Me gjithë luftërat, shkeljet dhe turbullimet e paprera në tërë kohën e shkuar, populli shqiptar me forcën e vullnetit dhe fuqinë e tij të kundërshtimit, ka qenë i zoti të mbajë të gjallë, jo vetëm gjuhën e tij, të njohur nga filologjistë si më të vjetrën në Evropë të Juglindjes, po edhe ca nga traditat e tij të motshme. Një nga këto është kostumi kombëtar. Baroni Francis Nopça, një autoritet i njohur, në një nga librat e tij të fundmë mbi Shqipërinë, të botuar tre vjet të shkuara në Gjermani, ka botuar krah për krah dy fytyra, një të një kostumi të sotmë të Shqipërisë dhe një tjetër të një shëmbelle prehistorike të zbuluar në një qark të Ilirisë së vjetër, të ngjarët në mes tyre është për të vënë re.
Kur flasim për kostum shqiptar, është nevoja për ca shpjegime. Populli shqiptar është shumë individualist dhe nuk vesh gjithnjë po një rrobë. E vërteta është se ka aq kostume shqiptare, sa ka edhe qarqe të ndryshme në Shqipëri. Po përmbi këtë ndryshim lokal, ka qenë gjithnjë njëfarë veshjeje e përgjithshme në karakteristikat e saj që mund të quhet kostum kombëtar. Flokja, midis të tjerash, ka pasur në formë të saj një farë afrimi në gjithë vendin; dhe fustanella gjer pak kohë më parë ishte një pjesë e veshjes kremëtore të çdo njeriu prej dere të mirë si në Shqipëri të Sipërme, ashtu edhe në Shqipëri të Poshtme. Puna që të tilla moda veshjeje mund të gjenden dhe në vendet fqinje, s’tregon tjetër gjë, veç influencës së fortë që shqiptarët kanë ushtruar në kohën e shkuar mbi kombësitë rreth e rrotull. Për shembull, është thënë me përsëritje prej studimtarëve të këtij subjekti se i ashtuquajturi kostum grek “modern” në të vërtetë është një imitim i poshtër i kostumit shqiptar. Ky kostum u përhap në mes të grekëve në shekullin e katërmbëdhjetë, kur shqiptarët nën Bua Shpatën shkelën dhe pushtuan Greqinë.