Shtojcë - Shembuj në Kanûn të Lekë Dukagjinit

Shembuj në Kanûn të Lekë Dukagjinit.

I.
KISHA.

„Kush të vjedhë në qelë a bânë të Famullitarit, do të lajë dý per nji gjânë e vjedhne, 1000 grosh Kishës per nderë të mârrun e 100 desh e 1 ká giobë Bajrakut“. (Lib. I, art. II, n. VIII, § 17, 4.)

Gjygji i bâm per nji qyp tlyen të vjedhun në Qelë t’Oroshit në Mirditë në kohë të Kolë Prengës së Madh Kapidanit perpara 60 e sá vjetësh.

Hîn në Qelë t’Oroshit nja dy djelm edhè vodhen nji qyp me tlyen. Françeskani — Famullitari — nuk pat ndollë te Qela kúr ndolli kjo dhûnë e rrogtarët habitë në pûnë. — Si kthei Famullitari, rrogtari, tuj pá se qypi i tlyenit nuk u gjet mâ në quer, i diftoi Zotnís, se qypin e tlyenit e kishte pasë vjedhë dikush. — Famullitari vojt te Bajraktari edhè i kallxoi ndollín. — Bajraktari mblodh Bajrakun e, permbasi nuk duel kush me kallxue, se kû mbaroi qypi i tlyenit, ky i kallxoi Kapidanit. — Kapidani i a la vedit hetimin e fajit. Kúr nji ditë dha urdhen Kapidani qi t’u mblidhte Bajraku në patalok të Kishës s’Oroshit; shka edhè Bajraku bâni, tuj u mbledhë si mbas kanunit „Burrë per shpí“ prej çdo bajrakut e fisit. Por, mbasi pveti rresht e rresht mbí at cubní të bâme e nuk duel kush me kallxue, Kapidani me Krenë foli gjygjin e dekës e të xjerrmen e fajtorit prej Bajrakut me lang e plang, tuj i a lânë token bár (djerr). Mbas këtij gjygjit s’ngiati e u hetuen cubat: ishin kênë dy djelm Oroshas; njanit i kishin pasë thânë Prengë Kolë Marku e êmnin e tjetrit nuk diejti me m’a kallxue Z. Prengë Llesh Gjoni Kapidani. — Permbas urdhnit të Kapidanit Kolë Prengës së Madh, u mblodh Bajraku burrë per shpí n’oborr të Kishës s’Oroshit, e edhè dy djelmt cuba erdhen në Kuvend. — Si u leçiti Kapidani gjygjin e folun, dy djelmt cuba i vûn në mjedis të njij pataloku me duer kryq në kambë e të çarmatosun e Bajraku burrë per shpí u çue në kambë e kush me pushkë të giata, me pistole, calina e gjarpnusha i ngrefen të drejtueme kah ata dy djelm, tuj pritë urdhnin e Kapidanit per me i grî. — Françeskani i thekun në zêmer në mjerim të tyne, i u lut Kapidanit, Krenvet e Vogjlís, qi t’u a falshin jeten. — Jeta u kje falë, nderen Kishës i a shperblyen, gjân e vjedhun i a kthyen dyfish, Bajraku muer gioben, qi i shkote, e dy djelmt kjenë xjerrë e qitë prej Bajrakut me rob e robí.

Aj, qi vret meshtarin, bâhet batare prej Bajrakut e gjaku i hupë. — Mâ teper i digjet shpija, toka i lêhet bár, pêmët, vêshtat e kopshtijet i prehen e i sodumen. — Toka e pronet e dorërasit jesin per Kishë: porsè vllaznija e dorërasit mund t’i shperblejn me të holla.

Meshtari i vrám në Dushman.

Kah vjeti 1700 kje vrá në Dushman Françeskani i asaj Famullije. — Dorërasët kjenë dy vetë prej dý vllaznísh të quejtuna Papaj e Ndregjokaj. — Këta, para se me vrá Françeskanin, i shkuekan te Qela nji mbramje edhè i thânkan: „Zotní, nji pûnë, qi sosë nieri me e bâ, a mâ mirë t’a bâjë heret a por vonë?“ — Françeskani, tuj mos diejtë se shka bluejshin nder mend ata dy, u pergjegji: „Mâ mirë âsht qi t’a bâjë heret se vonë“. — I Papaj xuer pistolen edhè vrau Françeskanin e i Ndregjokaj i shpupurishi petkat, tuj kerkue me gjetë ndo’i pare, se pse, si e dishmon gojdhâna e popullit të sotshem të Dushmanit, qellimi i kësaj vrase nuk kje tjeter, posë pse këta dy vetë deshten me plaçkitë Françeskanin. — Mbasi e vrán, kerkuen neper petka të holla, por s’i gjeten gjâ. — Dy dorërasët, per mbasi vrán Françeskanin, hiken pertè Drînin. Si e muer vesht Bajraku, gjân u a bâni giobë, robët u a xuer prej Bajrakut, token jau la djerr per se të jét jeta e shpijat u u dogjen. — Këto dý shpí paten hikë e shkue me ngulë në Mëzí në Bajrak të Thaçit, e mbas sá kohe duelen fare.

Famullitari i vrám në Kalivare të Mirditës kah vjeti 1883.

U çue shpija e Kodelit të Kimzës edhè vrau Famullitarin e vet, Dom Tomë Veljen. — Ngrehet Dera e Gjomarkut t’Oroshit me Krenë e Vogjlí të Bajrakut e u mblodhen në Kuvend në vend, kû u bâ shemtimi i permendun. — Dorërasin e grîn katundisht me gjak-hupës; gjân i a bân giobë; shpín i a dogjen; edhè e zhbîn me dhét e tokës, tuj e sodumun me t’eger e të butë e tuj e leçitë at shpí prej tokës së Mirditës pergjithmonë.

Famullitari i vrám në Berishë.

Gjon Pepë Vata e Nikë Milica, të dy të Marojës së Berishës, gjaksorë e cuba në zâ, vrán Priftin e Famullís prej dyshimit se ky u kishte qitë rrfimin. U çue fisi i Berishës edhè jau bâni giobë gjithshka paten e i qiten prej vendit njiherit e pergjithmonë. Qela e sotshme e Berishës gjindet në tokë të Gjon Pepë Vatës.

Kanune, qi i perkasin Kishës e Xhamis.

1) Kush të fjaliset a të shahet, a hjekë armen në rrethînë të Kishës a të Xhamís, ká per të lá 2000 grosh këtyne; Krenvet 1000 grosh e 10 desh.

2) Aj, qi të biej në faj të Kishës a të Fés e, i leçitun prej Kishet, bâni e hîni në Kishë kundra urdhnit të Meshtarit, do të lajë 500 grosh Kishës, 200 Krenvet të Flamurit e 5 desh.

3) Aj, qi të mbrrîj me randue Meshtarin me fjalë, ase me e shá, si edhè Hoxhen, do t’u lajë këtyne 500 grosh, 150 grosh Krenvet e 5 desh.

4) Kush mos të lajë të dheten (hakun e Kishës) deri Shen Kollit per Bajzë e deri Kshndellash per Kastrat, ká per të lá dý per nji, 150 grosh Krenvet e tre desh.

5) Kush të vjedhë në Kishë a n’oborr të Kishës, do të lajë 2000 grosh Kishës, e 1000 grosh Krenvet e 10 desh.

6) Kush të mârrë grue pá kunorë, a grabitë grue a vajzë, do të lajë 1000 grosh Kishës, 500 grosh Krenvet e 10 desh.

II.
MARTESA.

„Prien e krushqvet lype e pvete, 'se veç atij, qi i perket, se s’ká burrë qi mund të prijë“. — „Krushku i vendit t’i a lshojë udhen krushkut mik“. (Shif: L. III, k. IV, n. XXII, § 50 e n. XXIV.)

