Libri i dytë - Familja

KRYE I DYTË
NDËRTIMI I FAMILJES.
NYE I NANDËT Familja e kuptueme në vedvedi.

§. 18. Percaktimi i familjes. Familja asht nji të mbledhun gjymtyrësh, të cilët gjallisin nen nji kulum, qellimi i të cillvet asht të shtuemt e gjindes nper mjet të martesës, të mkanbuent e tyne kah zhdrivillimi i shtatit e kah zhvillimi i mendes e i shises.

§. 19. Pjestarët e Familjes. Familjen e perbajn gjindja e shpis; si të shtohen këta, dahen në vllazni, vllaznija në gjini, gjinija në fise, fiset në flamur e të gjith zbashku permblidhen në nji Familje ma të hapët, e cila quhet Kom, e kan nji atme, nji gjak, nji gjuhë, e doke.

§. 20. Tagri, perlimi e detyra e të zot’t të shpis. Mbas Kanunit, sundimi i shpis i perket ma të vjetrit nen kulm të shpis a se vllaut të parë; po s’paten ato veti , qi duhen per me krye ket zyre si e lyp detyra, atbotë zgidhet kuvendisht prej shpjakve njaj, qi të jet ma i meqem, i urtë e ma kujdestar.

Zot shpije mundet m’u ba edhe njeri i pamartuem. I zoti i shpis ka tager:

  1. me ndejë në krye të vendit në shpi të vet, edhe pse gjinden ma të vjerer se ky në shpi;
  2. mbi armët e veta, edhe njiqind qese n’i bashin; mbi kal të shalës; mbi shtrojë e mblojë të veten; mbi veglat e kafes, e këto sende as kunaja e dahes s’i pershin;
  3. mbi fitime të gjindes së shpis, të rrogës a të falmeve;
  4. me ble, me shitë e me ndrrue tokë, si arë, livadhe, xana (ograja), prozhme, rendin e vadës gja të gjalla e remet;
  5. me dhanë e me merrë uha e me hi dorzanë;
  6. me ndreqë shpija, ksolla vithna, etj;
  7. me çue në punë a në shtek gjinden e shpis;
  8. me çue gjinden e shpis per puntorë uha a edhe fjal;
  9. mbi venë e raki, a me ble a me shitë a me dhanë uha;
  10. me ndeshkue gjinden e shpis, kur kur mos të hecin si e lypë e mara e shpis.

Ndeshkimet jan njikëto:

  1. Me lanë pa hanger
  2. Me u hjekun armët e krahit a të brezit per nji a dy javë;
  3. Me lidhë a me burgosun në shpi;
  4. Kryekcyemin me e da shpijet me pjesë, qi i perket, per me shporrë shnerzimin e rrezikun.

  1. Me hi dorëzanë kush i shpis pertej se i ban arma; me shitë, me ble a me ndrrue gja pa leje të zot’t të shpis, ka tager mos mu pergjegjë, se Kanuja s’e xen per të zakonshme as të shitmen, as të blemen as të ndrruemen e as dorëzanin këso dore, e çdo send a gja do të shkembet, se a’ba pa leje të zot’t të shpis.

§. 21. Perlimi e detyra e të zot’t të shpis.

  1. Mu perkujdesë per të marët e gjindes e të shpis;
  2. Me mbajt në fre gjinden e shpis të mos t’i sjellin ndo’i dam a rrenim;
  3. Me pri ma i pari në punë qi i perkasin vehtjes së tij;
  4. Me mbajtë sy mbi tokët, të mos të jesin djerr; mbi tufë të gjas s’gjallë, të mos praptohet e mara e sajë;
  5. Me punue me mend e urti merenda e jashta shpijet e të mos t’a çoj rrenimi e fika shpin;
  6. M’u perkujdesë per veshë e mbathë të gjindes së shpis prej fitimeve të shpis;
  7. Me mbajtë udhen e drejtsis në shpi, e mos me i a mbajtë krahin ma teper njanitt se tjetrit;
  8. M’u ble armët djelmvet, kur të shofë se janë ba per to.

§. 22. Tagri i së zojës së shpis. E zoja e shpis ka tager:

  1. Mbi të gjtha sendet, qi bahen në shpi;
  2. Me dhanë a me lypë uha miell, bukë, krypë, djath, e tlyen ;
  3. Me i urdhnue grat e shpis, me i çue per ujë, per dru, m’u çue bukë puntorvet, me ujët (me vaditë), me bajtë pleh, me korrë e me mihë a me qirue.

