Ahmet Zogu i hequr më nj’anë, në Serbi, deshëronte të rijë i qetë e të dëgjonte lumtëri e mbarësi për atdheun e tij të dashur. Dëshëronte nga zemra që të shëkonte vepra themeltare, prej qeverisë kryengritëse, edhe ndjente një gëzim të math, në veten e tij, që të kqyrte për së largu gabimet edhe fajet që kishte, nofta, vepëruar, sa kohë që sundojti ajy vetë Shqipërinë.
Besonte që largim’ i tij, prej Shqipërisë, do t’i beheshe një shkoll’ e naltë, për pritmjen të atdheut, se më nj’anë do të argaseshe në politikë, kur të shëkonte burrat e rahur e të pjekur qysh dinë të suudojnë shtetin, edhe më tjatër anë do të munte të piqeshe ca më mirë dyke njojtur cilët ishin shokët edhe bashkëpunonjësit e tij besnikë.
Me të vërtejt, për Ahmet Zogun, ky largim u bë një shkollë e naltë, se përfitojti kaqe shumë sa vallë do të kish përfituar nonjëherë kaqe fort, me qënë që pësimet ju bënë mësime edhe nga ay Ahmet Zogu i ri duheshe të dalë Ahmet Zogu Plak që të ringjallë Shqipërinë, dyke i shtruar themele të forta e të çelnikta, edhe të verë në serë të shtetevet të botës të qytetëruarë!
Në vënt që të dëgjonte nonjë lajmë të mirë edhe gazmore, nga atdheu, për kundrazi dita me ditën lajme të zeza dëgjonte edhe shëkonte, kështu që i copëtoheshe zemra edhe i pikëlloheshe shpirti prandaj, dyke psherëtitur, menjtohet thellë, vetë vetiu, edhe thotë: Shqipëria po shkretonet së gjithash edhe unë po ri në Beligrad! Mos më durofsh o Zot, bërtet, edhe me vrap mori vendimin të fundit: vdekja më mirë edhe vetëm e vetëm shpëtimi i atdheut! Q’atë orë shtron pllanin të vepërimit edhe mbleth shokët e tij besnikë, të aratisur në Serbi, Itali edhe Greqi, edhe u çfaq pllanin edhe vullnetin e tij, të patundur, që do të niset për shpëtimin të Shqipërisë.
Shokët e tij politikanë, si Xhafer Ypi, Shefqet Vërlaci, Ilias Vrioni, Koço Kotta e të tjerët, mbetnë të habitur me guximin të Ahmetit, po ç’do këshillë që t’i jepnin ishte e kottë, prandaj i shtrënguan dorën që Zoti t’e mpronjë nga ç’do rezik edhe daltë faqebardhë. Me vrap Ahmeti mer shokët luftëtarë, midis cilëvet edhe Major Gjilardin, edhe shkon për në malet e Shqipërisë.
Lajmëja që Ahmet Zogu shkeli në malësi të Shqipërisë u përhap si vetëtima edhe në thirje të tij vrapuan përnjeherjesh jo vetëm Matjanët po edhe Mirditas, Dibranë e Kosovas gati që të derthnin pikën e fundit të gjakut për Ahmet Zogun edhe për shpëtimin të atdheut. Me gjithë që Ahmet Zogu e dinte fort mirë fuqinë të madhe, q’i kish vënë për ballë qeveria në gjithë anët e kufive, po këjo nuku i bënte nonjë përshtypje as q’e frikësonte prandaj, si mblodhi kryetarët, si i madhi Skënderbeu shtron pllanet për goditje
Njëhere pllanet të caktuara Ahmet Zogu u lutet edh’i këshillon që të përpiqen me sa t’u jetë e mundurë të largohen nga gjakderdhja, midis vëllazërisë, edhe nga ç’do dëm që munt t’i ngjiste popullit. U përndahnë që të gjithë për të marë kumandën e pjesës së tij, që ju ngarkua si cilit do, edhe Kumandanti i përgjithëshmë i vepërimit, Ahmet Zogu, mbajti për vete grykën e Matit, Gur’ e Bardhë.
Plani i goditjes u pregatit kësisoj: Ahmet Zogu me 12.000 shpirt mbajti për qendre Peshkopine dyke patur me të djathte Shtetin Madhor, nënëkryesi të Majorit Leon de Gjilardi, të njojturin luftëtar kundra Grekëvet, në Kolonjë edhe Devol të Korçës 1914. Ceno Kryeziu me 3.000 shpirt mori anën e Lumës, Shkodrën me 1.400 shpirt, Malo Bushati edhe Salahedin Bloshmi me 700 shpirt mori qafën e Thanës.