Âsht nji kanû detyret, e cilla shum të zezat e rrênimet i a ká pasë sjellë Shqyptarit të Malevet t’ona. — Me ngurrue prá dý lagje krushq e mos me i a lshue udhen lagja lagjes si mbas kanunit e mbas priet, ata do të vriten e do të turshêhen. — Qe sá tregime:

a) Në Korthpulë, në Flamur të Dibrrit në Mirditë, jânë vorret e Krushqvet në Qafërrasë;

b) Në Qafë Vorresë në Muriqe, në Flamur të Velës në Zhubë, jânë vorret e Krushqvet;

c) Vorret e Krushqvet jânë në nji katund (?) në rrethe të Pejës. —

III.
SHPÍ, GJÂ E PRONE.

Gioba e derës së gjueme.
(Shif: L. IV, k. X, n. 44.)
— Ndollí e vjetit 1920 —

Nikollë Gjokë Per Ndoka i Kaçinarit të Mirditës, i Flamurit të Dibrrit, per do keqasime, qi pat me shoq të ve’n Nikollë Markun, u çue edhè i a gjou pushkë deren e shpís, tuj bâ nja trí bira plumbi. — Hîni çashtja nder Pleq e, 'si mueren e dhanë, gjygjin e kputen kështû:

Me hjekë deren e vrame të shpís së Nikollë Markut e me e çue në shpí të Nikollë Gjokë Per Ndokës e deren e tij me e çue në shpí të Nikollë Markut. Deren e gjueme e të birueme prej plumbash e vûn në shpí t’atij, qi e gjou, me kercnim të giobve të randa, qi mos të guxote jo veç me e hjekë, por as birat e plumbave me i mshilë me kûja per pêsëmbdhetë vjetë. Posë kësaj i mueren edhè 500 grosh giobë.

IV.
FJALA E GOJËS.

„Fjala mort nuk bân.“ — „Goja s’qet kend në gjak, por gishti“. — (Shif. L. VII, n. LXXXVI.)

Kah vjeti 1860 kje ngrefë nji i Fregnaras i Flamurit të Dibrrit në Mirditë, edhè i pat thânë shoqit, qi të shkote me vrá nji nieri, se në ditë të pajtimit të gjakut do t’i ndimote me të holla, per me lá at gjak. — Permbas fjalës e besës së shoqit, rroki pushken ky, i duel në pritë atij tjetrit, edhè e la pykë në rrugë të madhe. — Duel Bibë Doda i Gjomarkaj per pajtim të dheut, e edhè kjo vrasë u muer para sŷsh. — Vojt dorërasi te gergasi edhè i lypi çmimin e gjakut, qi t’a ndreqte shpín e të vramit. — Veshi i gergasit nuk u kuq per at pûnë edhè e percuell me nji grusht miza. — Bibë Doda me Krenë e thirri gergasin edhè e pveti, a njimend se i kishte pasë thânë atij tjetrit qi t’a vritte nierin, se në ditë të pajtimit të gjaqeve do t’i epte të hollat, per me lá at gjak? Gergasi nuk muejt me i rá moh fjalës. — Bibë Doda me Krenë atbotë jau kallxoi kanunin, tuj thânë, se „Gjaku shkon per gisht,“ se „Goja s’qet kend në gjak“ e „Fjala mort nuk bân“. — Dorërasi do të lajë gjakun e burrit të huej; mos të kishte shkue me kambë të veta e me mend të hueja; porsè gergasit per besë të thyeme i u dogj shpija.

V.
NDERA.

Ndera vehtjake.
(Shif: L. VIII, k. VII, § 593 etj.)

Dikush pat mbrrîjtë me thânë, se binaku (dinaku) âsht gjymës nierit e, per ne e vrafët kush, bjen në gjymës gjaku. — Lekë Dukagjini i bâni báll këtij gjygjit e nuk u gjegj me i u vû kurr e per të gjáll, tuj lânë ket parim: „Shpírt per shpírt, se duken e falë Zoti“. — Prá edhè dinaku âsht nieri i plotsuem me shpírt e gjymtyrë, e, per ne e vrafët kush, bjen në gjak si per çdo nieri të vrám.

Ndera shoqnore.
Gioba e trevezës së koritun.

„Treveza koritet nder sŷ të mikut, kúr i zoti i shpís shin a lpîn kupen, a kruen fulteren. (Shif: L. VIII, k. XVII, § 601, k.)

Kah vjeti 1872 Ahmet Hasani i Urës së Shtrêjtë në Flamur të Drishtit (Postripë), qilloi në shpí të shoqit të vet Tahir Ysufit. Ky e ndali per mjesditë. — Mbasi hângern bukë, i zoti i shpís, Tahiri, krou fulteren në trevezë të vet. Ahmeti bâni váj në katund per nderë të mârrun trevezës së vet prej Tahirit; katundi e giobiti me 500 grosh.

Të prémt e mikut.
(Shif: L. VIII, k. XVIII, n. XCVII.)

„Kah vjeti 1884 Per Gjuk Deda i Gojanit të Mirditës, i fisit Buçaj, i xuer besë Prendit të Gjo’ Zefit të fisit Martinaj, edhè ky i Gojanas, e, permbasi e liroi prej gjaksit, e preu në shpí të vet.

Sjellja e shemtueshme e e dhûnshme e Per Gjukës e terboi marë flamurin e suell mbí vedi mnín e të gjithve. — U ngreh Kreu i madh i Gojanit, Per Dedë Ndoj i fisit Buçaj, mblodh, Flamurin burrë per shpí edhè qiten në zbatim kanunin jetik, tuj e grî katundisht të pabesin Per Gjukë. —

VI.
DÂMET.

„Dâmi ká çmim, por jo giobë“. — „Dami lahet permbas çmimit të Pleqvet a të dy shokve“. — (Shif: L. IX, n. CIX, §§ 735 e 736.)

Kah vjeti 1898 kje ngrehë Nikollë Gji’ Nikollë Rama i Rrâs, i Flamurit të Kushnênit në Mirditë, edhè shkoi nâten shi në Kushnê te shpija e Ndré Dodë Gjikës; hîni në vath, vodh dý dhí edhè hiku, tuj e lânë deren e vathit çilë. — Tufa e dhivet, qi mbeten në vath, u lshue me turr edhè hînë në vêshtë, tuj bâ rrênim mbë hardhija gjith nâten e lume. — Krye vjetit u hetue cubi, hîni qasa nder Pleq, të cillt, permbas peshimesh të bâme, e dán gjygjin kështû: Per dý dhí, kater — dý per nji —; vathi i thyem 500 grosh e dâmit të vêshtës i prén 500 grosh. —

„Çdo dâm, vjedhní a bracní e bâme prej fmísh…, po u hetuen, shpija, së cillës i perkasin, do t’a lajë.“ — Parimi i kanunit âsht: „Shka të bâjn të mêtujt (mêcat), burrnimi i shpís do t’a lajë“. —

