Shqiptarët - Çelësat për të kuptuar jetën dhe natyrën e tyre

Për të kuptuar historinë e një populli është e nevojshme të studiohet natyra e tij, por një studim i paanshëm është i vështirë, për shkak se dëshmitari mund të ketë ose një qëndrim të keq, ose një simpati të pambështetur, sipas përvojës vetjake që ka. Prandaj unë do të përpiqem të jap një vështrim të shkurtër për këtë çështje të veçantë, duke e parë nga disa kënde.

I

Së pari, ka shumë rëndësi të dihet se fyerja më e rëndë në Shqipëri është ta quash dikë të pabesë, pra që nuk është besnik. Shumë nga rastet e gjakmarrjeve kanë pasur si pikënisje akuzën për pabesi. Natyrisht, kjo nuk do të thotë se në Shqipëri nuk ka njerëz që tradhtojnë, por na tregon pa u gabuar cila ishte kërkesa themelore për sjelljen, idealin që synohet. Anasjelltas, ka interes të vëmë në dukje se në Greqinë e sotme fyerja më e rëndë për një njeri është ta quash analfabet dhe të trashë, pra ideali i fqinjëve jugorë të Shqipërisë është zgjuarsia në vend të karakterit të fortë. Siç e thotë një fjalë e urtë, që përmendet shpesh kudo në Shqipëri, shqiptari për një plesht djeg jorganin, që do të thotë se është i padurueshëm dhe i krisur. Fjala e urtë ndoshta e ka prejardhjen nga ndonjë këshillë e pamenduar që e ka dhënë ndonjë prijës, për të mos u ngutur që të fillohet një përleshje e kushtueshme për ndonjë gjë fare të kotë. Një rregull tjetër shumë i bukur për sjelljen është thënia se “koka e falur nuk pritet”, që do të thotë se kur armiku kapet ose nënshtrohet, nuk ka pse të vritet. Historiani bizantin Nikifor Gregoras, për të cilin mund të thuhet pa dyshim se nuk ka qenë proshqiptar, na pohon faktin se shqiptarët as nuk i vrasin e as nuk i kthejnë në skllevër armiqtë e mundur.[1]

Është e vërtetë që Gregorasi shton edhe emrat e disa popujve të tjerë të Perandorisë Bizantine që kanë po këtë etikë të luftës, por në kronikat bizantine mund të gjenden shumë shembuj të kundërt me këtë. Sidoqoftë, në kohët e reja ndër të gjitha kombësitë e Evropës Juglindore vetëm shqiptarët njihen se i kanë mbetur besnikë traditës kalorësiake për ta kursyer armikun e mundur.

Ka një rregull shqiptar të njohur botërisht e të provuar në jetë: gruaja është e paprekshme. Edhe në gjakmarrjen dhe në luftërat më të egra gratë nuk janë qëlluar. Kur dikush ka armiq që i gjuajnë rastin për t’i marrë hakun dhe e ka ngushtuar nevoja për të bërë një rrugëtim, ndodh që ai, për ta bërë rrugën i sigurt, merr me vete një grua, ndonëse një veprim i tillë quhet paburrëri. Madje edhe cubat e rrugës së madhe e respektojnë këtë rregull. Nja dyzet vjet më parë gjithë shtypi i botës u mbush një ditë me lajmin për një bëmë trimërore: një tren ndërkombëtar që shkonte nga Parisi në Stamboll, u ndal nga banditët në Traki. Të gjithë udhëtarët burra i detyruan të zbrisnin nga treni me plaçkat në dorë dhe ua rropën të gjitha gjërat e çmueshme, kurse kryetari i bandës u tha grave të qëndronin nëpër vende dhe disa herë u kërkoi të falur për shqetësimin që u shkaktuan. Nga urdhrat që ai u jepte shokëve të vet në gjuhën shqipe, u bë e njohur kombësia e banditëve. Kur flasin me vetëdije për veten e tyre, shqiptarët krenohen se kanë shumë veti e virtyte. Kjo është një dobësi e gjithë popujve dhe mendime të tilla nuk kanë ndonjë vlerë. Përkundrazi, shprehjet e thëniet popullore janë gjykime të vetvetishme, si të thuash, në to një popull është kapur në çastin kur flet pa e pasur mendjen. Ne do të vazhdojmë gjurmimin në këtë drejtim dhe do të përpiqemi të zbulojmë mendimet e popujve të tjerë për shqiptarët. Veçanërisht me interes është mendimi i turqve, sepse ata kanë qenë me shqiptarët për pesë shekuj. Të gjithë historianët turq flasin për kokëfortësinë e shqiptarëve. Arnaud iunud (shqiptarët kokëngjeshur), është një shprehje e ngulitur në kronikat e vjetra. Veç kësaj turqit mendojnë se shqiptarët janë kokëshkretë. “Ka një damar shqiptari” është një thënie e zakonshme e turqve. Zoti Xhejms Redhauz (James Redhouse), i cili e ka përfshirë këtë thënie në Fjalorin e tij monumental turqisht-anglisht, jep këtë përkufizim në botimin e ri, të vitit 1921: “Arnautligi tuttu” i kërceu damari shqiptarit, ka folur ose ka vepruar siç bën zakonisht një shqiptar, me dhunë impulsive". Sipas mendimit të komandantëve të vjetër turqit e ushtrisë, shqiptari është një luftëtar shumë trim dhe i shkëlqyer për të sulmuar armikun ose për të marrë një vend me sulm, por është indiferent kur vjen puna që rrethanat kërkojnë një taktikë mbrojtëse. Sipas vlerësimit të turqve, shqiptari është i zgjuar. Megjithatë, një histo- rian turk i shekullit të shtatëmbëdhjetë, Ibrahim Peçevi, nuk është i këtij mendimi. Duke folur për vezirin e madh, Peçevi thotë se "Ajaz Pasha i përkiste kombësisë shqiptare, e megjithatë ishte jashtëzakonisht i zgjuar [2]

Sipas turqve, një tipar tjetër karakteristik i shqiptarëve është dashuria për paratë; ata janë gjithnjë të gatshëm t’u hyjnë aventurave më të rrezikshme, po të jetë se e shohin që del fitim. Në kohët e Perëndorisë Turke të vjetër, ata tregonin një histori: “E pyetën shqiptarin: a do të shkosh në ferr?” Ai u përgjigj: “Sa të paguajnë atje?”.

Në gjuhën e sotme greke ka dy shprehje të lidhura me shqiptarët: kokë shqiptari që do të thotë njeri kokëngjeshur, i patundur; kur dikush ka halle dhe miqtë duan ta ngushëllojnë, ata i kujtojnë se zoti nuk është shqiptar, pra zoti është i mëshirshëm. Nënkuptimi i mosmëshirës është i shpjegueshëm në dritën e historisë. Për mjaft shekuj grekët e kanë njohur shqiptarin vetëm si sulmues, si pirat që grabit qytetet bregdetare, si ushtar të dërguar në ishujt e Greqisë për ekspeditat ndëshkimore, si xhandar ose si taksambledhës. Ana fisnike e shqiptarit është e panjohur për grekun.

Është mjaft kureshtare që italianët, ndonëse kanë pasur marrëdhënie të afërta e të gjata me Shqipërinë, kanë në gjuhën e tyre vetëm një shprehje aspak e këndshme: Far l’Albanese gjendet në të gjithë fjalorët e mirë, për shembull, në fjalorin e Nikola Cingarelit (Zingarelli), fjalë për fjalë do të thotë të bëhesh sikur je shqiptar, që është një shprehje idiomatike për të thënë të shtiresh si njeri që nuk di gjë. Ndoshta kjo shprehje vjen që nga koha e Venedikut.

Gjatë mesjetës francezët kanë pasur marrëdhënie të ngushta me Shqipërinë; në një pjesë të saj për afër njëqind vjet kanë mbretëruar princa të derës Kapetiane. Në kronikat e vjetra del një shprehje: “fier comme un Albanais” - krenar si shqiptar.

Njerëz nga ishujt britanikë duhet ta kenë vizituar shpesh Shqipërinë gjatë kryqëzatave, rrugës për në vendet e shenjta, ashtu siç ka ndodhur edhe me njerëz nga vende të tjera, sepse rruga e Shqipërisë ishte nga rrugët më të sigurta të asaj kohe, kur bëheshin udhëtime të pasigurta nëpër det me anije të vogla. Por vizita të tilla fluturake nuk kanë lënë gjurmë në histori. Për herë të parë përmendet një grup anglezësh në Shqipëri më 1457. Atë vit një kalorës anglez me një kompani harkëtarësh zbriti në Shqipëri për të ndihmuar Skënderbeun në luftën kundër turqve. Nga këta ushtarë anglezë kalorës që mbetën gjallë pas betejave në Shqipëri, nuk kanë mbetur gjurmë, pasi u kthyen në atdheun e tyre, sepse në atë kohë vendi ishte i përçarë nga Lufta e Trëndafilave dhe nuk dihet gjë për përshtypjet që ata mund të kenë sjellë me vete. Por tre a katër shekuj më pas, kur pushtuan ishujt e Jonit, anglezët vendosën marrëdhënie të ngushta e të gjata me Shqipërinë dhe na kanë lënë disa vëzhgime të mprehta e të shkëlqyera për karakterin e shqiptarëve, vëzhgime që shpesh janë të favorshme, disa herë jo, por gjithnjë janë të çiltra, aq më tepër që subjektet e këtyre studimeve kanë qenë njerëz pa shkollë dhe nuk kishin mundësi as të falënderonin e as të kundërshtonin.

