Proverba - Vëllimi 1

  1. Mendimet e larta gjenden në fjalë të shkurtëra.

  2. Më e bukura fjalë është e thjeshtë dhe e shkurtër, është fjalë që kuptohet më lehtësi dhe që ka kuptim të thellë e të hollë.

  3. Njeriun e bëjnë të përjetshëm veprat e tij.

  4. Detyra jonë kryesore ndaj njerëzisë është të studiojmë dhe të mësojmë (të tjerët) pa u mërzitur.

  5. I madh është ai njeri që i shikon të gjithë një soj, që vepron pa anuar, dhe që mendon për të gjithë. Al që mendon për interesat e veta, është njeri i ulët.

  6. Detyrat njerëzore janë një barrë e rëndë; sjellja e keqe sipas andjes dhe pëlqimit të botës është një moçal i madh. Për të nxjerrë në breg një barrë të tillë të rëndë nga një moçal i tillë, duhet të ecësh drejt, pa shikuar djathtas e majtas.

  7. Në vend që të shesësh dituri dhe zotësi, pëxpiqu t’i fitosh ato.

  8. Mos e duaj gjumin shumë; hap sytë që të mos mbetesh i uritur.

  9. Toka mund t’i ushqejë njerëzit fare mirë; vetëm pse shumica e pasurisë shpenzohet pa vend, e shurata e njerëzve mbeten të uritur.

  10. Për t’ia nënshtruar botën mirësisë, duhet luftuar kundër ligësive.

  11. Pitimi i pozitës varet nga të tjerët. A nuk është marrëzi të lësh atë që ke në duart tua dhe t’u drejtohesh të tjerëve.

  12. Më parë se për pasurinë, mjeshtërinë dhe tregtinë e një bashkësie (njerëzore), duhet menduar për edukimin e saj, sepse edukata e mirë është baza e bashkësive njerëzore.

  13. Njeriu mirret me dituri dhe me shkencë gjatë gjithë jetës së tij. Në fëmijëri i mëson ato, në rini i vë në zbatim e në pleqëri mëson të tjerët.

  14. Zemra e njeriut të përsosur është gjithmonë e pezmatuar, por fytyra e tij është kurdoherë e gëzuar.

  15. Njeriu dëshiron madhështinë dhe famën, trembet nga mospërfillja; megjithëkëtë nuk largohet nga sjelljet e këqia; kjo është si kur ke frikë nga lagështira e banon në moçal.

  16. Po të jenë nëpunësit në dorë të personave të pazotë, po t’u mungojnë armët ushtarëve, po të mbetet pas bujqësia, mjeshtëria dhe tregtia, prapëseprapë shteti qëndron; por kur sundimtarët nuk respektojnë ligjin dhe të drejtën, nëpunësit e vegjël bëhen të pabindur dhe nuk zbatojnë urdhrin e dhënë, kështu që populli bjerr vetitë e mira dhe jipet pas veseve të këqia, atëherë nuk ka më shpresë shpëtimi.

  17. Mos i poshtëroni njerëzit e mëdhenj për një a dy faje të tyre, sepse diamanti sado i prerë shtrembër të jetë, është më i vlefshëm se një gur i zakonshëm, i prerë në forrnën më të përsosur.

  18. Mashtrimet e mashtruesit i përballoni me drejtësi, sepse gjithçka mënjanohet me të kundërtën.

  19. Njerëzit janë të njejtë para natyrës, edukata i bën të dallohen (njëri nga tjetri).

  20. Fjala e atij që qesh shumë, s’e bën të qeshë asnjërin.

  21. Duhet të shfrytëzohet mirë koha, sepse jeta nga koha përbëhet.

  22. S’ka gjë më të keqe se të përqeshurit, sepse më shumë prek të mirët se të këqinjtë.

  23. Njollat që i ngjiten trupit tonë lahen me ujë; njollat e shpirtit s’ka gjë që i pastron.

  24. Virtyti i bën të dashur (me njëri — tjetrin) njerëzit e mëdhenj, njerëzit e zakonshëm — dëfrimi dhe zbavitja, të këqinjtë — vagabondazhi dhe delikti.

  25. Duhen shumë mend që të mund të shoqërohesh me njerëz pa mend.

  26. Mos shkruaj gjë kur je me nerva; sepse, kur plaga e gjuhës ësMë më e keqe se e shpatës, mendo çfarë mund të jetë ajo e pendës.

  27. Kot përpiqet mendja, kur nuk mund të arrijë gradën e lartë të ndjenjave.

  28. Fjala më elokuente është ajo konkluzioni i së cilës kuptohet që nga fraza e parë e qëllimi nëpër brendinë e saj, kur duket në formë solide.

  29. Tri raste kanë tri virtyte shumë të pëlqyeshme: të ndihmosh nevojtarët kur janë në gjendje të vështirë, të thuash të vërtetën edhe në zemërim, të falësh kur je i zoti të ndëshkosh ose të hakmirresh.

  30. Për ndryshimin e një gjëje askush nuk është më i aftë se koha.

  31. Ti japësh pozitë dhe të nderosh një njeri pa merita është si të hedhësh në ndyrësira një qese me inxhi (margaritarë).

  32. Po të bjerë në det një pikë ujë, nuk thahet.

  33. Sikundër që elefantin e vrasin për dhëmbët e tij të çmueshëm, disa guaska deti i gjuajnë për margaritarët që kanë brenda e që bilbilin e robërojnë për zërin e tij të bukur, kështu edhe njeriun — të shumtën e herës — e rrezikon vlera e tij e lartë.

  34. Mos iu mbështet së nesërmes, nuk mund të dish se ç’do të lindë nata.

  35. Pa taashkim s’mund të ketë as opinion publik, as forcë.

  36. Liria s’mund të shkojë përpara pa pasur udhëheqëse arsyen dhe pa qenë e shoqëruar nga vetitë e mira.

  37. Gjuha e memecit është më e mirë se e gënjeshtarit.

  38. Gjuha është dëshmitari gënjeshtar i zemrës.

  39. Sikundër që trupi ka nevojë për pastërti ashtu edhe shpirti për arsim.

  40. Pendimi është pranvera e mirësjelljes.

  41. Meng Çui thotë: Filozofët, dijetarët, njerëzit e mëdhenj, të cilët me mendimet dhe punët e tyre kanë bërë të çuditet bota, a nuk ishin edhe ata njerëz si ne? Pse t’i shikoj ata me habi dhe mahnitje? A s’mund të bëhem edhe unë si ata me përpjekjet e mia?

