Më 1907, në muaj të Prillit, një anije me pëlhurë hiqte verejtjen të gjindjes të Brindisit, qytet i Italisë, në deti Adriatik. Këjo anie kishte ca ditë që vërtiteshe në ujrat të Brindisit edhe nga lëvizjet që bënte epte dyshim që një qëllim të fshehtë gjyrmonte. Edhe me të vërtet po të gjyrmonjë, për së afërmi Kapitanë të anijes, kur delte përjashta natënë, do të kupëtonjë qëllimin e tij.
Kapitani ishte një burrë mesatar, i thatë, mustaqet të mëdha e të verdha, robat e tij ishin gegënishte, nga të cilat kupëtonje që ishte Shqipëtar. Në pyetjet, nga ç’vënt je, Ahmeti, siç quheshë kapitani anijes, psherëtite edhe dyke mbushur sytë me lote përgjigjeshe: nga Ylqini! Këjo pyetje i pikëllonte zemrën të mjerit Ahmet se me syt’e tij kishte parë kur qyteti i tij lindjak, i bukuri Ylqin, kishte rënë në dorë të Malit Zi, më 1878.
Një natë kur qetësia zotëronte në qytet, një vërshëllim dëgjonet ndanë detit edhe pas pakë kohe lopatat fëshëllenin në det dyke sjellë një barkë në drejtim që ku kishte dalë vërshëllimi.
Me të u afruar barka jep parollen, edhe në përgjigjie rëzonet Ahmeti, pastaj, si dolli përjashta edhe haset me nëntë burra q’i kishin vërshëllyer, u thotë: të gjitha janë gati edhe me qënë që kemi kohë të mirë, është shumë mirë të nisemi që sonte.
Të lutemi Ahmet, i thotë një nga burrat, të na preç gjer nesër brëma me qënë që nuku jemi gati se nesër do të vejë ky Zotëni, dyke treguar një nga burrat, në Bari ku ka për të marë armëtë edhe nesër brëma sigur do të nisemi.
Si kur të mos ishte qëllimi i shenjtëruar, për të dashurën Shqipëri, thotë Ahmeti, do të mos u prisnja se duhet të besoni se Qeveria e këtushme zuri të dyshonjë e frikë kam mos pësojmë gjësendi. Tani edhe një ditë mbeti në mest, thotë i pari, e me emërin të Zotit as gjësendi do të mos pësojmë se .kemi Perëndinë me vehte.
Ashtu qoftë, thotë Ahmeti, po nesër brëma në këtë orë të jini gati, pastaj i ipi barkës edhe shkojti.
Si shkojti Ahmeti shkuan edhe burrat që pamë, të cilët me të u afruar në qytet u-përndanë si cilido në Hotel të tij. Këta burra kishin ca ditë që kishin ardhur në Brindis edhe iqnin verejtjen të Brindis anëve, me qënë që dukeshin të huaj me mos kuvenduar as gjuhen Italiane, edhe ishin përndarë në për Hotele e vetëm fshehtazi haseshin edhe bisedonin.
Burrat t’anë, që tregojmë më sipër, nuku ishin të tjerë përveç se të parët kryengritës (komita) Shqipëtarë, të cilët ishin mbledhur në Brindis që të hidheshin në Shqipëri edhe të përpiqeshin për lirinë. Këta burra ishin Bajua edhe Çerçis Topulli, Veli be Klysyra, Zeman Mashkullori, Idris Jakova. Thanas Nasto, Naum Trebicka, Hasan Toleri edhe Mihal Gramenua.
Të nesërmet brëma, gjithë në atë orë, vjen Ahmeti edhe thotë që është gati së gjithash e me pëlhura të hapura, prandaj të vrapojmë të shkuarët. Veli beu i cili kishte vajtur në Bari për armë, nu u u kthye po teligrafisi që në mëngjes do të jetë atje sigurisht, po Ahmeti me mos duruar vendosmë që të vinim neve në anie, q’atë brëma, e të prisnim atje gjer nesër Veli benë.
Kështu vendosmë edhe Çerçizi, Mihali, Idrizi, Zemani edhe Thanasi si muarm armët, fishekët, robat, të ngrënë edhe ç’duheshë për një udhëtim, kaqë të rezikshmë, rymë në barkë edhe për pakë kohë arrimë në anije.
Pritmë të nesërmet gjer më drekë po, mjerisht, Veli beu me shokët e tij, Naumnë edhe Hasanë, nuku dukeshin edhe ishim në dëshpërim të math për nonjë ngjarje të pa pandehur, kur Bajua na dërgon një letrë dyke na lajmëruar që Veli beu me shokët u pendua, kështu që neve u nismë për në Shqipëri.
Bajua pas marëveshjes që kishim bërë, edhe veçanërisht në lutjet e mija, qendrojti për çdo ngjarje edhe shkojti në Amerikë pë të mbledhur ndihma.
Po më përpara se të nisemi, për në Shqipëri. besojmë të nevojshme që të tregojmë fillimin edhe organizimin të komitetit.
Mihal Grameno