Uiljam Martin Liku, i cili e nisi karrierën si inxhinier ushtarak dhe e përfundoi si arkeolog i periudhës klasike, punimet e të cilit edhe sot, pas më se një shekull, citohen me respekt nga shkencëtarët profesionistë, disa herë shkruan në librat e vet për tiparet e shqiptarëve.

"Plutarku na njofton, - shkruan kolonel Liku, - se Pirroja ka qenë një oborrtar i zellshëm dhe i kujdesshëm, kur ishte i ri e kërkonte miqësinë e njerëzve të fuqishëm. Ky është në përgjithësi karakteri i shqiptarëve. Ata janë të shqetësuar për të siguruar favoret e eprorëve të tyre dhe u rrinë besnik sa kohë që paguhen në rregull. Rebelimet e tyre, që ndodhin aq shpesh, përgjithësisht i shkakton shpërdorimi i besimit nga punëdhënësit, të cilët shpesh i hyjnë një ndërmarrjeje pa pasur mjetet e mjaftueshme monetare, duke shpresuar se do t’u shtohen paratë, kur të korrin sukses. Shqiptarët, që përgjithësisht janë më të varfër se turqit, janë më të përmbajtur në kërkesat e tyre, janë më të duruar e të qëndrueshëm, janë më të vuajtur që nga fëmijëria." [3]

Në një vend tjetër koloneli Lik bën këto vërejtje:

“Ndryshe nga turku dembel e fodull ose nga fshatari grek i varfër, që ka humbur gjithë gjallërinë nga pasojat e mjerimit dhe shtypjes së vazhdueshme, këta shqiptarët janë të dalluar për veprimtarinë e tyre të palodhur. Çdo pikë mbizotëruese pranë rrugës kam parë se e kanë zënë një ose disa prej tyre, në kohën që më dilte para syve, dhe dukej sikur bënin një garë se kush do ta arrinte më parë. Gjithë pyetjeve për topografinë ata u përgjigjen me përpikëri dhe me zgjuarsi të madhe, ndërsa shpërblimi më i mirë për ta është leja që u jap të shohin me goniometrin tim. Nuk ka gjëra më të ndryshme nga njëra- tjetra sesa sjellja e shqiptarëve dhe sjellja e osmanëve, që janë qeniet njerëzore më dembele e flegmatike, me përjashtim të rastit kur i lëviz nga vendi ndonjë nxitje e jashtëzakonshme” [4]

Hobhauzit, mikut të Bajronit e që u quajt më pas lord Brauton, i kishte bërë shumë përshtypje ndjenja kombëtare si një tipar i shqiptarëve.

“Këtu ka, thotë ai, - një shpirt pavarësie dhe dashuri për atdheun nga gjithë populli e kjo në një masë të madhe e mënjanon dallimin e thellë që vihet re në pjesët e tjera të Turqisë ndërmjet pasuesve të dy feve. Kështu, kur banorët e viseve të tjera i pyet se çfarë janë, ata përgjigjen: “Jemi turq” ose “Jemi të krishterë”, ndërsa banori i këtij vendi përgjigjet: “Jam shqiptar”… Ndjenja kombëtare bie fort në sy në karakterin e tyre. Nëse ndonjë prej tyre largohet nga vendi dhe duke rrugëtuar merr vesh se një bashkatdhetar i tij banon në një fshat pranë të cilit mund të kalojë, ndonëse nuk e ka parë e as nuk ka dëgjuar ndonjëherë për të, ai ndërron rrugë dhe shkon për ta takuar. Disa herë kam qenë dëshmitar i gëzimit që ata shprehin kur takohen kështu rastësisht, e shfaqin më haptas sesa i tregojnë ndjenjat dy anglezë miq në këto rasa. E gjithë mënyra e sjelljes së tyre është e përzemërt dhe kur, pas një mungese të shkurtër, ndodh që një shqiptar ndesh një të njohur, i jep dorën e djathtë dhe e puth në faqe dhe po kështu bëjnë kur ndahen, ndërsa po të jenë takuar në rrugë, kur largohen ca njëri nga tjetri, qëllojnë me pistoletë ose me pushkë.” [5]

Po kështu një autor francez i shekullit të nëntëmbëdhjetë, admirali Zhyrjen dë la Gravjerë (Jurien de la Gravière), i cili, si komandant i flotës franceze në Mesdheun Lindor për shumë vjet, u kishte bërë një studim të thelluar shqiptarëve, ka vënë në dukje se “Kombësia i bashkon shqiptarët shumë më tepër sesa i ndan feja[6]

Vëzhgimet e Hobhauzit për frymën kombëtare janë me interes të veçantë për studiuesin, sepse ndërmjet viteve 1878 dhe 1920 serbët e grekët, këta humoristë të pavetëdijshëm, vazhdimisht janë përpjekur që, kundër formimit të një shteti shqiptar, të shfrytëzojnë argumentin se nuk ekziston kombi shqiptar. Fuqitë e mëdha kanë qeshur me ta, madje një diplomat bëri një pyetje, pa i mishuar fort, se a ka një gjë të tillë që quhet kombësia greke, të dalluar nga kisha greke.

Hobhauzi vë re se shqiptarët “nuk janë me shpirt të keq dhe kur bëhen të pamëshirshëm, kjo nuk vjen aq nga parimi i hakmarrjes sesa nga pasioni i çastit. Tradhtia ishte një ves që zor se e gjen ndërmjet tyre”. [7]

Por vëzhgimet më të mira në studimin e thelluar të Hobhauzit janë për dëshirën e shqiptarëve për argëtim.

“Kënaqësia e tij më e madhe, - shkruan Hobhauzi, - kur nuk është i zënë me luftë, ishte të ngrohet në diell, të pijë duhan, të hajë, të pijë raki, të dremisë ose të vijë rrotull në kopshtin rreth kasolles së vet, duke i rënë lahutës me një melodi të vetme. Ndonëse ishte i ngeshëm, përsëri ai ishte i padurueshëm dhe i gatshëm të rrëmbejë pushkën e të fshihet në pyll me thirrjen e parë të prijësit të vet. Siç thotë Taciti, natyra e njeriut ishte çuditërisht e paqëndrueshme, kur po ata njerëz janë sa përtacë, aq edhe të pakënaqur që prehen… Por ngathtësia ose më mirë urrejtja për punën, që vërehet te ky popull, në asnjë mënyrë nuk shoqërohet me atë pamje rëndësie e dembellëku që e sheh përgjithësisht tek turqit. Përkundrazi, shqiptarët janë të gjallë, madje edhe lozonjarë; ndonëse lojërat e tyre popullore nuk janë shumë aktive, përsëri ata kur lozin tavëll dhe lojëra të tjera ulur, e tregojnë kënaqësinë me shpërthime të forta të qeshurash ose me shenja të tjera gëzimi fëmijëror. Gjithashtu kanë shfaqje shumë të forta kur shprehin pëlqimin ose mospëlqimin e tyre dhe meqë fare pak e zotërojnë veten, si dhe gjithmonë parapëlqejnë forcën kundrejt dredhisë, ata nuk kujdesen për t’i fshehur pasionet e tyre” [8]

Libri i Hobhauzit e bëri Bajronin që të mos shkruante shumë gjatë për Shqipërinë. Poeti na e thotë vetë kështu:

“Për Shqipërinë dhe banorët e saj nuk kam dëshirë të zgjatem shumë, sepse këtë do ta bëjë shumë mirë bashkudhëtari im në një libër, që ka shumë mundësi të dalë nga shtypi përpara këtij (“Çajld Haroldit”), e prandaj as dua ta ndjek atë, as t’i dal përpara.”

Pastaj Bajroni bën disa vërejtje kureshtare për shqiptarët dhe malësorët skocezë:

“Arnautët ose shqiptarët më kanë bërë përshtypje të fortë me ngjashmërinë që kanë me malësorët e Skocisë nga veshja, shtati dhe mënyra e jetesës. Edhe malet e tyre dukeshin si të Kaledonisë, vetëm me një klimë më të butë. Fustanella e tyre, ndonëse e bardhë, ndryshe nga kilti, shtati i thatë e i gjallë, e folmja e tyre që tingëllon si keltishtja dhe zakonet e tyre të rënda, që të gjitha më kujtonin Morvenin.” [9]

Nënës së vet Bajroni i shkruante: “Mua më pëlqejnë shqiptarët” dhe letrat e tij dërguar nënës nga Shqipëria janë plot me hollësi piktorike.

Po në atë periudhë të Likut, Hobhauzit dhe Bajronit, Shqipërinë e vizitoi dhe një klerik i kishës së Anglisë, hirësia T.S. Hjuz, i cili në dy vëllimet e udhëtimeve ka këto shënime të ngjeshura për natyrën e shqiptarit.