  42. Hidhërimi dhe gëzimi s’kanë kufi. Njeriut, pse ka zënë një pozitë të vogël, i bie pika nga gëzimi, pastaj ai vdes nga hidhërimi pse nuk zë një pozitë më të lartë.

  43. Shoku më i pavlefshëm është ai, i cili, për një fjalë që ka dëgjuar për shokun e tij, nuk e do më atë.

  44. Ai që pëlqen veten e tij, nuk pëlqehet nga askush.

  45. Dallkauku (lajkatari) është fajdexhiu më i keq, posa sheh se ai që ka përballë u mashtrua prej tij, edhe sikur t’i marrë kamatën 500 për qind të hipokrizisë që i ka akredituar, prapëseprapë s’kënaqet, përpiqet t’i heqë edhe lëkurën të mjerit.

  46. Pasuria zë vendin e lejekalimit të marrëzisë.

  47. Pasuria e vogël, që përdoret me nikoqirllëk, zë vend më mirë se thesarët e keqadministruar.

  48. Pasuria është shërbëtor i të mençurit e zotëri i budallait.

  49. Lumtëria në botë i ngjan dritës së shkreptirës, ndriçimi i një sekonde sjell pas furtunë disaorëshe.

  50. Gjëja që ka shkaktuar fanatizmin (fetar) janë përrallat të shpikura nga keqdashja, të pranuara nga frika dhe të ruajtura nga marrëzia.

  51. Helmi më i rrezikshëm është hipokrizia.

  52. Filozofi kinez Ming Çu thotë: “T’i duash njerëzit e aftë e të talentuar dhe të mos i nderosh ata është sikur t’i thërrasësh në gosti dhe t’u mbyllësh portën, për të mos i pranuar.”

  53. Njëri nga filozofët e famshëm të Tibetit, Paskia Pandita, thotë: “S’mund t’i japësh flakë një pylli të madh po nuk të ndihmoi era”. Dmth. — mos fillo punë të mëdha po nuk qe koha dhe rasti i volitshëm.

  54. Mos u prish me vëllanë për punë të shokut, sepse shoqëria zhduket, vëllazëria mbetet.

  55. Si flaka e shkrepsës me kokë poshtë, që është më e fortë, ashtu edhe virtytet e dijetarit të rënë në fatkeqësi duken më qartë.

  56. Ata që tregohen të drejtë me qëllim lartësimi, pasi të arrijnë qëllimin, s’ndjenjë më nevojë për drejtësi.

  57. Shërbimin që bën arsimi për përmirësimin e një kombi, ligji s’mund ta bëjë kurrë.

  58. Shpagimi më i ëmbël është të bësh mirë kundër së keqes që të është bërë.

  59. Kur lodhet trupi, qetësohet mendja.

  60. Duke gërmuar tokën, del ujë.

  61. Tregtia që të jep më shumë fitim është puna.

  62. Dituria është e gjatë, jeta e shkurtër.

  63. Dita është e shkurtër, puna e gjatë.

  64. Nëna e frikacakut as nuk qan, as nuk qesh.

  65. Po të përdoret mirë koha, do të mjaftojë për të kryer çdo punë.

  66. Çdo ditë e jetës sate është një faqe e biografisë sate, kujdesu ta shkruash mirë, sepse një faqe e keqe ndyn gjithë librin.

  67. Të qeshësh kundrejt një personi të dëshpëruar, është si t’i heqësh dikujt petkat në kohë të ftohtë dhe ta lësh lakuriq.

  68. Do që të mos ndihet fjala që do të thuash? Mos e thuaj. Do që të mos shihet puna që do të bësh? Mos e bër.

  69. Dijetari i përdhosur është një gjarpër me kokë të stolisur me diamantë.

  70. Po nuk foli i marri, nuk dallohet nga i urti.

  71. Ngandonjëherë, heshtja është më elokuente se çdo fjalë.

  72. Një gjë e vogël e fituar me të drejtë, është më e mirë se gjëja e shumtë e fituar padrejtësisht.

  73. Fundi i të qeshurit është mërzitja, fryti i të qarit është ngushëllimi.

  74. Bukuria e njeriut përbëhet nga bukuria e fjalës që flet.

  75. I vobegti energjik i ngjan fitilit pa vaj.

  76. Përsatite dyshekun para se të biesh të flesh.

  77. Peri i ngatërruar nuk zgjidhet me nguti.

  78. Kush e ka barrën të rëndë, e ka hapin të shkurtër.

  79. Sa më shumë rëndohet barra, aq më shumë i del kurrizi atij që është përposht.

  80. Filozofi kinez Shu King thotë: “Kush është në punë të shtetit, të përpiqet të bëjë vepra që do të mbesin për shumë kohë pas vdekjes së tij.”

  81. Njerëzit e mirë janë të gjykuar të bëhen skllevër të të këqinjve.

  82. Lumturia nuk zgjat për shumë kohë, i pafati është një foshnje në bark të s’ëmës që ende s’ka arritur në botën e lumturisë; ndërsa ai që është i lumtur, është një plak duke dhënë shpirt.

  83. Qeveria (e mirë) lind nga rregulli dhe kujdesi.

  84. Njeriu duhet të përpiqet të mësojë çdo gjë, jo të tregojë veten e tij.

  85. Ato çka di njeriu, në krahasim me çka nuk di, janë kurgjë.

  86. S’mund të njihet për dijetar askush, pos atij që mposht epshin e vet.

  87. Dijetar (filozof) është ai që i përshtatet puna fjalës së tij e fjala opinionit të tij.

  88. Pasaniku koprac i ngjan miut që rri në një tas të artë.

  89. Skamja dhe përvuajtja kërkon nikoqirllëk, përvuajtja dhe nikoqirllëku mirësjelljen, mirëpo pasuria sjell kryelartësinë e dorëlirësinë, e kryelartësia e dorëlirësia shthurjen dhe keqsjelljen.

  90. Njeriu që s’mund të mbrojë mendimin e vet, i ngjan një qyteti të pambrojtur.

  91. Dijetari nnk thotë ç’ka di (kur nuk është rasa për t’i thënë), i marri nuk di çka thot.

  92. Është faj të meritosh qortimin, mosdurimi (me rasën) i qortimit është faj edhe më i madh.

  93. Zgjuarësia është një dritë hyjnore, ndriçimi i së cilës ndrit jo vetëm sipërfaqen e sendeve, por edhe brendinë e tyre.