Në të dhënit të shënimit, prej Kolonelit Ahmet Zogut, për përparimi nga gjithë anëtë ushtëria e gjithë fuqitë qeveritare u gjetnë përpara një reziku të math edhe tmeri i math i pushtojti kështu që ç’do kundrështim ishte i kottë Oficerët iknë dyke lënë ushtërinë pa nonjë kumandë kështu që gjakderdhja ishte e pakëtë, nga të dy anëtë.
Ceno Kryeziu pati kundrështimin më të math po dyke lëftuar burrërisht mundi t’i thyenjë edhe t’i vërë përpara e t’i çakërdisnjë andej këtëj dyke mos qëndruar dot gjëkundi.
Goditjet u ndezë me gjithë anëtë, po pllanin strategjik të Ahmet Zogut nuku e kupëtonin dot Kumandarët të ushtërisë regullshme, të qeverisë, prandaj qeveria lajmëronte, zyrtarisht, popullin edhe botën e jashtme që kryengritësit i dërmojti ushtëria edhe po i ndjek këmba këmbës gjer në kufi Shqiptaro-Sërbe. Qeveria i kish me të drejtë qarkoret që jepte se, pas lajmeve edhe sigurimit që i jepte Shteti Madhor, besonte siç besonte edhe vet Shteti Madhor që fituan luftën edhe kryengritësit u aratisnë.
Ahmet Zogu gëzoheshe se vështronte që pllan’ i tij po plotësoheshe, pas programit që kish shtruar, me qënë që qëllim’ i tij ishte që kundrështarët t’i mbante në ato vënde, ku të besonin e pandehnin se gjithë fuqia e Ahmet Zogut atje qendronte. As fare edhe kurr nuku e shkonin nër mënt që Ahmet Zogu mbante një fuqi jashtë luftës e cila do të rynte në Tiranë në të parën shenjë që do t’u jepte.
Këjo fuqi po rinte e fshehtë në grykë të Matit, dyke pritur urdhërin e Kumandantit Math, i cili si një strategjik i mbaruar jepte e merte më të gjithë anëtë.
Kur beson që ardhi koha e duhur urdhëron fuqinë të grykës Matit të dalë në qafë të Murisit 6 orë lark Tiranës! Me mos pandehur kurrë që do të guxonte rynte nga këjo anë nuku ishin përkujdesur që të linin nonjë fuqi të madhe, prej të ushtërisë, prandaj në çfaqjën të kësaj fuqie, të Ahmet Zogut, një tmer e një panik i zapëtojti aqe qeveritarët e politikanët, në Tiranë, si edhe gjithë ushtërinë kur mësuan këtë pllan të papandehur edhe të pa pritur kurrë të kurrës!
Qeveritarët me nxitim të math mblodhë katrafuzët edhe shkuan për në Vlorë, ku, hofta, të shtronin të tjera pllane për mprojtjen. Me gjithë frikën që kishin me vete, nga hieja e Ahmet Zogut, nuku haruan që bashkë me Arqivat të shkundin edhe arkat të shtetit. Shenjtëria e Tij Pishkopi Noli, Kryeministri, nuku munte që të ndaheshe nga Tromponi edhe kështu e mori me vete, për të haruar brengat edhe hidhërimet të ditës!
Oficerët, njeri pas jatrit, muar trajstat edhe shkuan edhe ata për në Vlorë që të keshilloheshin me qeverinë edhe të mernin masat e duhura nën urdhërin të Ministrit Math te luftës, Kasëm Qafzezit!.. Të pakë Oficerë mbetnë në luftë, midis cilëvet Shefqet Korça, po edhe këta dyke parë që ç’do kundërshtim ishte i kottë muar udhën e Vlorës dyke lënë ushtërinë të përndarë e pa kumandë, që të aratiseshin në për male si zoqt’e korbit!
Me gjithë këto ngjarje, të pashëmbëllta, edhe me katastrofën që pësuan, bukuroshët Qeveritarë, pa pikë turpi, deshnin edhe nga Vlora të jepnin urdhërime e kumanda në për Prefekturat me seriozitë sikur me të vërtejt ata ishin sundimtarë. Edhe, pa tallje, besonin që përsëri do të ktheheshin në Tiranë dyke varur shpresën me të madhe tek Bajram Curi edhe tek Isuf Elezi, të cilit përveç Arxhevet q’i dhanë me këtë rast i paguan edhe arxhet q’i kishin mbetur, pa paguar, që në kohë të Mbretit 1914!
