Bagëti e Bujqësija

O malet e Shqipërisë! e ju o lisat e gjatë,
Fushat e gjera me lule, q’u kam nër mënt dit’ e natë,
Ju bregore bukuroshe e ju lumënjt’ e kulluar,
Çuka, kodra, brinja, gërxhe dhe pyje të gjelbëruar!
Po të 'këndonj bagëtinë, që mbani ju e ushqeni,
O t’vënldethit e bekuar, ju mëndjenë ma dëfreni!

Ti, Shqipëri, më ep nderë, me ep emërin Shqipëtar,
Zëmërënë ti ma gatove plot dëshirë dhe me zjarr.

Shqipëri! o mëma ime! ndonëse jam i mërguar,
Dashurinë t’ënde kurrë, zemëra s’e ka harruar.
Kur dëgjon zëthin e s’ ëmës, qysh e le qengji kopenë,
Blegërin dy a tri herë edhe ikën e merr dhenë;
Edhe në i prefshin udhën njëzet a tridhjetë vetë
E ta trëmbin, ajy s’ kthehet, po shkon në mest si shigjetë.
Ashtu dhe zemëra ime më le këtu, tek jam, mua,
Vjen me vrap, e me dëshirë aty në viset e tua.

Tek buron ujët e ftohtë, edhe fryn veriu në verë,
Tek mbin lulja me gas shumë dhe me bukuri e m’erë,
Ku i fryn bariu xhurasë, tek kullosin bagëtija,
Ku mërzen cjapi me zile, atje i kam mënt’ e mija;

Atje lint diell’ i qeshur edhe hëna e gëzuar,
Fat’ i bardh’ e mirësija n’atë vënt janë mbluar:
Nat’ atje 'shtë tjatrë natë. edhe dita tjatrë ditë.
Në pyjet e gjelbëruar, atje rrinë Perënditë.

Mëndje! merr fushat e malet, jashtë, jashtë nga qyteti,
Nga brenga, nga thashethemet, nga rrëmuja, nga rrëmeti.

Tek këndon thëllëza me gas edhe zogu me dëshirë,
E qyqeja duke qeshur, bilbili me ëmblësirë,
Tek hapetë trëndafili, atje ma ka ënda të jem,
Bashkë me shpest edhe unë t’ja thërres këngës e t’ja them.

Të shoh kecërit e shqerrat, deshtë, cjeptë, dhëntë, dhitë,
Qiellin e zbukuruar, dhenë me lul’ e me dritë

– Vashë bukurosh’ e bariut, që vjen me llërë përveshur,
Me zëmërë të dëfryer e me buzëzë të qeshur,
Me dy shqerrazë ndër duar te bukura, si dhe vetë,
Në sythit t’ënt e shoh gazë, që s’e kam gjetur ndë jetë.
Dashi sysk’ e me këmborë, q’ e ke manar, po të vjen pas
Dhe qeni me bes’ i larmë, të ndjek me dëshir’ e me gas;
Dashç Perëndinë, pa me thua, a mos na pe bagëtinë?

– I lash’ atje pas më të gdhirë… ja atje përtej tek vinë!

O! sa bukuri ka tufa sa gas bije bagëtija!
Vinë posi mblet’ e plotë! i bekofte Perëndija!
Në për shesh’ e nër bregore, janë përhapurë shqerrat,
E kecërit në për rripat, dhe në gjethet e në ferrat;
Sa me vrap e me gas bredhin, edhe lozin shoku me shok
Aty përhapenë me nxit, aty mblidhenë prapë tok,
Edhe prapë tufë-tufë, përhapenë duke bredhur,
Duke ikur me vrap shumë, duke lojtur, duke hedhur,
Nxitojn’ e s’ lodhenë kurrë, edhe kur i mer urija,
Sicili futet në tufë, suletë te mëm’ e tija,
Posa gjen mëmën e dashur, edhe me vrap i hyn në gji,
Rri më gjunjë dhe zë sisën, e qumështin e ëmblë pi:
Pa e ëma me mall shumë, ndo dhi qoftë e ndo dele,
Bir’ e vetëm e merr në gji, me gas e me përkëdhele.

Sa të mirazë ke dhënë! Zot I math e i vërtetë!
E ç’ nom të hekur vure, për cdo gjë q’ është në jetë!

