tyre në akull.
  351. Mbi një gur varri ishte shkruar: “Ky dyshek është shumë i ftohtë, por unë jam i kënaqur, sepse secili nga miqtë që kam fituar në botë ka qenë më i ftohtë se ky.”
  352. Duke lexuar gurët e varreve, është vështirë të kuptosh se kush gënjen më shumë, të gjallët apo të vdekurit.
  353. Kush don të përbuzë vesin e një tjetri, duhet të jetë vetë i dëlirë nga ai ves.
  354. Gjëja më e vështirë për njeriun është të dëgjojë këmbimin e mendimeve të kota e të gabuara për çështjet që ai i di mirë, por që s’ka mundësi t’i ndreqë.
  355. Çka zbavit elitën, nuk zbavit dot turmën; çka zbavit turmën, neverit elitën.
  356. Sa zemër e vobegët është ajo që nuk ushqen një shpresë.
  357. Vetëm hekuri i shpresës shpëton anijen e zemrës nga furtuna e dëshpërimit. Zemra e njeriut duhet të lidhet me një shpresë për të shpëtuar nga një rrezik.
  358. Shumë pak vetë e donë njeriun me mendje dhe zotësi të madhe.
  359. Po të mos ishin të marrët, nuk do të nevojiteshin të urtët.
  360. Nuk është njeri ai që nuk i vjen keq për mynxyrën që pëson tjetri; njeriu që gëzohet për një mynxyrë të tillë është më i lig se një shtazë e egër.
  361. Uria pret te porta e njeriut që punon më zell, por s’ka guxim të hyjë brenda.
  362. Para se të dëgjosh zemrën tënde, merru vesh me portofolin.
  363. Sa më i lartë të jetë vendi ku ndodhet njeriu, aq më e rrezikshme bëhet rënia e tij.
  364. Vetëm gjuhëve që bëhen mjet përçarjeje u duhet një gërshërë.
  365. Lima ha hekurin, por më në fund fshihet.
  366. Është shumë i dashur njeriu që qëndron në një mendim e princip dhe sillet gjithmonë i pandryshuar; por një i tillë s’mund ta kryejë punën e atij që vepron sipas nevojës.
  367. Në grindjet midis mendjes dhe forcës, ose midis të drejtës e dhunës, sadoqë në fillim gjithmonë fiton e dyta, më në fund triumfon e para.
  368. Nuk i shihet dobia drurit që i ndërrohet vendi disaherë dhe që nxirret nga një vend e mbillet në një vend tjetër.
  369. Njeriu që nuk e ruan të fshehtën, u ngjan shpalljeve që ngjiten në mur; mos ia thuaj atij çka nuk dëshiron t’ia shpallësh botës.
  370. S’ka njeri që të mos ketë një lloj marrëzie; çka bën njeriu më i urtë në momentet e marrëzisë së tlj nuk bën asnjë i marrë i vërtetë.
  371. Në punët e vogla çdo njeri mund t’i besojë çdo njeriu, por besimi matet me punë të mëdha.
  372. Njeriun nuk e ndrydh puna, e ndrydh mërzitja. Makina nuk prishet nga rrotullimi, por nga ndryshku që ze duke mos punuar.
  373. Shakaja ka dy kondita: të zbavitësh ata që nuk kanë të bëjnë, dhe mos të prekësh ata që kanë të bëjnë me të.
  374. Njeriu që ka mëndjen dhe zemrën të fortë e përdor veten e tij sipas rastit dhe nuk bëhet skllav i iluzioneve e i ndjenjave. Ndërsa njeriu mendjelehtë jepet pas iluzioneve, dhe njeriu me zemër të dobët pas ndjenjave duke mos zotëruar vetëveten.
  375. Vaji i derdhur sipër mermerit mbetet aty për shumë kohë dhe nuk thithet prej tij, ndërsa vaji i derdhur sipër një dërrase zhduket në pak kohë dhe thithet nga dërrasa e nuk del më. Disa riga njerëzit i ngjajnë mermerit, e tregojnë atë që kanë nxënë, por vetë nuk përfitojnë; dhe ca të tjerë i ngjajnë dërrasës, pasi atë që kanë nxënë e mbajnë për vete dhe nuk ia tregojnë njeriut.
  376. Përvoja është një shkollë, mësimet e së cilës kushtojnë shtrenjtë, por për shumë njerëz nuk ka tjetër shkollë për t’u edukuar.
  377. Shumë vetë qërtojnë huqet e të tjerëve, të cilat i kanë dhe vetë, në këtë mënyrë ata shajnë në të vërtetë veten e tyre. Kjo është si puna e majmunit që përpiqet t’i nxjerrë sytë fytyrës së vet që shikon në pasqyrë.
  378. Pjesët e veçanta të një mendimi të ndarë bëhen shumë të dobëta.
  379. Burrat pretendojnë se çdo gjë e dinë më mirë se gratë, madje dhe ushqimin e fëmijëve dhe larjen e të lintave.
  380. Burrat besojnë se bota është krijuar vetëm për ta.
  381. Po të shohin mangut një kopsë në këmishën e tyre, kritikojnë gratë dhe i bëjnë përgjegjëse sikur të kenë kxyer një krim të madh.
  382. Pretendojnë që gratë ta qeverisin shtëpinë pa të holla dhe, kur ato kërkojnë të holla, i qërtojnë të shkretat me fjalë si: “Ti po më shkatërron!”.
  383. Nuk pranojnë se gruaja ka nevojë për zbavitje, për shetitje, dhe kërkojnë që ajo të qëndrojë gjithmcxnë në shtëpi vetëm dhe të shikojë fëmijët.
  384. Po të kërkojë gruaja një gjë, qoftë dhe fare të vogël, ata gjejnë shkak për të shpallur luftë dhe të grinden.
  385. Ata presin dashuri nga gratë dhe duan të vinë në shtëpi në mesnatë.
  386. E kalojnë kohën në shoqëri dhe zbavitje dhe, kur vinë në shtëpi, duan t’i gjejnë zgjuar gratë e shkreta, që rrinë e mërziten vetëm.
  387. Lavdimi që na bëjnë, sado i zmadhuar të jetë, s’mund të jetë aq sa kujtojmë dhe besojrnë.
  388. Një komb që nuk është në gjendje të dallojë lirinë nga robëria, është një fëmijë që ka nevojë të vazhdojë në shkollën foshnjore.
  389. Njeriu i pjekur dëshiron të përparojë për aq sa ka xnerita e zotësi dhe nuk mbështetet në fat, soj, përkrahje dhe në hatër.
  390. Lumturia më e madhe e njeriut është kur i afërmi i tij bëhet i lumtur.
  391. Godinën e lumturisë, të ndërtuar nga dashamirësia, e stolis mendja dhe zotësia.
  392. Njeriu që mund të jetojë i lumtur me forcat e veta, fare pak i jep rëndësi mirëqënies që mund t’i vijë nga tjetri.
  393. Ai që arratiset nga sheshi i luftës pse frikësohet që vdes, vdes më parë se trimi që hidhet guximshëm në mejdan.
  394. Një proverb spanjoll: “Miguel, Miguel! S’ke bletë, por shet mjaltë, si mund të të besoj se s’je kusar?”
  395. Po deshe të kuptosh shkakun pse qan fëmija kur lindet, shiko me kujdes secilën ditë të jetës sate.