Prejardhja racore

Si shkencëtarët, ashtu edhe ata që kërkojnë të jenë studiues, e kanë vënë në dukje vazhdimisht se fjala “racë” përdoret me një kuptim aspak të përpiktë nga publiku i zakonshëm. Ndër këta kritikë shkencorë të fundit, profesorët Julian S. Huxley dhe A.C. Haddon, në një libër të shkëlqyer me titullin “Ne, Europianët”, bëjnë këto vërejtje të ngjeshura për “racat” e Evropës: “Cilatdo që të kenë qenë kushtet e Evropës në kohët parahistorike, kudo në Evropën e sotme, e veçanërisht në Evropën Qendrore, ka një përzierje njerëzore të ngatërruar. Po të hidhej një vështrim në hartën që tregon dyndjet e njohura të popullsive të Evropës gjatë shtatë ose tetë shekujve të parë të erës sonë, do të na hiqej nga mendja farëdo ideje për përbërjen ngulitur fisnore ose për “pastërtinë racore”. Evropa ka qenë një kazan i vërtetë përzierjeje dhe ajo që ka dalë jashtë prej tij duhet të ketë qenë shumë e ndryshme nga ajo që është hedhur brenda.”[1]

Dhe më tej: “Askund nuk ekziston sot një grup njerëzor, i cili i përgjigjet përpikërisht ndonjë nënlloji sistematik si të kafshët, sepse nënllojet origjinale janë kryqëzuar herë pas here dhe vazhdimisht. Për popullsitë ekzistuese duhet të përdoret termi i tërthortë “grup etnik”!”

Nga ana tjetër, një shkencëtar i mirënjohur, profesori Eugène Pittard, ngulmon për përdorimin e racës “në kuptimin që i jep kësaj fjale publiku i përgjithshëm” dhe bën një vërejtje tallëse me “bizantinizmin shkencor”. [2]

Nuk ka dyshim se profesorët Huxley dhe Haddon kanë të drejtë, porse një ndryshim i thjeshtë i etiketës nuk do ta ndryshonte prirjen e mendjes së publikut të përgjithshëm dhe po ai keqpërdorim nga i cili vuan fjala “racë” tani, brenda pak vjetëve do t’i kalojë termit “grup etnik”.

Shënimet e mësipërme kanë për qëllim të tregojnë se unë i njoh kurthet e fjalës “racë”. E megjithatë, duke ndjekur shembullin e profesorit Pittard, unë do ta përdor me kuptimin e njerëzve të zakonshëm. Me “racën shqiptare” unë nuk kam parasysh një nënlloj biologjik, që përbën ndonjë bashkësi të dalluar, të veçuar qartë ndër llojet njerëzore; me “raca shqiptare” unë kuptoj një grup njerëzish, të cilët kanë jetuar së bashku për shumë shekuj, kanë folur po atë gjuhë, kanë bërë një jetë të veçuar, janë martuar vazhdimisht ndërmjet tyre dhe deri më sot kanë luftuar me sukses kundër ngulmimeve të gjera të pushtuesve dhe prandaj kanë disa ngjashmëri të qarta nga pamja fizike dhe nga temperamenti.

