Te Ura, te Ura
Vraponi, o burra,
Me armë, me topa, me kordh’e me shpata,
Se dolli kuçedra e errët nga nata,
Se ngriti bajrakun e lyer me gjak
Dhe sulet prej Shjakut në Durrës me vrap.
Kuçedr’ e Turqisë,
hyen’ e urisë,
E rrahur nga Greku, nga Serbi e Bullgari
Do gjak të thëthinjë dhe vjen te Shqiptari,
Si gjarpër zvarniset, i sillet përqark,
Me dinin në gojë, me helmin në bark.
Kuçedrën e vrarë
e hasi më parë
Thomsoni në Vlorë, kur vinte prej detit
Me katërqint krahë lubi e Dovletit,
E zuri për gryke, e shtriu përdhe,
Nga thonjt’ i rrëmbeu të mjerin Atdhe.
Pastaj për së dyti
Në Durrës e mbyti
Dhe kokën ia shtypi me top nga Kalaja,
Kur hodhi Esadin nga Froni, nga maja,
Nga forca në pluhër, nga bregu në det,
Me grusht prej rrufeje, që grin e që tret.
Kuçedra e thyer
Në turp e përlyer,
Përmblidhet e kthehet nga toka në Durrës
Dhe ngrihet m’e fortë në Gjol, afër Urës.
Shqiptar’ i verbuar vërsulet në det,
Shkel Flamurin dhe Nënë dhe vllezër po vret.
Dy herë të theva,
Të shtriva, të ndeva,
Po prapë u ngjalle dhe prapë u ngrite,
Pritmë, the, pritmël Dhe prap’iu vërvite,
Dhe hovin kuçedrës ia preve, po re,
Kalorës i huaj, që vdiqe për ne!
Nga Ura, nga Ura,
Po ikni, 0 burra?
Ju ikni, po hij’ e Kalorësit s’ikën!
Kuçedrës tërbuar ajo i fut frikën,
Se Urën € ruan, se Urën e mpron
Stihia- Shqiponjë me qip e me thonj.
Te Ura, te Ura,
Vajtoni, o burra,
Thomsonin e ngratë që ju vet’ e vratë,
Që pas nuk i ratë, po vetëm e latë,
Kur shkonte kaluar të vdesë për ne,
Për ju, të mallkuar, që s’doni Atdhe.