Sa më pëlqen blegërima, zër’ i ëmbl’ e bagëtisë,
Qengji edhe kec’ i bukur, që rri më gjunj’ e pi sisë!
Përhapurë bagëtija, në për sheshe, në për brinja,
Nër lajthi e në për dushnja, ndër murriza, në dëllinja,
Bijen zilet e këmborët, dhe fyelli e xhuraja,
Dhe mbleron e gjelbërojnë fusha, male, brigje, maja,
Edhe gjithë gjë e gjallë, ndjen në zëmrë një dëshirë,
Një gas t’ ëmbël’ e të shumë. O! sa bukur e sa mirë!
Pelën e ndjek mëz’ i bukur, lopës i vete viçi pas,
Dellëndyshja punëtore, bën folenë me të math gas,
Ogiçi ikën përpara, i bije tufës në ballë,
Me zëmrë të çelur shumë, vete si trimi me pallë,
Zoqtë zënë këng’ e valle dhe po kërcejn’ e këndojnë.
E në për dega me lule, si engjëllit fluturojnë,
Larashi ngrihet përpjetë, thua q’i shpije Perëndisë,
Një lëvdatë të bekuar, për gëzim te gjithësisë.

Qielli sa ësht’ i kthlellt, e sa është zbukuruar!
E dielli sa ndrin bukur, mbi lulet e lulëzuar!

Gjithë këto lule ç’janë? që u ngjallë me një herë!
Ngaha qielli ke zbritur? ver’ o e bukura verë!
Çdo lulezë ka më vet-he, një emër’ e një fytyrë,
Një bukuri, një mirësi, një shtat, nj’ erë e një ngjyrë,
Si dhe çdo dra e çdo pemë, edhe çdo bar e çdo fletë,
Sa ësht’ e bukur faq’ e dheut! s’të ze syrt gjë ,të metë,
Gjithë kjo bukuri vallë nga dheu të ketë mbleruar?
A me të matht të ti Zoti prej parrajs’ e ka dërguar?
… Veç një njeri shoh pa punë dhe të mjer’ e të brengosur

Të këputur, të mejtuar, të grisur e të rreçkosur,
Lipën i gjori pa shpresë, se atje e pru përtimi,
S’i ka mbetur gaz në zëmrë, se s’i la vënt hidhërimi;
Është njeri, si dhe neve, pa ep-i-ni, o të pasur,
E mos e lini të urët dhe të mjer’ e buzë-plasur,
Se përtim’ i zi, q’e pruri të gjorin më këtë ditë,
Nuk’ e dimë vet’ e zgjodhi, apo ja dhanë perënditë;
Edhe për një mizë, kur heq, i vjen keq njeriut të mirë,
Zëmëra s’ thuhetë zëmrë, po të mos keshë mëshirë.

Ah! edh’ atje tej mbi udhë, i duket i shkreti varri!
Rrethuar me lul’ e me bar, një të gjori udhëtari,
Që ka vdekur i ri shumë, e ka rarë lark shtëpisë,
Mërguar nga mëm’ e motrë, dhe prej gjithë njerëzisë.
Një zok i helmuar mi varrt, i rri si mëmëzë dh’ e qan,
Ndarë nga të gjithë shokët, edhe zi për të mjerin mban.

Tomor! o mal i bekuar, fron i lartë, që rri Zoti
Pas fesë vjetrë që kishin Shqipëtarëtë që moti,
Dhe ti Mali-Plak i lartë, që me syt e tu ke parë,
Luftëra të mëdha shumë, e punë, që kanë ngjarë.

O malet e Shqipërisë, që mbani kryet përpjetë,
Tëmer e frikë përhapni! përpini qiejt’ e retë!
Të pa tundurë për jetë jini, pa kur oshëtini,
Udhëtaritë në zëmrë frikë të madhe i vini;
Kini shkëmbënj, gërxhe, lisa, lumënj dhe dëborë ndë gji,
Përsiprë lule’ e gjethe dhe brënda ergjënt e flori:
E ju fusha bukuroshe, edhe të majm’ e pjellore,
Ju sheshet e lulëzuar ju bregore gjelbërore.
Q’ u fali Zoti të mira, u mba me shumë pekule,
U dha bar e gjeth e veri, zoq e flutura e lule,
Zëmrën’ e varfërë t’ ime, aty ndër ju e kam mbuluar,
Jam lark jush i dëshëruar, edhe s’ e duronj det mallë,
Po s’e di si dua unë do t’ i shoh një herë vallë!

