Fryn e çfryn veriu,
Ngrin, mërdhin i ziu
Dhe mangallit i afrohet
që të ngrohet.
Krishtin brënda e gjykojnë
Dhe pas ligjës e dënojnë,
E goditin dhe e shtyjnë,
E përshtyjnë.
S’del askush që ta shpëtonjë,
Roma do ta kryqësonjë,
Triumfon Legaliteti
Dhe Larneti.
Kur e rrahin dhe e tallin
Pjetri ngulet mi mangallin,
Kur e pa, u koll këndezi
Nga qymezi.
Dhe një shërbëtore i tha:
– “Je dhe ti një nga atal”
Po Shën Pjetri proteston,
E mohon.
Kuspull mi mangallin mblidhet,
Po djek dorën dhe përdridhet;
Se ç’këndon bandill këndezi
Nga qymezi:
“S’ka e s’ka si hercizma,
Edhe si idealizma,
Po kur dimër del behari
S’ka si zjarri.”
– “Nga ata je!” - thot" ajo,
E mohon Shën Pjetri:- “Jo!
As e njoh, as e kam parë,
moj e marrë!”
Kuspull mi mangall mblidhet
Po djek mjekrën dhë përdridhet;
Se ç’ këndon bandill këndezi
Nga qymezi:
“Shkab” e shkëmb me poz e fjalë,
Se ç’na dolle shkrumb e galë,
Në je trim këtu tregoje,
Shko shpëtoje."
Thot’ ajo: - “Je, mos gënje!”
Pjetri e mohon me be:
“Jo, për Zotin, moj aman,
S’jam e s’jam.”
Kuspull mi mangall mblidhet
Po djek gjuhën dhe përdridhet;
Se ç’ këndon bandill këndezi
Nga qynezi:
– “Simon Pjetër, Bar Jona,
Kështu ndahet kjo dynja:
Kryqi andej, këtej buxhaku
Dhe allçaku”.
Seç e dogje, seç e fike,
Gjel me gjëm" e këng" armike,
Dhe ndërgjegjen se ç’ia çpove,
Seç ia zqove.
Se ç’vajton Shën Pjetri hidhur,
Leshlëshuar, duarlidhur,
Tri her’ e mohoj pa gdhirë,
Faqenxirë.