“Nga temperamenti shqiptarët janë pak grindavecë dhe rrallë ta falin goditjen; pa asnjë dyshim nuk u mungon talenti epërsia dhe ishte në fakt i shënuar që tre burrat më të mëdhenj që ka nxjerrë Turqia në këtë shekull, që të gjithë e kanë prejardhjen nga Shqipëria.” [10]

Disa vjet më pas Xhorxh Finlej (George Finlay), historiani i kryengritjes greke, duke folur për rolin që kanë luajtur shqiptarët në Greqi, gjen tek ata të gjitha tiparet e karakterit shqiptar, që i analizon me këto fjalë:

“Hidriotët e të gjitha shkallëve shfaqin karakterin e veçantë të racës shqiptare: ishin krenarë, fodullë, të pashtruar dhe të etur për fitim. Paresia (domethënë: shtresa e lartë), ishin ziliqarë dhe kërkues, populli ishte i pagdhendur dhe i dhunshëm. Por dhe të dyja palët kishin disa virtyte të shkëlqyera dhe dalloheshin prej grekëve sepse e donin të vërtetën dhe ishin të ndërgjegjshëm kur plotësonin atë që merrnin përsipër.” [11]

Për një mendim të fundit nga britanikët po vij në kohën tonë dhe do të citoj të nderuarin Sër Edvin Piërz (Sir Edwin Pears), i cili ka pasur një përvojë pothuaj prej gjysmë shekulli me shqiptarët dhe prandaj meriton plotësisht të quhet autoritet. Pesë cilësitë që ai i rendit si karakteristika të shqiptarëve janë: kalorësia, mirësjellja, pavarësia, toleranca, besnikëria. “Ata kanë zgjuarsi, - thotë Sër Edvin, - dhe një dinjitet e mirësjellje që të bën përshtypje të mirë.” Ai e pranon se e kanë si të metë tiraninë: “Shqiptari i veriut jashtë vendit të vet e ka treguar veten një tiran të pazotin, - thotë Sër Edvin, por, - shton ai në mënyrë domethënëse, - pika për të cilën unë po tërheq vëmendjen këtu është se ndërmjet tyre ka pasur edhe një përzierje gjaku serb.” [12]

Dhe pikërisht kjo është çështja, sepse sa herë ka ndodhur që shqiptarëve t’u ketë munguar instinkti i kalorësisë, për të mos e prishur atë që është më i dobët, gjithmonë ka dalë se një shqyrtim i imët ka treguar që ata kanë qenë shqiptarë të përzier me slavë.

II

E vlen të vihet në pah se askush në këtë galeri vëzhguesish, me sa duket, nuk e ka gjetur karakteristikën më kryesore të shqiptarëve e pikërisht atë, pa njohjen e së cilës historia e tyre do të mbetej një mister, pra individualizmin e tyre.

Një studiues gjerman, dr. Herbert Luis, i cili, siç e kemi thënë tashmë, u ngarkua nga qeveria shqiptare për të studiuar topografinë e vendit, pohon se në Shqipëri nuk ekziston një dukuri e tillë si turma.

“Një nga përshtypjet më të forta, - thotë dr. Luisi, - që më ka lënë kontakti i gjatë me popullsinë shqiptare, është me siguri kjo: që çdo shqiptar është një njeri me vetëbesim. Çdo individ, qoftë i zgjuar ose budalla, ka një aftësi të habitshme për të vendosur vetë dhe e vë në kartë pasurinë e gjakut të tij në një mënyrë prej biznesmeni. Nën një situatë të paqartë, kushdo pa asnjë kufizim, qoftë i madh ose i vogël gjykimi i tij, merr pjesë në mënyrë të ndjeshme e ndërkaq secili ishte gati të marrë një nismë të fuqishme. Shkurt, nuk ka masa indiferente në Shqipëri.” [13]

Mungesa e kësaj fryme të kotësisë mund të jetë interesante, po ajo ka pasur pasoja fatale për unitetin e Shqipërisë. Për shkakun se shqiptari gjithmonë ka dashur të marrë pjesë personalisht, drejtpërdrejt, madje edhe pa ndërmjetësinë e delegatëve, për diskutimin e çështjeve të gjithë shoqërisë, ideja e tij për qeverinë nuk i ka kapërcyer kufijtë e qytetit ose të malit të tij. Ashtu si për grekët e lashtë dhe italianët e mesjetës, ideali i shqiptarit ka qenë qyteti-shtet. Dhe kur një nevojë kombëtare kërkonte unitetin e veprimit, vetëm pas bisedimesh pa fund, arrihej të vendoseshin masat e përbashkëta që do të merreshin ndonjëherë tepër vonë. Sa herë që në të kaluarën është pushtuar Shqipëria, gjithmonë kjo ka ndodhur për shkak se ka munguar një qëndresë e bashkërenduar. Jo shumë larg, në fund të shekullit të tetëmbëdhjetë autorët anglezë e francezë flasin për Shqipërinë si konglomerat i një numri të madh republikash të vogla dhe njësish gjysmëfeudale, nganjëherë të lidhura në grupe, nganjëherë krejt të veçuara e të mënjanuara, që e njihnin sulltanin si një sundimtar të largët e të papërcaktuar, i cili nuk ndërhynte në qeverisjen lokale. Është interesante të krahasohen dy sundimtarë të Shqipërisë në vitet e fundit të shekullit të tetëmbëdhjetë dhe në fillim të shekullit të nëntëmbëdhjetë: Ali Pashë Tepelena në Jug dhe Karamahmud Pashë Bushatlliu në Veri. Që të dy kanë qenë shqiptarë dhe që të dy kanë pasur sukses. Por Ali Pashën e urrenin, sepse me gjithë padijen dhe krimet e tij, ai e kishte nocionin e një bashkimi të disiplinuar dhe me dorë të përgjakur i shtrëngoi t’i bindeshin një autoriteti qendror, duke i shpartalluar pa mëshirë ata që do të kundërshtonin, ndërsa Karamahmudin e donin, sepse ai kishte konceptin tradicional për një qeveri që nuk ndërhyn dhe ruan tolerancën patriarkale kundrejt mosmarrëveshjeve lokale.

Megjithatë duhet mbajtur parasysh se, megjithëqë shqiptari është tepër i pavarur dhe tepër individualist e prandaj nuk pranon t’i nënshtrohet ndikimit të askujt kundër vullnetit të vet, ai përsëri beson fort te prejardhja dhe tek e drejta e precedencës, si dhe te gjithçka lidhet me ide të tilla. Për shembull, në historinë e kryengritjeve shqiptare ka një tipar unik të çuditshëm: kryengritjet kanë nisur disa herë pa asnjë arsye tjetër, veçse për të kundërshtuar caktimin si qeveritar të një njeriu që nuk ka mbështetje farefisi. Jo shumë kohë më parë (që të jemi të përpiktë, më 1896), sulltani pati caktuar një qeveritar të ri të përgjithshëm për Shqipërinë e Veriut, ndërsa popullsia rroku armët dhe shpalli se nuk donte të qeverisej nga një aga i ri. Një gazetar francez i asaj kohe ka shënuar se “këta shqiptarët kanë një mënyrë të menduari si të Montmorensit” (natyrisht, kjo do të thotë si të dukës së madh të Montmorensit, të cilit ia prenë kokën më 1632). Mirëpo qëndrimi i shqiptarëve është pak më ndryshe: ai mbështetet në përvojën se njerëzve të rinj shpesh u mungon vetëpërmbajtja. Një nga thëniet më popullore në Shqipëri është: “Kur u bë evgjiti pashë, puna e parë vari të atin.” Kjo copë e filozofisë popullore është ana përgjegjëse shqiptare e proverbit anglez: “Hipe lypësin mbi shalë dhe ai do ta ngasë kalin sa t’i dalë fryma.”

Një veçanti tjetër e shqiptarëve është neveria e përgjithshme ndaj dënimit. Meqë ndërhyrja e një autoriteti qendror në liritë lokale e individuale ndihet si uzurpim i pushtetit, ligjet e vëna nga një autoritet i tillë quhen në thelb të padrejta dhe zbatimi i tyre, sado e rëndë që të ketë qenë shkelja, vështrohet thjesht si një veprim i paligjshëm. Për më tepër, njëfarë ndjenje patriarkale bën që të shmangen masat e rënda ndëshkuese. Dënimi me vdekje përgjithësisht quhet diçka e tmerrshme, ndërsa është një fakt i shënuar që sot, ashtu si dhe në shekujt e kaluar, nuk mund të gjesh njeri në Shqipëri që të pranojë detyrën e xhelatit për të varur. Për të ekzekutuar vendimet me vdekje të dhëna nga gjyqet, policia është e detyruar të gjejë evgjitë, të cilët kundërshtojnë me të madhe e megjithatë e kryejnë këtë ceremoni të tmerrshme dhe, natyrisht, në një mënyrë amatorësh, që ia zgjat vuajtjet viktimës.

