Epilog

Letra që më shkruente përmbante këto fjalë:

“I dashtuni Hamit,

Në fletorin që po të dorëzojë kam shkrue shkurtazi, jetën t’eme. Mbasi t’a këndojsh epja Shpend Rrëfes bashkë me letrën dhe shamin e bardhë që po i dërgoj si shenjën e qefinit t’em. Nga përmbajtja e fletorit keni për t’a kuptue se sa shum vuen femna Shqiptare, se sa keq përdoret ajo e gjora dhe si asht ulë në shkallën e robneshës e të kafshës.

Prandaj kërkoj prej jush që të ndërmerrni nji lëvizje të gjanë për emansipimin e vërtetë të femnës Shqiptare dhe për naltësimin e nivelit të saj kultural, moral e sosial. Pres të më zotoheni se do t’a përmbushni dëshirin t’em të fundit që të vdes e shkujdesun dhe e qetë. Përndryshe shpirti i em kurrë nuk do të prehet edhe sikur të mbahet, me pekulet ma të mëdha, në lulishtet e Parajsës. Shpirti i em i pakënaqun do t’ju duket juve n’andërr dhe do të kërkojë t’a përmbushni zotimin, do t’ju ndjeki kurdoherë dhe kudo, që t’a mbani premtimin. E çdo shkrojë ose fjalë e këtij libri do të jetë si nji grenzë për me i thumbue e kafshue ndërgjegjet t’ueja në rasë se nuk do të qëndroni në besë.

Thueji Shpendit se po vdes me emnin e tij në gojë dhe me mall të pashuem në zemër për të. Gjithashtu njoftoje se shamia që po i dërgoj asht ajo që kam mshimë lotët ditën që më martuen me kët tregtarin dhe m’a vranë zemrën.

Ty të falem nderit, Hamit, për ndihmat e mëdha që më ke dhanë gjatë jetës s’eme. Lus që të shpërblehesh me gëzime.

Po ju përshëndes për herën e fundme tue ju urue e bekue me të gjitha fuqit e mija, me të gjitha forcat e atij shpirti që asht tue u largue nga ky trup i dërmuem dhe i kalbun.

Kushrina e jote:

Dija”

Kur e mbarova librin së kënduemi, kishte nisë me zbardhë drita. Megjithqë gjatë leximit shpesh herë qava, bashkë me Dijen e shkretë, kur e mbarova prap m’u mbushën syt me lot. Nji copë herë, kujtoj mjaft të gjatë, mbeta i mposhtun nën pushtetin e mallëngjimit e të dhimjes dhe derdha lot. Nga pagjumësia dhe leximi i vazhdueshëm, isha lodhë aq shum, sa s’kisha fuqi me lëvizë. Balli më digjesh shum dhe krejt shtati më ishte drobitë. Edhe syt m’ishin turbullue dhe më qitshin xixa lodhjeje. E ndijsha nevojën urdhëruese për t’u prehë e qetsue. E vuna librin me nji anë dhe u shtrina për të flejtë, por nuk më lejshin mendimet. Si grenza të kuqe më msyejshin mendimet dhe më kafshojshin pamëshirshëm tue më shkaktue dhimbjë në zemër. Po, mendojsha për Dijen e ngratë. Dojsha të gjej se në ç’gjendje ndodhesh aso kohe. Tue gjykue se ajo pritte prej meje nji përgjigje zotuese, nisa me u shqetsue se mos vdes përpara se të jem takue me te. Prandaj vendosa të nisem.

U çova, por pashë se nuk mundesha me i qëndrue udhtimit dhe besova se do të ngec në mes të rrugës. Dashë e pa dashë rashë rishtazi. Nji kohë të gjatë u përpusha në shtrat. Mezi më muer gjumi, të cilin e ndolla shumë.

Bana nji gjumë shum të keq dhe me andrra shum të këqia. Edhe Dijen e pashë n’andërr. E pashë sikur më lutesh, me lot ndër sy, që t’u dilsha zot femnave, sidomos femnës Shqiptare. Shkurt gjumi që bana qe nji kllapi e keqe.

Vonë u zgjova. Menjiherë u ngrita dhe nisa me u mveshë, pse ora kishte kapërcye dhetët. Tue u mveshë hyni mbrenda shërbëtori i hotelit dhe m’a dha këtë telegram që vinte prej t’atit të Dijes së mjerë.

“Eja shpejt se të kërkon Dija.

Sulë Kërthiza”

Punën, për të cilën kisha shkue atje, e lashë pa e krye dhe pa humbë kohë u nisa për Tiranë. Por të nesermen sosa, pse na u prish automobili në rrugë. Kur mbrrina në kryeqytet ajo kishte vdekë dhe ishte vorrue.

Më njoftuen se më kishte kërkue shum dhe kishte porositë të më thonë se kërkonte t’ia përmbush dëshirin për shka m’ishte lutë. Shkova ke vorri i saj dhe, me lot ndër faqe, u betova se do t’a përmbush dëshirin e saj.

Në marrëveshtje me Shpendin, vendosa t’i shtyp shënimet e saj në formë libri që janë si shpërblim për të dhe si mësim për të tjerët