Parathënien për një përmbledhje monumentale dokumentesh të lidhura me historinë e Shqipërisë në Mesjetë[1], studiuesi i shquar kroat Milan Shuflaj e ka shkruar latinisht dhe e nis me këto fjalë: “Kemi ndër mend të ilustrojmë ngjarjet e një regio mirabilissima” - një shprehje kjo që shqip mund të jetë e njëvlefshme me një vend shumë i veçantë ose me një vend nga më të mrekullueshmit, në rastin e parë kuptimi është ai që e ka pasur mirabilissima në latinishten mesjetare. Meqë Shuflaj ka qenë historian i mesjetës, na lejohet të mendojmë se ai kishte ndër mend të na jepte më tepër idenë e diçkaje të mrekullueshme sesa të veçantisë. Sido që ta ketë kuptuar ai, Shqipëria prej kohësh ka pushuar së qeni e mahnitshme në çdo drejtim dhe shpejt po e humbet veçantinë e saj, prandaj po pushon së qeni e çuditshme. Por nga shumë anë ajo ka qenë e çuditshme dhe e mahnitshme në të kaluarën dhe mbetet interesante në të tashmen.
Të shkruash qoftë edhe një libër të vogël për të shkuarën e Shqipërisë, është një punë e vështirë, në rast se nuk kënaqesh vetëm duke përsëritur me fjalë të reja pohimet e kufizuara të ditura, që përmbajnë enciklopeditë e zakonshme dhe doracakët për një farë “historie”. Vështirësia del sepse për të gjitha ngjarjet që kanë kaluar, ne kemi vetëm njërën anë të ashtuquajturit informacion, e më konkretisht, kemi atë të armiqve të Shqipërisë, kurse varianti shqiptar mungon tërësisht. Është, pra, njësoj sikur dikush duhet të japë gjykimin për një varg çështjesh duke pasur dëshminë e paditësve dhe duke mos pasur në dorë asnjë fjalë nga ana e të paditurve. Për këtë mangësi e kanë fajin vetë shqiptarët. Ndonëse në kundërshtim me mendimin e disa profesorëve të përgjumur, të cilët e përfytyrojnë me mirëbesim se përdorimi i gjuhës shqipe si gjuhë e shkruar ka nisur vetëm në shekullin e shtatëmbëdhjetë, ajo ka qenë e ngulitur mirë dhe e rrënjosur në shekullin e trembëdhjetë, kur normanët e Robert Guiskardit zbarkuan në bregun e Shqipërisë. Mund ta marrim me mend se shkrimi ka qenë i kufizuar për çështje të zakonshme të tilla si: shkëmbimi i shënimeve të shkurtra ndërmjet njerëzve të farefisit larg njëri-tjetrit ose i urdhrave të krerëve për pasuesit e tyre. Gjatë gjithë këtyre shekujve të një historie shumëngjyrëshe, nuk i ka ndodhur asnjëherë një shqiptari që të shkruante një përkujtesë rreth ngjarjeve lokale ku kishte qenë dëshmitar vetë. Nga gjithë evropianët e juglindjes shqiptarët janë të vetmit që nuk kanë as monumente historike, as arkiva kombëtare. Studiues dhe historianë me prejardhje shqiptare me siguri kanë qenë shumë, por gjithnjë në vende të huaja dhe në gjuhë të huaja. Po citoj vetëm nja dy shembuj: Estienët, një familje e madhe filologësh francezë të Rilindjes, kanë qenë me prejardhje shqiptare, ndërsa Koçi Beu, “Monteskieja i osmanëve”, i cili më 1630 ka shkruar një histori të shkëlqyer e të guximshme për shkaqet e rënies së Perandorisë Osmane, ka qenë një shqiptar nga Korça, ndërsa pasardhësit e tij anësorë janë ende gjallë.
Megjithatë, në përgjithësi duket sikur trualli i Shqipërisë nuk ka qenë i përshtatshëm për prodhimin e librave.
