Sofokliu

Sofokliu ishte budalla,
Kur u mplak, edhe Kupidi e la,
Tha: “Shpëtova nga një maskara!”
Goja, pra, iu tha.

Sofokliu nuk e kishte mirë:
Plaku s’ka takat, po ka dëshirë.
Gjalpë s’ka, po ka një pus me hirrë,
Furrë dhe trazirë.

Kam Ferid Asllanin si shahit,
Tetëdhjet’ e pesë vjet ashik:
Amerika, Evropa u çudit,
Nuse desh kur vdiq!

Flamurin që la e trashëgova,
Nat e ditë çupa, gra kërkova,
Seç’ u batërdisa, seç’ u shova,
Seç’ u përvëlova.

Kur të vdes dhe kur të më mbuloni,
Çupa, gra, në varr mos më vajtoni.
Do t’ju dua prapë, siç më doni.
Dolla. Mos më zgjoni!