  94. Më i forti i njerëzve është ai që është i zoti të përmbajë vetveten.

  95. Lumturia (te njerëzit e ulët) shkakton kryelartësinë dhe mospërfilljen (ndaj të tjerëve).

  96. Shpata e grave është gjuha e tyre, prandaj nuk e lënë të ndryshket.

  97. Meqenëse gratë plotësojnë zbrazëtinë e kuvendimit dhe të mbledhjeve, i ngjajnë kashtës që vihet ndërmjet filxhanave e pjatave. Sadoqë kjo kashtë duket e panevojshme, filxhanat dhe pjatat e ndodhura në një arkë pa të do të thyheshin dhe nuk do të tepëronte asnjë.

  98. Mali lind vullkanin, vullkani çan malin, druri ushqen krimbin, krimbi than drurin; njeriu krijon idetë, idetë e fusin njeriun në një mijë fatkeqësira e më në fund e dërgojnë në shtratin e veremit (ashtu siç ngjante nën regjimin e sulltanit turk).

  99. Derisa ata që vdesin nga helmi janë fare të paktë, çdo njeri trembet nga helmi, ndërsa shthurja grin çdo ditë mijëra njerëz, gjithkush jipet pas saj.

  100. Gjithkush mendon për veten e tij, vetëm shpirtmiri mendon për të tjerët.

  101. Kombi është themeli i godinës së shtetit, sa më i fortë të jetë themeli, aq më shumë qëndron godina.

  102. Të iillosh një punë cthe të mos e vazhdosh deri në fund, është si të fillosh të mihësb një pus dhe pas 2 — 3 pashësh ta lësh punën. Sikur të mihë njeriu në 100 vende nga 2 — 3 pashë, nuk nxjerr dot një pikë ujë, por po të mihë në një vend 5 — 10 pashë, me siguri del ujë.

  103. Po të fillosh një punë dhe të mos i dalësh në krye, mos u dëshpro; po nuk ia dole të parën, ia del me të dytën dhe fundja me të tretën.

  104. Mos u tremb nga shuplaka e mikut, duhet të kesh frikë nga lëvdata e armikut.

  105. Në çdo mandim mund të ketë shkarje e në çdo veprim gabim: mendimet korrigjohen me kohë, veprimet me përvojë.

  106. Shumë rrallë i takon fatkeqësi atij që kur del në mengjes nga shtëpia i shkon mendja se mund të kthehet me qivur në mbrëmje.

  107. Gjithë ç’është në botë, me shpirt dhe pa shpirt, është armik i njeriut; njeriu i urtë qëndron gjithmonë me kujdes dhe nuk ka besim në asnjeri, në asgjë. (Me këtë Samiu tregon se në ç’rreth ka jetuar i gjori).

  108. Ç’mund të bëjë një kalë i fortë rae një karrocë të shkatëruar?

  109. Më kryesoret janë katër gjëra që e bëjnë njeriun njeri: dituria, durimi, kanaati (mjaftimi me atë që ka) dhe drejtësia.

  110. Ujtë në vetvete është i pastër, duke u trazuar me disa materie dhe sende të tjera, bëhet i idhët dhe i ndyrë; njeriu është krijuar i mirë, bëhet i keq nga ndikimi i epsheve dhe i veseve të këqia.

  111. Njeriu don të jetojë shumë, por nuk don të mplaket.

  112. KUr çdo njeri t’i shikojë të gjithë njerëzit për shokë, gjënë e tjetrit si gur dhe tokë (dmth të pavlefslune), gratë — përveç të tijnë — si nëna dhe motra, atëhere është e mundshme të ketë lumtëri dhe prehje në botë.

  113. Po deshe të kesh të lirë zemrën tënde, mos i plotëso dëshirat (e këqia).

  114. Punën e nesërme mbaroje sot dhe pushimin që do të bësh pasnesër bëje sot.

  115. Mos jep shkas të flasë kush keq për ty; por mos u mundo t’i mbyllësh gojën keqdashësve, sepse qeni, ashtu sikundër i leh natën ikusarit që i kalon afër, ashtu i leh edhe njeriut të ndershëm.

  116. Po të flitet keq për ndokënd, gjithësecili beson në çast; po të flitet mirë për të — asnjeri nuk beson. Përçarja është bërë aq e pëlqyer në botë sa që lëvdatës nuk i ka mbetur fare vlerë.

  117. Cmiraku e grindaveci edhe sikur të zotërojnë tërë botën, s’mund të kënaqen, sepse për t’u bërë ata të lumtur, duhet të shkatërrohet gjithë bota.

  118. Martesa është një urë në mes të shthurjes dhe lumtërisë.

  119. Ekzistenca dhe lumturia e shoqërisë njerëzore varet nga gruaja. Midani thotë: “Aty ku mungon gruaja, asaj duhet bërë një shtatore prej druri.”

  120. Nga një birucë e vogël, mund të hyjë një e keqe e madhe.

  121. Hiq dorë nga ligësia edhe ajo heq dorë nga ti.

  122. Kush çmon (lavdon) një ligësi, është më i lig se ai që e bën.

  123. Zbavitja më e bukur për njerinë është leximi, shoku më i mirë libri.

  124. Kush kuvendon me botën, kuvendon me persona të zakonshëm; kush lexon libra, kuvendon me filozofë, letrarë dhe me njerëz të famshërn.

  125. Kush nuk është i gjykuar, është gjykues; kush nuk është i urdhëruar, është urdhërues.

  126. Njeriu kërkon të njihet me të pasurit dhe mënjanohet të njihet me të varfërit; mirëpo, pasuria dhe vobegësia nuk janë gjëra që ngjiten me të njohur.

  127. Ngutja në marrjen e vendimeve në çështje të vështira dhe të dyshimta, është e dëmshme.

  128. Ujët që pihet me ngadalë, largon etjen më shumë.

  129. Kush nuk e kupton të vërtetën e fjalës së tjetrit, nuk di edhe atë që thotë vetë.

  130. Gjithësecili mban në gojë punën 6 të pasurve; vetëm njeriu zemërrnirë mendon gjithmonë gjendjen e të varfërve.

  131. Pleqtë të mos kalojnë pranë varreve të të rinjve, mizorët pranë atyre të të mirëve dhe trathtarët pranë varrit të dëshmorëve, sepse dheu i tyre nuk duron të qenmen e tyre mbl faqen e tokës.

