Rent' or Marathonomak

Rent, or rent, rent e u thuaj
Se u çthur ordi e huaj,
Se betejën e fituam
Dhe qytetin e shpëtuam!
Rent, or rent,
Rent, or Marathonomak!

Kap një degë prej dafine
Dhe vërtitesh ndaj Athine,
Nëpër fush’ e brek mi brek
Këmba tokën as ta prek,
Hip’ e zbrit
Petrit, Marathonomak!

Ke një plagë, po s’e the,
Djers’ e gjak pikon përdhe;
Do që ti të jesh’ i pari,
Për triumfin lajmëtari
Flamurgjak,
Kuqo, Marathonomak!

T’u tha gryka, po s’të pihet,
T’u mpi këmba, po s’të rrihet,
Se mileti po të pret,
Ankthi zëmrat ua vret,
Vrer e tmer,
Shpejt, or Marathonomak!

Kurrë kaqë s’dogji djelli
Dhe si plumb s’rëndovi gjelli,
Kurr’ aq ëmbl’ e bukur s’ftoj
Hij’ e lisit edhe kroj;
Turru tej,
Tutje, or Marathonomak!

Vapa mbyt e pluhri nxin,
Ferra çjerr e guri grin,
Afsha gjoksin përvëlon,
Syrin avulli verbon,
Ur’ e prush,
Furr’, or Marathonomak!

Gryka si gjyryk të çfryn
Prej vullkani flag’ e tym
Seç vëngon e seç gulçon,
Zemra brinjët t’i çkallmon
Me tokmak,
Mbahu, or Marathonomak!

Nëna, motra, nusja dalin,
Ngrehin krahët të të ndalin,
Mos, se s’janë veç Najada
Magjistrica dhe Driada,
Lark, or lark,
Lark, or Marathonomak!

Hajde, ja Akropolia,
Ja qyteti e njerëzia
Që të pan” e që të çquan
Dhe fuqinë ta rishtuan
Haj dhe pak,
Hajde, or Marathonomak!

Ja, arrive, ua the:
Ç’gas e ç’helm qe kjo myzhde!
“E fituam!”, brohorite
Dhe për tok’ u përpëlite:
Vdiq, or vdiqi
Vdiqe, or Marathonomak!

Rent kudo, dyke bërtitur,
Nëpër shekuj faqendritur,
Se i vogli shtrin viganin
Dhe i shtypuri tiranin,
Veç e tok,
Tok, or Marathonomak!

Pjesa e radhës
Anës Lumenjve