Të paskësha vrapn’ e veriut, të kisha krahë pëllumbi.
Nxitimn’ e lumit me valë, q’ikën me verik si plumbi,
E të vinja në gkit’ t’ uaj nj’ ujë të ftohtë të pinja,
Edhe në për ato hije një copë herë të rrinja,
Syt’ e ballit t’i zbavitnje, zëmërënë ta dëfrenje,
Gazë, që paçë një herë, prap’ aty ndër ju ta gjenje.
O popo! kshu pse më vini, përpara syve pa pushim?
O ditët’ e djalërisë! o moj kohëz’ e të rit t’ im!

O flutura krahë-shkruar! që fluturon në për erë,
As mer dhe zëmërënë t’ime, me vet-hezë dhe ma shpjerë
Nër male e Shqipërisë, tek kullosën bagëtija,
Tek i fryn bariu xhurasë, tek, më rrinë mënt’ e mija,
Ku shkon me zile të madhe, ogiçi për mes lajthisë,
Po zjen oshëtin mali, ngaha zër’ i bagëtisë;
Marrënë vrapn’ e nxitojnë, derdhen në gjollë për kripë,
Dhënët ndër shesh’ e ndër brigje, dhitë në shkëmp e në rripë.

Bariu plak krabën në dorë, edhe urdhëron të rinjtë,
E ata gjithë punojnë, ngriturë më bres përqinjtë:
Ca bëjnë vathën e shtrungën, ca ngrehin tëndën e stanë,
Kush sjell gjeth, karthij’ e shkarpa, sicilido ndih më një anë
Kush përvjel, kush qeth shëleknë, kush mjel dhitë, kush mjel dhëntë,
Njëri mer ushqen këlyshnë, tjatëri përgëzon qëntë;
Stopani bër’ i zi sterrë, shikon bulmetn’ e bekuarë,
Tunt, bën gjalpë, djathë, gjizë, edhe punon pa përtuar;
Udhëtarvet, gjahëtorvet, q’u bije udha ndër male,
U ep mish, qumësht, kos, dhallë, ajkë, djathë, bukëvale …

Kec’ i mbeturë pa mëmë dhe i varfër e i shkretë,
Mënt mëmënë, që ka mbetur pa bire pa gaz në jetë.
Dëgjohet nga mez’ i pyllit krisni’ e sëpatës s’ duvarit
E sharrësë, që bën lëndë, edhe fyell’ i shterparit.
Shterpari s’ i qaset stanit, po nër pyje bij’ e ngrihet,
Në për maja, nër bregore, rri, këndon, a gdhënt, a shtihet;
S’ i trëmbetë syri kurrë, vetëm ajy dit’ e natë,
Nga ujku e nga kusari s’ka frik’ as nga lis’ i gjatë,
As nga shkëmbënjt’ e nga pylli; as gogolëtë s’ e hanë,
Armëtë ka shok e vëlla, mëm’ e motërë xhuranë,
Miqt’ e ti shqerratë janë, kecëritë, dhite dhëntë,
Cjeptë, ziletë, këmborët, deshtë, e më tepre qëntë,
Që s’flenë, po rrin’ e rruajnë bagëtinë dhe barine,
Kur e shohin, tundin bishtin, dhe me gaz të math i vinë:
S’e hanë njerin’ e mirë edhe mikn’ e udhëtarë,
Se njohën, po të liknë, egërsirënë, kusarë.
Vjen nata, e lë në t’ errët, del hëna i përhap dritën,
Vjen mëngjezi, zbardhëllehet, lint diell’ i bije ditën;
Yjtë, hëna, djelli, shënja, lindin e prapë perndojnë,
Gjithë c’ lëvrijnë nër qiej, përpara syvet i shkojnë;
Mblidhen ret’ e hapësira, bënetë e zezë sterrë
Vetëtimat e gjëmimet nisin, e shiu zë të bjerë,
Bariu vë gunën më kokë, z’ eshkën me herë të parë,
Ndes shkarpat sakaqëhërë, a lisnë fyl, dhe bën zjarë;
Fishkëllen e thërret qentë si cilën me emër veçan,
Pa kur derdhetë baliku! ujkun e zë edh’ e përlan,
Se bisha, që bie dëmnë, errësir, e mjergull kërkon,
Papo bariu shum’ ahere vë re dhe mba vesh e dëgjon:
Dhe sokëllin me zë të math, tunden malet e shkëmbenjtë,
Gumzhitin pyjet e veshur, e oshëtijnë përrënjtë!