Në Shqipëri ndeshen dy tipa: njerëzit e gjatë me sy ngjyrë të çelët dhe flokë të verdhë, si dhe njerëzit me shtat më të shkurtër, me sy gështenjë dhe flokë të zinj. Këta dy tipa nuk janë gjeografikisht të kufizuar në disa krahina, por gjenden kudo në Shqipëri. Për shembull, tipi i shkurtër brun ndeshet në Veri deri në krahinën e Mirditës dhe në Jug deri në krahinën e Labërisë; tipi shtatlartë flokëverdhë ndeshet po ashtu në të dyja pikat skajore të vendit. Shkurt, të dy tipat janë të përzier në të gjithë vendin. Të gjithë këta njerëz kanë pak a shumë këto tipare të përgjithshme të përbashkëta: ata e kanë kokën të gjerë e të rrafshtë nga prapa, kërcinjtë e këmbëve tepër të hollë, këmbët me kurriz shumë të lartë dhe lëkurën të bardhë, e cila, për shkak se njerëzit përgjithësisht mbajnë qeleshe pa strehë anash dhe gjithë ditën rrinë jashtë, nxihet nga dielli në fytyrë dhe në duar, duke dhënë përshtypjen sikur është e zeshkët, por kjo përshtypje del se është e gabuar, po t’i shohësh këta njerëz kur lahen në breg të detit ose në lumenj e liqene. Balli është i lartë, goja është e vogël, dhembët janë shumë të rregullt, por u prishen shpejt, hunda është e drejtë, me përjashtim të viseve verilindore, ku mjaft njerëz kanë hundë shqiponjë. Zërat janë zakonisht të lartë, ka fare pak baritone dhe kontralto; kurse një zë bas, i njohur në gjuhën e vendit si “zë gomari”, është kaq i rrallë dhe i pazakonshëm, sa prania e tij në një vend ngjall habi. Më 1913 një malësor me një zë të trashë kumbues zbriti në Durrës dhe njerëzit i mblidheshin rrotull në një kafene për ta dëgjuar kur fliste dhe për të qeshur. Shqiptarët janë të thatë, njerëzit e mbushur janë të rrallë dhe në pesëdhjetë vjet unë kam takuar vetëm pesë a gjashtë burra e gra që mund të quhen të dhjamur.

Ky përshkrim i shkurtër është sipas një vëzhguesi të thjeshtë dhe jo nga një shkencëtar. Por unë kam udhëtuar shumë nëpër Shqipëri, kam takuar gjithë llojet e njerëzve nga të gjitha krahinat dhe më mbajnë për vëzhgues të kujdesshëm. Megjithatë, nevojitet një studim i thelluar nga një antropolog kompetent. A është bërë ndonjë studim i tillë? Kur dëgjoj për njerëz që kanë vizituar Shqipërinë dhe kanë bërë atje gjurmime antropologjike, zakonisht unë mbaj një heshtje mirësjelljeje, por më ndodh nganjëherë të mos jem me të mira dhe në raste të tilla nuk mund ta mbaj një të qeshur të fortë. Shqipëria është një vend me popullsi të rrallë, ku cilido e di se çfarë ka ngrënë fqinji i tij për mëngjes dhe në veçanti lëvizjet dhe veprimet e të huajve që vijnë për vizitë, njihen deri në imtësi. Kurrë nuk ka pasur, me një përjashtim të vetëm, ndonjë studiues të huaj ose shkencëtar që të ketë bërë matje në përmasa të gjera ose kërkime të tjera shkencore në Shqipëri. Të paktën një gjë, druajtja dhe rezervimi i njerëzve do ta bënin këtë punë shumë të vështirë. Dhe kjo vështirësi kthehet në pamundësi, po të mendojmë ndjenjën e neverisë që ka malësori, po ta prekë me duar i huaji. Ajo që ka ndodhur ndonjëherë, ka qenë kështu: një profesor ose studiues ka zbritur në Shqipëri, ka vizituar dy a tre qytete e fshatra, ka vëzhguar disa njerëz të rastit, ka kapur disa arixhinj për t’i detyruar që t’i matin dhe është ngutur të kthehet në vendin e vet për t’i botuar zbulimet e veta të mrekullueshme. Por, siç e thashë, ka një përjashtim të shënuar. Nja pesëmbëdhjetë vjet para Luftës Botërore, një antropolog nga Berlini, dr. Paul Treger, erdhi në Shqipëri në kushtet më të mira të mundshme. Ai kishte rekomandime të forta për autoritetet e atëhershme turke nga ambasada e sulltanit në Berlin, gjithashtu kishte rekomandime nga konsullatat austro-hungareze, që atëherë ishin me shumë ndikim në Shqipëri dhe e fundit nga radha, por jo nga rëndësia, kishte vendosur disa lidhje të dobishme me prijës të njohur shqiptarë dhe me klerikë. Dr. Paul Treger bëri disa vizita të gjata gjithandej nëpër Shqipëri dhe u miqësua me këto për shkak të natyrës së tij të mirë dhe të thjeshtësisë, mori pjesë në dasma e në festa të tjera, duke u bashkuar me gëzimet plotësisht në frymën e vendasve. Për shqiptarët më në fund ai u bë njëfarë njeriu i çuditshëm, por i lezetshëm, mania e të cilit ishte t’u maste trupat dhe t’i regjistronte të dhënat. Pasi u kthye në Gjermani, dr. Paul Treger, i cili kishte matur disa mijëra njerëz nga Veriu në Jug, nxori si përfundim nga vëzhgimet e tij se shqiptarët në tërësi ishin një grup racor homogjen. [3]