Më këto ëndërime po mereshin qeveritarët, në Vlorë, kur më 24 Dhjetor fuqia e Ahmet Zogut, pas njê përpjekje të vogëlë e pa nonjë dëm, rëzohet edhe ryn në Tiranë, të cilën e muar nënë mprotje dyke regulluar një shërbim qeverimi të hëpërhëshme.
Me 25 Dhjetor ryn vetë Ahmet Zogu, si Kumandant i Përgjithëshmë i Operacionit me gradon Kolonel, edhe u prit me enthuziazmë të madhe nga ana e popudlit. Lajmeja e rikthimit, në Shqipëri, të Ahmet Zogut u prit me gëzim të math nga gjithë populli, i cili i mërzitur nga një qeveri ilegale ishte tepër dëshpëruar, prandaj rikthimi i Ahmet Zogut e ngushëllojti dyke i mbushur zemrën plot shpresë për një pritmje të lumturë.
Qeveria ilegale edhe çkatëronjëse, e cila ka për të mbeturë një pasqyrë për gabimet, fajet, dëmet edhe gjakderdhjet për inatet edhe egoizmat vetiake, mblodhi leckat edhe si shkundi arkat e shtetit shkojti në Itali më 26 Dhjetor 1924. Bashkë me qeverinë shkuan edhe Klikashët e mëdhenj, Mustafa Kruja edhe Bahri Omari me tarafet e tyre, për të organizuar partitë Radikale edhe Intelektuale!
Mjerisht me marrëzinë të këtyreve bukuroshë ishtë thënë që të gënjenen edhe t’i gjyrmojnë një shumice e madhe prej njerës politikanë, nënpunës edhe për mbi 400 Oficerë. Midis këtyreve ishin më të shumët të pafajshmë, po të gënjyer e të bindur në urdhërin e të mëdhenjvet e nuku bënë tjatër përveç se të mbushin detyrën, kështu që nga frika u hodhë në Itali, ku duheshe të lajnë mekatat e bukuroshëve. Edhe në këtë rebesh duheshe që të ndjente kombi edhe një hidhërim të math se u trazuan, me dashje ose pa dashje, ca burra kombëtarë vetëranë edhe burra shtetnorë, si Sotir Peci, Seit Qemali, Luji Gurakuqi, Hil Mosi, Qazim Kokoshi, Spiro Koleka, Kole Tromara, Jashar Zavalani e shumë të tjerë të rinj, nga të cilët atdheu priste edhe pret shërbime.
Nga krerët, të cilët u përkujdesnë të mbushin xhepet, për shërbimin të math e të paharuar q’i suall atdheut, u hodhë në dëfrimet edhe të mjerën Shqipëri e haruan, të tjerët mbetën në për rugat e Italisë si mos më keq!
Të këtillë përfundim mori qeveria ambiciose edhe e urejtjes nënë Kryesi të Nolit, i cili, për të arrirë qëllimin të egoizmës tij trashanike, shkeli me këmbë gjithë nderimet q’i kish dhënë kombi edhe, për çpagim, çkatërojti Shqipërinë!
Ahmet Zogu me të marë fuqinë në dorë, si Kumandant i përgjithëshmë i Operacionit, i bën një thirje popullit dyke e këshilluar në qetësi edhe të shohë punën e vet si cilido, kështu edhe Prefekturavet u drejtoj qarkëtore dyke u hequr verejtjen që të shëkojnë punën edhe të mbushin detyrën, plotërisht, se janë përgjigjës për ç’do faj ose gabim që të vëpëronet në Prefekturat e tyre. Me të vërtejt q’atë orë, që kur se u lajmërua rikthimi i Ahmet Zogut, mori përnjerjesh ngjyrën e parë qetësia e vëndit, edhe cilido u hoth në punërat e veta.
Shumë, nga partizanët që simpathizonin edhe kishin bashkëpunuar me qeverinë ilegale, kishin edhe frikë se pandehnin mos ndiqeshin për kundrështarë po as nonjë ndjekje e këtillë nuku u vepërua, dyke lënë lirin’ e plotë të gjykonjë si cilido, në të drejtat e ligjit.
Koloneli tonë, Ahmet Zogu, me të u qetuar vëndi krejt, deshe të tregonjë kalorësin’ e tit fisnike edhe të japë shëmbëll patriotizme, shëmbëll bindje përpara ligjevet edhe kështu pas 10 dit sundimi, ushtërisht, si Kumandanti i Përgjithëshmë i Operacionit, xveshi robat ushtëriake edhe bashkë me kllecin e hutën të tij, pa si nvari në peronë për kujtim i dorëzoj fuqinë në dorë Këshillës naltë, më 4 Janar 1925 që të rynjë shteti në udhën legale.