Eshtë’ e lehtë dhi e stanit, që kullot gjethin e malit,
Dhe bij’ e fle majë shkëmbit e pi ujëthit e zallit,
Dhi e shtëpis’ ësht’ e plokshtë, fle në vath’ e nënë strehë,
E pi ujët e rrëkesë edhe shtrihetë në plehë,
Esht’ e butëz’ edh’ e qetë dhe e urtë si manare,
Nukë është si malsorja, andaj i thonë bravare.

Në fshat, posa zbardhëllehet, sheh një plakëzë të gjorë,
Ngrihet, hap derën nga-dale e del me kusi në dorë,
Rri në derëzët të shtrungës, dhe djali duke dremitur
I nget bagëtin’ e dalën, i mjel plalkëz’ e drobitur;
Plaku le shkopnë më nj’ anë e bën gardhin e zë shteknë,
Bariu vë tufën përpara, vasha përkëdhel sheleknë,
Nusja fshi e ndreq shtëpinë, edhe bën bukën e gjellën,
I shoqi sheh kanë, lopën, viçin, denmë, kalën, pelën,
Mushkën, që ësht’ e harbuar, edhe bashkë me gomarë,
Rahënë të hedhin murë, të hanë bimën e barë;
Një grua vete në krua, e tjatëra zë të tuntnjë,
Një sheh pulat, miskat, rosat dhe tjatëra bën ç’të muntnjë.

Na hyjnë shumë në punë, kafshëtë dhe bagëtija,
Na i dha në këtë jetë shok’ i ndihmës Perëndija;
Të mos ishte gjë e gjallë, njeriu s’ rronte dot në jetë;
Do të vdiste nga urija, dot’ ish lakuriq e shkretë;
Gjë e gjallë na vesh, na mbath, dhe na ushqen e na zbavit,
Kur shtohet e vete mbarë, jetënë t’ ën e përsërit;
Edhe dheu, që na ep drithë, si do ta kemi punuar,
Nukë pjell mirë, si duam, po s’ e patmë plehëruar.

O shokët e njeriut! Zoti u shtoftë e u bekoftë,
Dhe shpirti im mik për jetë sindëkur ka qën’ u qoftë.

Kafshët edhe bagëtinë, që u ka kaqë nevojë,
Njeriu duhet t’i shohë, t’i ketë kujdesë, t’i dojë.

Të mos t’ i mundojmë kurrë, po si fëmijë, t’ i kemi,
Eshtë mëkat edhe fjalë të ligë për to të themi.

Dellëndyshe bukuroshe! që thua mijëra fjalë,
Dhe të k’ ënda vahn’ e lumën, që vjen me vrap e me valë,
A mos vjen nga Shqipëria? apo vjen prej Çamërije
Me këto mijëra fjalë e me gjuhë perëndije?
Apo vjen nga Labërija, pra më duke kaqë trime?
Edhe fjalëtë që thua, më gëzojnë zëmrën t’ ime,
Q’është thyer, bërë, mijë copë, posi një pasqirë,
Duke këputur nga spangu që s’e kanë vartur mirë;’
Apo vjen nga fush’ e Korçës, nga vënd’ i mir’ e i gjerë,
Pe zembrësë Shqipërisë, që del gjithë bot’ e ndjerë?
A më vjen pej Malësije, pej Skrapari, pej Dobreje,
Nga Vjosa, nga Devolli, prej Vlor’ e prej Myzeqeje?