  132. Kush mëshiron gjarpërin, torturon njerëzinë.

  133. Njëri nga filozofët kinezë thotë: “Ai që është në punë të shtetit, mirësitë duhet t’i bëjë duke u gëzuar dhe ndëshkimet duke u hidhëruar.”

  134. Mos u trazo nga një gjë që nuk di se është e drejtë apo jo.

  135. Personi që do ti, s’ka asnjë të metë, fillo të mos e duash, pa shih sa të meta ka.

  136. Lëvdata e bën njeriun të kthehet nga rruga që ka zënë, kurse kritika e bën ta kontrollojë rrugën e vet dhe ta vazhdojë.

  137. Nuk i besohet premtimit të atij që premton shumë.

  138. Mos i beso atij që është edhe pro edhe kundër një gjëje apo një personi.

  139. Gruaja që trathton të shoqin, a është e mundshme t’i qëndrojë besnike mikut të saj?

  140. Në ç’punë hy një mulli, që i dëgjohet zhurma e mielli nuk i duket?

  141. Mos i afro zjarrit gjalpin që s’don ta shkrish.

  142. Në qoftë se pret të vijë koha për t’i bërë mirë njerëzisë, asnjëherë s’ke për t’i bërë mirë.

  143. Njeriut të gëzuar gjëmbi i duket trëndafil, për njeriun e pezmatuar s’ka ndryshim trëndafili nga gjëmbi; në çdo gjë ai sheh një pezmatim, një dëshprim, s’kënaqet me asgjë.

  144. Buka thatë, që hahet me dashuri dhe bashkim, është më e këndshme se gostitë me mëri e kundërshtim.

  145. Të tiganisurit me vaj të vet është më i pëlqyer se pasuria e madhe e trazuar me halle.

  146. Lëmoje dhinë, pastaj mile.

  147. Lajkat janë lak për gjuajtjen e njeriut.

  148. Kush nuk shikon nëpër birat e shoshës, është i verbër.

  149. Hileja s’mund ta mundë kurrë të vërtetën. Rruga e ngushtë sillet e sillet e prapëseprapë në rrugë të madhe del.

  150. Babai që neglizhon edukimin e së bijës, përgatit turpin e vet dhe shkatërimin e dhëndrit të tij.

  151. Ajo që qeveris botën nuk është as forca, as ligji, por është mirësjellja dhe edukata.

  152. Një komb endacak me moral të shëndoshë është një mijë herë më i pëlqyer se një komb i qytetëruar me moral të prishur.

  153. S’ka lumturi më të madhe në botë se dashuria dhe harmonia.

  154. S’ka gjë më të ëmbël në botë se lotët që derdhen nga ndikimi kur shohim dhëmshurinë, bujarinë, filantropinë e një njeriu, shkurt kur shohim një vepër të tij burrërore, apo një shërbim të tij ndaj njerëzisë.

  155. Dijetari (filozofi) nuk ndjek çdo zakon të vendit të tij, por përpiqet për zhdukjen e zakoneve të liga të bashkëkombësve të tij.

  156. Bota është një shesh i ekspozuar shiut dhe erës; ai që në këtë shesh e ruan dritën e përpjekjes e të kuptimit dhe nuk e shuan, është filozof i vërtetë.

  157. Mentari dhe ai që qëndron me këmbëngulje në punën. e tij, sado fatkeqësi që t’i ngjajnë, prapëseprapë nuk e humbet toruan. Zjarrit nuk i parritet flaka pse trazohet.

  158. Frika e varfërisë e e përbuzjes dhe lakmia për pasuri e famë, e verbojnë njeriun dhe e pengojnë të shikojë të vërtetën.

  159. I urituri nuk i kupton të metat e gjellës. Grindaveci dhe njeriu interesaxhi nuk dallon dot të vërtetën nga e shtrembëta.

  160. Trathtari ikën si dhelpra, pa qenë i ndjekur nga askush; i drejti, edhe sikur ta rrethojë gjithë bota, qëndron me kurajo të plotë si luan dhe nuk tundet nga vendi.

  161. Fija e flokut të një gruaje ka më shumë fuqi se gjashtë kuaj.

  162. Thjeshtësia e një gruaje është më e vlefshme se stolitë (diamantet) e të gjitha grave të botës.

  163. Një shtëpi po ta ketë themelin e dobët, prapëseprapë qëndron për ca kohë, por po nuk pati dashuri ndërmjet njerëzve, që janë në të, shembet.

  164. Njeriu njeh për të mendshëm vetëm ata që janë dakord me mendimin e tij.

  165. S’ka pakicë dhe shumicë për mirësinë dhe ligësinë; ngjan që një mirësi e vogël pëlqehet shumë dhe një ligësi (keqbërje) e vogël shkakton një dëm të madh.

  166. Lumturia e pleqve është të shohin fëmijët e fëmijëve të tyre që kanë sjellë në botë.

  167. S’ka njeri të pafajshëm në botë; mentari nuk i thotë djalit mos gabo, por e këshillon të gabojë sa më pak.

  168. Kush mbetet pas, me zor përparon, kush shkon përpara, përparon vazhdimisht.

  169. Kush i shtrohet gjithkujt është kokëdele.

  170. Trim është ai që përballon një forcë më të madhe se të tijnë, kurajoz është ai që i qëndron një fatkeqësie të padurueshme.

  171. Është punë fëmijësh të shajsh të shurdhin dhe t’i vesh qorrit gurë para këmbëve.

  172. Më i poshtri njeri është ai që kërkon mirësi nga një i poshtër.

  173. Fitili digjet në vaj, por po t’i mbetet koka e lirë dhe të bjerë në vaj, shuhet menjëherë.

  174. I mendshmi di ç’ka bën vetë, nuk trazohet në atë që s’di. Të marrët për çdo gjë i shtrohen botës. Qeni i bariut nuk leh kot; qent e rrugës lehin, pse kanë dëgjuar të tjerët të lehin.

  175. Ai që nuk cakton një drejtim për veten e tij, por ndjek rrugën e të tjerëve, i ngjan qorrit që ecën duke rrokur nga pëqiri shokun që shkon para tij.

  176. Në botë nuk gjënden dy mendime të ngjashme nga çdo pikëpamje; ai që pranon çdo mendim të filozofëve më të mëdhenj pa kundërshtuar asnjërin, është pa mend.

  177. Një punë e bukur është më e dobishme se një mijë f jalë të bukura.

  178. Jeta, rehatia dhe mirëqenia blihet me punë; kush punon shumë asnjëherë nuk vuan dhe nuk bie në ngushticë.

  179. Fëmija sikundër që mëson të flasë gjuhën e s’ëmës, t’atit dhe të gjindve të tjerë të shtëpisë, pajiset edhe me moralin e tyre.