Kjo mungesë e zhvillimit kulturor është në themel pasojë e pushtimit turk, që zgjati pesëqind vjet të mira. Është interesante të hamendësosh se çfarë do të kishte ndodhur me kulturën shqiptare, nëse do të ishte mundur Turqia. Studiuesit e Shqipërisë besojnë se po të kishte jetuar më gjatë Skënderbeu dhe ta kishte mbrojtur Shqipërinë nga pushtimi turk, ajo do të ishte bërë një shtet i vërtetë Perëndimor, për shkak të lidhjeve me papatin dhe me princër të ndryshëm të shteteve italiane, si Ferdinandi i Napolit. Mirëpo me vdekjen e Skënderbeut më 1468 dhe me rënien e Shqipërisë në duar të turqve, zhvillimi i kulturës shqiptare u ndërpre plotësisht e madje pati kthim prapa, pasi turqit punonin për këtë dhe grekët për këtë çështje të veçantë u lidhën bashkë me turqit, duke mos lejuar shkollat në gjuhën shqipe. Për më tepër, kishte një dënim të ashpër për cilindo që kapej me një botim në gjuhën amtare shqipe, shpesh deri edhe syrgjynosje dhe ndonjëherë vdekje.
Në këto rrethana studiuesi i historisë shqiptare e ndien veten para kësaj mëdyshjeje: ose t’i pranojë armiqtë tradicionalë të kombit shqiptar si burime të mjaftueshme, ose t’i ndreqë e t’i plotësojë ato me traditat e vjetra që mund të gjenden vetë në Shqipëri. Kjo është një metodë e përligjur, por që mjaft lehtë të shtyn në gabime, nëse nuk je shumë i kujdesshëm për të mos u mbështetur tepër lirisht në këto burime gojore. Përveç kësaj, ka edhe mjete të tjera për kërkime. Ka fakte gjuhësore, të dhëna topografike, ndonjë copë aty-këtu të autorët perëndimorë, që japin sugjerime për gjendjen e vërtetë të disa problemeve, ndonëse edhe ata gjithashtu, ndoshta pa dashur, shpesh janë të anshëm. Madje edhe autorët e hershëm nganjëherë janë me vlerë të madhe.
Një historian rumun, duke folur për Karlin e Madh Anzhu, mbretin e Sicilisë, që në shkurt 1272 u bë gjithashtu edhe mbret i Arbërisë, e quan atë “pushtues” të Shqipërisë dhe shqiptarët i quan “të mundurit”. Ky është një shembull i mirë për subjektivizmin. Rumunët, ashtu si grekët e sotëm dhe sllavët, po ashtu si gjithë kombësitë e tjera të Perandorisë Bizantine, i përkisnin kishës lindore “ortodokse”. Për ta Stambolli ka qenë një qendër tërheqëse e pandalshme, kur erdhi puna për të zgjidhur a do të shkonin me alternativën e evropianëve perëndimorë. Kështu e marrin si të mirëqenë se edhe shqiptarët do ta ndjenin veten po njësoj si ata. Por kështu harrojnë një fakt të thjeshtë e themelor, pra se shqiptarët ishin katolikë romakë dhe të vetmit katolikë romakë në Perandorinë Bizantine. Shqiptarët gjithnjë kanë ushqyer ndjenja antipatie kundrejt Bizantit, ndërsa Karli Anzhu, ashtu si më parë Bohemundi, i biri i Robert Guiskardit, nuk u prit nga shqiptarët si pushtues, por u brohorit si çlirues.
