Nëno moj, mbaj zi për vllanë,
Me tre plumba na i ranë,
Na e vran’ e na e shanë,
Na i thanë tradhëtor.
Se të deshte kur s’të deshnin,
Se të qante kur të qeshnin,
Se të veshte kur të çveshnin,
Nëno moj, të ra dëshmor.
Nëno moj, vajto, merr malin,
Larot ta përmbysnë djalin,
Që me Ismail Qemalin
Ngriti flamur trimëror.
Nëno moj, ma qaj në Vlorë,
Ku të dha liri, kurorë,
Shpirt i bardh si dëborë:
Ti s’i dhe as varr për hor.
Nëno moj, ç’është përpjekur
Gojëmjalt’ e zemërhekur,
Syrgjyngjall’ e syrgjynvdekur,
Ky Vigan Liberator.