Ndolli nji fmí barí lukursh, i cilli, në sá ishin tuj kullotë lukurt, i hullet njij kopshtit të huej e me nji nagaçe në dorë, vêhet me qokë nji trup hardhije mjè qi e rrumbulloj faret. — U beh i zoti i kopshtit, i cilli, permbasi e njofti fmín, vojt menjiherë hem me i kallxúe prindës së fmís, hem me lypë arsye. — Prindja e percuellen të zotin e hardhís me nji; „Pûnë fmísh!“ — Uli kryet i zoti i hardhís, edhè kthei në shpí. — S’ngiati edhè e qiti nder Pleq ket pûnë. Pleqt u mblodhen në ditë të caktueme e, mbasi mueren e dhanë, nuk muejten me rá në nji mende të gjith. Njani nder Pleq u tha: „Burra, t’i hullim mêt e mos të dahena pá e kputë ket gjŷgj“. — E shuma e Pleqvet mbeten me mende të ngulun, se gjygji i dâmit nuk e kapë fmín e deshten me u shperdá; Plaku i permendun nguli e nuk la qi të shperdahen Pleqt, perpara se t’i a bijshin fmín aty në kuvend. — E prûn fmín, qi pat pré hardhín; Plaku, i cilli nuk desht me u ndêjë, në gjŷgj Pleqvet tjerë, e muer fmín per dore edhè u tha Pleqvet qi t’a mirrshin mbrapa. — U çuen Pleqt e varg e vister i u vûn mbrapa Plakut, qi me fmí per dore u prîte. — Hîn në kopshtë të prindvet të fmís, edhè e afroi fmín njij hardhís, tuj i thânë: Hullu këtû, or mêc, e preje ket hardhí me at nagaçe. — Mêci i ndêjt gadi Plakut edhè i tha: „Jo, nuk guxoj me e pré hardhín, sepsè më bertasin gjindja e shpís? — Plaku atbotë u suell kah Pleqt tjerë edhè u tha: „A ndiet, or juni? Mbasi mrrîjtka mêci me e njoftë gjân e vet e mbasi diejtka, se, me bâ dâm, do t’i bertasin gjindja e shpís, hardhís së huej i don pré dâmi e i don lá të zot’t. — Leka e ká lânë: Shka të bâjn të mêtujt burrnimi i shpís do t’a lajë“. —

VII.
VRASA.

Besa.
(Shif: L. X, k. XXII, n. CXXII.)

Me ket mbledhje, qi po bâjm sot, kena dá me shkrue ket leter, per me e pasë para sŷsh.

Na Mnelas e Gomsiqas, qi bâhena zbashkut njiqind e pêsëdhetë shpí, kena lidhë besë nder vedi per me kênë gati e njij mendje per çdo nevojë, qi mund do të na ndollin.

Dishmitarët e kësaj bese jânë: Llesh Nikollë Prendi, Bajraktari, Per Nikolli, Per Dedë Ndoj, Gjo’ Lask Gjeçi, Gjergj Gjokë Jaku, Gjokë Per Nikolli, Nikollë Zef Leka, Pjeter Mar’ Brunga, Marka Gjokë Laloshi, Gjin Kolë Mirija, Ndue Pjeter Marka Ndoca, Mar’ Nikollë Bushi, Gjokë Pjeter Mar’ Ndreca, Gjokë Per Laska, Prenkë Llesh Gjegja.

Shkrue në ket ditë 13 të Frorit 1873.

Besa e gjâs e e çobânit.
(Shif: L. X. k. XXII, n. CXXIII).
Ndorja e skjapit të kumbonës.

Nji gjakës ndolli tuj kalue brî njij malit kalli vetem. — Tuj bâ rrugë, xû me i a kputë giûjt friga, kah drote mos i ká dalë kush në pritë. — Per me trimnue e me sigurue vedin, nemosè mos të mbarote pá shêj e pá dukë, 'si pau nji tubë dhísh tuj kullotë malit, i thirri bariut nja dý-trí herësh e, 'si nuk i pergjegji kush, i lshoi zâ skjapit të kumbonës, tuj i thânë: „O skjap i kumbonës, thuejmi t’and zot, se, po më gjet gjâ pá e kalue qafen e asaj kodre, t’a dijë se i jam pré mik“. — Mbas këtyne fjalve gjaksi vijoi rrugen e vet. — Ndrroi disá hapa e, pá e kalue kodren, krisen pushkët e miku rá per dhé i dekun në vend. — Mbas do ditësh, nji barí tjeter, qi kishte pasë ndodhë malit me tufë të vet, i cilli edhè e kishte pasë ndie porosín e gjaksit, i kallxoi bariut tjeter ndollín. — Tuj vezhgjue bariu tjeter pûnen, s’bâni as cing as ping me gojë. Suell veç tufen, shkoi në shpí, u armatis mirë e mirë, edhè u nis me pague mikun e vet. — Shi aj, qi i a pat pré mikun, i rá në pritë, edhè e vrau.

Hîni pûna nder Pleq; bariu u lshoi pengun edhè u lidh me lá trí gjaqe, mos i pasët thirrë trí heresh gjaksi e, mbasi nuk kishte pasë qillue tu tufa, i kishte pasë thirrë skjapit të kumbonës, se, me bâ me e gjetë gjâ pá e kalue kodren, do t’i jitte të zot’t mik i prém. — Pleqt e arsyetuen pûnen imë e hollë edhè e folen fjalen e mbrame, se bariut i ishte pré mik gjaksi e se, tuj e vrá shi dorërasin, e kishte pague mikun e prém prej atij. Ashtû mbet mik i prém e mik i mârrun.

Besa e gjâs e e çobanit me Nikaj e Shalë.
(Diten e Shna Prendes 1894.)

1) Per rrugë kan bâ kështû: Tu Kroni në Faqe deri tu Kryqi në Brazhdë âsht në besë kush shkon me rá në Nikaj e me rá në Shalë. — Njaj Shalnjanë, qi shkon per at rrugë e e vret Nikaj, ká pré mikun e gjith Shalës, 'si të dalë drita deri qi t’erret nâta. — Njaj i Nikaj, qi shkon per at rrugë e e vret Shala, ká pré mikun e gjith Nikajvet, 'si të dalë drita deri qi t’erret nâta. — Shêj në shêj per Shosh e Mertúr ajo rrugë âsht në besë e âsht në dorë të Nikajt e të Shalës: e vrau Shoshi, i a pret mikun Shalës: e vrau Merturi, i a pret mikun Nikajt. — Kush t’i bâjë djepin (hile) kësaj rruge, ká bén me 12 vetë dorë bejet e 12 vetë mbrapa. — (Dukagjini kishte në doke mos me çue në bé të gjith Poronikët [betarët], por gjymsen: po e xâm jânë 24 betarë, 12 shkojn e perkasin Ungjillin, e 12 tjerë rrîjn me duer kryq tuj ndigjue.) — Në shumë pjesë të Malevet t’ona, posë në falët kend i zoti i pûnës, se të gjith sá Poronikë të jenë, do të shkojn me prekë Ungjillin e me shqyptue fjalët e bés mbí Ungjíll. —

2) Gjân e Çobânin s’ká me i vrá kush; në besë e në dorzaní jânë. Kush t’i vrasë, ká me lá 20 qese, ndo me u vrá e me u vû per 'ta.

3) N’u ngatrrofët pûna e besës e, po vrau në besë e në dorzaní njani e tjetri jo, ká me bâ bén me 24 vetë Bajraku, qi të vritet, tuj thânë: „M’a vrave në besë“.

4) Rruga e Currajt krejt âsht në besë deri tu Kroni i Ftofët.

5) Kostari e drapni në bjeshkë e në vrrî jânë në besë. — Pishtari e landtari jânë në besë të gjithhershme. — Gjatari (gjuetari) âsht në besë prej Shen Kollit të verës deri Shen Kollit të dimnit. — Vadëtari nâten âsht në besë.

6) Ngujimi e shpija me zjarm e me magje në 'tê âsht pá besë. — Pojatat jânë në besë.

7) Në dalët kush prej ngujimit a prej shpijet, per me shkue tu pojata, qi âsht në besë, ká me thânë: „Kqyr, morè, se jemi tuj shkue te gjâja a në pojatë, qi âsht në besë“.

8) Per grá në Shkoder e në Gjakovë, kush don me hjekë vetë, a me bâ keq per hater, udha mbarë i vofët: kush e perket me dhûnë, në besë ká prekë, kush e koritë, a e ngushton (zoritë), në besë perket. — Shpija e Gjylikës e pabesë âsht: shpija e Ndue Likës në besë të gjâs e të çobanit âsht.