Do të shtoja se pas dr. Tregerit, i vetmi që e meriton të dëgjohet është profesori Pittard. Më 1920 ai bëri disa hetime të gjera në Shqipëri. Ashtu si dr. Treger, edhe profesor Pittard-it i bëri përshtypje homogjeniteti relativ i shqiptarëve. “Është e vështirë, – thotë ai, – të gjesh një popullsi që t’i ketë tiparet e kafkës të përcaktuara më qartë.” [4]

Më 1911 një studiues amerikan, dr. Daniel Folkmar, i ndihmuar nga dr. Elnora C. Folkmar, u ngarkua nga Senati i Shteteve të Bashkuara për të hartuar një raport sipas rendit alfabetik për të gjitha racat me të cilat binin në kontakt autoritetet e imigrimit në Amerikë. Duke u bazuar kryesisht në gjetjet e dr. Paul Tregerit, ja se çfarë thotë dr. Folkmar për racën shqiptare:

SHQIPTARËT (emri vendas Shqiptar, emri i lashtë Ilir, nga turqit quhen Arnautë). Raca ose popullsia vendëse, rrënjëse e Shqipërisë ose e Turqisë Perëndimore. Ndryshe nga shumica e të ashtuquajturave “raca” evropiane, kjo është një racë e dallueshme fizikisht dhe jo vetëm nga ana thjesht gjuhësore. Ajo përfshin popullsinë më të vogël në krahasim me çdo degë tjetër të pavarur të arianëve në Evropë dhe madje as nuk del me emër në statistikat e imigrimit." [5]

Le të shpresojmë se kërkimet e dr. Paul Tregerit do t’i vazhdojë në një shkallë më të gjerë ndonjë antropolog, i cili e merr shkencën seriozisht. Puna tashmë do të ishte më e lehtë, sepse Shqipëria ka shërbim ushtarak dhe rekrutët nga të gjitha krahinat mblidhen çdo fillim viti në një numër të vogël qendrash për të kaluar vizitën mjekësore paraprake.

Duke u mbështetur në të dhënat ekzistuese, studiuesit i kanë klasifikuar shqiptarët në një racë, e cila ka marrë emrin “raca adriatike” dhe tani vonë quhet “raca dinarike”, ku përfshihen popullsitë e asaj treve të Evropës që shtrihet nga Zvicra deri në Shqipërinë e Jugut dhe e merr emrin nga vargmali dinarik i Alpeve. Antropologët e kanë klasifikuar këtë grup si brakicefal, që në çdo gjuhë do të thotë se këta njerëz kanë zakonisht kokë të rrumbullakët ose jo të zgjatur.

II

Nga pikëpamja historike, shqiptarët janë pasardhës të ilirëve, banojnë në trevat e tyre dhe flasin gjuhën e tyre. Këtu kemi tre pohime që kanë nevojë për shpjegime.

Që shqiptarët janë pasardhës të ilirëve dhe që flasin gjuhën e tyre është pohuar shpesh jo për arsye historike e gjuhësore, por për shkaqe të holla politike; disa herë edhe është mohuar. Nuk është puna te fakti se ata banojnë në viset e ilirëve, ndonëse edhe këtë do ta kishin mohuar, po të kishin pasur mundësi, vetëm se deri më sot nuk ka dalë ndonjë “shkencëtar” që të rrezikonte e të paraqiste ndonjë teori se na paska ndodhur një katastrofë gjeologjike, e cila mund ta ketë flakur Ilirinë e vjetër në det dhe do të ketë sjellë një tokë të re në vend të saj. Prandaj ne do të merremi vetëm me çështjen e prejardhjes dhe të gjuhës.