Veçanërisht urrejnë shqiptarët vendimet me vdekje për arsye politike. Njerëzit e ndiejnë se, të paktën për këtë anë, si rregull duhet të jetë butësia. Kjo të kujton një pjesë nga vepra e Skotit “Luhatjet”. Një prijës i ri nga malësia skoceze ra rob, pasi humbi në një betejë ku kishte shkuar për të mbrojtur një çështje shtetërore; e dënuan me vdekje dhe para se ta ekzekutonin i tha një shoku të vet anglez: “Ky ligji për tradhti të lartë është një nga bekimet që vendi juaj i lirë i ka dhënë Skocisë plakë e të varfër; me sa kam dëgjuar unë, ligjet e saj kanë qenë shumë më të buta.” Po të ndërrohen emrat dhe situatat, kjo shprehje mund të vihet pa gabim në gojën e çfarëdo të dënuari politik shqiptar me vdekje. E vlen të vihet në dukje se sipas kanunit të vjetër shqiptar të Lekë Dukagjinit, një figurë interesante e sadopak misterioze, që i dha Shqipërisë një kanun të ligjeve mesjetare, i cili ka qenë në veprim deri kohët e fundit në malësitë e Shqipërisë së Veriut, vetëm tre dënime mund të jepej ligjërisht nga autoritetet: gjoba, djegia e shtëpisë së fajtorit, dëbimi nga krahina, por nuk pranohen as burgu e as dënimi me vdekje. Dhe meqë është fjala, kjo butësi e ligjit shpjegon pse ka lulëzuar hakmarrja në Shqipëri, aq sa brenda caqeve të caktuara ajo përfundoi duke u pranuar si një e drejtë ligjore.

Një koncept interesant shqiptar është se një burrë që është burgosur, e fiton gjendjen e mëparshme morale, pasi e ka kryer dënimin. Një herë bëra një gabim, duke folur për dikë si “ish i dënuar”. Ra një heshtje e plotë dhe pas pak njëri nga njerëzit e pranishëm tha: “Ai burrë e ka bërë dënimin, kurse ju tani po i jepni një dënim të ri, duke u rikujtuar njerëzve të kaluarën e tyre.” Një nëpunës shteti, që disa vjet më parë e kishin futur në burg për përvetësim parash, u caktua në po atë punë, menjëherë pasi doli nga burgu dhe, duke qenë njeri i zgjuar e i zoti, u ngrit shpejt në detyrë dhe arriti më në fund të zërë një post mjaft të lartë. Por atëherë zuri të merrte ryshfete me të dyja duart dhe më në fund e hodhën, këtë radhë ndoshta për herë të fundit. Kështu shqiptarët mund ta shihnin se koncepti i tyre për dënimin, që nuk ka të bëjë me karakterin e njeriut, në fund të fundit mund të jetë i gabuar dhe ka njëfarë të vërtete në mendimin e kundërt mbizotërues në vendet e tjera dhe që mund të përmblidhet në thënien e parë: “ai që ka qenë një herë kriminel, është gjithmonë kriminel.”

Kur u përurua një burg i ri model në Gjirokastër, nja dymbëdhjetë vjet më parë, një ministër mbajti një fjalim pompoz drejtuar të dënuarve, duke u thënë se gjatë kohës së burgimit ata do të kishin mundësinë të arsimoheshin dhe, po të silleshin mirë, kur të liroheshin do të kishin mundësinë të gjenin punë në shtet. Ndërmjet lëndëve të tjera që mësoheshin në këtë burg ishin, në mënyrë mjaft kureshtare, edhe mirësjellja dhe etiketa. Kjo ngjalli disa komente sarkastike nga shkrimtarët shqiptarë me një ndjenjë humori. Disa vjet më vonë më rastisi që të takoja një funksionar të rëndësishëm dhe i sugjerova që të dy klasikët e mëdhenj të sjelljeve të mira, pra “Letrat” e Erlit të Çesterfildit dhe “Oborrtaro” i kontit Baldassare Castiglione duhej të përktheheshin për përdorim në lëndën e etiketës në burg. Me sa duket, ai nuk e vuri re që unë po bëja shaka; më bëri disa pyetje për botimet më të mira të këtyre dy klasikëve dhe më kërkoi që t’i tregoja ndonjë përkthyes të zotin. Megjithatë ai mund të ketë kuptuar lojën dhe do të më jetë përgjigjur me po atë ton të ironisë së thatë. Kjo mënyrë bisede nuk është e rrallë ndërmjet shqiptarëve, kur secili dyshon se tjetri e ka me ironi dhe vazhdon me një mënyrë të qetë e të patrazuar.

Është vendi të citojmë tashti një thënie të famshme shqiptare: “Tjetrin vraje, por mos e shaj.” Nuk ka gjë tjetër që ta ketë bërë qeverinë e fundit osmane të mos kishte popullaritet, sesa mënyra fyese me të cilën kadilerët i zhvillonin hetimet paraprake. Një gjykatës i këtij tipi erdhi një ditë nga Stambolli, i shkolluar mirë për procedurat ligjore, por nuk merrte vesh fare nga psikologjia e popullit. I sollën përpara një të pandehur dhe një nga gafat e tij të para ishte se e shau burrin si brinar. Shqiptari i fyer tha me zë të ulët se nuk mund t’ia kthente këtë kompliment, meqë nuk dinte asgjë për të shoqen e prokurorit, vetëm se ishte i sigurt për një gjë: se ai ishte frikacak. Pastaj ditën kur u hap gjyqi, kur pa kunatin e tij në sallë, ai iu kthye atij dhe i tha: “Ky njeri, duke treguar me gisht prokurorin, më ka thënë se motra jote është kurvë.” Gjykatësi me përvojë që ishte në tryezë, u përpoq ta ndreqte punën duke shpjeguar se në turqishten brinar nuk do të thoshte se një burrë e tradhton e shoqja, por ka në përgjithësi kuptimin njeri i keq. Megjithatë ky shpjegim nuk e ndreqte punën dhe pas disa ditësh prokurori u gjet i vdekur me një plumb në trup. Është e pamohueshme se ndjekjet penale në Shqipëri, ajo që në Amerikë quhet “shkalla e tretë”, nuk janë aspak të panjohura dhe nuk shoqërohen fare me sharje e fjalë fyese të drejtuara të pandehurit. Gjyqet shqiptare, siç mendoj unë, janë më të sjellshmet në botë, nëse mund të flasim për mirësjellje në çështje kur një njeri përpiqet ta fusë në kurth tjetrin për pohime që i sjellin dëm.

Një tipar pa dyshim fatkeq i shqiptarëve dhe tipar mjaft i dukshëm është mungesa e plotë e idealizmit. Në një vend ku njerëzit vdesin aq kollaj për hiçgjë, nuk është dëgjuar që të vdesë dikush për një ideal ose çështje. Do të kërkonte shumë kohë të shpjegohej përse Shqipëria nuk e ka fituar lirinë më herët dhe ka një listë të shkurtër të dëshmorëve për lirinë kombëtare. Akte të trimërisë e të devotshmërisë, që kanë shkaktuar vdekjen e mijëra njerëzve, mund ta bënin të dukej i rremë pretendimi im për mungesën e idealizmit. Por besnikëria e verbër ndaj traditave të ngulitura dhe kanuni çfarëdo për nderin janë pothuaj akte mekanike, që nuk nënkuptojnë se dikush e rrezikon jetën për një ideal të zgjedhur lirisht.

Është folur shumë për mikpritjen e shqiptarëve dhe kjo është fare e vërtetë. Kjo frymë mikpritjeje deri në njëfarë shkalle kufizohet nga një prirje për të pasur dyshime tek të huajt. Nuk ka njeri më të druajtur dhe më të rrudhur sesa një shqiptar që ballafaqohet me të porsaardhurit. Në breznitë e mëparshme vizitorët e huaj, me përjashtim të rasteve kur paraqiteshin si duhet prej dikujt, dyshoheshin se ishin spiunë, që kishin ardhur për të bërë hartat e vendit dhe për të mbajtur shënimet e nevojshme për ndonjë pushtim të planifikuar. Tozeri na rrëfen për vështirësitë që ndeshi njëherë, kur u përpoq të vizitonte një kullë të vjetër. Ai dhe bashkudhëtari me të “… e nisën sulmin kundër kullës duke përdorur një gur të madh, meqë mungonte trakullorja, sepse derën e kishin shulur fort dhe ne dëgjonim të zotin që lëvizte lart në katin e sipërm. Në fillim ai bëri sikur nuk na dëgjonte dhe, kur më në fund zbriti, nisi një dërdëllisje para se të na pranonin brenda; siç i tha përkthyesit tonë fshehurazi, ai nuk mund ta kuptonte pse nuk donim ta shihnim këtë vend, nëse nuk kishim ndër mend që të vinim më pas si pushtues”. [14]