9) Kush perket gjân e Nikajt ndo të Shalës, ká me dhânë 500 grosh, ndo nji Martine, qi bân 500 grosh, e ká me lá dý per nji e 500 grosh të zot’t, qi vidhet:

10) Kapucari ká me mârrë 100 grosh per koj të berrit, e 20 grosh per lopët e kát.

11) Njaj Shalnjanë e njaj Nikaj, qi shkon në shpí per me vrá kend, shka të bâjn gishtat e dorës e gryka e pushkës, kan lêje me bâ: prá dalta, drûni e çfardo hekuri jânë të ndaluem. Kush perket në ket besë, ne u vrafët, a n’u varrofët, ká per të lá 20 qese, edhè deri t’i lajë 20 qeset, do të ruhet. N’u vrafët, ká per të mbetë krye per krye.

12) Njaj qi t’i shmânget (t’i bâjë hile) kësaj bese, tuj e pshtue a tuj e lânë mbrendë, ká me bâ bén me 24 vetë me sedije, si t’i a dajn Bajrakët tjerë: mos muejtët me e bâ ket bé, ká per të lá 20 qese si aj, qi vrau.

13) Uhasi (aj, qi qet kênd borxh) ká me shkue te Kreu i ligjës; mos i dhashët arsye, ká me shkue tu Bajraktari; mos i dhashët arsye Bajraktarit, âsht pá besë; mund të grabitet e mund të vritet deri qi të vîjë në rrugë të Bajraktarit.

14) Rruga e Shalës e e Nikajt per Shosh e per Mertúr âsht në dorë të Shalës e të Nikajt e, n’u pretofët, kan me u lá 20 qese.

15) Koniqet e Nikajt e të Shalës, kû nuk ndizet Qiri i Shë Njonit, i Shen Kollit e i Shë Mbastjanit, jânë në besë.

16) Padina në Shkoder e Gjakovë jânë hjekë.

Besa e gjâs e e çobânit me Nikaj e Curraj.
(Diten e Shë Gjonit 1895)

1) Aj njeri, qi vret çobânin, âsht i djegun, e 3 vjetë toka i jet ledinë.

2) Shokët nuk kan me u djegun, por kan me dhânë 5 qese; 1000 grosh i zoti i gjakut, e 3 qese dorzânija.

3) Gjaksin nuk mundet me e shtî kush në tokë para 3 vjetve, veç në dashtët i zoti i gjakut; por, kúr t’a shtîjë në tokë, të zot’t të gjakut do t’i epen 5 qese, a në pare a me gjâ çdo gjâ, si t’u pelqejë nder vedi.

4) Dorërasi nuk ká besë gjâjet e çobânit kurr, deri qi të mirret gjaku a të pajtohet gjaku.

5) Pishtari e drapni âsht në besë nâten e Shna Ndout deri nâten e Zojës s’Alshiqes.

6) Kostari âsht në besë.

7) Gjatari prej nâtës së Shna Ndout deri nâten e Zojës s’Alshiqes âsht në besë.

8) Rruga e Ndermajës, Livad të Madh nderi në Shalë, Koder Plak nderi në Shalë, âsht në besë gjâjet e çobânit.

9) Kush të vjedhë gjân e imë, ká per të lá 250 grosh e dý per nja; kush të vjedhë lopë a ká, ká per të lá 500 grosh e dý per nja.

10) Tagjinat kush t’i zblojë, ká per të dhânë 500 grosh.

11) Detyrsi, po s’u pergjegj, paditet te Kreu i lagjes; po s’u pergjegj, âsht pá besë e mund të grabitet e të vritet deri qi të vîjë në rrugë.

Dorzânë: Tre Bajrakë.

Besa e Nikajt e e Merturit me 10 në Gusht 1892.

1) Me 14 në Gusht deri ditorin e Zojës së Merturit;

2) Me 26 në Shen Ndré deri ditorin e Shë Mbastjanit kan besë nder vedi:

Dorzânët e gjâs e të çobânit, qi jânë Nikaj e Mertúr e Bajraktari i Krasniqes e i Gashit.

Gjaku.

Gjaqet i la Leka si njani-njanin; del i miri prej të keqit e i keqi prej të mirit. (Shif: L. X, k. XXII, n. CXXIV, § 891.)

Gjergj Kastrioti Skanderbegu i dergoi nji ditë fjalë me shndet Lekë Dukagjinit, tuj e grishë qi të vîte në Kuvend të Dheut, në të cillin do t’u peshojshin disá pûnë gjaqesh. — Leka i u gjegj zânit të Kastriotit edhè erdh kû e thirrte ky. — (Duhet diejtë se, mbas gojëdhânet të kombit t’onë, të gjitha Kuvendet e Dheut jânë mbajtë në gjytet të Lezhes, kû, posë Kastriotit e Lekë Dukagjinit, mirrshin pjesë gjith Parsija Shqyptare). — U mblodhen në kuvend prá, në të cillin gjygje e pleqní e shum pûnë bân e zhgatrruen. — Në të gjitha gjygjet e pleqnít e Lekës Kastrioti kje vû, perposë gjygjit të gjaqevet.

Fjalët e Lekës: „Shpírt per shpírt, se duken e falë Zoti“, „Del i keqi prej të mirit, e i miri prej të keqit“, tuj mos lânë veçim nder njerz, por të jetojn e të peshohen sá njani tjetri, Kastriotit nuk mbrrîjten me i a mbushë menden: „Gabim jé, or Lekë, 'se gjaku i të mirit nuk do bâ bludë, por duhet të veçohet prej gjakut të të keqit. — „Gjergj, — i a priti Leka, — del i miri prej të keqit e i keqi prej të mirit“! Kastriotit nuk i u tund se nuk i u tund mendja; deri qi Leka, i merzitun, i a perplasi nder sŷ të të gjithvet: „Gjergj, shko e pvet t’âmë, e ajo ká me të diftue se çë farë tatet ké pasë, pse prej atij ké dalë ti! — Porsè, perpara se t’a pvesish, bâne qi të bâjë bé n’Ungjíll të Shen Markut, se do të kallzojë drejt“. — Këtû kuvendi u dá, e ky gjŷgj mbet varë mje qi t’u vertetote Kastrioti mbí duken e t’et. — Porsá vojt në shpí, Gjergji e pveti t’âmen: „Nânë, due të më kallxojsh me të drejtë, a ká kênë i mirë a i keq per dukë êm át? A mos ké pasë shtat e dhûnë me kend para se të lejshe un?“ — „Bír, un shtat e dhûnë me kend pasë nuk kam 'se leva; porsè yt át ká kênë i keq per dukë, e prej atij të keqit ké dalë ti i mirë“. — Gjergji nuk u vûni besë fjalvet të s’âmës, por e bâni qi t’i u perbete n’Ungjíll të Shë Markut per vertetim të fjalvet të saja e si e pat porositë Leka. — E âma me dorë n’Ungjíll të Shë Markut i bâni bén në ket mndyrë: „Per ket Ungjíll të Shë Markut, yt át ká kênë i keq per dukë, e prej atij të keqit ké dalë ti i mirë, e se shtat e dhûnë nuk pata me kend mje në ditë të sodit“. —

Beja e s’âmës i a mbushi menden Kastriotit; e, në rasë tjeter të bashkimit të Dheut në kuvend, Kastrioti faqe Lekës e burravet të Dheut rá në fjalë e gjŷgj të Lekës, tuj thânë: „Pasët mbetë si tha Leka!“ —

„Gjaku thithë gjakun“.
(Shif: L. X, k. XXII, n. CXXIV.)