  180. Nuk është mësuesi ai që edukon njeriun, por nëna, ciadua dhe edukatori i tij. Gruaja që është vetë e edukuar, ose që edukon vetë fëmijën e saj, ose ia dorëzon një personi të edukuar. Fëmija e gruas së paedukuar vjen në botë për t’u bërë fatkeq.

  181. Këshillimi është pergjeli (kompasi) i zgjidhjes së punëve të vështira.

  182. Kënaqësia e zbavitjeve dhe e lojërave është në shoqëri, kënaqësia e leximit në vetmi.

  183. Njeriu nuk mund të zbavitet po nuk bëri batall synimet e mendimit të tij dhe ndjenjat e zemrës së tij.

  184. Zbavitja e mendjes është studimi, ztaavitja e zemrës melankolia.

  185. Kush i tregon botës rrugët në një qytet, humbet në rrugicat e një qyteti tjetër.

  186. Në është se ka një gjë që e kënaq njeriun në bota, është gëzimi i nderit dhe i simpatisë nga të gjithë.

  187. Zemra është një fëmijë (është si fëmijë), kujton se bëhet gjithçka që dëshiron.

  188. Njeriu e shikon të shkuarën me ngashërim, të ardhmen me shpresë; asnjëherë nuk është i kënaqur nga e tashmja.

  189. Lumturia e ngjan hënës që duket në majën e një mali; njeriu thotë: po të dal në majën e këtij mali do ta kap hënën; mirëpo kalon sa fusha e sa male — përsëri hënën e shikon të qëndrojë në majë të malit tjetër që ka përpara.

  190. Ndalesa e atij që udhëton me karrocën e shpresës është skamja.

  191. Njeriu është gjuetar i shpresës; duke u turrur pas saj, bie në gropë, ndërsa shpresa fluturon, ikën.

  192. Vetëm borxhi i marrë për ta taërë mjet pune, paguhet me lehtësi.

  193. Një proverb spanjoll: Mos kërko ndihmë nga asnjëri për një punë që mund ta kryesh vetë.

  194. Nuk i takon gjë dhëmbit të skiles që qëndron e mbyllur në strofkun e vet.

  195. Mahnitja, të shumtën e herës, lind nga injoranca.

  196. Njeriu që nuk i harxhon menjëherë të gjitha ato që di, syri i popullit në çdo kohë atë e shikon për dijetar.

  197. Njeriu po nuk u turpërua për fajin e tij të bërë me padashje, mund të bëjë faj edhe me dashje.

  198. Kush u hy shumë punëve, s’mund të kryejë asnjerën si duhet.

  199. Nderimi i tepëruar është njëfarë përbuzje (ose lajkë).

  200. Buka e elbit e shtëpisë është më e mirë se buka hase (e grurit të thjeshtë) e pazarit.

  201. Njerëzit ndryshojnë nga njëri-tjetri nga koka, jo nga këmbët.

  202. Njeriu mbasi të ketë fituar famë e madhështi, po të jetojë më gjatë, bjerr famën dhe madhështinë e fituar.

  203. Njeriu nuk dëshprohet për fatkeqësinë dhe mizerjen që ka pësuar, por hidhërohet duke e kujtuar lumturinë e tij të humbur.

  204. Me zhurmë nuk kryhet asnjë punë. Njeriu i punës është tepër i heshtur.

  205. Lumturia e bën njerinë të fitojë shumë miq; fatkeqësia i kalon nga guri i provës (që përdor argjendari), duke lënë një pakicë dhe e shpërndan shumicën e tyre.

  206. Miqësia është si drita e shkrepëtimës; sa më i errët të jetë vendi, aq më shumë ndriçon.

  207. Një dijetar anglez thotë: “Më e madhja lumturi e miqve të mi nuk më duket e shumtë, dëmi i tyre më i vogël më duket i madh.”

  208. Durimi dhe meditimi nuk bashkohesn me pendimin.

  209. Në lumenj të mëdhenj ka peshq të mëdhenj, por është rrezik të mbytesh; është më mirë të kënaqesh me peshq të vegjël të lumenjve të vegjël.

Të mira të shumta ka në det,
Në do shpëtim, rri në çip i getë.
(Sheh Sadi)