Sot dihet fare mirë se ndjenjat e dyshimit kundër të huajve janë zhdukur krejtësisht lidhur me vizitorët që nuk vijnë nga Evropa Juglindore. Zonjusha Durham, që ka shëtitur gjithandej në Shqipërinë e Veriut në fillim të këtij shekulli, na jep si shembull të mikpritjes shqiptare një vizitë që ka bërë në një kasolle prej balte, ku i zoti i rreckosur me një mirësjellje të zgjedhur i ftoi të rrinin: “Ne jemi të varfër, - u tha ai. - Bukë, kripë e zemër, kjo është gjithçka që mund t’ju ofrojmë, por ju jeni të mirëpritur dhe mund të qëndroni sa të doni.” [15] Një tipar tjetër i karakterit të shqiptarëve, që është vënë në dukje shpesh nga vëzhguesit, është ndërshmëria e tyre e rreptë. Standarti etik i shqiptarëve është besa, pra, fjala e dhënë. Pavarësisht nga rrethanat, kur një shqiptar jep fjalën, ajo nuk mund të shkelet dhe nuk ka nevojë për asnjë lloj marrëveshjeje të shkruar. Si pasojë, kuptimi i fjalës “i pabesë” është shkelja e fjalës së dhënë dhe pabesia, për të cilën tashmë kemi folur. Në një varg hartash tregtare shoqëruar me tekst, të botuara më 1886 nga ministria franceze e Tregtisë, fashikulli kushtuar Shqipërisë i njofton eksportuesit se nuk ka nevojë për marrëveshje të shkruara për shqiptarët, sepse fjala e tyre e thënë ka mjaft peshë dhe nuk njihet asnjë rast që ta kenë shkelur. [16] Henri N. Breilsford, në librin e tij të njohur për Maqedoninë, ka këtë anekdotë: “Gjëja më kuptimplotë nga të gjitha ishte pyetja lakonike me të cilën iu përgjigj kërkesës sime një peshkop bullgar. “A i besoni atij?” - e pyeta unë. - “Ai është shqiptar. Apo nuk është?” - ishte përgjigjja. - Për shekuj me radhë sllavët dhe shqiptarët kanë qenë në armiqësi të pandërprerë për vdekje. Dhe ja, ky është komenti i një armiku për karakterin e tjetrit”.[17]

Madje, edhe pas ankthit të Luftës Botërore, kur Shqipëria u bë kundër dëshirës fushë beteje për disa kombe dhe dëshmitare e shfaqjeve të përditshme të pandershmërisë lakuriqe (ushtarët e huaj i parashikonin kuponat për cigare si kartëmonedha dhe ua jepnin bujqve të paditur, që nuk dyshonin se për t’u blerë mallra oficerët mashtronin popullin dhe njëri-tjetrin ose shisnin mallrat e vjedhura nga depot ushtarake e kështu me radhë), përgjithësisht me sa duket, ndershmëria shqiptare doli e paprekur, ndonëse pak e tronditur.

III

Le të vazhdojmë ende në disa drejtime të tjera për të parë çelësat e tjerë që kanë të bëjnë me karakterin e popullit shqiptar.

Shqiptarët nuk janë aq të prirur për fjalë të shumta. Autori francez, Hyacinthe Hecquard, i cili ka qenë konsull i Francës në Shkodër për shumë vjet dhe e njihte mirë Shqipërinë e Veriut, vë në dukje shkurtësinë me dinjitet të fjalimeve në kuvendet popullore. Megjithatë kjo heshtje me dinjitet nuk është e dukshme për brezin më të ri të shqiptarëve, që kanë studiuar në universitetet e Italisë, Francës, Austrisë dhe të vendeve të tjera.

Në një komb që ka shpirtin e aventurës, do të ketë edhe ca vend për bixhoz. Shqiptarët janë humbës të mirë. Kur kam qenë fëmijë, kam dëgjuar për një hanxhi, i cili u ul me disa klientë për një lojë bixhozi, i humbi të gjitha paratë dhe pasuritë e luajtshme dhe më në fund e vuri në bixhoz edhe hanin dhe e humbi. Atëherë thirri një noter, ia kaloi pasurinë fituesit, u përshëndet me të gjithë dhe zuri e iku pa asnjë ankesë. Të burgosurit shqiptarë kanë shpikur një tip me të vërtetë origjinal për bixhozin. Meqë nuk u lejohej të mbanin as letra e as zare, atëherë një ditë filluan këtë lojë: gjatë kohës së pushimit ulen rreth e presin mizat, atij që i vjen të parit një mizë, fiton një pikë. Kjo shpikje gjeniale i përket kohës së sundimit osman.

Një e metë që zakonisht nuk gjendet në karakterin e shqiptarit, është provokimi. Megjithatë në të kaluarën ka pasur një tip ngacmues të përbuzur, i cili kishte kënaqësi të provokonte përleshje vetëm për hir të qejfit. Tipa të tillë hynin në kafene ose në ndonjë vend tjetër me shumë njerëz dhe e lëshonin një cep të brezit që të zvarritej për tokë pas tyre. Dhe sapo dikush pa e parë e shkelte cepin e brezit (dhe kjo ishte një gjë që doemos do të ndodhte), ata ktheheshin, nxirrnin jataganin dhe i kërkonin shkelësit që të nxirrte edhe ai jataganin e të ndesheshin. Mbretërimit të këtyre provokimeve i dha fund më shumë hyrja e pistoletës sesa trysnia e policisë.

Unë besoj se dihet gjithkund që shqiptarët janë tolerantë për besimet e tjera dhe, ndoshta, ky është i vetmi vend në Evropë, ku nuk ka pasur luftëra fetare. Për këtë arsye disa kanë folur shpesh për “skepticizmin” shqiptar.

Thënia mesjetare franceze “Krenar si një shqiptar” është cituar herë tjetër dhe të rikujtojnë vargjet e lord Bajronit në “Çajld Haroldi”:

Këtu shqiptari ecën kryelart, Greku dëgjohet duke pëshpëritur.

Krenaria ishte gjithmonë budallallëk, përveç që është edhe qesharake. Megjithatë, kurdoherë ka interes të bëhet studimi psikologjik i shkaqeve që fshihen prapa krenarisë. Në librin e tij “Malësia e Turqisë” Tozeri ka një pjesë argëtuese:

"Shpejt pasi lamë pas Elbasanin, ne e kaluam përsëri Shkumbinin, që këtu ishte një rrjedhë e gjerë dhe e cekët. Duke ecur gjatë luginës, ndeshmë një numër të madh djemsh me pamje të sëmurë, punën e të cilëve e tregonin mirë armët dhe shibukët e gjatë: do të ishin roja ose grabitës ose që të dyja bashkë, sepse vija ndarëse ndërmjet këtyre dy shtresave është tepër e hollë. Është kënaqësi të vësh re përzierjen kureshtare të krenarisë me varfërinë, që dukej qartë te disa nga këta burra. Mund t’i shihnit duke u krekosur me fustanellat e bardha të ndotura, ndërsa mbanin trupin drejt, dridhnin mustaqet e qeshnin hedhur mënjanë, kurse e bënin veten sikur ishin zotërinj tepër të hollë, sa që nuk bëgenisnin t’u hidhnin sytë kalimtarëve si ju, e megjithatë gjithçka e tyre flet për mjerimin më të madh. Gjithashtu edhe mënyra me të cilën e mban zakonisht një shqiptar pushkën hedhur mbi zverk, me të dy krahët shtrirë në dy cepat e saj, i shton një ngjyrë shkujdesie pamjes së tij. [18]

Ajo që ishte një gjëzë për Tozerin, është fare e qartë për çdo shqiptar. Krenaria ishte një gjendje e mendjes pavarësisht nga pasuria ose rrethanat dhe djemtë që ka parë Tozeri, i përkasin një tipi të njohur mjaft mirë. Brez pas brezi ata me shpatë ose me pistoletë në dorë kanë ruajtur pavarësinë e tyre kundër kufizimeve qeveritare të Turqisë. Ata ia kanë dalë të kundërshtojnë pagimin e taksave, i janë kundërvënë rekrutimit ushtarak, kanë mbrojtur doket e ligjet e kanunit dhe në mënyrën e tyre e kanë ndier veten njerëz të lirë. Ndërsa popujt e tjerë i kanë përqendruar energjitë e tyre për të nxjerrë para, për të grumbulluar sende të bukura ose për të kaluar kohën këndshëm me rrugë të ndryshme, këta njerëz të thjeshtë e të ashpër kanë pasur vetëm një qëllim në jetë dhe e kanë arritur disa herë me çmimin e vdekjes së njerëzve të familjes së tyre: të jenë individualisht të lirë kundër ardhësve.

Ky është një program i marrë, që injoron gjërat më të hollë të jetës dhe vetëkënaqësinë që rrjedh nga bindja ndaj rregullave të arsyeshme. Krenaria e tyre, sado qesharake që mund të jetë, megjithatë nuk është përtej mundësive për t’u shpjeguar. Meqë është rasti, fustanellat e bardha, që i janë dukur “të ndotura” Tozerit, do të kenë qenë ndoshta diçka krejt tjetër. Ka qenë zakon i përgjithshëm në Shqipëri për t’i zhytur fustanellat e bardha në dhjamë deleje të tretur me qëllim të dyfishtë: për t’i bërë që të mos u depërtonte uji dhe që të mos dukeshin mirë në largësi. Kur isha fëmijë, unë e kam parë këtë punë dhjetëra herë që e bënin burrat me armë (shqip i quajnë trima) në shtëpinë e babait tim. Pasi i nxirrnin nga kazani, i varnin fustanellat për t’u tharë dhe pastaj me hekur të nxehtë u bënin palat. Pas kësaj ato merrnin një ngjyrë të përhime të zbehtë, por nuk ishin aspak të ndotura.