Jânë [f]jalët e Gjergj Kastriotit, qi i a tha Lekë Dukagjinit në nji rasë të Kuvendit të Dheut. — Lekë Dukagjini nuk desht me i u vû këtij gjygji. — Qi të mbrrîjtte Kastrioti me i a mbushë menden Lekës, se „Gjaku thithë gjakun“, dau me shndrrue dý foshnje, porsá të lejshin e qi t’ishin prej dý dyersh e fisesh; njânen prej deret të mirë e pasanike e tjetren prej deret të parode e skamnore. — Ferishten fisnike i a dhanë s’âmës së parode e at të së parodes s’âmës fisnike, edhè i lán ashtû mje qi mbrrîjten në vjetët e arsyes.

Permbasi u mkamben fmija, filluen me dalë nder pataloqe per t’u argtue me fmí tjerë. — Fmija i skamnorit, i rritun në derë të pasanikut, shkrryhej në baltë e rrîte fare i ndŷt me të gjitha ndrrimet e pastrimet, me të cillat i vîjshin rreth shpijarët; e fmija i pasunikut, rritë në derë të skamnorit, rrîte i dlirët e i paster e, kúr luete, mirrte nji shkop, edhè i hypte kaluer e ngitte me 'tê. — Kastrioti e Leka rrîjshin tuj soditë sjelljet e dy fmivet. — E — „Lekë, i tha Kastrioti, a të mbushet mendja tash, se gjaku thithë gjakun?“ — Leka ishte tuj e pá mirë ndollín, porsè menden nuk e vritte edhè pûnen e fmivet e muer si nji lojë.

„Lekë, i tha Kastrioti, çou e më mêrr mbrapa, se due me të prî dikû“. — E me dy fmí per dore u vûn në shteg edhè hîn nder vorre. — Bâni Kastrioti qi të çilshin vorret e të parvet të dy fmive, prej së cillash xuer dy kocîj. Tashtì u ngreh Kastrioti edhè u shpoi gishtat dy fmivet mje qi u xuer disá pika gjaku. Muer ashtin e të parvet të foshnjes së skamnorit edhè i a afroi gishtit të pergjakun të fmís së pasanikut, por ky nuk e thithi gjakun: ashtû muer ashtin e të parvet të djalit të pasanikut edhè i a afroi gishtit të pergjakun të djalit të skamnorit, e as ky nuk e tëhoq as e thithi. — „Shka thue tash, Lekë?“ i tha Kastrioti; „a të mbushet mendja, se gjaku thithë gjakun“? Leka, si Leka, s’e lodhi menden e vet, per të vetmen arsye qi mos të mirrte teper hapët pûna e vrasës e e gjaqevet, ashtû qi u dá prishas me Kastriotin e mbet qi në rreth të sundimit të Gjergj Kastriotit të ndiqej vllaznija e fisi e nipnija per gjak: „Me ndjekë fisin per gjak“, „Me qitë pushkë per fis“. — E në rreth të sundimit të Lekë Dukagjinit mbet „Gjaku per gisht“ e „I dami zjarmit jashta njizetekater orvet mos me i u ruejtë gjaksit“. —

Vrasa e grues me shtat xânë.
(Shif: L. X, k. XXII, n. CXXX.)
„Grueja me shtat xânë âsht si mâza e tamblit“.

Dy vetë ishin kênë tuj u fjalisë e, permbasi i trashen fjalët, u shkuen edhè duert m’armë. — Nji grue me shtat xânë ndolli aty n’at valë të gjakut, e cilla — permbas dokjet të vendit — me të shpejtë u hîni ndermjet. Këta dy vetë të terbuem e të verbuem sŷsh s’e mueren ndore ndermjetsín e grues; u dhanë zjarm pushkvet, u gjuejten, porsè kurrnjana lagje s’u bâ dam. I a kthyen shpinen shoqi shoqit edhè hiken; grueja edhè ajo shkoi në shpí të vet. — S’ngjati, e grueja e bâni fmín të dekun. Grueja u kallxoi gjindes së shpís, se pse i shkoi dâm fmija, d. m. th. se vetem prej krizmes së pushkvet t’atyne dyve, qi u gjuejten. — Tashtì ngrehen gjindja e shpís së grues e u lypin arsye atyne dyve. — E, 'si nuk deshten me u ardhë n’arsye, ashtû hîni pûna në Pleq.

Mueren e dhanë Pleqt, porsè kurrkund mbë 'tê s’i bijshin gjygjit e nuk dijshin me i dhânë fund pûnës. — Nji nder asi Pleqsh nder mâ të regjunt nder gjygje e pleqní u tha Pleqvet tjerë, qi t’a mirrshin mbrapa. Pleqt i u gjegjen zânit. Ky u prîni e i çoi ke çerraniku i tamblit të ndêm neper ênë e me mâzë të ngrîme e të paplasaritun kund. — Permbasi e pán Pleqt mâzen e paplasaritun e të lmueme nder ênë, e mbylli çerranikun Plaku, edhè u shmang sá me thânë prej çerranikut edhè shprazi dý pistole flakë per flakë. Ngán te çerraniku, e çilen, edhè e gjeten mâzen e tamblit krejt të plasaritun nder ênë. Atbotë foli Plaku, qi u prîni Pleqvet tjerë te çerraniku: „Grueja me shtat të xânë âsht si mâza e tamblit. — Hovi i krizmes së pushkvet e ká trandë gruen si tamblin e çerranikut, e ká trishtue e, prej atij trishtimi, ká dekë fmija në bark të s’âmës. — Shkaktarët e dekës së fmís kjenë ata dy vetë“. — Të gjith Pleqt tjerë e hangern ket arsye, edhè i mblodhen mendimet më nji, tuj i lânë në gjak ata dy vetë, qi u gjuejten msá rrekej grueja me dá zjarmin.

Kush vret vedin shkon gjak-hupës.

„Me vrá e shoqja të sho’in, prindja e kësaj biejn në gjak. — Ká ndollë qi prindja e ká grî të bín, qi bâte ket shemtim“. (Shif. L. X, k. XXII, n. CXXXIII.)

Prenda e Lazer Ndue Ndrecës prej Dushit të Pukës, martue me Marka Lekë Ndrecen në Doç-Gomsiqe në vjetë 1919, vrau të sho’in. — U çuen kushrinija e burrit e deshten t’a vrasin Prenden; porsè shokët e katundit të të vramit e mueren me ndore Prenden e, shndosh e mirë, i a dorzuen të vllaut. Ky, porsá muer vesht pûnen, e grini të motren per shemtim të bâm, kinsè per me i a prû nderen në vend mikut. — Shemtim mbí shemtim! —

„Ata, qi kan shtat e dhûnë bashkë, po u vrán në pûnë të keqe, shkojn gjak-hupës“. (Shif: L. X, k. XXII, n. CXXIX, § 920.)

Nikolla i Sutit të Nikollë Ndrecës i Jakaj në Gomsiqe vrau Prendin e Ndòcit të Frrok Dodës prej Gomsiqjet e Prenden e Marka Ndrecës prej Kashnjetit — të shoqen e të kushrînit — pse i gjet bashkë në pûnë të ligë. — Të dy të vramët vojten gjak-hupës.

VIII.
KANUNI I PLEQNIS.

Krenët e fisevet.
(Shif: L. XI, n. CLI.)

Në vjetë 1907 Flamuri i Kryezezit i giobiti Krenët e Flamurtarin per do pleqní të paudhta e të bâme me krahambajtje. Mbasi u rá në hetim Vogjlija e Flamurit këtynve pleqnive të shtrêmta, u mblodhen burrë per shpí si mbas dokjet, edhè u mueren giobë njiqind desh e nji ká.