  1. Në është se ekziston gabim i pëlqyer, është ai që ne, të shtyrë nga simpatia për një shok, kujtojmë se ai është njeri i përsosur.
  2. Kopracia e një pasaniku i bën fëmijët e tij në vogëli të bëjnë çdo të ligë e pas vdekjes së tij të bëjnë rrush e kumbulla pasurinë e trashëguar dhe të kalojnë jetën e tyre në pendim e në vuajtje.
  3. S’ka faj më të madh se shpërdorimi i besimit.
  4. Zemërimi është një ves aq i lig sa që nuk mund të krahasohet me veset e tjera të këqia.
  5. Gjykatësi i gjykon më me lehtësi armiqtë e tij.
  6. Po të dyshosh për besnikërinë e një shoku, dyshimi yt mund të bëhet shkak që edhe ai të dyshojë për ty.
  7. Kush don të jetë i lumtur, të përpiqet të përmirësojë sjelljet e tij.
  8. Shija e çdo gjëje varet nga koha dhe rrethana: nuk lypset gjella me yndyrë për të sëmurët dhe muzika për ata që janë të hidhëruar.
  9. Tre vetë që ndihmojnë njëri-tjetrin çojnë një peshë, të cilën s’mund ta ngrenë gjashtë vetë, të cilët kërkojnë t’ia lënë barrën njëri-tjetrit.
  10. Zemra është një astrolog që s’gabon asnjëherë me zbulimet që bën.
  11. Arra me lëvozhgë të hollë ka thelb të madh.
  12. Kush don t’i nxjerrë një sy tjetrit, do të mbetet vetë pa të dy.
  13. Gruaja që shëtit derë më derë flet shumë, edhe për atë flasin shumë.
  14. Rruga e jetës është drejtësia, mos u ndaj nga rruga për të hyrë nëpër rrugica.
  15. Mos u grind (me fjalë) me atë që është përkrahës (i fortë) i një mendimi të tij.
  16. Njeriu mentar nuk flet për veten e tij dhe për punë që i përkasin atij vetë.
  17. Mos i trego përralla atij që beson shumë, sepse i merr për të vërteta.
  18. Kush ve interesat e përgjithshme mbi të tijat, është njeri me të vërtetë.
  19. Detyra sa do e vogël që të jetë prapë e rëndë është.
  20. Mos e shiko si të lehtë një detyrë që nuk e ke provuar dhe mbaruar në jetën tënde.
  21. Mos e qesh hamallin e bërë dyfish duke pasur një gjë të vogël në shpinë, sepse ajo gjë që sheh ti të vogël është plumb 80-okësh.
  22. Kush lexon shumë, medoemos bëhet dijetar; kush punon shumë, medoemos bëhet i pasur; kush kujdeset për higjienën, medoemos bëhet i fuqishëm; kush ka sjellje të mira, medoemos bëhet i lumtur. Ai që i plotëson të gjitha këto kondita, le të thotë se ka bërë me të vërtetë jetë në botë.
  23. Jeta e njeriut është një pe i dredhur nga lumturia dhe fatkeqësia. Po të ishte dredhur vetëm nga fatkeqësia, do të ishte këputur shpejt, po të ishte përbërë vetëm nga lumturia, do të ishte tepër i ashpër dhe nuk do të hynte në punë.
  24. Dajaku e bën të paedukuar njeriun e edukuar; të paedukuarit ia shton edhe më shumë atë.
  25. Fabkeqësitë kur vijnë — duket se tremben nga njerëzit që janë armiqtë e tyre — vijnë të gjitha bashkë.
  26. Koka s’mund të shkojë askund vetë, atë e dërgojnë këmbët, por këmbët s’tunden vendit fare pa kokën.
  27. Nuk është burrëri t’i heqësh një qime luanit të lidhur për qafe me zinxhir.
  28. Mos e nis një punë, në të cilën ti sheh për veten tënde 9 dobi dhe një dëm për publikun, sepse do t’i humbasësh të 9 dobitë, ndërsa konsekuencën e dëmit të përgjithshëm do ta heqësh për se gjalli dhe pas vdekjes sate.
  29. Një proverta spanjoll thotë: “Njerka edhe sikur të jetë prej sheqeri, prapë e hidhët është.”
  30. Vjehra nuk e kujton asnjëherë kohën e nusërisë.
  31. Është e lumtur ajo grua që s’ka vjehër dhe kunatë.
  32. E shumta e godinave që të du’ken të bukura, e kanë themelin të dobët.
  33. Lumturia dhe fatkeqësia kanë mbarim; kur zgjat njëra shumë, do të thotë se i është afruar koha tjetrës.
  34. Mbas agjërimit bie bajrami.
  35. Nuk mungojnë pulat po nuk mungoi gruri në kotec.
  36. Një i vobegët që vdes nga skamja është viktimë e atyre që, duke pasur mundësi, kanë munguar ta ndihmojnë.
  37. Bota është një kurthë, gjahu është shpresa.
  38. Nuk hidhërohemi për një të ligë që e ka shërimin; ç’vlen hidhërimi për të ligën që s’ka shërim?
  39. Mos e piq mishin që s’ke për ta ngrënë.
  40. Mos u bë mjaltë se të hanë mizat.
  41. Është sherr ta vonosh bamirësinë.
  42. Gabimi i atij që punon me dëshirë dhe endje, është më i mirë se të qëlluarit e atij që punon pa dashur.
  43. S’ka asnjë plak që nuk mund të jetojë edhe një vit (më shumë), s’ka asnjë të ri që nuk mund të vdesë sot.
  44. Gjendja e dehur (të pirët) nuk e ndryshon njeriun, vetëm e bën të duket ashtu siç është në të vërtetë, pasuria nuk ia ndryshon moralin njeriut, ia nxjerr në shesh atë.
  45. Pjala e keqdashësit është si qymyri, edhe kur nuk e djeg sendin që e prek, e nxin atë.
  46. Shtëpia që nuk i duket tymi, s’ka kuzhinë.
  47. Koha mund të bëjë të harrohen fatkeqësitë më të mëdha.
  48. Vlera e zjarrit kuptohet në ditët e dirnërit, e ajo e dëborës në ditët e verës.
  49. Trimëria në kuvendim dhe eleganca në fushë të betejës s’bëjnë para.
  50. Qesja nuk zbrazet duke dhënë lëmoshë.
  51. Po s’tërhoqe dot lopatën, mos i hip sandaliit.
  52. Grada e qytetërisë dhe e moralit të një populli kuptohet nga këngët dhe lojërat e tij.
  53. E vërteta është një lloj ujë i nxehtë që del nga toka, i cili shkrin dëborërat dhe akujt që ka përqark, i bën për vete dhe shtohet duke shkuar dhe sado që mund të ngrijë duke u ftohur ajri, pa kaluar shumë kohë prapë bëhet siç ka qenë (ujë i rrjedhshëm).
  54. Në është se ke mundësi të kesh gjashtë shërbyes, mba tre dhe të tjerët lëri për atë botë, d.m.th. rrogën dhe ushqimin që do t’u japësh këtyre të treve, jepua të vobegtëve.
  55. Nuk shkohet në Bagdad me gomar topall dhe me qese bosh.