Gjatë shekullit të nëntëmbëdhjetë, siç dihet nga të gjithë, nisi një lëvizje për ringjalljen e shpirtit kombëtar në vende të ndryshme, një lëvizje e mbarsur me diskutime, sulme dhe përleshje të armatosura. Kudo që binin në kontakt dy ose më shumë kombësi dhe kishin konflikt, nuk lihej asnjë argument pa u përdorur nga kundërshtarët, kurse një nga argumentet të cilit i mëshohej më tepër, ishte ai i të ashtuquajturave “të drejta historike” të një kombësie kundër tjetrës. Fakti që studiuesit i mbaheshin mendimit se shqiptarët, si pasardhës të ilirëve, zinin pothuaj gjithë Evropën Juglindore, ishte një hale në sy për sllavët. Arsyeja ishte se po të kishin banuar një herë e një kohë shqiptarët dhe po t’i kishin pasur të tyret viset që sot ishin të pushtuara nga sllavët e jugut, atëherë do të dilte si përfundim që shqiptarët jo vetëm kishin të drejta mbi trojet ku ata përbënin popullsinë e vetme, por kishin të drejta edhe për trojet përtej tyre, atje ku popullsia ishte e përzier me shqiptarë e sllavë. Për këtë arsye ishte me rëndësi të veçantë për sllavët e jugut që të hidhnin dyshime mbi mendimin e përkrahur nga studiuesit lidhur me prejardhjen ilire të shqiptarëve dhe, po të ishte e mundur, të përmbysej tërësisht ai mendim. Po si mund të arrihej një punë e tillë? Disa filologë, me mendjelehtësi, por pa dyshim me mirëbesim, u erdhën në ndihmë në mënyrë të pavetëdijshme sllavëve të jugut. Ndërmjet mbishkrimeve të shumta që nuk janë latinisht, të cilat kanë shpëtuar nga rrebeshet e kohës, është edhe një përmbledhje e madhe dokumentesh lapidare, që janë gjetur në krahinën e Venedikut. Pa asnjë arsye objektive, disa vendosën se këto mbishkrime venete ishin ilire dhe menjëherë specialistë të gjuhës shqipe nisën një krahasim të imtë ndërmjet shqipes dhe gjuhës së këtyre mbishkrimeve. Ata gjetën se këto dy gjuhë nuk kishin asgjë të përbashkët. Në atë kohë studiuesit i përmbaheshin mendimit naiv se gjuha dhe raca janë e njëjta gjë. Ta mendojmë vetëm për hir të mënyrës së argumentimit se mbishkrimet venedikase do të ishin ilire; kjo përsëri nuk do të thoshte asgjë për lidhje racore ndërmjet shqiptarëve dhe ilirëve. Këtyre studiuesve nuk u ka shkuar asnjëherë ndër mend se është një gjë e zakonshme edhe ndërrimi i gjuhës, ndonëse shembuj për këtë ndërrim ata i kishin parasysh nga faqet e vetë doracakëve të tyre. Sa për të dhënë një shembull: a nuk ishte e njohur për të gjithë se popullsia e galëve hoqi dorë si nga përdorimi i keltishtes, ashtu edhe nga gjuha gjermanike e pushtuesve më të vonë teutonë dhe pranoi si gjuhë kombëtare latinishten? Por për këtë shkak popullsia keltë dhe teutone e Francës a u bë një popullsi italike dhe i humbi të gjitha lidhjet racore me trungun e vjetër? Dhe të vijmë te një shembull i kohëve tona: a ka pushuar së qeni zezake popullsia e Liberisë, një popullsi afrikane, vetëm sepse tashmë gjuha e saj është anglishtja? Me kalimin e kohës dhe duke hyrë në këtë diskutim edhe etnologët, filologët erdhën në vete dhe hoqën dorë nga qëndrimi i tyre joshkencor. Jo vetëm që këta studiues të vlefshëm nuk flasin më për një lidhje të domosdoshme ndërmjet gjuhës dhe racës, por ata janë bërë të vetëdijshëm edhe për faktin se karakteri ilir i mbishkrimeve venete ka qenë një krijim i mendjes së tyre. Një provë e kësaj është se në botimet e fundit të këtyre mbishkrimeve në fjalë, të bëra nga dy studiues të njohur anglezë, mbishkrimet nuk quhen më ilire, po u jepet emërtimi venete, që është i papërcaktuar dhe që i lidh thjesht me vendin ku janë gjetur. [6]