Pleqt, qi bâjn gjygjin me krah e të thyem prej nendoresh, të hetuem prej Pleqvet të dytë, posë faqes së zezë, ata rrallë se i mêrr kush mâ per Pleq, edhè giobiten permbas peshimit të gjâs së pleqnueme.

Zjarmi, të grîmunt, të sodumunt.
(Shif: L. XI. n. LVII, § 1195, g.)

Në muej të Vjeshtëtretit 1913 dymbdhetë vetë dymbdhetë Flamuresh (5 të Mirditës, 4 të Malsís së Lezhes, e 3 të Thkellës) grîn Gjinin e Prengë Gjinit prej Kimëzet në Flamur të Spaçit, pse ky pat vrá kushrîjt e vet, qi t’i dilte me u bâ zot i pasunís e i gjâs së tyne. Kjo e grîme ndolli në Kulm të Kreshtës, qi âsht permbí Kallmet.

Gjoni i Marka Gjokë Per Ndojt i Rshêjas (Thkellë) vrau tre kushrîjt e vet (Pjetrin e Prengë Kolë Bibës vetë të tretin vllá), pse këta i a vrán të kushrînin, per me i a pushtue pasunín, edhè shkuen gjak-hupës me „Të lumët gishti i shllinës“! Kjo ndolli në vjetë 1900.

IX.
SHLIRIME.

Deka.
(Shif: L. XII, k. XXIV, n. § 1261.)

Kah vjeti 1903 Dila, e motra e Pjeter Lukë Ndrecës në Gomsiqe, në Flamur të Spaçit në Mirditë, e martueme në Dush në shpí të Prend Llesh Gjinit, erdh në pasi në shpí të prindes së vet në Gomsiqe. Mbas do ditësh u smue Dila edhè diq. Si ndrroi jetë kjo, u çue Pjeter Luka, i vllaj i Dilës, me nja disá shokë mende-letë, e ngarkoi mbë vigj motren e dekun, edhè e çoi në shpí të burrit në Dush. — Si e muer vesht katundi, u mblodh në kuvend e, mbas pleqnís së peshueme mirë per shnjerzim, qi jau suell Pjetri, e giobiten tuj i mârrë nji lopë, të cillen e dán në log të kuvendit pesëdhetë kortarësh nder pêsëdhetë shpít e Gomsiqes.

X.
SHTESË E VJETIT 1894.

1) Kush të mârrë grue pá kunorë, a grabitë grue a vajzë, do të lajë 1000 grosh Kishës, 500 grosh Krenvet e 10 desh.

2) Kush të gerrishtet në váj a gjâmë të dekunsh, do të lajë 1000 grosh Kishës, 1000 Krenvet e 10 desh.

3) Kush mos t’i lâjë Krenët e Giobarët me zbatue ligjen e Flamurit, ká per të lá 500 grosh e 5 desh.

4) Kush të vrasë në besë a mbas gjakut të pajtuem, do të lajë 6 qese e 10 desh giobë.

5) Kush të qesë pushkë në shpí, kû bâhet darsma, kje mik a i zoti shpís, do të lajë 500 grosh e 5 desh, gjith ashtû do lajë edhè aj, i cilli randon kend me të shame në trevezë si në drekë si në darsem.

Kushdo, qi t’u biej ndesh këtyne kanuneve, kje Krye, Giobarë a Vogjlí do të lajë 3000 grosh.

Perpara se të cillit êmen ká ka ‘i vulë turqisht. — Brahim Bej Serxherdja — Kasem Bej Bylikbash — Dodë Prênçi, Bajraktár — Zenel Shebani — Gjokë Doda — Keq Prêla — Zef Gjeka — Prêlë Toma — Gjelosh Nika — Vuksa’ Leka — Brahim Vuksani.

XI.
KANUNE TË VEÇANTA.

Kanune të bâme prej njizetekater Pleqsh me pranim të Krenvet etj.
(Shkrue në katund të Kastratit me 2 të Vjeshtëtretit 1891.)

1) Kroni i Rí, qi âsht i gjith Kastratit, e në Shé të Gurit; te Vorri Gjolaj e në Breg të Gurrës, kufî me Gjelosh Lucen; Shkamb Gropë Mollë e në Brigje — prej Gjekë Petroviqit e në Cuk të Gurrës, kush të bâjë fjalë me kend e t’a hjekë armen, ká per të lá 3000 grosh giobë e 24 desh.

2) Kush mos të lâjë ndonji grue me mbushë ujë nder kroje e gurra, tuj i thânë se nuk ká pjesë, ká per të lá 250 grosh giobë e tre desh.

3) Kush të shajë kend nder vende të permenduna, a i shau kush kuej nânë e babë, ká per të lá 250 grosh giobë e tre desh, po i pat mbushë 15 vjetë.

4) Kush të shkojë me bâ ndonji dâm nder mullîj, e po pat mbushë 12 vjetë, do të lajë 250 grosh të zot’t të mullînit e 600 grosh e tre desh Krenvet.

5) Kush të shgulë kufîjt e vjeter e të vêjë të rí në vend të tyne, ká per të lá 3000 grosh e gjashtë desh.

6) Mos të guxojë kush me trembë gjânë nder mrize të xânuna perpara; kush t’a bâjë ket pûnë, ká per të lá 250 grosh e tre desh.

7) Çâshtja e mullîjve jet e paluejtun si gjithherë e nuk mund të ndezë degâmë as i Vukpalaj, as i Gjolaj: e aj, qi të mârrë ujem mâ teper se 5 okë në njiqind, ká per të lá 500 grosh e 6 desh.

8) Aj, qi të presë ndonji landë kû mrizojn gjâja, ase pret rrêma, ká per të lá 500 grosh e 6 desh.

9) Krojet e gurrat tjera lêhen në Kanû të vjeter, d. m. th. qi kush t’a prishë ndonji krue a gurrë, a mos të lâjë kend me mbushë ujë, ká per të lá 500 grosh.

10) Mullîjt jânë me rend; kush t’i bluej atij, qi erdh mbas shoqit e t’a prishë rendin, a per hater a i prishun prej nendoreve, ká per të lá 150 grosh e tre desh.

11) Aj, qi të qasin të huejin nder tbâna (në bjeshkë), do të lajë 500 grosh e 6 desh.

Kanune të bâme në vjetin e Krishtit 1892 me nji të vjeshtëtretit në Kastrat e Bajzë.

Kuvendi i mbajtun nen kryesí të ZZ. Brahim Beg Serxherdes, të Kasêm Beg Bylikbashit e të njizet e kater Krenvet (Pleqvet) të Kastratit, në të cillin u bân këto kanûne;

1) Kush të vrasë ndonji të Kastratas a kêdo prej Malesh tjera, ká per të lá 3000 grosh e 24 desh.

2) Varra ká 1500 grosh e dymbdhetë desh.

3) Kush të giobisë kend pá e bâ kuvendisht e njij zâni, ká per të lá 1000 grosh e dhetë desh.

4) Kush të bâjë fjalë a të shajë kend a t’i a drejtojë armen kuej nder këto vende: te Bregu i Shpellës, në Viri, te Kroni i Rí, ká per të lá 1000 grosh e dhetë desh.

5) Kush t’i a thejë gardhin shoqit, per me bâ shteg, të zot’t të gardhit do t’i lajë 150 grosh (tre desh).

6) Kush të vrasë kend n’udhë të madhe, ká per të lá 3000 grosh e 24 desh.

7) Kush t’i vjedhë kuej në shpí a në vath, ká per të lá 500 grosh e 5 desh.

8) Kush të korisë grue a vajzë, dhânë zânin, ká per të lá 3000 grosh e 10 desh.

9) Kush nuk don me mârrë Pleq e dahet me „Mos Ju kjosha falë“, ká per të lá 500 grosh e 5 desh.