Edhe lidhur me Shqipërinë e sotme ka një keqkuptim të përgjithshëm, që e errëson vështrimin e qartë për këtë vend. Për shembull, disa vjet më parë, në një mbrëmje ku unë do të quhesha si mik nderi, e zonja e shtëpisë, një grua tërheqëse, më pyeti: “Po ku ishte kjo Shqipëria?” Në fund të Luftës së Parë, kur çështja shqiptare doli për shqyrtim, thuhet se sekretari i shtetit Robert Lansing kishte përshtypjen se Shqipëria ndodhej diku në Amerikën e Jugut. Përgjegjësi i atëhershëm i Degës për Lindjen e Afërt në Departamentin e Shtetit, dr. Albert Putnej (Putney) më ka treguar pas disa vjetësh për këtë keqkuptim të vogël. Dr. Putnej, një burrë shumë i hijshëm, ishte një janki nga Masaçusetsi, që nuk ia kishte qejfi shakatë. As nuk duhet të habitemi për mungesën e përpikërisë nga zoti Lansing. Po t’i pyesësh shumë burra shteti të Evropës për pozitën gjeografike të vendeve të tilla të vogla, si Hondurasi ose Paraguaji, ka shumë mundësi që aty për aty të mos japin një përgjigje të kënaqshme.
Në këtë libër termi “Evropa Juglindore” do të përdoret rregullisht në vend të “Ballkani”. Emri “Ballkan”, i përdorur për herë të parë më 1808 nga një gjeograf gjerman, i quajtur A. Cojne (Zeune), është një fjalë turke me kuptimin “mal”. Malet e Ballkanit do të thotë Malet e malit. Këtë emër nuk e kanë përfillur për shumë kohë gjithë autorët, nuk ka asnjë gjurmë të tij në botimin e nëntë të Enciklopedisë Britanike (1875), ndërsa një shqyrtim i hollësishëm i treguesve të “Tajmsit” të Londrës që nga fillimi e deri më 1878 nuk na ka zbuluar asnjë rast që të jetë përmendur e pas kësaj ne nuk e vijuam më kërkimin. Nuk përmendet as në “Fjalorin e Gjeografisë së Përgjithshme”, një fjalor i madh i botuar më 1879 nga Vivien dë Sen-Martën (Saint-Martin). Edhe në kohën tonë studiuesi anglez i Bizantit, Bëri (Bury) gjithnjë përdor emrin “Gadishulli Ilir”, ndërsa si përjashtim ka përdorur pak herë termin “Haemus Peninsula”. E vlen të shënohet se deri kohët e fundit popujt e “Ballkanit” vetë nuk e kishin dëgjuar kurrë këtë emër, kurse autori i këtij libri, ndonëse është një lexues i palodhur librash, e ka mësuar vetëm kur ishte njëzet e gjashtë vjeç. “Ballkani” u popullarizua në brezin tonë nga gazetarët, të cilëve u pëlqeu emri ndoshta nga tingëllimi i pazakonshëm, por autorët më të thelluar ende parapëlqejnë ta quajnë Evropa Juglindore. Së fundi, duhet përmendur se Evropa, në kohët klasike përdorej vetëm për “Ballkanin”; emri i Evropës për herë të parë në Mesjetë u shtri për pjesën tjetër të kontinentit të bardhë.
Kam bërë çmos që këto ese të jenë objektive dhe të paanshme. Nëse ndonjëherë mund të duket se jam ndikuar nga një anim i natyrshëm kombëtar, e vlen barra që lexuesi të peshojë vetë nëse është e përligjur një përshtypje e tillë, si dhe mos vjen nga fakti që historia e Shqipërisë gjithmonë është trajtuar mbi bazën e pohimeve subjektive e të anshme që kanë bërë armiqtë e saj. Një paraqitje e ndryshme nga një autor shqiptar detyrimisht do t’i trazojë disa shprehi të caktuara të të menduarit dhe disa opinione të gatshme për çështjet në diskutim. Kokëfortësia ishte një qëndrim jo shkencor dhe unë vetë nuk pretendoj se s’kam asnjë gabim. Por mund të përsëris me qiltërsi thënien e shkrimtarit të vjetër grek, Hekateut të Miletit, tekstin e të cilit e kam cituar në faqen e titullit: “I shkruaj këto gjëra ashtu si më duken mua se janë të vërteta.”
Acta et Diplomata res Albaniae mediae actatis illustrantia, Vell.I, Vjenë 1913. ↩︎