E kërkon arsyeja që për të krahasuar dy gjëra çfarëdo, duhet t’i kesh të dyja parasysh pa u gabuar. Studiuesit kanë plot tekste në gjuhën shqipe, por ku është një tekst i vetëm ilirisht, autentik dhe i pamohueshëm? Loja naive e një murgu mesjetar, i cili donte të hante mish pule të premten dhe prandaj tha: “Unë të pagëzoj si peshk në emër të Atit, Birit etj.”, është një shaka shumë e bukur, por vështirë se mund të merret seriozisht në diskutimet filologjike. Natyrisht, nuk është e pamundur që shqipja, siç ka sugjeruar një shkencëtar anglez, t’i jetë imponuar një popullsie ilire si “gjuha e pushtuesve fitimtarë”[1:1], por atëherë, po ta themi me një shprehje të marrë hua nga terminologjia juridike, “barra e provës” për ekzistencën e këtyre pushtuesve hipotetikë u bie ta mbajnë studiuesit që bëjnë pohime të tilla. U takon atyre të tregojnë atëherë jo vetëm që këta pushtues të trilluar kanë ekzistuar, por edhe se nga erdhën ata, pse nuk paskan lënë ndonjë gjurmë pas vetes dhe kur paskan ndodhur fitoret e tyre të përmendura. Është një qëndrim diletantësh dhe jo studiuesish me mendje shkencore, të heqësh dorë nga diçka që ka shumë gjasë për të mbështetur diçka, që vështirë se është e mundur.

Lidhur me lidhjet racore të shqiptarëve me ilirët, mjaft shpesh harrohet se banorët e Ilirisë jo vetëm iu qëndruan pa u lëkundur kryqëzimeve nga jashtë, por madje edhe kur një pjesë e popullsisë u shfaros nga pushtimi romak, ata që vërshuan për të zënë vendet e zbrazura, erdhën nga krahinat e brendshme që ishin po njësoj ilire. Iliria e vogël nuk ishte e rrethuar nga kombësi heterogjene, por nga popullsi me lidhje afërie, që ledhet malore i kishin mbrojtur jo vetëm nga pushtimi romak, por edhe nga valët e mëpastajme të gotëve, hunëve dhe sllavëve. Me sa duket, kjo është kuptuar më në fund edhe nga kundërshtarët më kokëfortë të këtyre fakteve evidente dhe ne tani e dëgjojmë si një teori të pranuar përgjithësisht, që shqiptarët janë pasardhës të dardanëve, një popullsi ilire. Me fjalë të tjera, këta studiues tani po pohojnë diçka që është e njëjtë sikur të thuash se një grup etnik i caktuar nuk e ka prejardhjen nga anglezët, por nga njerëzit e krahinave angleze Jorkshir dhe Devon. Ne jemi të kënaqur me këtë pranim të heshtur të një gabimi.

III

Shqiptarët përbëjnë një popullsi homogjene kompakte, që flet të njëjtën gjuhë nga një cep i vendit në tjetrin. Megjithatë ka pak elemente heterogjene, që përbëjnë rreth katër ose pesë për qind të popullsisë së përgjithshme. Kjo pjesë përfshin:

Vllehtë, që më shpesh thirren kucovllëh, për t’i dalluar nga vllehtë e Rumanisë. Ata formojnë një grup prej rreth njëzet mijë vetash, që flasin një gjuhë të afërt me rumanishten. Kjo popullsi nuk ka gëzuar ndonjë nam të mirë. Një shkrimtar grek i shekullit të njëmbëdhjetë, Kekaumenos, që ka qenë guvernator i krahinës bizantine të Thesalisë, në një libër të vetin për këshilla të bijve, i paralajmëron me forcë që të mos u besojnë vllehëve:

“Po tërheq vëmendjen tuaj dhe të pasardhësve tuaj për faktet e mëposhtme. Meqenëse kombi i vllehëve është tërësisht i pabesë dhe i korruptuar, duke mos pasur besnikëri të vërtetë ndaj Zotit, Perëndisë ose mikut… gjithmonë vete gënjen… nuk i ka mbajtur besën askujt… unë prandaj ju këshilloj të mos u besoni atyre në asnjë mënyrë. Edhe po të ndodhë ndonjë trazirë dhe ata të premtojnë dashuri e besnikëri, duke thirrur Zotin si dëshmitar për sinqeritetin e vet, ju prapë të mos u besoni… Në rast se ata sjellin gratë dhe fëmijët e tyre në kështjellë, lërini të hyjnë, por burrat mbajini jashtë mureve të kështjellës. Dhe po që se burrat do të duan të vizitojnë familjet e tyre brenda mureve, lejoni dy ose tre që të hyjnë dhe kur të dalin këta jashtë, atëherë lejoni disa të tjerë. Por muret dhe portat ruajini me kujdes. Po të bëni kështu, do të jeni të sigurt. Po i lejoni të hyjnë me shumicë përnjëherësh për të vizituar familjet e tyre, ata do ta marrin kështjellën me tradhti dhe ju do të shkatërroheni prej tyre ashtu si të shtypin nën mburojë dhe atëherë do ju kujtohet këshilla ime.” [7]

Nuk ka dyshim që Kekaumenosi ka qenë i sinqertë: ai nuk kishte aspak ndër mend që ta botonte librin, kjo ishte më tepër një këshillë prindërore për të bijtë, një lloj testamenti politik për ta pasur në arkivat e familjes. Megjithatë akuza e tij e mërshme kundër një grupi të tërë racor duhet të merret me rezervë shumë të madhe. Kekaumenosi ka qenë një dinjitar bizantin, i ngarkuar me qeverisjen e një populli të huaj dhe përshtypjet e tij mund të kenë thjesht kuptimin që kucovllëhtë e Thesalisë kanë qenë në kundërshtim të vazhdueshëm e me dredhi kundër sundimit të tij.

Ka disa mijëra fshatarë që flasin greqisht në krahinën e Gjirokastrës. Ata banojnë në një zonë të quajtur Dropulli. Ata nuk janë shqiptarë të greqizuar, siç mund të mendohej, por janë grekë që kanë ardhur nga Greqia në pjesën e fundit të shekullit të tetëmbëdhjetë. I kanë sjellë si krah pune në bujqësi shqiptarët që ishin pronarë tokash si në Shqipërinë e Jugut, ashtu edhe në Greqinë e Veriut dhe që e kishin zakon t’i lëviznin argatët e tyre nga një pronë në tjetrën sipas nevojës.

Elementi i huaj më interesant në Shqipëri janë arixhinjtë. Ashtu si dhe gjetkë, ata janë të ndarë në dy grupe: arixhinjtë e mirëfilltë endacakë dhe arixhinjtë e ngulur, evgjitët. Të parët merren me kuaj dhe thurin shporta, të dytët janë kovaçë, kallajxhinj, sazexhinj dhe valltare. Gratë ndonjëherë argëtojnë gejflinjtë. Po t’i lëmë këto mënjanë, arixhinjtë e Shqipërisë janë një skotë mjaft e padëmshme dhe e këndshme, kurse ata të Tiranës, të cilët ndonjëherë janë mjaft të bardhë e madje flokëverdhë, po për ato arsye që mund të gjesh zezakë flokëverdhë në pjesën jugore të Shteteve të Bashkuara, kanë një ndjenjë artistike në veshjet e në vallet e tyre.