Përgjithësisht Tozeri ka një qëndrim kritik kundrejt shqiptarëve. Ai ishte më tepër studiues klasik e nuk mund të gjente gjë me interes në Shqipëri. Prandaj vlen të vihet në dukje se i ka tërhequr vëmendjen një mënyrë tradicionale për të kaluar kohën në jetën shqiptare e pikërisht gjëzat, të cilat gjatë shekujve kanë qenë për shqiptarët ashtu siç janë fjalëkryqet dhe bejtet për një pjesë të popullit amerikan. Tozeri shkruan:

"Që shqiptarët janë të zgjuar e me imagjinatë të zhvilluar, e tregojnë vjershat e përrallat e tyre e sidomos gjëzat e tyre, nga të cilat Hahn-i na ka lënë një përmbledhje të gjerë.

Më poshtë po sjellim disa shembuj të përshtatshëm; përgjithësisht ato paraqiten në trajtën e gjërave të ngjashme dhe pasohen nga pyetja: “Ç’është?”

Ara e bardhë, fara e zezë, e mbjell me dorë, e korr me gojë? - Letra e shkruar. (Është shumë interesante që kjo fjali e fundit ilustron mënyrën se si njerëzit gjysmë të arsimuar e përfytyrojnë një dorëshkrim!)

I ati me roba jeshile, i biri me rroba të kuqe? - Karafili i çelur.
Lopa e bardhë milet e majmuni hidhet? - Boshti me furkën.
Ka s’është, brirë ka; gomar s’është, samar ka; ngado shkon, lëshon gjurmë? - Kërmilli.
Lesh përbrenda; mish përjashta? - Qiri prej dhjami". [19]

“Bleta Shqiptare” e Mitkos ka gjithashtu një përmbledhje gjëzash, nga të cilat po japim disa që mund t’i pëlqejnë lexuesit:

“Dy vëllezër mbajnë zjarr në dorë e s’digjen. - Masha.
Helli prej mishi, mishi prej hekuri. - Unaza.
Gjithë ç’flitet përmbi dhe, në një vrimë futet. - Veshi.
I ati pa zjarr, i biri mori sefere. - Tymi dhe zjarri.
Dy vëllezër janë pranë e një brez i ndan në mes. - Sytë dhe hunda.
Në ç’të ecësh, gjithë të shkon, heq shtëpinë me vete. - Breshka”.

Dy mjete të tjera popullore të shprehjes midis shqiptarëve janë muzika dhe vallja, ndërsa teatri nuk mund të lëshonte rrënjë gjatë kohës kur Shqipëria sundohej nga turqit. Muzika ka qenë kryesisht në formën e këngëve, e mbështetur në përrallat e legjendat popullore. Vetë këngët janë monotone e të zymta, po ato janë i vetmi shembull i një muzike të vjetër popullore që përmban disa zëra të ndryshëm, ndërsa në vendet e tjera këngët popullore këndohen si homofonike. Është shprehur mendimi se muzika polifonike mund të ketë pasur origjinën në Shqipëri; ku nuk mund t’u binte në sy kjo gjë e veçantë italianëve që e kanë vizituar vendin në Mesjetë. Këngët zakonisht ndahen në tri pjesë: ndërsa dy veta këndojnë në dy linja krejt të ndryshme, ndonëse fare qartë të lidhura, një grup mban ison në sostenuto të krahasueshme me point d’orgue. Zonja Meri Uortli Montegu, që ka udhëtuar përmes Turqisë më 1717, i pa kalimthi shqiptarët dhe thotë për ta:

“Ata vishen e armatosen me shpenzimet e veta, janë përgjithësisht djem të rinj të fuqishëm, të veshur me shajak të bardhë e të pastër, mbajnë pushkë shumë të gjata, që i hedhin në sup sikur nuk e ndiejnë peshën e tyre, kurse prijësi i tyre këndon një lloj melodie të papërpunuar, që nuk është e pakëndshme, ndërsa të tjerët i mbajnë ison.” [20]

Zonja Meri nuk ka arritur të dallonte se nuk ishte një melodi, por dy, të përziera në një lloj kundërpunkti primitiv.

Meloditë e valleve janë të një tipi tjetër krejt të ndryshëm: është një muzikë e gjallë dhe me ritëm të mirë, nga e cila janë botuar vetëm pak shembuj.

Shumë është shkruar për vallen kombëtare shqiptare, që nga disa autorë është krahasuar me vallën pirrike të grekëve të lashtë. Një përshkrim të mirë na e ka dhënë hirësia e tij T.S. Hjuz, i cili e ka vizituar Shqipërinë në fillim të shekullit të nëntëmbëdhjetë.

“U kënaqëm edhe më shumë nga një lloj tjetër argëtimi, që e pamë te arvanitikoja, ose vallja kombëtare e palikarëve shqiptarë, që e ekzekutuan disa nga rojat më të shkathëta të vezirit, të cilin e kishin ftuar për vizitë. Lëvizjet dhe figurat e këtij ushtrimi shërbenin për të paraqitur gjallërinë e habitshme dhe forcën muskulore të këtyre malësorëve të ashpër, të cilët, të kapur fort dorë për dore, lëvizën për njëfarë kohe ngadalë para e prapa, pastaj vrapuam rrotull me një lëvizje të shpejtë rrethore në përputhje me nxitjet e muzikës dhe të zërave të tyre deri në kupë të qiellit; ndërkaq udhëheqësi ose korifeu, që ndërrohej shpesh, bënte kërcime të habitshme, duke u përkulur përpara, aq sa balli gati i prekte tokën dhe pastaj hidhej në ajër me hovin e telit të një barku, ndërsa flokët e tij të gjatë i valëviteshin në një peshtjellim të egër përmbi supe.” [21]

Hjuzi nuk e ka vënë re që një pjesë e valles luhej mbi majat e gishtave. Vallja shqiptare duhet të kërcehet me veshjen kombëtare, atëherë del në pah e gjithë bukuria e saj e çuditshme, por ajo mund të jetë pak qesharake, kur kërcehet me një kostum të zakonshëm me pantallona, siç e kam parë disa herë.

IV

Një anë tjetër e karakterit shqiptar është përkushtimi i thellë i njeriut ndaj prindërve dhe familjes. Kjo ndjenjë e natyrshme, si kudo gjetkë, merr një formë më të mprehtë në Shqipëri, ku familja është një njësi shoqërore që në një shkallë të gjerë zë vendin e shtetit në mendimin e njerëzve. Fëmijët rriten me traditat pak a shumë patriarkale për të respektuar më të mëdhenjtë e mbi të gjithë babanë, fjala e të cilit sa të jetë gjallë është ligji brenda caqeve të familjes. Ndërsa kur vdes babai, autoritetin e të zotit të shtëpisë e merr mashkulli më i moshuar i familjes. Nuk ishte nevoja të thuhet se një femër e shtëpisë, me përjashtim të nënës, zë një pozitë inferiore. Ky ligj i pashkruar i familjes ndoshta mbështetet në idenë se femra është pjesë e familjes, vetëm derisa nuk është martuar. Lidhur me këtë ishte interesante të vihet në dukje se kur është koha që anëtarët meshkuj, e pikërisht vëllezërit, të hapin shtëpinë e tyre, gjithë pasuria e prindërve ndahet barazisht ndërmjet tyre. Anëtarët femra nuk marrin pjesë në këtë ndarje. Në Shqipëri pothuaj nuk njihen testamentet e bëra nga babai. Në raste të jashtëzakonshme, kur pasuria është shumë e madhe, gjë mjaft e rrallë ndër fshatarët babai mund të ndajë një pjesë parash për të bijat. Ndonëse nëna respektohet shumë, rrallë merret mendimi i saj për zotërimin e pronës.

Tipari karakteristik kryesor i gruas shqiptare është dashuria e saj për shtëpinë dhe për mjedisin e qetë, si dhe përkushtimi ndaj traditave të vjetruara. Këtu fshihen si fuqia e saj, ashtu edhe dobësia e saj, sepse kjo frymë konservatore e bën atë përgjithësisht të dyshojë për idetë e reja. Që në moshë të vogël vajza nis të përgatitet për ditën kur do të bëhet nuse, bën qëndismat e rrobat që do të jenë paja e saj. Kjo punë kërkon mjaft vjet. Ajo ka pasoja të dyfishta: e pasuron shtëpinë e ardhshme me sende artistike dhe njëkohësisht ka vlerë morale, duke e përqendruar mendjen e vajzës së re te rëndësia e jetës që do të bëjë si zonjë e re shtëpie. Kam frikë se ka edhe një pasojë të keqe: i bën vajzat e reja shumë serioze, nuk i lë të merren me lojëra të shëndetshme e të qeshin lirisht; kjo u jep vashave shqiptare një pamje murgeshash të reja të bukura, por të rënda.