§. 23. Perelimi i zojës së shpis. E zoja e shpis ka:

  1. Me ba gati mjesditen e darken, me zie, me ndreqë tryezen e me da haenat;
  2. Me i a vu menden bylmetit të mos të shkoj dam ;
  3. Mos me shitë, a me ble a me ndrrue gja pa leje të zot’t të shpis. E zoja e shpis s’gatuen, s’shkon per ujë, s’ban dru, as pleh, as me ujët as me korrë a me qirue, as bukë m’u çue puntorvet;
  4. Me shikue drejtsin në të ndrequn të gjindes e të fmive të shpis; mos me i a mbajtë krahin kuej ma teper se tjetrit;
  5. E zoja e shpis do të përkujdeset per fmi, sa të jen në punë grat.

§. 24. Tagri i gjindes së ships. Gjindja e ships ka tager:

  1. Me hjekë të zo’n e ships per në pashin se nuk punon per të marët e shpis a i çon kah fika;
  2. Me hjekë të zojen e shpis, per n’u raftë per sysh se bracnon, a shet gja tinëz – edhe nji kokerr voejet me kenë – a n’u mbajtë krah fmivet të vet ma teper se të tjervet.
  3. Mbi armët e veta seicili; munden me shitë, me ndrrue, a me lanë peng, porse s’kan tager me lypë tjetren në shpi;
  4. Mbi qe ka tager bulku, qi i nget: me i ndimue kuej a uha a falë pa pasë nevojë per leje të zot’t të shpis;
  5. Mbi tuf dhensh ka tager bariu, qi i ruen; i zoti i shpis s’ka tager me i u perzie në ket zyre; para se të shes gja a të prese ndo’i kambë berri, bariut do t’i thotë, e ky e din se çë fare berri a lope asht per t’u hjekë.

§. 25. Perlimi i gjindes së ships asht:

  1. Mos me hi dorzanë pa leje të zot’t të shpis ;
  2. Munden me hi dorëzanë edhe pa e pvetë të zo’n e shpis, porse per aq, sa u ban arma, se kjo asht e vehtja;
  3. Nuk munden me i shkue kuej per puntorë pa leje të zot’t të shpis
  4. Nuk munden me shit as me ble as me ndrrue gja;
  5. Gjindja e ships nuk munden me mundshtue të zo’n e shpis në punët e shpis a të krahit;
  6. Me ndigiue, e me shkue gjithkund t’urdhnoje i zoti i ships;
  7. Kuj t’i a njese gishtin i zoti i shpis me dal n’ushtri, do të dale;
  8. Granija janë në detyrë me punue per shpi; po u teproj koha, si të lirohen prej punve të shpis, munden me ba punë doret të vetat.
NYE I DHETËT Familja e kuptueme në Katund e në Flamur.

§. 26. Tagri i Familjes.

  1. Ka tager e za në kuvend të katundit;
  2. Ka tager në pjesë të gjobës së katundit;
  3. Ka tager në kujri të katundit;
  4. Ka tager me marr më ndore kedo;
  5. Ka tager me pri me unë zjarmi e me spatë në të djegun të nji shpije në fis të vet;
  6. Ka tager me pri gjobtarvetnë vathë të fisit të vet;
  7. Me ra më ndo’i faj të randë shpja, per të cilin i shkon ndeshkimi i unës së zjarmit e i spatës, as katundi as Flamuri s’mund vej dorë më rrenim pa pri vet fajtori.

§. 27. Perlimi i Familjes.

  • në Katund:
    1. I zoti i shpis do të pergjegjet per çdo dam, qi t’bajn kuej gjindja;
    2. Do të dalë në kuvend gjith sa herë të mblidhet katundi;
    3. Do të çojë puntorin në punë, qi ka katundi rrethas;
  • në Flamur:
    1. Do të dalë në kuvend të Flamurit kur të thirren “Burrë per shpi’’ ;
    2. Do të pergjigjet rrethas me katund per “dy hae bukë” djemvet të Flamurit ;
    3. Do të lajë 400 grosh gjobë Derës së Gjomarkut per çdo vrasë ;
    4. Do të dalë n’ushtri të Flamurit.
Pjesa e radhës
Libri i tretë - Martesa