10) Kush të lshojë bagtín ne e huejen, ká per të lá 250 grosh e 3 desh.

11) Aj, qi mos të ndigiojë me thuer pjesen e vet per gjymës me kufîtarin, ká per të lá 250 grosh e 3 desh.

12) Aj, qi mos t’i pergjegjet detyrës në vade të dame, ká per të lá 23 grosh.

13) Kush të vjedhë në katund të vet ká, lopë a kál, do të lajë 500 grosh e 5 desh.

14) Aj, qi mos t’i pergjegjet së thirrmes së katundit per me dalë në Kuvend a per çdo nevojë të katundit, ká per të lá 250 grosh.

15) Aj, qi të xâjë nji shteg të kênë gjithmonë, ká per të lá 150 grosh.

16) Krenët do të mblidhen në Kuvend ka nji herë në vjetë — nji javë mbas Shen Gjonit —; kush të shkojë kundra këtij vendimi, ká per të lá 500 grosh.

17) Pleqt e pêgjeve nuk do të mârrin per kpucë (pleqní) mbí 10 grosh e Vogjlija 5 grosh per pleqní të bâme.

18) Kush të vrasë kend mbas gjakut të pajtuem me urdhen të Sundit, do të lajë 12 qese, do të xieret prej katundit e do të bâhet faní.

19) Qêni, qi hîn në vêshtë me gjith krrabzë në qafë, nuk mund të vritet; qêni, qi hîn në vêshtë a n’arë pá krrabzë, vritet.

20) Kush të biej qên hekurash me vedi në Kishë a te Shpella, ká per të lá 50 grosh. — Kush bjen thí e bagtí ke Shpella, ká per të lá 50 grosh. Kush lán petka te Shpella, do të lajë 50 grosh.

(Oroe: Shpella âsht vendi, kû mbushin ujë Bajza me rrethînë.)

21) Aj, qi i lên lidhë dorzânët e detyrës, do t’i lajë 225 grosh uhasit e 150 grosh Krenvet e pêsë desh.

Vendime të bâme me 30 Prill 1905 prej Djelmnis së Shalës.

Perqindtat, qi mirren per fajde, kan me u lá mbas sodit me ka nji koshiq drithë deri të Merkuerren e Perhîme; mos i lafët deri at ditë, t’a grabisin a t’i mârrin 30 okë drithë per 'i qind. Perqindtat kan me u mârrë a 100 grosh a 100 okë drithë, n’i lypët i zoti; a, në thashët se e mârr koshiqin, të mârrë 100 grosh, n’i pasët bâ; ase t’apin 100 okë drithë.

Drithë kurr i Shalnjani s’ká me i dhânë kuej, por n’e dhashët per gjâmë a në dashët me falë deri 20 okë.

Rakín kurr i Shaljani s’ká m’e qitë në gjâmë, posë 7 javët e Krezhemvet.

Kurr i Shalnjani s’ká me falë mbí 100 grosh as mbrendë as jashtë. Xhamadan të kuq ndrikulla s’ká me falë; kumbara në pêsë vetë e perpjetë s’ká me shkue, edhè jashta njâj shpije s’kan me kerkue.

Kush të nisë mâ të paren pushkë në log të Kishës e mbrenda kufînit të saj, ka shpín e djegun e 20 qese në besë të gjâs e të çobânit e në besë të Djelmnís së Shalës.

Kush perzien Meshen e Fratit e të thotë Frati me Kryq, se filani më ka ngucë, ka shpín e djegun e 2 kjé fisit.

Kush të perkasë pasunín e Kishës, ka 2 kjé fisit.

Kush t’a ngucë rrogtarin e Kishës, ka 2 kjé fisit.

Kafen e sheqerin, qi mêrr kush per gjâmë te Frati, po s’e kthei krye kater javësh, edhè bâni váj Frati, ka per t’i la nji ka fisit.

Kush t’i mârrë delmen, dhín e lopen Shalnjanit e kush t’i bâjë shoqit gjâ, qi t’i sjellë korín, tagjija do t’i digjet, arët do t’i zhgulen, koshi do t’i thehet. Djelmnís do t’i apë nji ka giobë e qeveritarit dy desh.

Njekëta sunde, qi i bân Djelmnija e Shalës bashkë me Bajraktar, jânë pa vade, si sundi i zjarmit e si tjera sunde. — Kush t’a prishë ket sund, ka me i dhânë fisit nji ka e 300 grosh e nji dash qeveritarit, jase âsht i djegun.

Djelmnija e Shalës.

Shalë, me 30 të Prillit 1905.

Shalë, me 12 të Majit 1907.

Falë me shndet po u çon Bajraktari i Shalës me Parí e Djelmní Krenvet e Djelmnís së Thethit edhè qi bâjn me diejtë qi këta sunde fisi i Shalës së poshter i ká vû e po ju lajmojm edhè jú, a po rrîni në këta sunde. Na sundin e vûm edhè bén e bâm me i ndêjë e mos me e çartë. Sundi âsht njeky:

Pecnikaj e vndoi sundin, qi kush të vrasë nierin, trashiguesi (mirazçija) permbas dorërasit ká per të qitë edhè vrastarët (katilat), e deri të treten ditë ka besë e dorzânë; ka per të shkue me të parin e asaj lagje e ka me i dhânë gjaksi nji javë dit besë e vllaznija e dorërasit ka me i paraqitë dy vrastarë (katila); po briti gjaksi, atëherë do të lêhet gjaksi të shênjojë njanin, e tjetrin e shênjon vllaznija. — Kush të vrasë kand në ket bé e në ket sund, kan besë e dorzânë deri të treten ditë. Aj, qi vret, e vret në dorë të vet e në besë të vet e në ndore të Pecnikajt e në gjak ka me i ra e per at gjak s’ka me u vû kurr, e, ne e vrafët, e vret me urdhen të gjith Bajrakut të Shalës.

Per si e vûni ket sund i Pecnikaj, në 'tê jânë edhè Lotaj, Abati e Bobi.

Xêvêsë per të pa bén e Thethit, Shala marë ka bâ Tahir Delín, i cilli kje në Kuvend në ket bashkim.

Kush të vrasë njeri në Shalë — jashta dorërasit — shpín e tjetrit s’ka per t’i a djegë.

Në kjofët se i a djegë shpín tjetrit, kater huta i a ka Djelmnís së Shalës giobë e shpín sa të viej (mbas çmimit) e dâmin, qi të bâhet, dy per nji të zot’t.

Vllaznís së dorërasit — 'si të hîjë nder shpija të veta — po shkoi kush a me jau thye shpín, a me jau djegë a me jau vra mashkujt, ka per t’i la të zot’t e Djelmnís 20 qese e gjakun gjak.

Mushqit jânë në sund të Djelmnís e, kushdo qi t’i mârrë, i mêrr në sund.

Qikëto fjalë, qi u shtîn në ket leter, jânë në besë të Bajraktarit e të Djelmnís së Shalës e të Qeveritarit.

Prej Prekë Ndout të Mashit e deri në Ndue Ulen e Bobit, kush t’a ndukin tagjín e shoqit të pazblueme, i ka nji ka Djelmnís së Fisit e nji dash Qeveritarit.

Vendime të bâme në Kashnjet (Mirditë) me 17 Gusht 1904.

Na Bajraku i Dibrrit u mblodhem në Kuvend per do pûnë në Kashnjet, e kimi pa me udhë sikúr Zoti e Kanûja e Mirditës.

1) Kush të vrasë per fis, per pêsëmbdhetë vjetë âsht i xjerrun prej Bajrakut e bashtêna t’i jesë djerr, njiqind desh e nji ka giobë e shpín të djegne.

2) Kush t’a lâjë mbrendë, bâhet fajtuer, sikúr aj, qi vret per fis.