Udhëtarët kanë qenë të pranishëm disa herë në martesat shqiptare dhe i kanë përshkruar pak a shumë me përpikëri. Një dasmë shqiptare është një punë e madhe, që i ngjan një panairi ose një karnavali, me muzikë, valle e me argëtime të gjithfarshme, që disa herë zgjat deri një javë. Ndërkaq nusja merr mësimet e para se çfarë është vjehrra. Komedia dhe letërsia gojore popullore kanë përhapur kudo një tip të caktuar vjehrre, që nuk është edhe aq e këndshme. Gjithmonë është e padrejtë të bësh përgjithësime, por sidoqoftë në Shqipëri një nuse e re e martuar shpesh e ka pisk punën në duart e një vjehrre që i ka qëllimet të mira, por është tepër e rreptë. Megjithatë, sapo bëhet e qartë se nusja pret të bëhet nënë, gjithçka ndryshon për mirë. Në Shqipëri ka një mendim të nderuar prej kohësh se fëmija nuk do të jetë i shëndoshë, nëse nënës së ardhshme nuk i plotësohen të gjitha dëshirat që ka për çdo gjë dhe nëse nuk i përmbushen trillet e tekat. Kështu nëna e ardhshme shpesh përfiton nga kjo gatishmëri tradicionale për ta kënaqur dhe çdo gjë të mirë që kërkon të hajë ose të pijë ia gjejnë, madje dërgojnë edhe një njeri veçan për ta gjetur në ndonjë qytet tjetër. Dhe në të vërtetë ka një proverb në gjuhën shqipe, që do të thotë: t’ia çosh si nusja e re në shtëpi.

Nuk ka mjek të pranishëm, kur lind një fëmijë shqiptar. Nënën e ndihmojnë një a dy babo, gra të mira që nuk dinë asgjë për anatominë e fiziologjinë dhe që e bëjnë punën e tyre pa i sterilizuar duart, vetëm sa i lajnë me sapun. Është e qartë që atëherë nuk janë të rralla rastet e vdekjeve.

Pak kohë pas lindjes fëmijën e lidhën me dizgje. Këta janë rripa të ngushtë prej liri të bardhë të pastër, disa metra të gjatë dhe fëmija lidhet fort disa herë nga koka te këmbët, duke lënë të lirë vetëm sytë, hundën dhe gojën. Kjo mbështjellje absurde i ngjan pak veshjes së një mumjeje egjiptiane. Fëmija kthehet në një të burgosur, që nuk lëviz dot e ndonëse rripat i ndërrojnë disa herë në ditë foshnja asnjëherë nuk lihet e lirë që t’i ushtrojë gjymtyrët për një kohë të gjatë. Ky trajtim i gabuar, i përgjithshëm në Shqipëri dhe i vjetër prej mijëra vjetësh, vjen nga një frikë e tepruar se mos foshnja bie nga djepi dhe mbetet i gjymtë. Djepi në Shqipëri është shumë i lartë dhe pasi e kanë tundur mirë e foshnja është nanurisur për ta zënë gjumi me një këngë të vjetër, nëna largohet për punët e shtëpisë pa pasur frikë se do të ndodhë ndonjë e keqe. Kjo lidhje e foshnjës ka edhe një epërsi të dyshimtë: që lejon të mbahet më lehtë foshnja kur nxirret nga djepi, sepse e mbështjellë si kopan ajo i ngjan një kukulle të ngurtë ose një pakojë që mund ta vësh në çdo pozicion, mjaft që të mos e vësh me kokë teposhtë.

Derisa arrin moshën tre vjeç, për fëmijën kujdesen mirë, por me metoda të gabuara, tradicionale e të paditura. Pasi mbush tre vjeç, atë e lënë praktikisht të lirë të kujdeset për veten, të bredhë korijeve me shokët e lodrave, të vrapojë arave, kur ka diell ose të rrokulliset këmbëzbathur, kur ka dëborë. E ema e ushqen, e lan dhe e vesh, por për të tjerat është i lirë të bëjë çfarë të dojë. Kjo liri e pakontrolluar është në kundërshtim të hapur me skllavërinë si mumje në djep dhe e zhvillon që herët një ndjenjë pavarësie. Kjo ndoshta i bën fëmijët edhe pak të pashtruar. Megjithatë në Shqipëri koha e lodrave për fëmijët është e shkurtër. Nevojat e rënda ekonomike i detyrojnë t’i drejtojnë energjitë për veprimtari të dobishme që në moshë të njomë.

V

Pak gjë mund të thuhet për jetën seksuale të shqiptarëve në një libër të caktuar për lexuesin e gjerë. Disa vese nuk janë të panjohura në qytete, ndonëse ardhja e tyre mund të gjurmohet lehtë nga ndikimet e huaja, por zor se mund të gjendet një popull tjetër në botë më i urtë sesa në fshatrat e Shqipërisë. Pafajësinë e fshatarëve mund ta tregojë një zakon interesant që ka mbizotëruar deri në kohët e fundit dhe që ende nuk është zhdukur. Kur do të bëhej një martesë, që zakonisht lidhej ndërmjet të rinjve pa i mbushur njëzet vjeç, dhëndri ishte nga nëntëmbëdhjetë deri njëzet e një vjeç, ose aty rrotull, ndërsa nusja nga pesëmbëdhjetë deri shtatëmbëdhjetë vjeç, një anëtar mashkull më i moshuar i familjes duhej t’i shpjegonte burrit të ardhshëm anën fizike të martesës; ndërsa një femër e farefisit me një copë gëlqere, qymyr ose diçka tjetër që shërben për të shkruar, do të vizatonte një rreth të vogël përqark depilata virginis pudenda, ut iuvenis inexpers, introitum facilius inveniat. Kjo thjeshtësi baritore e një kohe të vjetër na tregon shkallën e përhapjes së urtësisë e të shëndetit moral, që i ka bërë shqiptarët gjatë shekujve të jenë model i fuqisë dhe i shëndetit.

Në tërësi shqiptarët nuk janë njerëz sensualë. Shumica e tyre bëjnë një jetë pothuaj si të asketëve dhe ndonëse janë të urtë me gratë e tyre, burrat shqiptarë priren t’i mbajnë ato më tepër si nëna sesa si gra të dashura.

Zonjusha Durham ka një anekdotë për këtë: "Kam dëgjuar se i biri i një nëne austriake dhe i një babai shqiptar u fejua dhe unë e pyeta nënën e tij nëse ai kishte rënë në dashuri. “O, jo!” - thirri ajo. - “As një çikë, ai është tamam shqiptar!” [22]

Megjithatë, Shqipëria ishte një vend ekstremesh, prandaj kur njerëzit janë sensualë, janë të tërbuar fare. Historianët e hershëm turq na flasin për një vezir të madh të famshëm, i cili një kohë pati dyzet foshnja në djepe dhe kur vdiq la njëqind e njëzet djem pas. Ky vezir i madh ka qenë Ajaz Pasha, të cilin e kishin rrëmbyer nga familja në Vlorë kur ishte fëmijë për ta futur në radhët e jeniçerëve (këtë dukuri një historian e ka quajtur “taksa e gjakut”), e rritën si mysliman dhe për arsye të talentit u ngjit në postin më të lartë. Ndërkaq, në kontrast me të, tre vëllezërit e tij që mbetën në Vlorë me nënën, që të tre u bënë murgër dhe kaluan një jetë të ashpër si të krishterë, duke mbajtur kreshmë e duke u lutur." [23]

Në përmbledhjen e paçmueshme të folklorit “Bleta shqiptare” vështirë të gjesh ndonjë gjurmë sensualizmi. Shohim një nuse të re që gan te kroi duke larë fustanellën e të shoqit, i cili së shpejti do të niset për një rrugë të gjatë ose një burrë që do të niset për luftë e i thërret nuses së vet:

“Qasu, moj lule, oh, të puthemi se kushedi se kur piqemi. As qasem dot, as puthemi dot, se na mbushen sytë plot lot. Mora dyfekthin e dola, dot me gojë unë s’të fola”. Janë të gjitha gjëra të mira, të brishta, të hijshme dhe unë gjej një prekje nga emocioni erotik vetëm në vargun e fundit të këngës së mëposhtme, që anglisht e kam dhënë të përkthyer me metrin origjinal, duke ndryshuar vetëm një fjalë për shkak të rimës:

Dale, të të puth një herë,
pa merr një gur e më bjerë.
Të të puth e të të dua,
të të shtrydh porsi limua.

Në disa vise të Shqipërisë ka një paragjykim të shënuar për seksin e ujërave. Disa ujëra quhen “mashkullore” dhe mendohet se kanë vetitë afrodiziake të burrave; disa ujëra të tjera janë “femërore” dhe thuhet se kanë po atë veprim mbi gruan, ndërsa një lloj tjetër janë “asnjanëse”. Një njeri i shkolluar më ka thënë njëherë u nis nga vendlindja, Gjirokastra, dhe udhëtoi deri te një fshat gjashtë orë larg, ku kishte ca punë. Kur arriti në vend, piu një gotë ujë nga një burim dhe menjëherë ndjeu një shtytje për t’u kthyer në shtëpi e të bashkohej me të shoqen. Ua tregoi shokëve këtë ndjenjë të çuditshme dhe ata e pyetën me të qeshur nëse nuk kishte pirë ujë nga një burim tjetër i caktuar. Unë atëherë e ndërpreva folësin dhe e pyeta a e dinte mendimin që ishte për ato ujëra. “E kuptoj se ku ma hedh fjalën, - më tha. - Ju besoni se më kanë ndikuar fjalët që kam dëgjuar për ato lloj ujërash: jo, deri në atë kohë nuk kisha dëgjuar asgjë për këto punë”. Pastaj ai shtoi se pasi e nisi mbrapsht kalin në Gjirokastër, duke u dhënë udhëzime shërbëtorëve që ta sillnin përsëri pas tri ditësh, u nis më këmbë dhe u kthye në qytet me sa i hanin këmbët.