  56. Mirësia që bën njeriu, mirësi është, por nuk e zhduk ligësinë që ka bërë.
  57. Lëvdata rrëshqet si ujët sipër njeriut, ikën, por përbuzja, si vaji — lë një njollë që është vështirë të pastrohet.
  58. Delen që ndahet nga tufa e ha ujku.
  59. Kush lë xhadenë, humb rrugën.
  60. Kush mbështetet në një dru të madh, është gjithmonë nën hije.
  61. Dëborën në daç zieje, në daç thaje në diell, s’mund të kesh veçse ujë.
  62. Të thuash po është më mirë se të thuash jo, por po-ja e cave është më e keqe se jo- ja e ca të tjerëve.
  63. E keqja në botë të shumtën e herës vjen nga ata që janë shumë të uritur ose shumë të ngopur.
  64. Gjithësecili dëshiron t’i shohë njerëzit e mëdhenj, por më mirë është të shohësh veprat e tyre, d.m.th. të shohësh ata vetë, sepse idetë e tyre s’kuptohen nga fytyrat e tyre, por dallohen nga veprat e tyre.
  65. Shtytësi i së ligës s’ka ndryshim nga ai që e kryen.
  66. S’ka dobi nga tufa e bariut, që kënaqet nga zëri i bilbilit më shumë se nga blegërima e qengjit.
  67. Qeni i tërbuar më së pari kafshon të zotin.
  68. Nuk bie miza në gjalpin që është duke valuar.
  69. E ha ujku atë gomar që e zotërojnë disa vetë.
  70. Kush nuk merret vesh me vëllanë, s’merret vesh fare me bashkëqytetarët e tij.
  71. Njeriu të mos ketë frikë nga ligji, të ketë turp nga bota, të ketë frikë nga ndërgjegjeja e tij.
  72. Mos ia thuaj gruas fjalën që s’mund ta thuash në rrugë.
  73. Dashuria është kripa e jetës, jeta pa dashuri s’ka asnjë shije.
  74. Kur të lavdon dikush, mos e prano lëvdatën që të bëhet pa e peshuar në ndërgjegjen tënde nëse është e drejtë a jo.
  75. Mos e qorto atë që ka rënë në greminë pse nuk i dëgjoi këshillat tuaja, as mos e këshillo përsëri. Po e nxorre nga gremina që ka rënë, atëherë ai panon këshillat e tua.
  76. Mendojmë se njeriu vdes dhe shkon, mirëpo të vdekurit janë ata që edukojnë fëmijët tanë, që na mësojnë dituritë dhe shkencat, kur marrim në dorë një libër dhe e lexojmë në vetmi në një çip dhe, sipas rastit, ata na bëjnë të qeshim apo të qajmë.
  77. Mos prit pemë nga shelgu e hije nga hurma.
  78. Biseda lind nga mendimi; biseda pa nendim nuk eshtë bisedë, është grindje.
  79. Liria varet në kënaqësinë me atë që ke (kanaat); lakmia, pasuria dhe fama e robërojnë njerinë.
  80. I famshmi Newton, ca ditë para se të vdiste, tha: “Nuk di çdo të thotë publiku për mua. Por unë i përngjaj një fëmije që mbledh guaska në buzë të oqeanit. Me gjithë përpjekjet e mia të shumta, nga deti i së vërtetës munda të shtie në dorë vetëm 5— 10 guaska që kishin dalë në breg.”
  81. I famshmi filozof Taj Çung thotë: Deti i përmbyt anijet, por po të mos ishte deti, nuk do të ishte as emri i anijes…
  82. Solomoni thotë: “S’ka trathtar më të madh se ai që është afër një sovrani dhe fsheh të vërtetën.”
  83. Saadiu, filozof persian, thotë: “Po t’i marrë sovrani një kokërr vezë fshatarit, njerëzit e tij ia grabisin të gjitha pulat.”
  84. Sovrani, i cili e bën të dashur veten e tij ndaj popullit, nuk trembet edhe sikur gjithë bota të çohet kundër tij.
  85. Puna e njeriut të zakonshëm, ose fjala e thënë prej tij, harrohet dhe iken brenda një ore; ndërsa fjala dhe vepra e një njeriu të madh mbetet në histori dhe në gojë të popullit sa të jetë bota; prandaj njerëzit e mëdhenj duhet t’u shmangen argëtimeve e zbavitjeve dhe duhet të mendohen për çka do të thonë e do të bëjnë, sepse është shumë i madh ndryshimi ndërmjet së keqes dhe së mirës.
  86. I miri Solomon thotë: “Konsultimi rrit bashkimin dhe fuqinë; s’mund të ketë forcë ku s’ka konsultim.” (Me këtë Samiu kritikon Sulltanin pse shpërndan parlamentin dhe rrënjos diktaturën e tij personale në Turqi.)
  87. Një nga filozofët kinezë thotë: “Sovrani, i cili ia del të zgjedhë një këshilltar që thotë të vërtetën, që nuk i do lajkat dhe që është mentar dhe i zoti, ai meriton të sundojë.”
  88. Konfucio thotë:“Njeriu, i cili, duke u konsultuar, vërejtjet që i bëhen i pranon mbasi të jetë menduar, është i zoti për çdo gjë; ai, i cili i mbështe tet vetes së tij dhe nuk respekton konsultimin, nuk shpëton nga gabimet edhe sikur të jetë më i madhi filozof i botës.”
  89. Alfonsi X-të, mbret i Spanjës, thotë: “Në thesaret e grumbulluar nga ana e një mbreti është e pamundshme të mos hyjë padrejtësia; padrejtësia është si baruti, sigurisht një ditë merr zjarr dhe bashkë me thesaret zhduk dhe të zotin. Mbreti që përpiqet të mbushë thesaret e tij, nuk është mbret i kombit, por skllav i thesareve të tij.”
  90. Më i madhi filozof mund të gabojë; opinioni publik është i pagabueshëm. Bile nuk mohohet se në opinionin publik ka një fuqi shpirtërore edhe në parashikimin e ngjarjeve që do të ndodhin.
  91. S’ka lumturi më të madhe për njeriun se rifitimi i lirisë që ka bjerrë ai.
  92. I miri Solomon thotë: “Lajkatari është një gjuetar, laku i tij është lajka, në këtë lak nuk bie njeri, pos atyre që janë mendjezog.”
  93. Bashkimi (besëlidhja) i bën të mundshme gjërat e pamundshme, përçarja i bën të pamundshme të mundshmet.
  94. Mos prit ndihmë nga ai që nuk sheh nevojë për konsultim.
  95. Ai që pranon këshilla, është më i madh se ai që jep, sepse, sa lehtë është të japësh këshilla. aq rëndë është t’i pranosh.
  96. Shumica e ligësive që shihen në botë shkaktohet nga ari. Natyra duket se i ka ditur të ligat që do t’i sjellë njerëzisë ky mineral, prandaj e ka groposur aq thellë në tokë; por njerëzit, të cilët kanë në shpirt gjithmonë ligësinë, futen thellë si iriqi dhe dalin përsëri.