Ja shëmbëll patriotizme! Ja shëmbëll prej burri të math edhe shpirt Madhështori!
Ay që shpëtojti e ringjalli Shqipërinë edhe kur munte me kleçin në dorë të sundonte, nuku desh se nuku ja pranonte shpirti edhe zemra atdhesore edhe madhështore, kështu që si ç’do nënështetas edhe ushtar i thjeshtë qendrojti gati në zërin të atdheut, për të i shërbyer me mish edhe me gjithë shpirt!
Xhafer Ypi, mbetur i vetëm anëtar i Këshillës Naltë, pa ndenjur në menjtime të thella, i ngarkojti barrën Ahmet Zogut, të vetëmit burrë që kish nevojë kombi, për të formuar Kabinetin dyke patur Ministër Myfit Libohovën, Petro Pogën edhe Koço Kottën.
Me largimin të Ahmetit, nga Shqipëria, kombi ynë përfitojti kaqe shumë sa, nofta, edhe me therorira vallë do të kish arrirë që të shëkonte kaqe dobira të mëdha, nga ky largim, me qënë se Shqipëria fitojti një xheni, një burrë shteti të math, të mbaruar edhe dorëçelniktë. Po; burri i math edhe dorëçelniku i Shqipërisë, i cili ishte dorëzuar prej Zotit Math që t’i hedhë themelet e forta e të çelnikta, ishte trimi i trimavet edhe guximtari i pashëmbëlltë Ahmet Zogu!
Kohën nuku e shkojti më kot e në dëfrime, si shumë të rinj, po në studime edhe studime të gjërra e të thella sa kohë që ndenji në Beligrad. I prikosur vertejt natyrisht me xgim, si e me diturinë që kish marë në shkollat po këto nuku i mjaftonin pa bërë e një praktikë, dyke u trazuar me burra politikanë të mëdhenj e të rahur gjithë jetën e tyre me politikën, kështu që mundi të përfitonjë shumë. Më tjatër anë edhe në Shqipëri pësimet ju bënë mësime edhe ishte mjaft argasur që të psikollogjiste në cilën katigori qendronte atdheu i tij, i dashur, edhe qysh duheshe vepëruar që t’e siguronjë mbi një themel të fortë e të çelniktë edhe t’e verë në sërën të gjithë kombevet të qytetëruara.
Prandaj me të marë Kryeministrinë me vrap ju vërvit punës edhe, në një kohë të shkurtër, të munde të habitnjë botën me veprat e tij shtetnore e të çudiçme. Pik së pari i shëroj Shqipërisë gangrenin dyke desformuar ushtërinë, e cila thëthinte dirsën e popullit edhe në vënt që t’i shërbente atdheut i solli dëmet më të mëdha, me demoralezimin edhe politikën që kish adoptuar. Përveç këtyreve për shtetin Shqiptar nuku duhet as pak që të mbanjë një ushtëri të madhe me kaqe spenzime, se është e ditur që Shqipëria nuku munt të lëftonjë dot me as nonjë mbretëri fqinjë ose tjatër. Për Shqipërinë duheshe që në krye reforma e Ahmet Zogut, një Xhandarmari e organizuarë në degën e fundit të përparimit edhe një ushtëri të vogël, vendiak, dyke shërbyer 6 muaj për ushtrim siç u votua.
Më 17 Janar u hap Asambleja edhe pa shkuar kohën me bisedime, të kota, edhe çeshtje vetiake u muar me bazën themeltare të qeverimit të shtetit Shqipëtar. Si biseduan edhe studiuan hollësisht, nga ç’do pikëpamje, cili qeverim është m’i mirë edhe m’i pëlqyer, për Shqipërinë, pranuan, votuan edhe prokllamuan Republikë!
Dita 21 Janar 1925 do të mbetet e shenjtë edhe historike, për kombin Shqipëtar, me qënë që në këtë ditë u prokllamua Republika Shqipetare!
Gëzimin e math edhe rëndësirën, të kësaj dite historike, e ndjehu edhe e çfaqi gjithë kombi Shqipëtar, i cili nga enthusiazmi ishte si i dehur me të mësuar këtë lajmë gazmore e cila u përhap si vetëtima më gjithë anëtë të Shqipërisë edhe në gjithë botën. Festimet mbajtnë tri dit e net dyke dëfryer e dyke kënduar. Në për Kishrat e në për Xhamitë u benë Të Deume (Lutje) për këtë ditë dyke ju lutur Perëndisë që t’e ketë nënë mprojtje Republikën Shqipëtare që të përparonjë edhe të ronjë sa të jetë bota. Kësisoj u festua këjo ditë e shenjtë edhe historike, e cila ka për të mbetur trashëgim në trashëgimtarët të Shqipërisë. Zërin të popullit Shqiptar i cili arrinte në qell, do t’e dëgjonjë i Madhi Zot, prandaj bashkë me atë zë që buçiste bashkonj edhe unë lutjet e zërin tim edhe nga thelbi i zemrës e bëtas: Roftë! Roftë edhe Roftë Republika Shqiptare! Amin.