3) Aj fis, qi s’prîn mbë fajtuert, bje në faj të gjith Bajrakut.

Frrok Deda, Bajraktari — Frrok Dodë Paluca, Krye, — Frrok Çupi — Marka Per Laska — Lazer Marku — Prênç Doda — Per Gjokë Doda — Gjoni i Prengë Dodës — Marka Deda — Ndue Marka Prenga — Ndue Kolë Mcuku — Zef Prenga — Ndue Zef Ndreca — Zef Doda — Nikollë Gjokë Brunga — Zef Gjergji — Prengë Ndoc Gji’ Ndreca — Gjini i Ndue Markut — Ndue Jaku — Gji’ Pjetri — Ndrecë Gjoni — Frrok Ndreka — Nikollë Gjokë Per Deda — Llesh Dedë Marku — Frrok Gjokë Ndoj — Pjeter Frroku — Dodë Prengë Gji’ Nikollë Marku.

Çdo pûnë, qi t’i ndollë Bajrakut, këta gjind do t’i prîjn Bajrakut marë.

Dishmues:

Dom Ndue Melguzhi — Pepaj, Famullitari i Kashnjetit.

Disá Kanûne të miratueme prej Prefekturës së Shkodres.

Merqjeri nuk luhet, por, si kje da tash shtatë vjetë, ashtû edhè tash ka at fuqí; merqjeri pra âsht gjashtëqind grosh, nen të cillen sasí pershîhen të gjitha. Kush t’i biej ndesh këtij urdhni, ka per të la nji giobë 1000 groshësh.

Varzat do të fejohen prej t’et; po nuk pat babë, prej vllaut e në mungesë të këtij, prej kushrinit të ngiatë. Grat s’do të perzihen nder fejesa.

Çdo fejesë do të bâhet çiltas e jo tinzë e me shkues dishmitarë. Si të kryhet fejesa e të kenë shprazë pushkët perpara shpís së së fêjuemes, ata, qi kan tager me fejue, do të duken perpara Famullitarit, per me shkrue êmnat e të fejuemvet, të shkruesit e të dishmitarvet me të gjitha rrethânat — Kush mos t’i rrîjë këtij vendimi, do të lajë 1000 grosh giobë.

Kush mos të ndigiojë me vû kunorë, kúr Prifti të vîjë per at qellim, do të lajë 1000 grosh giobë.

Kush të bâhet hjekës i të hikunit të njij gruje të lidhun me kunorë, do të lajë 8 qese giobë.

Aj, qi i ep gruen atij, qi dan gruen e vet — grue kunoret — ka per të la 1000 grosh giobë.

Kush të mârrë guxim me lshue gruen e vet, qi e ka me kunorë, per me mârrë tjetren pa kënorë, ka per të la 1000 grosh giobë.

Kush të shesë a bí a moter a ndonji fêmen prej gjakut e gjinís së vet, sikursè edhè aj, qi blén, kan per të la 1000 grosh giobë.

Tuj u pshtetun dokevet të lashta e qi edhè sot mbahen nder Malsí të Shkodres — nder të Krishtênë — e qi jânë ata, qi i perkasin fejesavet, martesavet, si per të hjeksuemt si edhè per të hikun të grave të hueja e per këso ngatrrimesh tjera u vûn sa kanune per ndalim të këtyne pûnve të liga, me pelqim si të Shkelqesës së Tij Kryeipeshkvit të Shkodres Êmzot Luigj Çurçís, si edhè të Krenvet të Malevet, të cillat kanune, permbas peshimit prej ânet të Kshillit Qeveritar, kjenë pelqye e urdhnue të vêhen në zbatim.

Fuqija Qeveritare prá me ket Bujurulldí urdhnon qi dhetë pikat e permenduna të mbahen e të qiten në zbatim pá të shmangun e mos t’u bâhet báll.

Dhânë prej Fuqís Qeveritare të Shkodres.

Shkoder — Shqypní — me 9 të Majit 1864.

L. S. Mareshali, Qeveritár Civil e Ushtarak i Prefekt. së Shkodres.

Ismail Pasha.

Kanune të bâme prej Flamurit të Kurbinit me 5, 6 e 7 të Gushtit 1906.

1) Kush të njitet zaptí, shpín e ká të djegun e âsht i dâm per mort e gjellë.

2) Aj, qi të shkojë me kjá në qeverí të Tyrkut kundra të Krishtênit, ká 1000 grosh giobë.

3) Aj, qi të vjedhë shoqin, a then shpín, po kje në mohim, ká 12 poronikë: po duel cub, ká 1000 grosh giobë e të zot’t të gjâs dý per nji.

4) Në vjedhët nji ká, në kjofët në mohim, ká 6 poronikë; u hetue e duel cub, ká 500 grosh giobë e të zot’t të gjâs dý per nja. Ky gjŷgj âsht edhè per kál e per mushk. — Lopa e vjedhun me mohim ká 3 poronikë; po duel cub, dý per njâ të zot’t e 250 grosh giobë; ashtû edhè gomari. — Po u vodh skjapi i kumbonës a dashi (ogiçi), të zot’t të gjâs dý per nja e tre desh giobë; po kje në mohim, ká bén me të gjith mashkujt e shpís. — Per çdo gjâ t’imë dý per nja të zot’t të gjâs e dy desh giobë; me kênë në mohim, ká bén me gjinden e shpís.

5) Zjarmi per shpí ká 2500 grosh giobë; ksolla e gjâs, mullari i barit e gardhoret kan 1500 grosh giobë e të zot’t dý per nja.

6) Aj, qi s’del në kuvend mbas së thirrmes së Plakut të katundit, ká nji dash giobë.

7) Po u vojt fjala Pleqvet me u mbledhë në Kuvend, aj Plak, qi s’del, ká per të lá 5 desh giobë. — Po pat arsye, do të peshohet prej Pleqvet tjerë.

8) Pûna e Porotës per gjithshka të bâhet në Kurbî — posë gjakut — Porota ká per të bâ bén: „se t’âsht mârrë, s’e diej.“ (d. m. th. me „sedije“).

9) E folmja e Kapucarit âsht me dorë në bé si â’ kênë.

10) Po u ngatrrue kush me të mendueme me kêdo e pá e bâ me dije Plakun e katundit, ká 500 grosh giobë. Po e bâni me dije Plakun e ky i a lypi pengun atij, qi i mbet në qafë shoqit, edhè nuk u gjegj me i a dhânë pêngun, ká 500 grosh giobë. — Po nuk muejt me i ndreqë Plaku i vet, u vên nji muej vade edhè bân me dije Pleqt tjerë e këta kan per t’i zhgatrrue mbas kanunit të vendit.

11) Çaf â’ zaptí në sherbim të Sulltanit a kje i Krishtênë a Musulman, aj, qi t’u apë bukë e t’i lâjë mbrendë, ká me pasë 1500 grosh giobë.

12) Aj, qi të prishë besen e dhânun e të lidhun me Pleq e me Vogjlí të Kurbînit, Pleqt e Vogjlija jânë në detyrë me e djegë e me e qitë prej Bajrakut.

Shkrue në Delbinisht të Kurbînit te Gurra nen mand afer Pallatit të Kryeipeshkvís, me 5, 6 e 7 të Gushtit 1906.

Gjin Pjeter Mark Pervizi i Skurajt të Kurbînit, Plak i parë nder 45 Pleq të semtit të Krues n’êmen të Pleqvet e të Vogjlís.

Ndollen në ket Kuvend edhè i shkruen kanunet e permenduna:

Êmzot Nikollë Kaçorri, dishmoj;

Át Shtjefen K. Gjeçov, Françeskan, dishmoj.

Lexoje gjithë librin offline: Shkarko e-book · EPUB