  97. Mos baktis punën për të mësuar lajme të reja; sa të kalojë pak kohë ai lajm i ri do të vjetrohet, i bie vlefta e atëhere do të mund ta dëgjosh edhe aty ku je.
  98. Exheli (vdekja) i qenit që gjuan ujkun, është te dhëmbi i tij.
  99. Kush ngjitet lart, sigurisht do të zbresë poshtë.
  100. Gjysma e punës është e mbaruar kur ajo fillohet me dëshirë.
  101. Nuk është mik yti ai që bën faje kundër teje.
  102. Kush nuk dëshiron të humbasë për jetë privilegjet e tij, duhet të lëshojë ca prej tyre me dëshirën e tij, sepse druri rritet më shumë kur krasitet.
  103. Ata që bëhen vegël e mizorive të një mizori, janë më të ligj se ai vetë.
  104. Për të mbaruar një punë, më parë duhet menduar, së dyti konsultuar, pastaj duhet filluar.
  105. Ujët që rri — qelbet; duhet të lëvizë për t’u pastruar.
  106. Çdo njeri nuk trajtohet një lloj, stofi pastrohet me brushë e kadifeja me dorë.
  107. Nuk i duhet gjë qeni atij që nuk është në gjendje të ushqejë fëmijën e vet.
  108. Dëshira mund të kënaqet vetëm me anë të shpresës.
  109. Kur flet — mos lëviz me dorë, sepse kur ti punon gjuha s’ta ndihmon dorën.
  110. Duhet kujdesur të mos thyhet shtama, sepse është e pamundshme të mblidhet krejt ujët e derdhur.
  111. Dyshimi është gur argjendari i së vërtetës, kush dyshon në marrëdhëniet e përditshme, s’gabon asnjëherë, kush dyshon në veprimet e veta, bëhet filozof.
  112. Turma u lakmon mrekullive, më shumë u taeson gënjeshtrave se së vërtetës. Një gënjeshtër, që njëri e ka bërë për ta besuar një popull brenda një dite, diturisë dhe shkencës i duhen shekuj për ta shkulur nga mendja e njerëzve. Me gjithëkëtë, mbresa mbetet se mbetet.
  113. Një kokërr gruri nuk e mbush dot hambarin, por ndihmon kokrrat e tjera që e kanë mbushur.
  114. Gjuetari dhe peshkatari kurrë s’bëhen pasanikë.
  115. Një filozof ka thënë: “Lajkatari (servili) shkon në skëterrë duke kaluar nga parajsa.”
  116. Armiqësia më e rëndë është ajo që ngjan ndërmjet atyre që jetojnë në të njëjtën shtëpi.
  117. Po të jetë e mundshme të zbriten nga jeta jonë ditët që kemi kaluar me hidhërim dhe vuajtje, mund të themi se kemi jetuar në botë; por, atëherë jeta bëhet tepër e shkurtër.
  118. S’ka më bukëshkelë se nakari, sepse duke lindur nga mirësia e tjetrit, i do të keqen.
  119. Dhelpra tretet duke menduar pulën që nuk e shtie dot në dorë.
  120. Arma më e mirë për ta mposhtur armikun është zemra.
  121. Në gurin e varrit të një ngadhnjyesi tëmadh ishte shkruar: “Këtu është vendi ku ka arritur ky njeri që ka rënë këtu pasi ka pushtuar botën. O ti njeri, që dëshiron të ngadhnjesh tërë botën, mos harro se rruga e gjatë dhe me mundime, këtu ka për të sjellë.”
  122. Në gurin e varrit të një tjetri kishte një shkrim të çuditshëm si ky: “Ai që ka rënë këtu, ka vdekur duke mos dashur.”
  123. Tjetër: “Ai që ka rënë këtu, edhe kur ka qenë gjallë, s’ka bërë gjësend.”
  124. Në portën e faltores së Delfit, një nga faltoret e vjetra të Greqisë së vjetër, kanë qenë shkruar këto tri këshilla të filozofit Gilon: “Njih veten tënde; mos lakmo shumë; ruaju nga borxhi dhe nga të ngrënit me f jalë.”
  125. Ai që i përgjigjet me ligësi mirësisë sate, bëhet mjet për të bërë të njohur mirësinë tënde dhe ligësinë e vet.
  126. Po të njohësh një faj të ndonjërit, mund ta mbulosh me një nga virtytet e tij.
  127. Po t’u thye çekani kur je duke mbërthyer një gozhdë në murë, bjer me kokën tënde.
  128. Forca e mendimit hy në punë më shumë se tehu i shpatës; prandaj ruaje atë dhe mbaje gati për ta përdorur në kohën e duhur.
  129. Trupi, sado i fortë, i bukur dhe i shëndoshë të jetë, prapëseprapë një ditë tokë do të bëhet. Mendimi, po të jetë i dobët, nuk i duket ndikimi edhe kur njeriu është i gjallë, po të jetë i fortë — mendimi mbetet gjallë edhe pas vdekjes së tij.
  130. Ca njerëz i ngjajnë një godine të madhe ende të paplotësuar dhe të parregulluar, e cila nga jashtë duket si një saraj i madh, ndërsa përbrenda nuk është tjetër veç mure të thata dhe pluhur e dhë.
  131. Ajo që forcon mendimin është gjykimi. Mendimi i pranuar në çdo kohë pa u gjykuar nga asnjëri, kalbet shpejt.
  132. Filozofët thonë: “Njeriu s’mund të shohë të metat e të dashurve të tij; kur puna qëndron kështu, si kërkohet që njeriu t’i shohë «të metat e veta?”
  133. Njëri nga autorët anglezë thotë: “Anglezi dëgjon, frëngu flet. Ndër anglezët mund të gjesh asi që edhe dëgjojnë edhe flasin, por te frëngu s’mund të gjesh të tillë; në është se frëngu ta le ty radhën dy minuta për të folur, mos kujto se po të dëgjon, jo, ai është duke menduar se ç’ka do të thotë kur ti të kesh mbaruar së foluri.”
  134. Një mentar e kishin pyetur për tanë (taabanë) dhe sojin e tij. “Im atë janë krahët e mi, soji im — veprat e mia.”
  135. Ai që nuk është në gjendje të ecë në rrugë të sheshtë, mos e shtrëngo t’i ngjitet malit.
  136. Në çdo punë ka pak a shumë dobi, vetëm në të folur për së tepërmi s’ka asnjë dobi.
  137. Shërbëtoret kanë gjithmonë dëshirë të mbledhin lajme e zonjat e shtëpisë dëshirojnë t’d dëgjojnë. Qoftë larg! Sikur edhe i zoti i shtëpisë të përulet dhe të dëgjojë këto tregime, në shtëpi s’mbetet tjetër veç fjalëve.
  138. Po të bashkohen dy tufa (bagëtish) të vogla, bëhet një tufë e madhe.
  139. Një tigër të lidhur me zinxhirë mund ta përmbajë edhe një fëmijë, por, po u këput zinxhiri edhe njeriu më i fortë në botë nuk mund ta mbajë.
  140. Zemra e gëzuar njeriut ia bën të qeshur fytyrëin, zemra e dëshpëruar i ndrydh mendjen.
Pjesa e radhës
Proverba - Vëllimi 2