Të mundjam të fluturonja e të kishnjam krahë si ti!
Me gaz të madh do t’i vinjam Shqipërisë brënda në gji!
Për të marrë drejt Shkumbinë edh’ Elbasan’ e Tiranën;
E te ty të vinja, Shkodrë, të shoh Drinin e Bujanën!
Krujënë e Skënder-Beut, q’i ka dhënë nder Shqypris,
Që luftoi trimërishtë, mundi Mbretin e Turqisë.
Durrës! o qytet’ i bukur, që je kërthis’ e Mëmëdheut;
Edhe ti Lezhi e emrë! që ke eshtrat’ e Skënder-Beut,
Edhe gjithë Shqipëtarët, ti mbajë armiku ynë?
Nukë më ngjan, e s’ e besonj kam te Zoti shumë shpresë,
Shqipërija këtej-tutje kshtu po nukë do, të mbesë.
Dua të dal majë malit, të shoh gjithë Arbërinë,
Vëllezërit Shqipëtarë, që venë në pun’ e vinë,
Burratë trirma me besë dhe shpirt-mir’e punëtorë,
Dhe fushatë gjithë lule e maletë me dëborë.

O fushazëtë pëllore! që m’ ushqeni Shqipërinë,
Do të këndonj bukurinë t’uaj edhe bujqësinë.

Ti Perëndi e ligjërisë, që rri në mal të Tomorit,
Unju posht’ e më ndih pakë, o motra im’ e të gjorit!

Më ke leshrat të florinjta, e të ergjëntë krahrorë,
Ball e gush’ e faq’ e llërë dhe këmb’ e duar dëborë;
Sindëkur do malësorët dhe pyjet e bagëtinë,
Duaj edhe fusharakët dhe arat e bujqësinë.

Edhe Ti o Mëmëz’ e dheut! q’ i fale dheut aq’ uratë,
Sa pjell mijëra të mira e kurrë s’ mbete e thatë!
I dhe lul’ e bar e, gjethe, bim’ e drith’ e pem’ e drurë,
Mblodhe gjithë bukuritë, edhe kanisk ja ke prurë.

Të keqen! o sy-mëshqerë! shikomë një herë në syt:
Si lulet e si bilbili edhe unë jam djali yt.

… Gjithë këto farë lulesh! e këtë të bukur erë!
Këtë mblerim! këto ngjyra! vallë nga ç’ vënt t’i kesh nxjerë!
O sa e madhe bukuri! as më thua ku e more!
O bukuroshe! t’ u bëfsha! ngaha gjiri yt, e nxore?
A po me dorë të bukur e more nga gjir’ i Zotit?
Nga qielli? nga parrajsa? nga prehër’ i plot’ motit!

Kudo shkel këmbëza jote, gëzohet vëndi e mbleron,
Tek-do heth sythin e qeshur, bukurij’ atje lulëzon!

Ti zbukuron faqen’ e dheut, ti do e ushqen njerinë,
Më të gjallë, dhe pas vdekje e pret duke hapur gjinë!
Vjen dimëri t’i than lulet, ti me një frym’ i gjali prapë,
Napënë, q’ u hoth përsipër, ua heq me verë, me vapë.

… Bujkun e zgjuan me natë, edhe vë përpara qetë,
Nisetë pa zbardhëllyer për punëzë të vërtetë,
Mer pluarin e parmendën, zgjedhën, tevliknë, hostenë,
Kafshën, farën, shoknë, bukën, trajstënë, lakrorë, qenë …
Shërbëtor’ i Mëmës së dheut, q’e ka zëmrën plot shpresë.
Del kur hapet trëndafili, dhe bari’ ësht’ gjith’ vesë,
I falet Zotit t’ vërtetë, dhe zihet nga pun’ e mbarë,
Zëmërën e ka të bardhë, dhe të qruar e të larë.

Pa lodhur e pa këputur, pa djersë e pa mundime
Njeriu i gjorë në jetë nuk gjen dot as thërrime!
Si të punosh dit’ e natë, e të bësh ç’ duhenë gjithë,
Ahere kërko nga zoti, të t’ apë bukëz’ e drithë.

Njeri! puno, mos pusho kurrë, dhe lark nga makutërija.

Zëmërën kije të gjërë, mos ki keq, t’ep Perëndija.
Puna ka duke uratë. Zot’ i math e ka bekuar,
Njërinë mi faqe të dheut e dërgoj për të punuar.

Ver’ o e bukura verë! që po vjen nga i madhi Zot,
Me mirësi me bukuri, me gas të math, me duar plot,
Sindëkur çel trëndafilë, e i fal bilbilit zënë,
Ashtu na bije nga qjelli një gas në zëmërën t’ ënë.