Sllavët janë shumë të paktë në Shqipëri: më pak se dy mijë veta. Shumica e tyre janë vendosur në Shkodër, ku kanë ardhur si refugjatë politikë dhe lypës nga Mali i Zi, në mes të shekullit të nëntëmbëdhjetë ose aty rrotull. Ndonëse ata kanë ardhur tani vonë dhe këtë e mbajnë mend ende pleqtë që ishin gjallë në fillim të shekullit tonë, serbët dhe malazezët e përdorin haptas praninë e këtyre njerëzve në Shkodër si pretekst për të kërkuar nga Fuqitë për t’u dhënë jo vetëm Shkodrën, por edhe gjithë krahinën me këtë emër. Mënyra e të vepruarit dhe të menduarit e sllavëve janë një gjëegjëzë për të tjerët. Gjatë sundimit turk në Serbi, një numër serbësh u arratisën për të shpëtuar nga përndjekjet dhe gjetën strehë nga hungarezët e mëshirshëm. Si shpërblim, nja dy a tre shekuj më vonë, pasardhësit e këtyre refugjatëve, të cilët kishin përfituar nga mikpritja, u bënë kërkesë Fuqive që t’ia jepnin Serbisë vendin ku gjetën strehim paraardhësit e tyre. Hapini derën një serbi dhe ditën tjetër ai do të të kërkojë gjysmën e saj, sikur e ka të drejtën e vet, ndërsa të pasnesërmen ai do të përpiqet të të flakë nga dritarja e shtëpisë sate, sikur je ti ai që ke hyrë me zor. Një nga argumentet e çuditshme të serbëve në përpjekjet e tyre për të shtënë në dorë Shkodrën, ka qenë se emri i Shkodrës vjen nga serbishtja Skadar. Kjo është njësoj sikur Italia të pretendonte për Parisin, sepse italisht ai quhet Parigi, ose sikur Franca të synonte marrjen e Londrës, sepse frëngjisht ajo quhet Londres, ose së fundi, sikur anglezët të kërkonin Leghornin, që është trajta angleze e qytetit italian Livorno. Ky argument, i cili sipas mendjes së serbëve ka vlerë, nuk ka asnjë kuptim për gjithë botën tjetër. Shumë autorë të tjerë të asaj kohe kanë vënë në dukje absurditetin e pretendimeve të tilla, ndërsa një autor anglez, i përgatitur mirë për trajtimin e këtij problemi, ka vënë në dukje se Shkodra ka qenë shqiptare shumë shekuj përpara sesa serbët të kishin kaluar Danubin. Ky autor, Wadham Peacock, thotë më tej:

Fakti qendror dhe më i rëndësishëm është se kombësia shqiptare është njohur nga vetëdija evropiane, ndërsa ky qytetërim i është mohuar Polonisë së shekullit të njëzetë. Ndërmjet shqiptarëve dhe sllavëve ka disa shekuj urrejtjeje dhe hakmarrjeje. Shqiptari e sheh sllavin si pushtues dhe grabitës; sllavi e sheh shqiptarin si njeri të padëshirueshëm, i cili, ndonëse ndonjëherë është mundur, gjithmonë ka kundërshtuar nënshtrimin. Duke pasur një përparësi të paçmuar, sepse është më i shkathët në shkrime, ai vazhdimisht e ka paraqitur shqiptarin e heshtur si bandit dhe grabitës të fshatrave sllave. Që ta themi të vërtetën historike, e ka tjetërkush mizën në kësulë." [8]


  1. Julian S. Huxley dhe A. C. Haddon, We Europeans, A Survey of “Racial” Problems, Londër, 1935, f. 23. ↩︎ ↩︎

  2. Eugène Pittard, Les Races et I’Histoire, Paris, 1924, f. 3 ↩︎

  3. P. Traeger, “Mitteilungen und Funde aus Albanien.” Z.f.Ethnologie, Verh. Berlin, 1900; dhe Z.f. Ethnologie, XVII, Berlin, 1901, Sitzungsber. - Dr. Traeger pak më vonê më ka dërguar njé letër, ku jep njé permbledhje të gjurmimeve tê veta. ↩︎

  4. Eugène Pittard, vep.e cituar, f. 361 ↩︎

  5. Senati, Kongresi i 61-të, dokumenti nr. 662, Dictionary of Race or Peoples, Uashington, 1911, f. 13 vijim ↩︎

  6. Robert Seymour Conway, The Prae-Italic Dialects of Italy, 3 vellime, Londer, 1933. I gjithe vellimi i pare permban mbishkrimet venete, te quajtura me pare “ilire”. ↩︎

  7. Cecaumeni Strategicon, etc., ediderunt B. Wasiliewsky er V. Jernsted, Petropoli, 189, f. 75. Nie botim i ri ge do re dale i ket) librite rallé, me nje perkthim francez, ishte njoftuar nga Brukseli. ↩︎

  8. Wadham Peacock, Albania: The Foundling State of Europe, Londer, 1914, f. 177. ↩︎