Gjithë bota u lajmërua për prokllamimin të Republikës Shqipëtare edhe u prit me gëzim të math që edhe Shqipëria ryri në sërën të shtetevet të qytetëruara. Qeveritë përgëzuan me telegrame të nxehta Kryeministrin të Shqipërisë, Ahmet Zogun, dyke çfaqur dëshirën që kanë për të ndihmuar e përkrahur Republikën e re që të rynjë në sërën të qytetërimit edhe përparimit.
Me të u prokllamuar Republika Shqipëtare përnjerjësh Shqipëria mori një ngjyrë tjatër, në qarket Dipllomatikë edhe Kapitaliste. Me vrap u çfaqnë Kompanira të mëdha dyke kërkuar Konçesione për vaj gurin, Minerale, Banka edhe të tjera. Qeveria bashkë me Asamblenë pranuan një Konçesion të vaj gurit edhe formimin të Bankës kombëtare, e cila ishte m’e nevojshme nga të gjitha. Kësisoj zunë të zbulohen begatitë të Shqipërisë edhe nuku mbetet përveç se në do rë të Qeveritarëvet edhe gjithë Shqipëtarëvet që të hapin sytë e të punojnë me zell që të shohin edhe t’e lenë prapa tyre një Shqipëri të lumturë, brez pas brezi!
Asambleja, dyke punuar pa reshtur, me kujdes të math kqyrte edhe si i bisedonte Nyjët të Konshtutës më 31 Janar 1925 zgjodhi Ahmet Zogun të Parin President të Republikës Shqiptare, në mest të enthusiazmit e dorëtrokitjevet që nuku mernin pushim me bërtime: Rroftë Presidenti! Rroftë Ahmet Zogu! Rroftë pritmja e lumtërisë!
Asambleja me këtë zgjedhje mundi të përfaqësonjë, me të vërtejt vullnetin edhe dëshirën të gjithë kombit Shqipëtar, me qënë që burri i math i Shqipërië, si cili ka fituar simpathinë edhe zëmrën të tij është Ahmet Zogu. Prandaj me të u përhapur sihariqi gazmor, në të gjithë anëtë, populli nuku dinte qysh të çfaqte gëzimin e tij. Me të gjithë anëtë nuku tingëllonte në hapësirë përveç se buçim i zërravet që bërtitnin: Rroftë! Rroftë edhe Rroftë Ahmet Zogu!
Lutje në për xhamite edhe Kishrat u bënë me ceremoni të madhe dyke ju lutun Zotit Math për të Parin President të Republikës Shqipetare. Nuku kish gojët e tjatër në për popullit përveç se të lavdëronin Zotin që u fali Republikën edhe President Ahmet Zogun, tek i cili kanë vënë gjithë shpresën të Shqipërisë, prandaj dita 31 Janar u festua me kaqe bujo edhe me kaqe enthusiazme të madhe.
Kish edhe ka arësye të plotë populli që të enthuziazmohet për të shtrenjtin, të çkëlqyerin, dorëçelnikun edhe burrin të math të Shqipërisë, me qënë se Ahmet Zogu përmhleth gjithë virtutet që të qendrojnë mbi Fronin Presidencial, për mbi të cilin meritat e tij, të fituara me theroritë që shtrojti mbi alltarin të atdheut, edhe vullneti i kombit e hipnë atje Nalt për të udhëhequë frenat të Republikës Shqiptare.
S’ka dyshim që tek Ahmet Zogu, Presidenti i Republikës, do të gjejmë Ahmet Zogun që kur se u hoth në luften kombëtare, Ahmetin që mori anë në Kuvent të Lushnjës, Ministër, shpëtimtar, Kryeministër, Kolonel, Burrin të math edhe ringjallësin të Shqipërisë!
Bashkonj edhe unë lutjet edhe zërin tim edhe nga thelbi i zemrës bërtas: Rroftë Republika Shqiptare! Rroftë shpresa, burri i math edhe dorëçelniku Ahmet Zogu, i Pari President i Republikës Shqipëtare! Rroftë! Rroftë edhe Zoti i Math e mproftë edh’e ndimoftë për lumtërinë të Shqipërisë Amin.
FUNT
Mihal Grameno