Zot i madh e i vërtetë, për të ushqyer njerinë,
Për të zbukuruar dhenë, për të shtuar mirësinë
I dha zjar e flakë djellit, i fali dhe shinë resë,
Bëri dimërin e verën, dhe zemrës s’on’ i dha shpresë.

Për të arriturë rushnë ç’ka punuar Perëndija!
Qielli, dheu, dielli, shiu, njeriu, tërë gjithësija!
S’ është çudi pse na dëfren ver’ e bukur zëmrën t’ënë,
Ç’ ka punuar Perëndija edhe njeriu sa e bënë!
Ju shokë kur pini verën, mos dehi, mos zemërohi,
Mos u zihni, mos u shani, mos lëvdohi, mos qërtohi;
Se pëçmoni Perëndinë, q’i ka falur hardhia rush,
Edhe kërkon dashurinë e ndodhet fshehtazi ndaj jush;
Po gëzohi, prehi, qeshni, duhi, zbaviti, defreni,
Flisni fjalë të pëlqyera, loni, këndoni, kërceni,
Bëjeni zëmërn të gjërë, edhe shtoni dashurinë,
Mirësinë, njerëzinë, dhe besën e miqësinë;
Se në breng e në të keqe, në punë e në të pirë,
Miretë vesh njeriu i lik, njihet njeriu i mirë.
 
A e shihni gjithësinë? yjtë, diellinë, hënën,
Dhenë, erën, retë, kohën, kashtën’ e kumtërit, shënjën,
Si janë përveshur gjithë, edhe lëçijn’ e punojnë,
Njëri tjatërit i ndihin, ashtu punën e mbarojnë!
Në mest të këti rëmeti, të punëtorëve shumë,
Njeriu duhet të lëçinjë? a po të bjerë në gjumë?

Mundohet punëtori, po në zëmërzët të qetë
Sa gas të madh ndjen, kur njera, që hodh, i pjell dymbëdhjetë!
Kur e sheh kaln’ e plotë të kurrusurë nga barra,
Dhe parajsen e vërtetë të çfaqur nëpër ara,
Kur hedh lëmën e mbledh toknë, ndan bukn’ e kashtën më nj’ anë

U hedh kuajvet e qevet, që janë lodhur të hanë
Kur e përmbush plot shtëpinë, me drith’ e me gjë të gjallë,
Shtronet me uri në bukë e ha me djersë në ballë.

Sheh pjergullnë, manë, fiknë, thanën, arrën, ullinë,
Mollën, dardhën, pjeshkën, shegënë, vathënë, ftuan, qershin,
Kumbullatë, zerdelinë ngarkuar në pemë gjithë,
Oborrë plot gjë të gjallë, shtëpinë mbushur me drithë,
Dhe zemëra i gëzohet, pa i falet Perëndisë,
Q’e çpërblen punën e djersën e mundimn’ e njerëzisë.

Qysh rroit mblet’ e uruar, dhe ven’ e vin’ e lëçijnë.
Ca huallinë ndërtojnë, ca nëpër lule shëndijnë,
O! ç’punë me mënt punojnë! sa bukur e bëjn’ e mirë!
N’ apin dyllëtë, q’ep dritë! dhe mjaltë fjesht’ ëmbëlsirë!
Dhe punëtorët e mirë m’ atë mënyrë punojnë,
Edhe gjithë njerëzija me mundim t’ atyre shkojnë,
Njëri mih, tjatëri lëron, njëri mbjell, tjatri prashit,
Kush than, kush kor, kush mbledh duaj, kush shin, kush sharton, kush krashit’
Një bën pluar’ e sëpatën, një panmëndën, një shtëpinë,
Një pret e qep, një mer e ep, një mbath, një shikon mullinë,
Ç’do njeri një farë pune bën në mes të shoqërisë
Kjo ësht’ udh’ e Perëndisë, ky ë nom i gjithësisë,
Edh’ ajo miza përdhese, ç’i duhetë për të ngrënë,
Eshtë rrahur e përpjekur, e me kohëz’ e ka vënë!
Ka një punë të punojë si ç’do gjë q’është në jetë,
Kshtu e ka thënë me kohë Zot’ i math e i vërtetë.

