I
O shqype, o zogjt’ e maleve, kallzoni:
A shndrit rreze lirie n’ato maja;
mbi bjesh’ t’thepisuna e n’ograja,
ku del gurra e gjëmon përmallshëm kroni?
A keni ndie ndikund, kah fluturoni
ndër shkrepa, me ushtue kangën e saj?
A keni ndie nji kangë të patravajë?
O shqype, o zogjt’ e maleve, kallzoni!
“Lirim, lirim!” – bërtet gjithkah malsia.
A ka lirim ky dhé që na shkel kamba,
a veç t’mjerin e mblon ânë mb’ânë robnia?
Flutrò shqype, flutrò kah çelet lâma,
sielliu maleve përreth që ka Shqipnia,
e vështroje ku i del lirimit ama.
II
Nëpër Fusha ku rrjedh Misisipija
Ushtoj rrokull nji za si bubullima;
Krisi ndër male si gërset ushtima
kur qiell e tokë turbullon duhija.
Çon’ju shërbtorët e tokës, leni te shpija
Shjetnit e vangat; e për gjysë, o trima,
Leni parmendat; rrokni pushkët; vettima
Ju duk për së lergu, e qe po vjen lirija;
Washingtoni na thrret. E djelmve pika
Rrani tui hapun zjarm; hija e morrizit
Mujti kështjellat atnorë, mujti katedrën.
E fushë e mal ushtoi: vojt Amerika
Mbas asi zani qi e pat thirrë, e Inglizit
Ja boi luani i Amerikës kulshedrën.
III
U t’huej Inglizi: s’ka me dalë ushtori
Me i grahë bulkut si kaut me sjeçe të bregut;
S’ka m’u fikun ndër të mjelluna puntori
Kur merr era për mëner o vapa e zhegut.
U kputne hekrat, e lirim malcori,
Lirim deti kumbon e ja siellë bregut;
Lirim përgjegjin qysh kah Labradori
E Virgjin’ja e New Jorku syni i tregut.
Të lumtë, o Washington! u zhvillat qielli,
E njom toka për mall me brohorië
E mbi flamuj të zotnuem ndejt luani.
Pushoi te drita qi shpërdan si dielli
Lirimi, tuj britun në Filadelfie:
“Amerikën e zhgon Amerikani”.
IV
Ty të kjosha falë, o dritë, ama e mbrodhsimit,
Ti dave terrin e egërsis’, e tinë,
E lakmuemja e gjith dhenavet latine,
Amerikën e pshtove prej robnimit.
Porsi vegim u mbuze, e prei nalcimit
E puthe tokën me ato rreze, e shkrine
Akllin e vjetër qi kish mbet’, e fshine
Vaj e padije e anëmiq të lirimit.
E ndjeu toka njat shend e u gëzue si fëmija
Qi i qeshet lokes kur ja reshë krahnorit;
E shpirt e zemër nëpër buz’ i shpraze.
Me nji të njyeme ma të bukur, pa tallaze
Shndriti deti njat herë; prei katundorit
Ndër fush’ e male mungulloi Lirija.
V
Lirinë e keni ju; na hekra kemi.
Na terr e mjegull deri në ditt ma të vona;
Na pa emën kërkund, pa atdhe; na jemi
Shërbtorët e t’huajvet nëpër vende tona.
Porsi berre qi bleu mishtari vemi
Mbas shkopit, të kalamenduna, ku s’dona.
Ahte t’ankueshme nëpër buzë polemi,
Vaj e mjerime qet kjo tokë e jona.
E kot duhija e trimnis malcore
Ndër fusha të molisuna plandosi
Si kokërr rr’feje prej nji reje lëshue.
Çuditë prej peshes së nji pushtedës mizore,
Kot Dukagjini e Skandërbeg fatosi
Shpupurishin ndër vorre eshtna të harrue.”
VI
Por nuk u shuejt edhe, jo, shqiptaria:
Lodhun prej hekrash që mizori e njiti,
lodhun prej terri ku robnimi e qiti,
shpreson me e zgjue fluturim mënia.
E kqyre: Ndër male po përhapet shkëndija
e lirimit t’Atdheut; fshehtas shëtiti
kasoll’ për kasoll’ rreth buneve e soditi
frymë të re tue zbrazun për gjithkah, hija
E Skanderbegut. Që ndër djepa rritin
nanat e Hotit djelmënin’ ushtore
e idhnim n’armikun nëpër gji iu qitin.
E nalt, ndër maja, bukuri mbretnore.
Hapi flatrat e mnershme qi përshndrisin,
Me thoj t’harkuem Shqypeja arbnore.
Ndre Mjeda