VI

Tani dy fjalë për ushqimin e pijet.

Kuzhina shqiptare ka huazuar mjaft gjëra nga Italia e Turqia: me fjalë të tjera, ajo është pjesë e kuzhinës mesdhetare, e cila me disa ndryshime, është e njëjtë që nga Spanja e deri në Siri. Ndërsa gjellët janë të thjeshta dhe të lehta për t’i gatuar, amvisa shqiptare është mjeshtre për gatim. Atë e mësojnë që në fëmijëri të jetë gjellëbërëse e mirë, përdor me zotësi erëzat e ndryshme e sidomos specin e kuq, pa të cilin asnjë gjellë me mish nuk vihet në sofër, si dhe perime gjithë lëng e gjalpë ose vaj ulliri me dorë të lëshuar, për të gatuar gjellë që të lëshojnë lëng nga goja. Pa i çuar kot gjërat, ajo gjithashtu mund të gatuajë nga tri deri në gjashtë gjellë të ndryshme të shijshme me pak copa mishi, gjellë që ndryshojnë sipas garniturës që e ka stina.

Shqiptarëve u pëlqen më shumë mishi i qengjit sesa i lopës ose ndonjë tjetër. Vendi është shumë malor dhe e gjithë toka arë përdoret për të rritur drithë, që e hanë njerëzit, prandaj rritja e bagëtisë së trashë është mjaft e kufizuar. Dhentë e dhitë që janë me shumicë në Shqipën, kullosin në viset malore me toka jopjellore, ku drithi nuk rritet nga vetë natyra e truallit. Shqiptarët përdorin në sasi të kufizuar mish kafshësh të egra, si derri, lepuri, dhie të egër ose pellumbi, mëllënje dhe gjeli të egër. Praktikisht çdo shtëpi mban disa pula për vezë e për mish. Përdorin mjaft peshk, sidomos të krishterët. Nga më të pëlqyerit janë troftat, ngjalat, putargat, belushkat e skuqura, si edhe molusqet e kërminjtë.

Qengji përgatitet sipas mënyrës shqiptare, zakonisht duke e prerë në copa të vogla, e futin në një poçe me qepë të grira dhe me dy-tre thelpinj hudhre, i hedhin kripë, piper e spec, i shtojnë gjalpë e perime (disa herë i shtien edhe ujë) dhe e lënë të ziejë disa orë. Dy lloje të kësaj gjelle të zakonshme quhen çomlek dhe tavë. Një gjellë tjetër, që quhet dollma, bëhet me fletë lakre, me gjethe rrushi ose me speca, të mbushur me iç të përgatitur me mish, oriz, bukë, qepë e hudhra. Për raste të veçanta shqiptarët gatuajnë një gjellë të zgjedhur, që quhet kukurec, që bëhet me veshka dashi, mëlçi, zemra dhe copa qengji e që zakonisht piqet jashtë. Copa të ndryshme të kukurecit vihen në hell dhe pastaj mbështillen gërshet me zorrë qengji të njomë, të lara me kujdes, që lyhen me gjalpë e rrotullohen ngadalë duke i mbajtur pak larg nga zjarri.

Ëmbëlsirat shqiptare, që gatuhen zakonisht për ditët e pushimit dhe festat, janë në të vërtetë kryevepra të gjellëtarisë, ku derdhen pa kursim gjalpi, sherbeti e arrat. Një gatesë e tillë kombëtare janë petullat, që janë brumë i skuqur në vaj ulliri të përvëluar ose në gjalpë, kullohen kur nxirren nga tigani dhe u hidhet sipër sheqer e arra të bluara. Bakllavaja, një ëmbëlsirë mjaft e pasur, i ngjan një ëmbëlsire që kanë patisserie të Francës. Ajo bëhet me petë shumë të holla brumi, të hapura me gjalpë të tretur dhe me arra të bluara. Më e mirë është me bajame. Pasi piqet, lihet të ftohet dhe pastaj mbytet me sherbet, që bëhet me sheqer të tretur dhe me copa të grira lëkure portokalli. Një lloj tjetër gatesë është lakrori shumë i përhapur, i cili i ngjet një byreku amerikan, por, ndryshe nga ai, mbushet me perime të ziera e të grira imët, si lakra, presh, qepë ose spinaq.

Tarator është emri i një gatesë tjetër kombëtare, që është diçka kureshtare, e ndërmjetme midis sallatës dhe supës. Ajo bëhet me kos (një lloj qumështi i fermentuar, i cili njihet më tepër jashtë me emrin jogurt), të përzier me kastraveca të grirë dhe me arra të bluara, një dorë hudhra të shtypura e të ndrequra me kripë, vaj ulliri e pak uthull. Ai shtrohet në sofër fare i ftohtë dhe hahet me lugë. Mund të tingëllojë e çuditshme kështu e shkruar në letër, por ai ka një shije të hollë dhe mjaft vizitorë të huaj e gjejnë tërheqës pas habisë së parë.

Sa për çka pihet, kafeja turke, një lëng i trashë, i zi e me sheqer është më popullore në gjithë vendin. Një pije që praktikisht e gjen në çdo shtëpi është rakia, një lloj xhini, që e blejnë ose e bëjnë në shtëpi nga rrushi, kumbullat ose mani. Rakia u nxirret gjithmonë mysafirëve dhe është e zakonshme në këso rasash që më parë nxirret një ëmbëlsire, e quajtur llokume, ose ndonjë lloj reçeli i bërë me lëkura portokalli, shalqini, kumbulla ose fruta të tjera. Pastaj nxirret kafeja turke me filxhanë kafeje ose gjysmëtasa. Vera përdoret më shpesh gjatë bukës ose pas gjellëve.


  1. Nikephoros Gregoras, Bonn. Vëll. I, f. 116. Gregorasi i pérmend shgiptarêt perpara gjithe tê tjerève, nje gjë ge eshtê mjaft e pazakonshme për nje autor bizantin. Në librat bizantine pergithesisht shgiptarët permenden tê fundit né sfarêdo liste. Prandaj nuk eshte e paarsyeshme te hamendësojme qe Gregorasi kishte nder mend té fliste vetém per shgiptarët dhe vetèm i erdhi si njé mendim i mépastajmé i pasinqerté qe te shtonte edhe emra te tjeré ose emrat e tjeré i ka shtuar ndonjé shkrues, kur ka kopjuar doreshkrimin e Gregorasit. ↩︎

  2. Ibrahim Petchevi, History, la Stambol, 1283 i Hixhres, vilt.I, ↩︎

  3. W. M, Leake, Travels in Northern Greece, Londër, 1835, vëll. I, f. 43. Pjesa e cituar i perket vitit 1804. ↩︎

  4. Leake, vep, e cituar, vëll. II, f. 522. ↩︎

  5. J. C. Hobhouse, A Jorney through Albania, Londër, 1813, f. 147-148. ↩︎

  6. Jurien de la Gravière, La station du Levant, Paris, 1876, vëll. II, f. 89. ↩︎

  7. Hobhouse, vep. e cituar, f. 144. ↩︎

  8. Hobhouse, vep. e cituar, f. 143. ↩︎

  9. Lord Byron: Shenime për Childe Harold, Oxford University Press, Londër, 1935, f. 860, ↩︎

  10. T.S. Hughes, Travels in Greece and Albania, bot. 2, Londer, 1830, vëll.II, f. 108. ↩︎

  11. George Finlay, History of Greece, H. F. Tozer bot., Oksford, 1877, vell, VI, f.31. ↩︎

  12. Edwin Pears, Turkey and its People, bot, 2, Londër, 1912, f. 167. ↩︎

  13. Herbert Louis, Albanien, Shtutgart, 1927, f.36. ↩︎

  14. H. F. Tozer, Researches in the Highlands of Turkey, Londër, 1869, vëll. I, f. 368. ↩︎

  15. M. Edith Durham, High Albania, Londër, 1909, f. 56. ↩︎

  16. F. Bianconi, Carte Commerciale des Provinces d’Albanie et d’Epire, Paris, 1886. ↩︎

  17. H. N. Brailsford, Macedonia, Londër, 1906, f. 226. ↩︎

  18. Tozer, vep, e cituar, vëll. I, f. 207. ↩︎

  19. Tozer, vep.e cituar, f. 211. ↩︎

  20. Lady Mary, Wortley Montagu, Letters and Works, bot. Lord Warn-cliffe, Londër, 1861, vëll. I, f. 291. ↩︎

  21. T, S. Hughes, vep.e cituar, vëll. II, f. 29. ↩︎

  22. M. E. Durham, Some Tribal Origins, Laws and Customs of the Balkans, Londër, 1928, f.196. ↩︎

  23. Joseph von Hammer, Geschichte des Osmanischen Reiches, vell, III, Pest, 1828, f. 211. ↩︎