… Bujku mundohet në verë, po në dimër ri e prëhet,
Sheh shtëpizënë me kamje, edhe zëmëra i bëhet,
Gratë të gjitha punojnë n’ avlëmënt e në të tjera,
Edhe jashtë fryn e bije, po’ kur na trokëllin dera,
Eshtë nj’ udhëtar i gjorë, që ka mbetur në dëborë,
I kanë ngrirë të mjerit vesh’ e goj’ e këmbë, e dorë,
Ngrihet i zot’ i shtëpisë, edhe të huajthin e mer,
E vë në krye të vatrës me njerëzi, me të math nder,
Posa e shohënë, që vjen, i ngrihen gjithë fëmija;
Se të huajnë më derë na e dërgon Perëndija,
Pa i bëjnë zjar, e ngrohet, edh’ e mbajnë me të mirë
I sjellin shtresë të flerë, edhe të ngrën’ e të pirë.

Kështu huajt miqtë njeriu, q’është i uruar,
I pret me krahëror hapur, e i përcjell të gëzuar.

Në verë, që çelen lulet, qielli ndrin si pasqyrë.
Zbukurohetë faq’ e dheut, e mer mijra fytyrë,
Pa ngjallenë me ç’do lule, më ç’do bar, e më ç’do fletë
Gjëra të gjalla me mijë, rroitin nga dheu si mbletë.
Shpest’ e mizatë këndojnë, e kuajtë hingëllijnë,
Lulet e bukura m’ erë si ar e si flori ndrinjë.
Bujku nget pëndën e lëron, mbjell e bën gati ugarë,
Kalorësi i shkon pranë dhe i thotë - puna mbarë -
Papo mer anën e lumit, me zëmërë të gëzuar,
Këndon, fishkëllen, a vete nga-dale, duke mejtuar,
Vë re lumin e kulluar, që ikën me ligjërmne,
E ndër mënt të ti i bije ca t’ ëmbëla shumë mejtime.
Vashëzatë bukuroshe, posi shqerratë manare,
Si kapërrollet e malit, si thëllëzatë mitare,
Venë të lajnë në lumë, gjithë tek duke kënduar
Me gas në sy e në buzë, e me lulezë nër duar,
Përveshin llërët e bardha dhe të majm’ e të përndijta,
Pulpazëtë bukuroshe, e këmbëzët e kërthijta;
Dallëndyshja, që fluturon, e ndehetë për mi lumë,
U afrohet si mike e u thotë fjalë shumë;
Dhe mëshqer’ e përkëdhelur vjen në lumë të pij’ ujë,
A të prehetë në hije, a të bënjë gjë rrëmujë.

Bari, bima vatur më bres, e buj, ku shum’ i gëzuar,
Si bariu kur merr kerthinë edh’ e përkëdhel ndër duar.

Bilbili ja thotë bukur, lumi vete gjithë valë,
Ep erën e Perëndisë trëndafili palë-palë.
Veç një vajz’ e mjerë qan të motrënë q’e e ka lënë,
O! është mbuluar në dhe vashëza fytyrë-hënë!
Mëma dhe motëra mbetur në zi e në vaj të shumë,
Dhe shqera manarez’ e saj e pëzishmez’ e për lumë!
Të këput shpirtinë plaka, kur zë dhe nëmëron e qan,
Ah! i ziu njeri në jetë sa heq e sa duron e mban!

Vashën vërtet’ e mbuluan, po shpirt" i saj në qiej shkoi,
Hapi krahëthit e lehtë, në hapësirët fluturoi,
Bukuri e saj u-përzje me bukurizat e Prillit,
Me fjalëzët e bilbilit, me erët e trendafilit;
Gjësendi s’ humbetë kurrë, e gjë s’ vdes me të vërtetë
Mase ndryshohenë pakë, po janë në këtë jetë,
As shtohet, as pakësohet, as prishetë gjithësija,
Vdesën e ngjallenë prapë si gjit’ edhe njerëzija,
Këtu janë gjithë ç’ janë, e gjithë c’ gjë munt të jetë,
Engjëllitë, Perënditë dhe ajy Zot’ i vërtetë!
Se një trup e një shpirt është gjithësija, që ska anë,
Të gjallë edhe të vdekur, gjithë brënda në të janë.

Perendija njerin’ e parë e mori prej dore vetë,
E zbriti mi faqet të dheut, q’ ish me lulez’ e me fletë.
Me të drejtënë të themi mbi faqet të dheut e ngriti,
E bëri të zotthin’ e dheut edhe kështu e porositi:
Nga kjo baltë të kam bërë, rri më paç uratë,
Mos u loth e mos pusho kurrë, po përpiqu dit’ e natë,
Sheh si punon gjithësija! ashtu të punosh edhe ti,
Të mos rrish kurrë pa punë, e të vesh duar në gji.
Mos u bëj i lik e i keq, i paudh’ e i pabesë.

I rrem, i ndyrë, i dëmshim, i rënduar e pashpresë,
Mërgohu nga të këqijat, prej vjedhje, prej marrëzije,
Mos vra, mos merr tek s’ ke vënë, edhe ki nom dashurinë,
Bes’ e fe ki urtësinë, të drejtënë, mirësinë;
Në bëfsh mirë liksht s’ gjën kurrë, po në bëfsh liksht, mos prit mire.
Ki dëshirë për të mirë, dhe në zëmërë mëshirë,
Ji i but’ i urt’ i vyer, e mos u bë kurrë makut,
I egër’ e i mërzitur, dhe i mahnitur e hajdut,
Mos j’u afro dhelpërisë, po së drejtësë j’ u nis pas;
Në dëgjofsh fjalët e mija, do të jesh, gjithënjë në gas.
Nga gjithë ç’pat gjithësija të kam dhënë dhe ty pjesë
Në u bëfsh, si themi, i mirë, emër’ i math do të mbesë
Të bam dhënë mënt, të mësosh të vërtetën me të ta shohç’
Dhe zëmër’ e vetë-dijë, të mir’ e të drejtën ta njohç,
Do të të le dhe nevojën, udhënë të tregojë,
Të të ndihnj më c’do punë, të të psonj e të të zgjonjë.

Gjithë të mirat që janë, këtu në dhet i kam, mbluar,
Po gjësendi në shesh s’ nxjerr dot pa dirsur e pa munduar,
I gjen të gjitha me kohë, po rrëmo thell’ e më thellë,
Ç’do gjë të duhet kërkoje, barku i tij do ta pjellë,
Sa gjërërazë të vlera do të gjesh ti këtu brënda,
Edhe përsipërë soje, e sa dotë t’i ket’ ënda!

Me fuqit, që të kam dhënë, them që të vijnë një elitë,
Të març udhën e së mirës, e të gjesh të madhe dritë,
Të mare vesh dalë-nga-dalë sa punëra, që kam bërë,
Diell, hënë, yje, qiej, e gjithësinë të tërë!

Po që u bëre i urtë, mua më ke afër teje,
Ndryshe, - qofsh i mallëkuar, edhe mërguarë meje. -

Të parit t’ enë Perëndija këto fjalë vetëm i tha,
I fali gjithë të mirat, i dha uratën dhe e la.

Det i p’ an’ i mirësisë! q’emrin t’ënt st’a zë dot ngojë!
Qyshe ngrehe gjithësinë pa lënë fare nevojë!
Fali njeriut urtësinë, mirësinë, njerëzinë,
Butësinë, miqësinë, dashuri, vëllazërinë;
Epu sheshevet lul’ e bar, dhe pyjevet gjeth e fletë,
Vesë, shi aravet pimë, e mos lerë gjë të metë,
Fali erë trëndelinës, manushaqes, trëndafilit,
Kalliut bukë, mizës pjesë, zogut ngrënje, zë bilbilit,
E drurëvet epu pemë, dhe uratë bagëtisë,
Dërgo dhëmbj’ e kujdes për to në zemër të njerëzisë,
Epi pjergulles’ e veshit rush dhe vozësë fali verë,
Mos e lërë pa të kurrë, kurrë thatë mos e lerë,
Fali diellit; flak’ e zjar, dhe hënës’ e yjvet dritë,
Yjtë le të vinë rrotull, dhe njerëzit të punojnë,
Të dëfrejn e të gëzohen, si vëllezërë të shkojnë,

Tregom’ u dhe Shqipëtarët udhën’ e punës së mbarë
Bashkom’ i, bëmi vëllezër, edhe fjeshtë Shqipëtarë.
Falm’ i Shqipërisë ditën’ e bardh’ e lirisë,
Udhën’ e vëllazërisë, vahn’ e gjithë mirësisë.

Nxir të vërtetënë sheshit, pas këtaj të mbretërojnë,
Errësira të përndahet; dhe gënjeshtra të pushonjë.